Kulturë
Rizah Sheqiri: Poezi për Flamur e Pavarësi
E marte, 04.12.2012, 06:23 PM
Rizah Sheqiri
FLAMURIT
Shqiponja krenare hyri në të kuqtë e gjakut
Dhe në pëlhurën e ëndërrave palë - palë
Me zemër u qëndis e rrënjë lëshoi në zemra –
Të gjithë e puthin si nëna të vetëmin djalë.
Shqiponja dhe ngjyra e gjakut në flamur
Nëpër kohë ballë ju bëri të ligave – stuhive
Në sytë e në zemrat tona përherë valon lart
Dhe gjithmonë urtësisht ju falet lartësive.
Flamuri që na priu në luftëra dhe në fitore
Madhërisht përqafohet me rrezet e diellit,
Bukurinë ua dhuron luleve, qëndresën gurit…
Sa hije i ka kaltërsisë së qiellit!...
NE GJITHMONË NË NE
FLAMURIN E PATËM ATDHE
Uragan i çmendur
Kur ra mbi at dhe
Si lisat me rrënjë
Na shkuli ne
E mbetëm pa qiell
E mbetëm pa diell
Zogjë të lënduar krahthatë
Flutura në erë flutura në natë
Të përplasur në humnerë
Të përplasur në shtërngatë
Nga uragani i mjerë
Nga uragani i ngratë
Rrahur nga dallgë mbuluar me re
Pa tokë pa ujë pa ajër pa dhe
Veç flamurin në zemër fort e ruanim ne;
Këngë e shpresë - liri e at dhe.
VLORË
Ishim të ndarë e të kishim të ndaluar
Po ne aqë shumë të kemi ëndërruar
Po ne aq shumë të kemi dashuruar
Vajzat me emrin tënd i kemi pagëzuar.
Takimin me ty e kishim diellshprese në sy
Qëllim jete në zemra kishim bashkimin me ty
Se shpirti ynë të donte e vuante për ty
Po edhe ëndrra e shpresa e malli
Nganjëherë shndërrohen në gëzim;
Sot si biri nënën të rrok në përqafim
E ta them hapur Vlorë më parë s´të kam takuar
Edhe ëndrrën edhe shpresën edhe lumturinë
Edhe vuajtjen edhe mallin edhe dashurinë
Edhe këngën e shpirtit me aq afsh që ta kemi kënduar
Edhe fjalën e zemrës që për ty me zemër e kemi latuar
O Vlorë e dashur o Vlorë e bukur o Vlorë e uruar
Edhe shumë më shumë i paske merituar
Edhe shumë më shumë i paske merituar
Eh tash kur me kaq gëzim të kam përqafuar
Vargjet nga zemra e shpiri – për ty pa pushuar
Si uji nga gurra e jetës më kanë buruar
Pas këtij takimi të përmallshëm por të gëzuar
Ne të dashurit e përbotëshëm tashmë të bashkuar
Për bashkim shpirtrash për bashkim zemrash
I ngrejmë gotat me fund
Dhe urojmë
Gëzuar, gëzuar, gëzuar !...
PËR FATIN TIM VENDOSI VETË
- POEMA E PAVARËSISË -
Të flas para shokëve
Mora vetë guxim,
Jam i kësaj toke
Që më bëri trim.
Këtu jetuan të parët
Këtu jetoj dhe vetë,
Kot e kanë të tjerët
Vendin s’e lë t’shkretë.
S’jam më i vogël
S’jam as jetim,
Dua të vendosi
Vetë për fatin tim!
Në log me burrat
Do të flas shtruar,
Nuk tradhtohem më
Si në kohë të shkuar.
Në sofrën e përbashkët
Ma morën pjesën më të madhe,
Pa bukë mbeta të rritem
Edhe me shumë halle.
E tash secili
Të qartë le ta ketë,
Në sofër do ta hajë
Veç copën e vet´.
S’do të shitet gënjeshtra
S’do të pijë ujë tradhtia,
Gjithkush do dalë sheshazi
Me bëmat e tija…
Koha që po vjen
Maskat do t’i shkatërrojë,
Dhe do të shihet mire
Kush kë e mashtroi!...
Për të mira e të këqija
Do të jipet llogari,
Lumë për çdo shpirtbardhë
Mjerë për çdo shpirtzi!...
Vetë do të flas në kuvend
Unë me shpirt të bardhë,
Shpirtziut do t’ia them të gjitha…
Le të kthehet nga ka ardhë.
Se vetes dhe këtij vendi
Do t’i dalë vetë zot,
I mbuluar me të liga
Por s’përulem dot.
Këtu në këtë tokë
Kam rrënjë edhe trung,
Nuk do të më thyejnë
- Më bulëzon çdo cung!
Më vrau nëpër kohë
E imja – besnikëria,
Se mirë e di ç’do
Pushtuesi – tradhëtia!
Jam i gjallë në tokën time
Le ta dijë gjithë bota,
Tash ngre grushtin lart
Ja si sillet rrota!
Këtu më nuk lëshoj pe
As sa për një qime,
Kush është i huaj, dihet,
Unë jam n’shtëpinë time.
Prandaj qartë ju flas
Dhe me plot guxim,
Tash e tutje vendosi
Vetë për fatin tim!
(Prishtinë, nëntor 1990)
© Rizah Sheqiri