Kulturë
Laura Çuka: Satirë e mprehtë që sjellë risi
E premte, 30.11.2012, 08:46 PM
SATIRË E MPREHTË QË SJELLË RISI NË LETËRSINË SHQIPE
Kalosh Çeliku: Plaga e dhjetë e Babait, roman - Botoi “ASDRENI”, Shkup (2012).
Nga LAURA ÇUKA
Ditë më parë, në prag të Motit Madh (2012) -
Njëqind vjetorit të Pavarsësisë së Shqipërisë, doli nga shtypi Libri më i ri me
tre romane i shkrimtarit më të lëvduar dhe sharë, Kalosh Çeliku: Plaga e
dhjetë e Babait. Autori u paraqit në letërsi me librin: Zogu
erdhi me një këngë - poezi (1982), që të arrijë famë mbarëkombëtare me
romanet dhe dramat: Varrimi i sorrave (roman, 1988), Qyteti
i qyqeve (roman, 1997), Sht?pia publike (roman, 2000), Gratë
e mia besnike (roman, 2001), Imzot, lehin qentë (drama,
1993), Babi ka dy nuse (roman, 1995), Kopeja me zgjebe
ndjek Autorin (drama, 2000), Kulturofagu (roman, 2006), Djemnusha
(roman, 2010), Xhadia (publicistikë letrare, 2011) dhe
Rrufjani (2012, publicistikë letrare).
Libri me tre romane: Plaga e dhjetë e Babait,
të cilin autori e shkruajti me gjak n? dyluftim me trusakat?t ditënetëve të Motit Madh, shënon
kulminacionin e protestës, ironisë dhe sarkazmës të luftës me penë në
krijimtarinë e tij letrare.
Rrugën për në Baba Tomor… Atdheun e
Perëndive…Tyrben, ku pihet vera… Lindë poezia… Dhe, bëhet dashuri me Hënën…
Veprimtarinë letrare të Kalosh Çelikut deri më sot e kanë marrë nëpër duar dhe e
kanë vlerësuar krijuesë dhe kritikë letrar: Xhazair Abazi, Hida Halimi,
Xhevahir Spahiu, Abdullah Konushevci, Ledia Dushi, Visar Zhiti, Nehas Sopaj, Ramadan
Musliu, Remzi Salihu, Sali Bytyçi, Fadil Bekteshi, Odhise Grillo, Qemal Murati,
Shyqri Galica, Gani Xhafolli, Rami Kamberi, Laura Çuka, Nazif Zejnullahu,
Fatmir Terziu, Safet Hyseni, Mexhit Mehmeti, Lutfi Turkeshi, Zejadin Ismaili
etj.
Kritiku i mirënjohur shqiptar Xhezair Abazi, në
Rilindja (1988, Tiranë), moti ka shkruar për prozën e Çelikut, romanin satirik Qyteti
i qyqeve:
“Shndërrimet sociale dhe sidomos ato politike janë
si prizmat shumëfaqësh për personalitetet njerëzore, për klasat dhe shtresat e
ndryshme shoqërore. I gjithë shekulli i XX për shoqërinë shqiptare
(mbarëkombëtare) ka qenë në të vërtetë një shekull ndryshimesh sa tragjike e
fatkeqe, aq edhe të çuditshme. Kombi shqiptar, tani në fund të këtij shekulli
“shtrihet” në pesë shtete. Shteti amë, Republika e Shqipërisë, tanimë ka më pak
se gjysmën e popullsisë së kombit shqiptar. Më shumë se gjysma tjetër ka mbetur
nën Sërbi, Maqedoni, Mal të Zi e Greqi. Ku më shumë e ku më pak, kjo pjesë e
kombit ka ruajtur e zhvilluar atë që quhet palca e etnisë: gjuhën dhe zakonet.
Ka ruajtur edhe trashëgiminë kulturore dhe madje ka mundur të zhvillojë më
tutje atë, siç ka ndodhur veçanrisht në Kosovë dhe me shqiptarët e Maqedonisë.
Por, në fundin e këtij shekulli, kur ndodhën
përmbysje të sistemit shoqëror komunist, kur mardhëniet bazë - ato materiale -
dhe ato të superstrukturës pësuan shndërrime, ç’ndodh me “oaza” të ndryshme të
shoqërisë shqiptare?... Pas disa dhjetë vjeçarësh nën regjime totalitare,
ushtarake e diktatoriale, si vjen personaliteti njerëzor shqiptar në këtë
fundshekulli, me ç’mendësi, me ç’prurje e bjerrje shpirtërore e morale?...
Është shumë interesante kur i gjen këto në një vepër letrare, aq më shumë në
një gjini shumëpërfshirëse siç është romani.
Vendi i ngjizjes artistike është Qyteti i qyqeve,
ç’ka në rrjedhë të zhvillimit të linjave subjektore, lihet të kuptohet se është
një qytet i cili ka “lidhje fqinjësore” me Shkupin e Tetovën. Dhe, është
periudha kur ky mjedis përjeton atë që quhet tranzicion, pra kalimin nga një
shtet socialist i centralizuar, në një shtet demokratik. Pikërisht ky kalim,
kjo “hyrje në liri demokratike”, zbulon edhe thelbin e karaktereve. Dhe, si të
thuash, katalizator i kësaj rrjedhe subjektore është vetë shkrimtari, ai është
edhe personazh edhe rrëfimtar.”
Trajtat satirike dhe herë - herë groteske, romani i
Kalosh Çelikut i ka në rrjedhë të gjinisë së satirës dhe humorit, çka të bën të
kujtosh Suiftin, Kunderën dhe librin e famshëm të Roterdamit: Lavdi
marrëzisë.
Çeliku, me sa duket - njohës i thellë i kulisave
patriarkalo-moderniste, është i pamëshirshëm e gati-gati mizor në denoncimin e
tyre. Figura si Dr. Madhi, Nusja me pashterkë të kuqe, Patrioti i Vonuar,
Vjollca Rrapi, Rrumaduci, Lumja e Etshme, etj. janë karaktere tipike që e
shprehin shthurrjen morale, ndonse si fasade përpiqen të paraqesin një moral
qytetar modern, bashkëkohor. Në emër të integrimit në shoqërinë bashkëkohore
demokratike, ata kanë shkelur mbi çdo skrupull moral, mbi çdo ideal patriotik e
social. Kjo zbulohet natyrshëm, në rrjedhë të ngjarjeve e veprimeve,
marrëdhënieve e gjendjeve. Dhe, këto-sidomos gjendjet e marrëdhënieve e
karaktereve - Kalosh Çeliku, i jep me mjaft sugjestion. Sidomos janë të
realizuara figurat e grave.
Gratë besnike në këtë libër të ndrydhura dikur nga
moraliteti i egër patriarkal e ai komunist, tani, në “lirinë demokratike” ato
janë kthyer në kukulla me dy shtamba verë jetëdhënës në gjoks dhe qeshin e
qajnë me bark. Në të vërtetë gjithë bukuria dhe sekreti i këtyre kukullave të
gjalla është fundi i barkut.
Dhe lexuesi, që ka njohur tani këtë Lume të Etshme,
mund ta marrë me mend se ku shkon forca dhe aftësia seksuale e Zonjës së
Hazdisur, e Vjollca Rrapit, Gungaçit, Dr. Madhit apo e vetë Kreatorit të Modës
së Shpirtit… Por të gjithë këto i përmjerë Pasardhësi i Zef Serembes… Madje
edhe vetë Shefin, Dr. Madhin, që e heq vallen vetëm me brekë të gjata kërpi, i
rrethuar nga “shitëset e lakuriquara e që përdridhen si bollat”.
Romani mes faqeve rrjedh me një dinamikë më të
ndjeshme rrëfimi. Veçanrisht në kapitujt e III dhe të IV. “Salloni i
librave” është kapitulli i satirës për pseudokrijuesit, snobët e gramafonët
e prishur nëpër muze historik të partive politike, pllaka (disku) gramafonit i
të cilëve sillet në një vend duke i përsëritur fjalët e këngës patriotike: Gjithë
shqiptarët janë Mic Sokola. Kurse “Disko Klubi” dhe “Video Klubi”
janë kapitujt e spërderdhjes dhe sfilatës, së pseudoatdhetarodemokratikëve, ish
puthadorët e hierarkisë komuniste dhe vetë shokut Tito në “kali të bardhë “ me
drapër dhe çekiç në dorë të strukur me një torbë taxhi përqafe nëpër redaksi
policore – letrare.
Në panairet e librit, paraqitjen e botimeve të reja
sfilojnë botuesit që ngjajnë me personazhet e skeçit të njohur “Doni më për
Belulin”, si dhe kritikët teknefesë që i derdhin lëvdatat në përputhje me pijet
që gëlltisin, taxhinë dhe tollumbat nëpër ëmbëltore, përkarshi që ju duken si
dashnore me katër këmbë nëpër livadhe. Kurse në raunë të parë, na bën me dije
autori, kanë zënë vend: Intelektuali i Rrejshëm, Komunisti i Arratisur, Hava e
Bit - Pazarit, Kordinatori Liberator, Dr. Madhi, Tata E Madhe, Rrumaduci, Poeti
Servil, Nusja me dy shami lidhur për brezi, Honxhobonxho, Rrospia Mashkull,
Yllkuqi i Bit - Pazarit, Haxhi Deputeti etj.
Në një përvjetor tjetër festiv apo në një dialog të
drejtëpërdrejtë radiofonik ose televiziv, përsëri në plan të parë sfilojnë të
njëjtit “burra mejdani” plus Yllkuqi i Shkupit, Gungaçi, dhe sidomos Ebu
Xhehli… Mjedise publike, salla, sallone apo studio - thotë autori në roman,
“mbushen me patriotë, veteranë e komunistë të arratisur, që kanë bërë flijime
të hatashme për liri. Të gjithë këta e kanë shaluar Kalin e bardhë me një këmbë
të thyer në Qytetin e qyqeve… E nxorën nga brezi shpatën e Skënderbeut… Topin e
Mic Sokolit… Referatet maratonike nëpër histori… E reklamonin veten para
kamerave televizive, i çonin grushtet, zërin. Zjarr - flakë e shkrumb nxirrnin
nga goja. Ndonjëri, më i përmalluari, dilte dhe e puthte shkabën e zezë në
flamur duke i shkuar lotët rrëke fytyrës! Obobooo, sa shumë që e kishte munduar
partizanin komunizmi! Vëllazërim - bashkimi!... Fotografia e shokut Tito!...
Gjama pllakosi sallën, vaji shpërtheu si në kor… Burrat e mejdanit bëjnë baaam
në mes të Qytetit qyqeve!...”
Çeliku nuk e ka lënë pa e prekur në këtë Libër edhe
temën e Luftës së fundit në IRJ të Maqedonisë (2001). Kryengritjen heroike
shqiptare në Tanushë. Heroizmin e pashoq të luftëtarëve trima të UÇK -së.
Kryengritësit që vazhdonin lufëtn maleve. Hafiet e Qeverisë që vazhdonin me
propagandën politike. E dogjën Manstirin. Tashti radhën e ka Çairi, thotë
autori në këtë libër. Miken që i paraqitet herë pas here përmes telefonit:
“ - Alo, mirëdita… Është zëri i Mikes.
- Tungjatjeta!…
- A, ende je gjallë, nuk ke vdekur… Nuk të kanë
vrarë…
- Jo. Tentuan të më heqin qafe… Vdiqa në Voskopojë…
Po, për çudi të njëjtën ditë u ringjalla në Korçë... Me penë në krah kam dalë në mal…Vetëm Ti me
dy shtamba verë po të duash më kthen në shtëpi…
- E pamundur… Mua moti më ke murosur përpara “Ilirisë“,
në Prishtinë duke ma lënë një gji jashtë për poetët që nuk ikin nga Atdheu…
- Gabim i madh… Lufta në Kosovë mori fund… Erdhi
liria… Pavarësia… Murosja është dashur të bëhet nën Rrap, në Bit-Pazar… Ne
tashti jemi në luftë dhe nuk ka kush t’u japë gji poetëve që nuk ikin nga
Atdheu…”
Babai, që është ngritur nga varret me gjithë
“nagant” në brez, pasmesnate papritmas ia hap derën e Shtëpisë:
“Dera u hap dhe hyri im Atë. Kësulën e bardhë ende
e kishte në kokë. Xhemadanin dhe sahatin me qystek, përqafe. Tirqit me vragja…
Xhemadanin me sumbulla… Struken si gjithëmonë e kishte hedhur krahëve. “Nagantin”
me gjithë fishekë në brez…
- Edhe kësaj radhe e keni nisur luftën… I keni
rrokur armët…
- Po, baba. Nuk patëm tjetër rrugë, na detyruan t’u
ngjitemi maleve… Majave ta kërkojmë shtegun… Lirinë… Zot t’i dalim Atdheut…
- Eh, o bir! Edhe më 1912 -tën, edhe më ’41 -in i
rrokëm armët. Ia vumë zjarrin Ballkanit. Po, në fund e pamë se kishim qenë të
mashtruar, mbetëm nën zgjedhë. Frikë kam se, edhe kësaj radhe “vëllezërit” do
t’ju mashtrojnë në tavolinë. Ne e fitojmë luftën në male, po në tavolinë na i fusin
gërshërët, na bëjnë struke…”
Libri me tre romane i Kalosh Çelikut, përfundon me
Plagën e dhjetë të Babait:
“Kulturofagu, Buça e Katundit dhe këlyshët e tyre
me zgjebe me nga një asht në gojë ende më ndërsehen pas shpine. Punemadhe, atë
punë kanë, le të lehin pas Ujk Malit. Përjagen. Nxjerrin gjuhën dy pëllëmbë pas
porte. Edhe pse, më dhimben si soj bubi, ashtu të mjerë me nga një asht në
gojë… Langaçë, që e përurojnë veten nëpër katunde… Coftina… Shkak, që nuk i
vrava me “nagantin“ e Babait, por me armën time të nëntë, penën… Armën e dhjetë
me gjithë fishekë do ta marr me vete në varr…
Heu, e ngrita shtambën me verë nën Rrap dhe i
bërtita qiellit: Gëzuar! Unë jam Kalosh Çeliku me tre varre… Kokën në
Shqipëri… Trupin në Maqedoni… Zemrën në Kosovë…”
Libri me tre romane, Plaga e dhjetë e Babait i realizuar si një satirë e mprehtë, me një gjuhë të rrjedhshme në përshtatje me zhanrin, dëshmon talentin e autorit. Me përpunimin këmbëngulës të frazës dhe dialogut, duke synuar peshën më të madhe të fjalës, Kalosh Çeliku sjellë risi në satirën tonë shqiptare...