E enjte, 01.05.2025, 08:39 PM (GMT+1)

Kulturë

At Pjetër Meshkalla: 28 Nandor

E marte, 27.11.2012, 08:26 PM


Nga: AT  PJETER  MESHKALLA  S.J.

“28  N A N D O R”

Kujtime…

Kur u ngrit Flamuri ynë në token tonë, nuk di se çfarë do të kénë mendue shumica e Shqiptarëve!?... Përgjithësisht, pesimizëm: Jo, pse nuk donin Shqipninë e Lirë, por pse nuk e besonin.

Kur u ngrit Flamuri ynë në token tonë, gjaku i nxehun që vlonte nder déj (damar) të njomë, u trumhas: Një nervozizëm i egër na pushtoi; Kénka pra, një Shqipni!

Nervozizmi kishte ngritë krye edhe përpara ndër fëmijët, kur Shqiptarët ishin, por Shqipnia ende nuk ishte. Të mdhajët na thonin se, njêllim zi... na u gjuenim  me gurë përditë e përnatë... kërkonim në vedi antagonizëm edhe ku nuk kishte...

Shkolla, mësimet, librat, ...kokordat (shenjat dalluese) kuq e zi, flamurthit me një gjylpanë për shtizë, kangët e lirisë... jerm, kllapi...!

Paj, vjerrshën “O moj Shqipni, e mjera Shqipni”, e lexova sëpari ndër banka të së dytës fillore, kah kalonte tue u strukë prej një libri në tjetrin..... Kot mësuesi i  ngratë shkyente zanin tue na britë: “Pandigjesë (disiplinë) e studim, ku do të përfundoni ju e Shqipnia me gjithë kangë e kokorda!?”... Kujt i flet?... Por, edhe na nuk kishim faj: Ishte tharmi që përzinte brumin, tharmi që shkatrron... e pertrinë...

Binim me fjetë… Ndër “boka” (kodra) kriste pushka pa pushim si të kishte kenë një shprazje e vetme mitralozi… Malësorët, Turku, Mali i Zi, !? Në fund të fundit qé e vërteta: Ishte një popull që kërkonte-ndoshta, pa e ditë mirë, se si të rrnojë; por kërkonte me rrnue si popull.

Sot njëzet e sa vjetë u mbajshin andrrues ata pak “poet” që pohonin se ka Shqipni. Sado, me i pas mpref sytë, sado me e pas ngreh dylbinë... nuk u dukte kurrkund!..

E, pra, ishte shumë ma afër se u mendonte! Ndër zemrat e shumë Shqiptarëve qëndronte ende gjallë flaka e Atdheut, trashigue prej të Parëvet, por, e mësheftë; ma fort se flakë mund të quhej prush nën hi, gati me nxjerrë shkëndija...

Sot ka Shqipni e ka edhe ndërgjegje Shqiptare!

Gacat (thëngjijtë) kanë nxjerrë shkëndia, shkëndijat edhe janë bâ flakë... Askujt nuk ia ep ma ndërgjegja me na e pré rrugën; kurrnjë Shqiptarit me u këthye dalë (mbrapa)!

Kemi endè shumë të meta; e dijmë... Kemi ba shumë gabime; Kush nuk gabon? Por tue zhdukë dalëngadalë të metat, tue njohtë e tue ndreqë gabimet, a thue do të jetë kush me na thanë se po zmbrapsemi mbi gjurmët e shkeluna?! Jo, kurrë! Kjo nuk asht zmbrapje, kjo asht Përparim!

Zhvillimet e reja bijnë me vehte kurdoherë guxim, guximet të fusin shpesh në mjegull, nëpër mjegull lindin mosmarrveshjet. Dalngadalë shpërndahët mjegulla; po të jenë vullneti i mirë, marrveshja lind rrugës, e mbas saj edhe bashkëveprimi.

“Përparimi nuk asht tjetër përveçse tradita në ecje”, thotë një shkrimtar francez. Por tradita në çdo popull i ka disa baza themelore, të palëkundëshme, sepse janë të vendosuna mbi shkamb të të drejtave të natyrshme të njeriut. Përballë këtyne të drejtave vullneti i mirë përkulet; vetëm kështu asht e mundun marrveshja e bashkëveprimi.

Trinomi i lumtunise: Vullneti i mirë, marrveshja, bashkëveprimi.

Binomi i shkatrrimit: Dy kuaj të një qerrje që tërheqin, por që nuk tërheqin. Por na nuk duam shkatrrim! Duam Përparim e Shqipni të lumtun!

Përparimi asht shkalla e lumtunisë.

Përparimi asht fryti i veprimit simbas parimeve të shëndoshta.

Prej Përparimit njihët parimi, si landa (druni) prej frytit: Po nuk kjenë të shndoshta parimet tue përparue ose tue ecë përpara, rruga të nxjerrë në kaos. Përderisa, natyra e njeriut asht e arsyeshme, herët o vonë e vërteta nxjerrë krye, mbetët parimi që bazohet mbi të vërtetën i forcuem tashti të thuesh: me provë, e kundër-provë.

Ari nxirrët i përziem me baltë e gurë... mandej, dlirët (pastrohët).

Latini thotë sé mendja e lehtë i përngjet flamurit (banderolës). Tham, se e ka gabim. Flamuri përfaqëson përnjëheri e ma së miri Parim e Përparim: Shtiza e ngulun asht Parimi, pelhura që valvitët asht Përparimi, megjithatë forfuri të pandalun ngjyrash e refleksësh, me atë fantazmagori dredhimesh, hollimesh, zhvillimesh e kjeshë tue thanë gadi edhe filmash.

Kur shtiza asht e ngulun në shkamb, qëndron e patundëshme.

Shkambi asht besimi. Besimi në Perendinë po se po sepse, pa këte themel nuk ka mbështetje asnjësend; por edhe besimi në vetvehte, mbështetët në forcat tona, në ideal.

Jemi tue u ngjitë nje mali thik me pyll të dendun, virgjin, të panjohtun: një copë shteg i mirë asht çilë, shumë ma tepër mbetët me u çilë, por kemi besim të ngultë, se dikur do ti kapemi majës, Idealit. Ky besim do të na bajë me vlue gjakun ndër déj, do tu japi fuqi gjymtyrëve të lodhuna prej përpjetës, do ti kthéjë entuzjazëm për me fluturue zemrës së lëshueme...

Na Shqiptarët deri tash vonë e kemi pasë një të métë fatale: kemi pasë shumë pak besim në fuqitë tona. E atëherë, rri të rrimë!!... Tue ushtue nëpër krepa e ferra na ka pikue gjaku... na ka zanë nata... jemi kthye mbrapësht, secili në punë të vet... rri të rrimë!!

PËRPARA!... Shteg më shteg derisa të dalim rishtas në drejtim.

PËRPARA!... Çdo hutim paguhet shtrenjtë!

PËRPARA!... Nëpër ferra, gëmusha, krepa e tërthore!

PËRPARA!... Edhe kur drejtimi të na ketë humbë!...

PËRPARA!... Edhe kur balli, thêmbra e zêmra të pikojnë gjak pikë-pikë!...

Disiplinë e Vullnet e... Optimizëm!

Pesimizmi kjoftë zhdukë!

Kriza materiale na ka lodhë. Ka lodhë gjithë Botën...

Kriza shpirtnore kishte me na mbytë!

Pesimizmi thotë: “Më lëshoj zemra... Ka mbarue... Nuk ngrihët ma gja në kambë!..”

Optimizmi thotë: “Zemër...Të gjitha shpresat nuk kanë humbë ende...diçka kemi ngritë në kambë... Zemër!...”.

Por nuk asht optimizëm i shëndoshtë ai që thotë symbylltas: Padyshim, gjithshka asht mbarë... ma mirë nuk ka si bahët!...”

Ky do të ishte ma i rrezikshëm se pesimizmi vétë. Përkundrazi, nuk asht pesimizëm ai që çilë sytë me pa si të mirën, si të keqën. Po! Do t’u dalim përballë fakteve me i shikue në fëtyrë ashtu siç janë; me të mira e me të këqija, që zbulojnë e mshefin. Por ky realizëm e objektivitet, nuk do të ketë fuqi me shue flakën e Idealit, nuk do të na bajnë as pesimistë as indiferentë: Përndryshej kishte me na ardhë fundi, sigurisht!

Me vapën entuziastike të optimizmit ndoshta,... sigurisht do të dalim në breg!...

Egoizëm e abnegacion... edhe këto janë fjalë të hueja... por që kuptohën lehtë në rrethe shoqnore të kulturueme e të mesme.

Për me kalue ndonjë ujë, hidhën mbrendë në té gurë të mdhaj e të vegjel: Të parët, të dytët, të tretët... zhdukën e nuk shihën ma...hidh e hidh e tèk e fundit nisin me nxjerrë krye disa aty-këtu; rrëshqasin, prap hidhën të tjerë... derisa bahët i mujtun kalimi, keq o mirë po... bahët; ka me ardhë koha që do të bahët ma mirë! Na jemi gurtë (të mdhaj o të vogjel) të hjedhun në fillim, të cilët, zhdukën e nuk shihën ma, por janë në themel të parë!

Qé, ambicioni i themelit: Me u zhdukë e mos me u pa ma!...

Egoizëm... Abnegacion!...

Utopi, me mendue sé të gjithë sa janë Shqiptarët, do të kërkojnë njëditë të mirën e Atdheut e Ndérën e Flamurit pa kurrfarë interesi egoistik... Padyshim, të gjithë e kanë për detyre; por për me i ra shkurt, secili lè t’ia nisin... ma i pari...

Utopi, me mendue sé të gjithë sa janë Shqiptarët njëditë do të puthen në ballë!... Po nuk kje një antagonizëm, nxjerrë krye një tjetër; po kërkume me zhgulë një rranjë, marrin frymë e ushqim njëqind të tjera të helmueme. A nuk asht ma mirë me shndrrue antagonizmin brutal, në emulacion të natyrshëm e veprues?...

STAFETA: Të Parët tonë na e dorzune  të ndezun flugun (zéllin) e Atdhedashunisë lidhë me Flamur; në vrap na e dorzuan e të bamë féle-féle (copa-copa)...

Çka kishte me thanë brezi i ri që po na rritët ndër sy, po nuk ia dorzuam atij gjithnjë në vrap Visarin e Shénjtë?!...

 

Prej të Parëve  pritëm një Shqipni të Lirë!...

Nipat presin prej nésh një Shqipni të lumtun!...

Psim

 

Psim – Asht pseudonimi i At Pjetër Meshkallës S.J.

Artikulli asht marrë nga revista “Leka” 1933, nr. XI, XII, fq.  337-340.

 

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx