| E hene, 26.11.2012, 07:00 PM |
KOMUNITETI
SHQIPTAR
Bisedoi Flora
Nikolla, kryredaktore pranë ATSH-s
Zonja Kozeta Zylo, tashmë ju
jeni një emër i mirënjohur në diasporën shqiptare, për aktivitetin shumë
planësh që ushtroni, cili është çelësi i suksesit tuaj?
Të detyruar të largoheshim nga Mëmëdheu ynë, në pragluftën civile në fund të
shkurtit 1997, tri ditë para se të mbyllej aeroporti, dhe kjo falë vizës
amerikane që kishim qysh në vitin 1996, të bekuar si familje që bashkëshorti im
Qemal Zylo punonte si inxhinier, shef transporti në Korpësin e Paqes pranë
Ambasadës Amerikane, ndjeva se duheshin realizuar mjaft ëndrra të kahershme kur
shkela në këtë tokë të bekuar.
Isha edukuar qysh në fëmijëri nga prindërit me dashurinë për Amerikën, ngase
gjyshërit e mi kishin emigruar qysh në fillim të shekullit të kaluar. Gjyshi
nga babai me fitimet që pruri prej andej bleu toka ne Mezhgoran të Tepelenës
dhe shtepinë ku unë kalova fëmijërinë time.
Sigurisht këto ëndrra nuk realizohen me shkopin magjik, por duan vullnet të
tejskajshëm dhe ndershmëri. Aktivitetet e ndryshme që kemi organizuar në New
York kanë qenë gjithmonë në shërbim të Kombit dhe të njohjes së kulturës sonë
të lashtë në botë. Ne patëm fatin që të dy të punonin për disa vite në kolegj
pasi e mbaruam atë u emëruam aty, ndërkohë Qemali doli si studenti më i mirë i
kolegjit (valedictorian) dhe për këtë gëzonte të drejtën ligjore të
përshëndeste në emër të gjithë studentëve nga shumë vende të botës, për
rrjedhojë fjala e tij në ceremoninë e gradimit filloi me frazën: "Jam
krenar që jam shqiptar". Ishte një fjalim emocionues, dhe mbresëesëlënës.
Detyrohem ta përmend këtë pasi ky lloj suksesi modest na dha frymëzim për të
organizuar shumë aktivitete të bukura, veçanërisht për Kosovën dhe Flamurin
Kombëtar, që i kemi festuar çdo vit me shqiptarët e shumtë si në kolegj dhe në
mjedise të tjera. Simpoziumi shkencor që u organizua për Kosovën para
Pavarësisë së saj me pjesëmarrjen e qindra vetëve dhe njëkohësisht duke u
ndërprerë mësimi për disa orë, ku folësi kryesor ishte ish kongresisti Joe Dio
Guardi nuk do të hiqet lehtë nga kujtesa e shqiptarëve dhe amerikanëve. Disa
herë aktivitetet kanë qenë një pjesë e sensibilizimit dhe sinjaleve të pastra
që i shkonin Shtëpisë së Bardhë për të zhdukur genocidin që po ushtronte
Milloshevici mbi shqiptarët.
Por nuk është momenti këtu të flasim për aktivitetet tona, pasi ka shumë
shqiptarë që punojmë shumë, unë thjesht po i përgjigjem pyetjes suaj se çelësi
i suksesit modest që kemi arritur është bashkëpunimi dhe mirëkuptimi që kemi me
shqiptarët dhe amerikanët të cilët vazhdimisht kanë qenë pranë nesh. Ne kemi
qenë në lëvizje të pandërprerë, në punë me orar dhe pa orar dhe kemi vepruar,
që siç thotë Picasso se: "Action is the foundational key to all success".
Pra veprimi eshte çelësi kryesor i të gjitha sukseseve. Pa vepruar pozitivisht
dhe konkretisht nuk mund të arrish asgjë.
Cfarë ju ka dhënë Amerika?
Amerika na bëri qytetarë të lirë të Botës, dhe na dhuroi pafund Liri për t'i
shërbyer Shqipërisë dhe Amerikës me dinjitet dhe kulturë.
Si
gazetare si mund ta përcaktoni komunitetin shqiptar në USA…?
Komuniteti Shqiptar në USA është vlerë kombëtare, eshte mushkëria e Atdheut
nëpër botë. Diaspora si në shekullin e kaluar me dy korifejtë e saj Nolin dhe
Konicën si dhe në këtë kohë lufton për ta ringritur Shqipërinë në nivelin që
meriton dhe të qëndrojë një zonjë e rëndë midis shoqeve të saj.
Ju së bashku me
bashkëshortin tuaj, keni themeluar TV Alba Life dhe Shkollat Shqipe në Staten
Island dhe Brooklyn, si i realizuat dhe si punoni me to?
Pasi u liçensuam nga qendra e TV amerikan ne Staten Island, kemi disa vite që
kemi themeluar me bashkëshortin dhe familjen shkollat Shqipe dhe TV Alba Life.
Organizata "Alba Life" kryen tri aktivitete të rregullta çdo javë, me
mësimin e gjuhës shqipe dhe dy programe të rregullta televizive në kanalin 35
të shtunë dhe të dielë në Staten Island dhe në Brooklyn gjatë javës. Gjithçka
ështe në mënyrë vullnetare pasi ne jemi në punët tona të rregullta me të cilat
mbajmë familjen. Në lidhje me TV kur shkojmë me xhirime dhe pastaj me editimin
që merret Qemali si producent, këto i realizojmë gjithmonë pas pune në orët e
vona të natës si dhe në fundjave. Ndërsa për shkollën shqipe kemi një
bashkëpunim shumë të mirë me mësueset e apasionuara dhe të talentuara. Gjatë
kohës së shkollës në fundjavë ndahemi të dy, Qemali shkon në Brooklyn ndërsa
unë në Staten Island ku mësimi shqip zhvillohet në mjediset e shkollave publike
amerikane. Televizioni është vënë në shërbim të Atdheut, komunitetit ku së
bashku me drejtorin e saj djalin e talentuar Amir Suka kanë realizuar një sërë
programesh tepër serioze dhe profesionale. Të gjitha materialet do t'i ngelen
arshivit të historisë së Diasporës. Për këtë gjej rastin për t'i falënderuar
gjithë bashkëpunetorët për gjenerozitetin e tyre pa të cilët asnjë veprimtari
s'ka sukses, asnje bamirësi nuk kryhet. Ndryshe është ashtu siç thotë
shkrimtari amerikan Xhon Spalding se: "Një shoqëri që s'ka shpirt
mirëbërës është një shoqëri barbare".
Ju keni intervistuar një mori shqiptarësh në Diasporë që vërtët jane
excellente … a mund të përmëndni disa prej tyre?
Duke pasur fatin të bashkëpunojë qysh në fillim me gazetën "Illyria",
"Dielli", TV Kultura shqiptare, pastaj me TV Alba Life kam
intervistuar shumë personalitete, ata janë shumë, por unë po përmend disa prej
tyre:
Prof.Peter R Prifti, At Artur Liolin, prof.Sami Repishti, Dr.Elez Biberaj, Joe
Dio Guardi, Sabri Gjoni, regjisori i Hollivudit Stan Dragoti, Fadil Berisha,
Tony Dovolani, Ermira Cunmulaj, Amir Suka, Dritan Mishto, Ruben Avxhiu, Dr.Gjon
Bucaj, Joe Dio Guardi, Dr.Gjon Bucaj, dr.Gani Abazi, Pëllumb Kulla, Naum
Prifti, Fatos Kongoli, , Gjeke Marinaj, Ramiz Gjini, Adnan Mehmeti, Dalan
Luzaj, Skifter Këllici, Hajro Ceka, Aurela Gace, Entela Barci, Bledar
Maqellara, Diana Zerega, Richard Lukaj, Gani Perrolli, Blerim Cami, Petrit
Lumaj, Mark Gjonaj, Ken Biberaj, Emin Egriu, Edmond Xhani, Petrika Melo,
Lindita Tole Mezini, Sokol Asllani, Taulant Hoxha, Sali Bollati, Kadrije
Pronjo, Ibrahim Kolari, John Hodgson, Peter Lumaj, Ken Biberaj, Kleriket Dom
Pjeter Popaj dhe Edin Gjoni, Joshua Martson, Andamiano Murataj, ..., Dhimitri
Ismaili Valona, Roland Uruci, Herion Mustafaraj, Janë dhe personalitete të
tjera nga Shqipëria por unë përmenda vetëm disa personalitete në Diasporë...
Një histori pikante që ju ka ndodhur gjatë intervistave tuaja ?
Nuk është e lehtë kur interviston personalitete, jo pse janë të tillë, por ajo
që mua më preokupon vazhdimisht është se sa unë nëpërmjet pyetjeve do t'i
transmetoj lexuesit dhe teleshikuesit mesazhe të qarta dhe sa ata do të
ndikojnë në jetën e tyre? Me të gjithë të intervistuarit kam përjetimet e
veçanta emocionale, por ato që i kam përjetuar më dhimbshëm sigurisht janë më
së shumti me të burgosurit e diktaturës si: me profesor Sami Repishtin i cili
ka qenë i burgosur i regjimit dhe që kur u arratis nga Shqipëria, nuk ariti ta
shikonte kurrë familjen dhe nënën e tij e cila vuante aq shumë nga diktatura
dhe pa e parë të birin.... Biseda me ish të internuarin z.Dalan Luzaj të cilin
babai i tij profesori i shquar Isuf Luzaj e takoi pas 47 vjetësh. Ata nuk ishin
parë kurrë me njeri tjetrin. Biseda me ish të burgosurin të internuarin Lek
Pervizi ku midis dramës së tmerrshme të familjes është dhe lidhja e tij me
bashkëshorten, të cilës hetuesi i kërkoi që të plotësonte një formular për të
ikur në Mal tëZi, pasi nëna e saj dhe vëllezërit u larguan. Por bashkëshortja e
tij fisnike Bebe zgjodhi internimin, punën skllavëruese nga dashuria e madhe që
pati për Lekën... Po ashtu dhe me topmodelen 15 vjeçare Mikaele Brokeri të
cilën e intervistova në studion e Fadil Berishës. Asaj pak ditë kishte që i
kishte ndërruar jetë babai papritur, në moshe të re, e cila kur tha se do të
përmbushte ëndrrën e babait nuk mundi ta vazhdonte më bisedën pasi u mbyt nga
lotët e nxehtë për të atin i cili e kishte ndjekur vazhdimisht në aktivitete...
Në këtë kohë pashë dhe përlotjen e Qemalit i cili ishte në xhirim dhe ndërkohë
lamë punën të dy duke e përqafuar me dhimbje si vajzën tonë për këtë tragjedi që
i kishte ndodhur... Në kahje tjetër kam mbresa me shumë të intervistuar si me
prof.Peter Priftin ish sekretarin dhe bashkëpunëtorin e Nolit i cili tregonte
me emocion takimet dhe miqësinë që kishte pasur me Nolin, po ashtu dhe me
përkthyesin anglez z.John Hudgson i cili nuk e kishte njohur fare Shqipërinë më
parë. Ajo
kishte qenë një mister më parë...etj
Ju jeni nderuar me titullin e lartë gruaja e vitit 2008… përjetimet e këtij
titulli …?
Unë i shpreh mirënjohjen më të thellë organizatës së mirënjohur të gruas
"Zëri Ynë" me qendër në New York për çmimin që më akordoi. Ishin
rreth 500 gra në aktivitetin e festës së gruas dhe miratimi me duartrokitje më
dha emocione të papërshkrueshme, ndoshta ka të tjera që e meritojnë më shumë,
unë jam një pjesë e punës së tyre të gjitha së bashku përbëjmë suksesin. Sigurisht ky çmim të vë detyra për të punuar
më shumë me Diasporën.
Çdo të thotë t’ju mësosh fëmijëve në Amerikë gjuhën amtare …. ç’ mund të
tregoni për këtë inciativë dhe përvojën tuajën të vyer? …
Eshtë një nga detyrat dhe përvojat më të bukura të jetës sime dhe të familjes.
Profesioni i mirëfilltë imi i mësuesisë më ka dhënë dhe më shumë mundësi për
t'ju gjendur pranë fëmijeve të një pjese të Diasporës dhe t'ju mesoj gjuhën e
ëmbël shqipe. Duke qenë gati një këshill pedagogjik në familje që unë shpesh e
përdor me humor, pasi Qemali ka qenë shef katedre dhe profesor i lëndëve
inxhinierike në Akademine ushtarake si dhe pati shansin të jepte lëndët e
kompjuterit në kolegj në Manhattan, po ashtu dhe vajza Valbona është profesore
për letërsinë dhe spanjishten në tri universitete në Amerikë, ndikoi fuqishëm
që ne të hapnim shkollat shqipe në Staten Island dhe Brooklyn. Por gjithmonë
dua t'i mëshoj idesë se pa bashkëpunimin e mësueseve patriote dhe të talentuara
si dhe prindërve shëmbullorë asnjëherë nuk do të kishim suksese, ose do të
ishte një punë anemike... Nuk ka më bukur se bashkëpunimi, ai është çelësi i
suksesit. Duke qenë të përfshirë në aktivitetet e komunitetit gjithmonë na
kishte shqetësuar që shume femije me prindër shqiptarë nuk e flasin gjuhën
shqipe, ose gjysma gjysma. Kjo fatkeqësi kombëtare gjithmonë do të më cumbojë
në zemër pasi vetëm gjuha është ajo që na lidh me njeri-tjetrin, e ndjen më
shumë origjinën dhe kulturën tënde. Pikërisht këto dhimbje të japin një fuqi të
çuditshme dhe të bëjnë që t'i futesh me shpirt punës duke shfrytëzuar ditët e
fundjavës për t'ju mësuar fëmijëve gjuhën shqipe, pasi sic thotë Sami Frasheri
se: “Viktimat e gjuhës janë më të shumta se ato të shpatës”.
Sa përqind e jetës tuaj janë të mbartura në poezitë dhe librat tuaj?
Me përqindje është shumë e vështirë të them rreth përjetimeve nga jeta ime në
poezi dhe libra, por pohoj se ato kanë një pjesë të konsiderueshme.
Çfarë është për Kozetën një poezi?
Poezia është nje tingull i bukur që shpirtëzohet në se ke vendosur shpirtin
tënd poetik brenda tij... Vetëm kështu lexuesit do të ndjejnë trokitjen e butë
dhe të fortë të zemrës së poetit që është brenda gjakut të pastër të metaforës.
Cilët janë shkrimtarët e huaj që kanë lënë gjurmë në ‘kuzhinën’ tuaj letrare
dhe po ashtu ne jetën tuaj?
Oscar Wilde, Nietsche, Shekspir, Gabriel Garcia Marquez, Balzak, Heminguei,
Franz Kafka, Mario Vargas Llosa, me librin e tij “Festa e cjapit” , Federico
García Lorca, Mark Twain, Tolstoy, Proust, Borges etj...
Një grua në karrierë përballë familjes së saj ,… Cili do të ishte komenti
juaj …
Gjithçka e bukur që realizohet ka vetëmohim dhe sakrificën brenda. Që të
merresh me krijimtari dhe aktivitete duhet të privosh shumë gjëra nga vetja për
të mos humbur asgjë brenda familjes së shenjtë. Ajo ngelet pjesa më e vyer e
jetës sonë, ndonëse i kemi marrë kohën e bukur që duhet të shpenzonim më shumë
me vajzat tona, e vetmja pasuria jonë e patundshme...
Si e konsideroni iniciativën e AE-së?
Eshtë një nismë e bukur, që vetëm i shërben kulturës. Dhe kur nismat vihen në
shërbim të kulturës padyshim që ato konsiderohen vlera për Kombin.
Ju uroj që ta vazhdoni më tej dhe kurrë mos u ndalni në këtë punë të dobishme.