Kulturë
Kadri Metaj: Artisti për artistët
E premte, 30.11.2012, 06:20 PM
ARTISTI PËR ARTISTËT
(Remzi Limani, “21 Shprehje artistike”, monografi, botim i shtëpisë botuese “Forumi i krijuesve të artit”, Prishtinë 2012)
Nga Kadri Metaj, filozof - estet
Ka
më shumë se dy decenie qe e njoha Remzi Limanin dhe shqetësimin e tij prej
artisti. Në kohën qe u njohëm, ai ma pati dhuruar një pikturë të cilën e kishte
titulluar “Djegia e truallit”, ku vërejta një shqetësim gati
me përmasa paranoje për vitet e krizës, në të cilën po hynte Kosova e
viteve nëntëdhjetë. Kjo pikturë e ka mbajtur të gjallë miqësinë tonë, ndonëse kontaktet tona nuk ishin të
rregullta. Fakti më mbresëlënës në lidhje me Remziun, për mua, ishte mënyra se
si ai me intuitën artistike parandiente, si dramat e tij personale, po ashtu
edhe ato kolektive, të cilave ka arritur
edhe t’u bëj ballë mrekullisht. Kohë pas kohe kam përcjell krijimtarinë
artistike të Remziut dhe e veçanta e tij prej artisti, për ndryshim nga shumë
kolegë të tij, ishte edhe dëshira që të komentojë veprat e artit në shumë fusha
të krijimtarisë artistike, si në atë të dramës dhe të filmit, të arteve
figurative, të muzikës dhe të letërsisë.
Remziu është një shpirt i vërtetë prej artisti dhe,
duke qenë i tillë, ai dëshiron që ndjeshmërinë e vet artistike ta komunikojë me
të tjerët, qoftë përmes ngjyrës kur pikturon vetë, qoftë përmes fjalëve kur
komenton dhe inkurajon punën krijuese të kolegëve të tij artistë.
Në lëmin e arteve figurative, ndër të preferuarit e
tij janë: Nebih Muriqi, Afrim Spahiu, Faik Krasniqi, Adem
Rusinovci, Fatmir T. H. Gjakova, Hajrush Fazliu e të
tjerë, për punën e të cilëve Remziu shprehet me tekste e komente, me rastin e
ekspozitave personale. Ai shpalos kryesisht opinione pozitive dhe inkurajuese
për veçoritë krijuese të tyre dhe për kontributin që ata i kanë dhënë
konfiguracionit të jetës artistike, apo më konkretisht - arteve pamore në
Kosovë. Në vrojtimet e tij eseistike për artistët e kësaj monografie, Limani u
referohet një serë tiparesh e komponentesh, si biografia krijuese, stili dhe
shkolla artistike, me të cilat dëshiron ta skalisë veç e veç profilin artistik
të secilit krijues. Tipari themelor që i karakterizon këto shkrime te Remziut,
është përpjekja për të depërtuar në individualitetin krijues të secilit veç e
veç dhe për t’i ikur rutinës tekstore, të cilën e hasim te shumë kritikë të
artit dhe me këtë rast Remziu, sikur edhe në krijimtarinë e tij artistike, po
ashtu edhe në komentimin e punës së të tjerëve, shfaq një respekt të skajshëm
për individualitetin dhe stilin e secilit syresh, duke veçuar, bie fjala,
talentin prej vizatuesi te Muriqi, tredimensionalitetin te Rusinovci,
njohjen e teorisë së hapësirës te Fazliu, spektrin diellor
shtatëngjyrësh te Spahiu e kështu me radhë, me çka dëshmon prirjen e tij
prej artisti, të kërkimit të veçorisë estetike, e cila lidhet me problemin e subjektives,
që në krijimtarinë artistike përbën
pikën e dallimit të artit dhe të krijimtarisë artistike, nga fushat e
tjera si shkenca, teknika, prodhimi etj.
I prirë nga ndjenja e mirëkuptimit, më parë sesa nga prirja e “kritikës”, do të thosha se grumbullimi i shkrimeve të Remzi Limanit për punën krijuese të kolegëve të tij të arteve pamore në një botim të veçantë, përbën një gjest njerëzor komunikimi intelektual, të artistit me artistët, ku sendërtohet ajo thënia latine “Nihil humani a me alienum puto” (Asgjë njerëzore nuk më është e huaj), të cilën Hegeli e konsideronte moto për krijimtarinë artistike.