Kulturë
Xhevdet Ukalli: Ç'është Atdheu
E diele, 02.12.2012, 03:07 PM
XHEVDET UKALLI
Ç’ËSHTË ATDHEU
Atdheu është vendi:
Ku gjeta jetën!
Ku njoha botën!
Ku takova Zotin!
Është toka:
Shndërrohet në dhe
Vëndohet në pëllëmbë
Dhe preket
Kur bëhet Atdhe
Njomet me lotë
Dhe ndjehet!
Është djepi
Dhe varri
Plaga e gjallë
Që prore dhemb
Dhemb bukur
E ngazëllon
Të bën të ofshajshë
Të jeshë i kënaqur
Dhe të ndjehesh krenar!
Është loti që s’thahet !
Balli që s’rrudhet !
Faqja që s’vruget !
Syri që s’muzget !
Është vendkalim
Në rrugën
Nga thjeshtësia
Për në përjetësi !
Është trampolinë
Që të çon
Vertikalisht nga varri-
Po e meritove!
Është vendi:
Ku rrënjët përjetë mbesin !
Prej ku asnjëherë
S’ke nevojë të ikësh
Ku gjithmonë
Ke nevojë të kthehesh
I gjallë edhe për pak jetë
Apo t’i dorëzohesh amshimit !
Atdheu
Është vendi i bekuar!
Aty ku lihet
Amaneti i gjyshërve
Dhe ngrihet
Betimi i nipave!
ATDHEU është
Shumë më tepër
Se emri- vetë!