E merkure, 19.03.2025, 05:41 AM (GMT)

Kulturë

Mehmet Hajrizi: Një autore dhe një ekspozitë e veçantë

E marte, 04.12.2012, 07:55 PM


NJË AUTORE DHE NJË EKSPOZITË E VEÇANTË

Nga Mehmet Hajrizi

Më 23 nëntor 2012, me përkujdesjen e Kuvendit Komunal, në Gjilan u hap ekspozita e Sabile Keçmezi-Bashës, “Shtypi i Lëvizjes Kombëtare në Kosovë dhe në diasporë, 1945-1999”

Emri i Sabile Keçmezi-Bashës është gjerësisht i njohur në botën shqiptare, si shkencëtare, veprimtare politike e kombëtare, deputete, pedagoge dhe shkrimtare.

Në karrierën e saj të bujshme krijuese, ajo botoi mbi 200 njësi bibliografike, shkencore, publicistike, letrare dhe fejtonistike. Sabilja ka botuar njëmbëdhjetë vepra shkencore dhe njëmbëdhjetë të tjera letrare. Do çmuar në mënyrë meritore, sidomos kontributin e saj studimor për Lëvizjen Kombëtare të Kosovës. Ajo i ka siguruar vetes vendin e nderuar midis studiuesve të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Ekspozita që na ka dhuruar Sabilja në vigjilje të 100-vjetorit të shtetit shqiptar, ditës së flamurit dhe ditëlindjes së kryeheroit të lirisë së Kosovës, komandantit Adem Jashari, është vazhdim dhe produkt i veprës kapitale të saj në tri vëllime, për shtypin e Lëvizjes Kombëtare të Kosovës.

Duke parë këtë ekspozitë, kujtesa jonë kthehet në kohë veçanërisht të vështira për shqiptarët e robëruar, kur vargonjtë ua lidhnin jo vetëm këmbë e duar, por edhe gojën. Terrori dhe persekucioni i regjimit pushtues në Kosovë, shoqërohej edhe me ndalimin e rreptë të shtypit dhe të fjalës së lirë.

Lëvizja Kombëtare e Kosovës, në ilegalitet të thellë, vepronte  pareshtur për mobilizimin dhe organizimin e rezistencës së përgjithshme  kundër politikës shoviniste pushtuese e shtypëse të Beogradit. Gjatë gjithë historisë së dhembshme të pushtimit serb e jugosllav të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare, kjo Lëvizje, shënoi faqe të lavdishme të rezistencës dhe qëndresës heroike.

Veprat e mëdha historike, bëjnë vlera të larta. Këto vlera shpërthyese në qenien e kombit tonë, përbënin forcën e kthesave historike, por edhe shpirtin e ri e fisnik të brezave, kultivuar në plan personal dhe kolektiv. Në këtë kuptim, përpjekjet e gjata dhe luftërat çlirimtare të popullit tonë, me gjithë humbjet kolosale që kanë sjellë me vete, përbënin edhe një proces rilindës e ripërtëritës të tij, përmirësim të gjakut, të shpirtit, të karakterit dhe të kulturës përgjithësisht. Vlerat e tij historike, kombi ynë i ka kultivuar dhe ruajtur e pasuruar me mund e sakrifica, nëpër breza të shumtë.

Pesha dhe rëndësia e kësaj ekspozite qëndron në paraqitjen nëpërmjet të figurave dhe faksimileve, të njërës nga këto vlera historike të traditës së lëvizjes sonë Kombëtare, të shtypit të saj klandestin. Brenda kopërtinave të ekspozuara të organeve të shtypit të Lëvizjes Kombëtare, lexuesit e shumtë gjenin informata të sakta dhe objektive, propagandimin luftarak të ideve të  lirisë e të bashkimit kombëtar, analiza profesionale e komente politike, demaskim me fakte dhe argumente të pakundërshtueshme të politikës pushtuese, shtypëse e shfrytëzuese, të vërtetën e plotë për gjendjen e shqiptarëve të robëruar, krijime artistike e ilustrime të shumta figurative. Kjo punë e madhe dhe sistematike, kjo vlerë e krijuar me mund e sakrifica, ishte në funksion të informimit objektiv e të edukimit patriotik, të frymëzimit shpirtëror e  të mobilizimit luftarak, por edhe  të organizimit praktik e masiv. Njëri nga organet e shumtë të shtypit të Lëvizjes Kombëtare, “Liria” e mirënjohur, në kryeartikullin inaugurues të numrit të parë më 1980, veç tjerash shkruante: “”Liria" do të jetë një tribunë e vërtetë që ka për qëllim të ndihmojë bashkimin e gjithë popullit në luftë kundër pushtuesve dhe tradhtarëve.

"Liria" do të luftojë pa mëshirë kundër armiqve të popullit tonë dhe do të demaskojë propagandën e poshtër demagogjike e mashtruese të tyre.

"Liria" do t’i tregojë popullit qartë cilët janë armiqtë e vërtetë të tij, kush i rrëmbeu lirinë, kush e vrau dhe e mashtroi, kush e dëboi nga vatrat e veta, kush e varfëroi dhe e çoi në këtë gjendje të mjeruar, kush i përplas nëpër burgjet e errëta jugosllave bijtë e tij, kush e shtyp dhe e shfrytëzon kaq egërsisht dhe do t’i tregojë cila është rruga e shpëtimit nga robëria e tmerrshme.

"Liria" do t’i  mbrojë me guxim interesat e popullit tonë të robëruar para çdo armiku.

"Liria" jonë do të jetë gjithë jetën tribunë e së vërtetës, e drejtësisë dhe zëri i lirisë së vërtetë të popullit tonë.

"Liria" do të punojë e luftojë me vullnet të hekurt për edukimin dhe kalitjen e popullit me një patriotizëm të flaktë e revolucionar.

“Liria" do të ngrejë lart me krenari traditat e shkëlqyera luftarake të së kaluarës  së lavdishme të popullit tonë, përpjekjet e luftërat e tij për liri e bashkim kombëtar.

"Liria" do të pasqyrojë urrejtjen e madhe që ka mbushur gjokset shqiptare kundër regjimit shtypës e shfrytëzues, luftën e popullit që bëhet në forma të ndryshme kundër këtij regjimi, do t’i sqarojë masat mbi gjendjen brenda dhe jashtë vendit si dhe do t’i orientojë ato në situatat e ndryshme...

Këtë mision ka "Liria" jonë.”

Duke pasur parasysh rrezikun që i sillte ky shtyp, regjimi pushtues e kishte ndaluar rreptësishtë me ligj dhe i ndiqte e i dënonte me shumë vite burgim, jo vetëm ata që e bënin, por edhe lexuesit e tij, ose këdo që i gjendej nga milicia dhe agjentët e shumtë.

Organet e shtypit klandestin të Lëvizjes sonë Kombëtare, paraqesin fillimin e shtypit të lirë e të pavarur në Kosovë.

Ne sot kemi rastin e mirë që gjithë këtë pasuri të traditës kombëtare ta shohim në një vend, si rezultat i një pune të gjatë dhe të mundimshme të autores, e cila si bleta, lule më lule, ka qëmtuar nektarin e Lëvizjes së lavdishme Kombëtare Shqiptare.

Në ekspozitë mungojnë disa gazeta dhe revista, programe politike e kombëtare të organizatave të shumta të Lëvizjes, mungojnë traktet, thirrjet e parullat që bëjnë me mijëra, pastaj krijimtaria e pasur letrare e artistike, në zhanre të ndryshme si  poezi, prozë, këngë, ilustrime, grafika, portrete etj., jo pse nuk i kishte autorja, por për shkak të kufizimeve të hapësirës ekspozuese. Mungon edhe teknika e shtypit klandestin, e cila të shumtën e rasteve, për shkak të rregullave të konspiracionit, rrëmbehej nga veprimtarët, në aksione praktike. Mbase në ndonjë rast tjetër do të mund t’i shohim edhe ato, pse jo edhe si eksponate muzeale.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx