Kulturë
Kalosh Çeliku: Burrat shiten me thasë
E merkure, 05.12.2012, 07:28 PM
NË KËTË QYTET BURRAT
SHITEN ME THASË
(Mikes Di)
Nga: KALOSH ÇELIKU
Vogëlushja më tha:
të dua pak
Vogëlushja Di më tha: të dua pak
Mikja të do shumë. Cuca Boheme.
Nuk e xhelozoj Gruan tënde verë
E di. Mikja e xhelozon. Edhe mua.
Vështirë e kam të flas për Cucën Boheme
Ende nuk e njoh. Vetëm njëherë jemi takuar
Në „ Grand „. Gjithë kohën më vodhi me sy...
Ndjekje me telefon celular
Ai u vonua. Ajo e priste në Tavernë
Kafe galeri „Koha“. Erdhi.
Vonë. Ajo kishte ikur
E kërkoi në telefonin celular:
„Personi që kërkoni nuk ka qasje në rrjetë“.
Pas dy orëve: - „Alo, Ujku?“ Po, i përgjigjet.
- Ku je? Tri orë po të kërkoj nëpër Qytet
Ec shpejt! Të pres në hotelin „Iliria „!
Niset. E gjen në tavolinën ku rri Ai gjithmonë.
„Bejbi“ i thotë: Sot u binda se jam e çmendur.
Gjithë këta burra të bukur nëpër Qytet. E unë
Të kërkoj Ty me orë. Babasheh je „bejbi“.
Hajmali të fortë më ke varur për qafe. Që,
Nuk mund ta zgjidhin as njëqind hoxhallarë.
Ai pi një shtambë me verë. Ajo pi një çaj mali
E përfundojnë ndjekjen me telefon celular...
Dhe kështu e mashtrojmë
njëri - tjetrin
E dinte se, jam në Prishtinë. Tavernë.
Gjithë ditën më kishte kërkuar nëpër Qytet
Në mbrëmje kishte hequr dorë. Ikur.
Vonë e kërkova Unë me telefon celular.
- Ja, sa u ktheva në shtëpi. Jam e lodhur
Edhe, nervoze. Nuk mund të dal sonte
Shihemi nesër! Natën e mirë, Ujk!
Mirë, i përgjigjem. Dhe, ik në banesën
E një mikut tim në kodër ta përcjell Natën
Mes librave. Dhe, shtambave me verë.
Të nesërmen, Ajo e pi një kafe. Unë një verë.
- Ma blej një libër, m’thotë! Ia blej dy të tjerë.
Ujk, më thotë. Sot vërtetë ke bërë „sevap“.
Dhe, kështu e mashtrojmë veten. Njëri tjetrin
Ajo turret pas burrave. E, Unë pas grave...
Në këtë Qytet burrat
shiten me thasë
Mike Di, Ti jeton pa burrë. Grua
Në një Qytet ku burra ka me thasë.
E shiten lirë në Bit – Pazar, Shkup.
Mike Di, Ti jeton pa burrë. Grua
Në Qytetin ku burrat shiten me thasë...
Unë bëj dashuri
me Hënën
Mikja ime Di kur qan pasmesnate
Unë e shoh ëndërr shiun. Ylberin.
Dhe, një kalë të bardhë mes reve
Që me të katra e ka shaluar Dielli.
Mikja ime Di kur qan pasmesnate
Çmendem. Dashuri bëj me Hënën…
“Vendi i Vdekjes”, do të thirret:
Vendi i Lindjes
Pasmesnate. Vetë i katërti rash në Përrua
E bukur Vdekja. Rren hoxha në minare.
Që, thotë : “Vdekja është Grua e keqe”
Ferexhenë kur e hedh krahëve. Shaminë
Dhe, del fushave. Maleve me kosë në dorë.
Pasmesnate, Vdekja lindi në Përrua .Thashë :
“Vendi i vdekjes”, do të thirret: Vendi i lindjes...
Zonja Vdekje më preku
në Qafë Thanë
Unë dy herë u takova me Zonjën Vdekje
Një herë në Voskopojë. Dhe, Qafë Thanë.
I shpalla dashuri. Po, ajo nuk më deshi
Burrë i keq, më tha je. Aspak besnik:
Për një Zonjë siç jam unë, Kurtizane.
Dhe, nuk më deshi Zonja Vdekje
Punemadhe. Vera më do. Gratë…