Kulturë
Halil Haxhosaj: Neki Lulaj - Balada e heshtjes
E shtune, 01.12.2012, 08:33 PM
POEZI E
VARGËZUAR NËPËR VALËT E KOHËS E TË PËRJETËSISË
(Neki Lulaj, Balada e heshtjes, Amanda Edit, Bukuresht 2012)
Nga Halil Haxhosaj
Emri i krijuesit Neki Lulaj është bërë tashmë i njohur në analet e poezisë, sidomos të asaj që shkruhet nga penat e shkrimtarëve tanë që jetojnë dhe krijojnë në mërgim. Kjo letërsi, e cila tashmë quhet e diasporës, e sidomos poezia, ka arritur t’i kultivojë shumë emra, sepse jo vetëm që janë të njohur, por e kanë trasuar edhe vizionin e tyre poetik dhe krijues. Pa mëdyshje në mesin e tyre patjetër bën pjesë edhe krijuesi dhe poeti i njohur Neki Lulaj. Ky poet me këtë përmbledhje poezish vjen me një formë të talentuar e të formuar me stilin e vet të ligjërimit poetik në vargje.
Burimi i frymëzimit poetik
Neki
Lulaj në përmbledhjen e tij më të re ka hulumtuar, por edhe i ka gjetur burimet
e gurrat e frymëzimeve ku i shijon të gjitha nuancat dhe vargjet për t’i
shprehur e paraqitur motivet, tematikën dhe format e tjera të shprehjes në
poezi. Shpesh duke ngarendur nëpër gurrat e frymëzimeve në këto burime, ai
arrin ta ngjizë, ta determinojë, ta skalitë dhe ta stilizojë afshin e shprehjes
artistike, duke e veshur me elemente të shumta të figurave dhe tropeve poetike.
Dhe kështu kjo poetikë duket e suksesshme, duket e kapshme në një anë, por edhe
e thellë në vertikalen e shprehjes lirike, duke shkuar kah modernizimi dhe
refleksioni, në anën tjetër. Ky marshim nuk është i njëtrajtshëm, nuk është
madje as statik, por ai kalon nëpër disa shtresa dhe stade të niveleve të veta.
Atëherë poezia e Neki Lulajt merr të tjera dimensione edhe pse nuk zbret
asnjëherë në prehrin e moskuptimit, izolimit, hermetizmit e as të ndonjë
deklarimi të skajshëm real për hir të angazhimit të tepruar. Andaj lirika e
këtij poeti është sferë e një frymëzimi që paraqitet si reagim shpirtëror dhe
ndijesor ndaj jetës dhe botës përreth, që ka shkallët, nivelet, por edhe
shtyllat e lartësimit.
Reagimi
shpirtëror, por edhe frymëzues i këtij poeti ndalet kryekëput në tri kulmet e
trekëndëshit poetik: atdheut, lirisë dhe dashurisë që janë gurrat më të
pashtershme të vargjeve të poezisë së poetit. Dhe kjo nuk është e veçanta,
madje as e veçuara, sepse autori depërton me penën e frymëzimit edhe nëpër katetet
dhe hipotenuzën kryesore të këtij trekëndëshi që është jeta, sakrifica,
problematika, mërgimi dhe krajatat e tjera, të cilat bëjnë jetë në simbiozë
duke i dhënë e marrë njëra tjetrës atë që i nevojitet, atë që e kanë të
domosdoshme, atë që e kanë kusht për të marshuar nëpër rrugët jetësore. Të
gjitha këto paraqiten nëpërmes vargjeve dhe fjalës që shprehet: Me mungesa
elementare/ E lakmuam kohën/ E degët i latuam/ Me kmesë.
Lakmia
depërton nëpër rrudhat e kohës që është duke ardhur e duke shkuar, e cila për
popullin ishte mungesë elementare. Sakrifica për të depërtuar nëpër këto rrudha
është e madhe sepse për ta trasuar atë duhej bërë që “E degët ia latuam/ Me kmesë”. Kjo shtresë, që autori e quan
mungesë, plotësohet me idealin e plotë të konceptit më të gjerë poetik që është
atdheu. Ky nocion nuk është paraqitur në mënyrë patetike e as retorike me
përmasa epike, por me ato gjeografike, duke u sendërtuar me qelizat e ndërtimit
të indit të organizmit të plot artistik me kuptimin e nocionit shqiptaria. Dhe
e gjithë kjo bëhet shpesh me vargje të shprehjes se një ligjërimi të lehtë, të
ndjeshëm dhe tepër frymëzues lirik. Në vargjet e lirikës së atdhedashurisë,
poeti Neki Lulaj, i këndon zgjimit për sakrificë, luftës, qëndresës, lirisë,
vetëdijes dhe identitetit kombëtar. Lirikat e tilla nuk mëtojnë të jenë
dominuese, por ato janë shtyllë e dashurisë së atdheut, dashurisë së shqiptarit
për të, dashurisë së prindit për fëmijën dhe e fëmijës ndaj prindit, por edhe e
dashurisë së njeriut për njeriun dhe dashurisë erotike. Kjo lirikë tashmë është
një shpirtëzim, i cili ka gamën më të shtrirë në tërë poetikën lirike të kësaj
përmbledhjeje.
Atdhedashuria
kërkon sakrifica, heronj, trima, dëshmorë, luftëtarë dhe strategë të paepur.
Për të gjithë këta, pena e poetit ngjyhet shpesh edhe në gjakun dhe veprën e
tyre të paharruar kurrë. Kështu duke shkruar vargje për Gjergj Kastriotin-
Skënderbeun, Hasan Prishtinën, Ismail Qemalin, Isa Boletinin e shumë të tjera,
ai sendërton mesazhin e fitoreve të njohura dhe të ndritura në historinë tonë.
Të gjithë këta heronj dhe ngjarje janë mbëltuar nëpër ngrehinat e kohëve që
kanë shënuar data të rëndësishme në truallin e tokës sonë amtare. Andaj poeti
shkruan se trungu nuk e ndjeu shtrëngatën, sepse: “Me fanatizëm e ruajtëm/
Testamentin e fshehur/ Formulën e Pagëzimit/ Mesharin e Buzukut/ Mendimin e
Barletit/ Filozofinë e Bogdanit/ Fjalorin e Bardhit/ Mençurinë e Nobelit/
Veprat e Kadaresë/ Me vlera mondiale”
Kjo është modernia dhe bashkëkohorja, që atdheun e poetit e bën të madh, të njohur, të dashur dhe tepër interesant për të gjithë popujt e botës. Dhe me këto virtyte, por edhe me të tjera, poeti ndihet krenar që është shqiptar edhe atje kudo që gjendet në paralelet dhe meridianët e Globit të Tokës. Kjo integrohet mirë me motivin e lirisë sepse ai përshkon lirikën e këtij poeti, e cila është si frymë e lëvizjes për identitet e qenie kombëtare. Gjaku i derdhur për liri është një frymëmarrje nëpër kohë dhe hapësirë që mëton të skalitë qenien shqiptare në fletët e historisë sonë edhe në atë të përbotshme. Por liria i ka rrënjët në gjak, andaj është e shtrenjtë dhe nuk dhurohet, por fitohet. Disa prej vargjeve të poezive për lirinë janë edhe përkushtime për heronjtë, trimat, dëshmorët dhe luftëtarët: Oso Kuka, Isa Boletini, Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Nënë Tereza, Ibrahim Rugova, Hasan Prishtina, Sali Çeku, Ilir Konushevci, Tahir Desku, por edhe për shkrimtarë dhe poetë që luftuan me penë si: Azem Shkreli, Din Mehmeti, Latif Berisha, Enver Gjerqeku, Teki Dërvishi, Ali Podrimja, e të tjerë, sikurse edhe Lezha, Prekazi, Kosharja, Drenica, Duboviku, që janë arena ku liria korri fitoren e paguar shtrenjtë.
Metafora,
dashuria dhe erotika e saj
Poeti
Neki Lulaj në këtë përmbledhje poezish kultivon edhe vargje me tematikë lirike
erotike, duke e kultivuar bukur dhe me afsh edhe lojën e dashurisë. Këtë temë,
ky autor, nuk e tepron, madje as që e neglizhon me gjera të tepruara, por atë e
ngërthen me tematikën dhe motivet e tjera. Dhe kështu lirika erotike edhe pse e
pakët ndërthuret mirë dhe suksesshme me atdhedashurinë, sepse luftëtarët,
trimat, ushtarët, por edhe krijuesit e mendimtarët janë edhe dashnorë të
mëdhenj edhe të lirisë së femrës, por edhe të bukurisë së saj. Këtu erotika
shprehet si ndjenjë e cila krijon drejtpeshimin jetësor duke u shndërruar në
dramë shpirtërore që ka ndjenja edhe të mallit e të dashurisë për femrën.
Përveç kësaj në erotikën e dashurisë të bashkëdyzuar me dashurinë ndaj njeriut
e sidomos me dashurinë ndaj atdheut, shihet edhe miqësia, kujtimi, ëndrra për
të bukurën e të dashurën, për gruan e femrën në përgjithësi, sepse ajo kalon
nëpër kohë duke u bërë masë e saj, që përkon me ndjenjën dhe afërsinë.
Poezia si
krijim është një dritë shpirtërore e vezulluese, e cila gjithmonë shfaq e
reflekton diçka të re për të shndritur botën e vet të brendshme. Këtë e bën
mirë kur depërton edhe në botën intime dhe ndijesore tek lexuesit, sepse
atëherë bëhet ushqim i dashur për të. Poeti Neki Lulaj e identifikon vargun e
vet lirik me tonalitetin e veglave më të ndjeshme muzikore si më okarinën,
harfën, çiftelinë, fyellin, e pse jo edhe me lahutën, kitarën, pianon e të
tjera. Këtyre toneve ua shton melankolinë, pse jo edhe bukurinë edhe
buzëqeshjën, ofshamën lirike, cicërimën, përkëdheljen mahnitëse, duke u
shndërruar në estetikën e mallit dhe shprehjes. Ndonjëherë disa vargje shprehin
edhe ndonjë pikëllim që janë bërë flijim, e pse jo, edhe zhgënjim.
Andaj mund të thuhet se lirika e Neki Lulajt është një grishje e ndjeshmërisë për temat, motivet për të cilat thurë vargje, në një anë, por ajo është edhe një stil i ligjërimit me ritëm të natyrshëm e krejt spontan e pa sforcime, në anën tjetër. Gërshëtimi i këtyre dy kulmeve të shprehjes tematike kanë strukturimin në simbolizmin e tij që përkon edhe me anën e nënteksit, i cili duhet hulumtuar në vertikalen e tij. Nga këtu buron edhe kondensimi i vargut me shprehje të pasura figurative. Metafora qëndron në mesin e këtij figuracioni e gërshetuar edhe me simbolin, krahasimin, si dhe me disa shprehjeve idiomatike. Me këtë vëllim poetik, poeti Neki Lulaj, shënoi një ngritje të re në analet e poetikes së vet.
BOX
Nuk do ta
teprojmë nëse poezinë e Lulajt do ta quajmë oazë e mrekullueshme që përflaket e
nuk digjet nga flaka e shpirtit dhe fashitet me magjinë e fjalës, kur fjalët
kremtojnë rrënjët e gjuhës dhe gjenezës. Poeti Neki Lulaj është i lirë në
mendim dhe veprim,dhe nuk ka se si të mos kënaqët lexuesi, kur vargjet e tij të
shëndërrojnë në etje dhe kureshtje,dhe si i tillë din ta mbushë një zbrazëti në
shpirt. Ka gjasa se një lirikë e këtillë, për gjeneratat reja do të bëhët një
shkëndijë nxitëse e një studimi të plotë dhe të rëndësishëm. (Dedë Preqi)
Neki
Lulaj u lind (më 13 janar të vitit 1955) në universin e fshatit shqiptar, në
Bërliq të Pejës. Është njëri nga poetët më të frymëzuar të diasporës sonë.
Shkollimin fillestar e finalizoi me sukses të shkëlqyeshëm, në shkollën fillore
katërklasëshe "Liria" në Prapaqan. Gjatë kësaj kohe pati fat ta
kishte mësues Ramiz Popovcin, i cili kishte mësuar një vit më parë me martirin
e shqiptarizmit, Jusuf Gërvalla. Gjimnazin „Vëllezërit Frashëri” e kreu në
Deçan, duke udhëtuar nga
Aktualisht
jeton dhe vepron në Gjermani, ku punon si mësimdhënës në një shkollë gjermane
me fëmijë shqiptarë, dhe është mësimdhënës i rregullt edhe në një shkollë
gjermane. Gjatë studimeve universitare ka bashkëpunuar me disa media të shtypura:
Bota e re, Pionieri, Zëri i rinisë,
Rilindja, kurse më vonë edhe me revistën