E diele, 28.04.2024, 07:31 PM (GMT+1)

Kulturë

Kujtim Agalliu: Tema e dashurisë zë vendin kryesor

E shtune, 08.12.2012, 11:46 AM


Bashkpunëtorët e ZSH-së, autor librash

Tema e dashurisë zë vendin kryesor

-Një libër me poezi i Drita Lushit-

Nga: Kujtim Agalliu

- Diskutim në promovimin e librit me poezi "ËNDËRR..." të poetes Drita Lushi -

Me poezinë e Dritës jam njohur nëpërmjet faqeve të Fb, kam marr nga ajo ndijimet e mia dhe kam përcjell përshtypjet që më kanë lënë vargjet e saj. Natyrisht aq sa të lejon ajo faqe në të cilën vërshojnë çdo ditë dhjetëra poezi të  poetëve të njohur dhe të panjohur, madje, edhe të atyre që po bëjnë përpjekjet e para në këtë fushë. Shpesh herë mjaftohemi me një “Like” konsiderate dhe, kur na ngjit poezia, vetvetiu shprehim me shkrim një vlerësim, apo një mendim, që kryesisht është subjektiv.

Por kur mora në dorë librin me poezi “ËNDËRR...” të poetes Drita Lushi, një fakt tani të vërtetuar, jo vetëm që u gëzova, por edhe u befasova. Menjëherë, përfytyrimi im u arratis pranë lumit Shkumbin, në qytetin mjaft piktoresk të Librazhdit. Pranë ujërave të tij shushuritës që, i bashkuar me atë të gjetheve të rrapeve të moçëm, çuditërisht kompozojnë muzikën më të bukur të këtyre anëve.  Dhe këtë ndjesi e përjetova pikërisht në saj të vargjeve aq të bukura të këtij libri me një titull sa të thjesht aq dhe domethënës, “ËNDËRR...”. që në të vërtetë është një ëndërr dhe zhgjëndërr, ku e kaluara dhe e tashmja takohen dhe bëjnë bilancin e asaj që ka ikur dhe asaj që do të vijë.

Poezitë e Dritës nuk janë me varg klasik, ato janë shkëputur mjeshtërisht nga ajo formë vjershërimi dhe të gjitha mendimet, përjetimet, ndjenjat, gëzimet dhe brengat e poetes shprehen nëpërmjet vargjeve të lira, ose vargjeve të bardha, siç u themi zakonisht. Nuk them se vargjet e rimuara nuk të japin kënaqësi, por nëse ata e realizojnë këtë me sukses dhe të kënaqin veshin,  vargjet e lira të Dritës me lirizmin e tyre të ngrohin shpirtin dhe ta çojnë zemrën peshë. Ato janë si një oaz i gjelbër, dimër behar dhe, që çliron dritë e forcë, nga pena mjeshtërore e poeteshës. Poezia e Dritës zgjohet nga shtysa emotive, ku me vargjet e përzgjedhura me kujdes flasin ndjenjat dhe shpirti i saji dëlirë.

Në librin me poezi të Dritës ajo që mbizotëron dhe zë vendin e nderit, është dashuria, e cila qëndron në tre gjymtyrë të përbëra nga e njëjta lëndë: pra ndahet në tre komponentë të ndërvaruar nga shtylla kryesore - vetë Dashurisë.

Dashuria zë një hapësirë të madhe, ajo nuk është e kufizuar thjesht në dashurinë midis gjinive, por në dashurinë për çdo gjë mbi tokë, për të gjitha ata, ose ato që na rrethojnë me respektin dhe përkujdesjen e tyre. Pra, ajo ndahet, për të qenë një e tërë,  në tri kolona: në dashurinë për njerëzit e saj të dashur, për nënën, babanë, vajzën, bashkëshortin, far e fisin etj. Për t’u përmendur janë poezitë kushtuar vajzës së saj “për të bukurën, bardhësinë e ditës dhe ndriçimin yjor”.  Nënës, që “kurrë se ngriti zëri dhe kurrë s’e dëgjoi të fliste, as atëherë kur edhe mund të bërtiste”, babait “që s’është më dhe e tashmja me ngjyra lulesh shkruan emrin e tij”, Për njerëzit e mirë që e rrethojnë, dhe “keqardhjen  për miken, që përfiton nga mirësia, dhimbsurinë për fëmijën që prindërit nuk kanë lekë t’i blejnë ilaçet, apo për lotin e nënës së tij” etj. Për vendin, për pyllin apo fushën ku “Dita pi diellin në një kupë të gjelbër pranvere”.

Pastaj vjen ajo, dashuria që të prish ëndrrat, që të ndjek këmba këmbës deri në frymën e fundi, që të ngop por edhe të lë përherë të uritur. Dhe për të ilustruar këtë po citoj një fragment nga poezia “Dikush më besoi zemrën”, që natyrisht është një midis më të bukurave e poetes.

 

 

Çati bëra

Hojet e ëmbla të fjalëve

Dhe aty hyra të jetoja

Kështu, ajo

u bë shtëpia ime e re.

 

Dikush më besoi zemrën,

Unë i besova timen.

 

E duke vazhduar më tej të lexojmë këtë libër interesant, ne gëzohemi dhe hidhërohemi bashkë me autoren, sepse të tillë janë vargjet, ata depërtojnë tek lexuesi dhe bëhen pjesë e shpirtit të tij, po aq sa edhe tek poetesha.  Interesante është, për mendimin tim, edhe poezia “Dil nga harrimi”, nga e cila po citoj si më poshtë:

Oh, u bënë muaj që s’të shoh!

Orë...muaj...

Nuk e di,

nuk e mas dot mungesën tënde...

 

dhe mbaron me:

 

Dil nga harrimi

në mos dalësh,

në harrim edhe unë do të vij.

 

Nuk ka nevojë për koment, sepse gjithçka është thënë më së miri; dashuri deri në sakrifikim të vetes, dashuri që jep, por edhe që kërkon.

Kështu me radhë mund të përmendim një varg me poezi si “Trishtimi”, “Valixhja e shpresës”, “Fati”, dhe “Mohim i pamundur”, e cila shpreh dallgëzimin shpirtëror të autores.

Por lexuesi do të ketë vetë kënaqësinë t’i lexojë me vëmendje këto perla të këtij vëllimi dhe të përjetoj atë që transmetohet nëpërmjet tyre.

Drita nuk lë jashtë objektivit të saj poetik as natyrën e bukur, ku ajo mbush me ajrin e pastër të pyjeve dhe lumit mushkëritë e saj dhe shpirtin me frymëzim e shpresë për një jetë më të mirë, të rrethuar përherë nga dashuria njerëzore.

Poezia “Një janar”, nuk është thjeshtë një ditë e fillim vitit, por një peizazh sa lirik edhe dramatik, një fillim i përgjumur, ku jeta ka rënë në një gjumë letargjik në këtë qytet të lodhur nga jeta dhe vështirësitë.

 

Ajo thotë:

 

Dita që preku vitin e Ri,

si një nuse me duvak, pak e turpshme,

dhe e hutuar më duket...megjithëse njerëzit

flenë,

ashtu si krushqit pas një dasme

të gëzueshme...

 

Në mbyllje, një mbyllje e kushtëzuar nga koha dhe momenti, se diskutimi për këtë vëllim të bënë të ligjërosh pa pushim, nuk rri dot pa thënë mendimin tim për një tipar që zbulova rastësisht gjatë leximit të librit me poezi.

Drita, është një karakter i brishtë, me zemër të ndjeshme dhe  shpirti i saj sado të rebelohet, ai nuk ka forcën për t’u bërë i “egër”. Edhe vrazhdësia në gojën e saj lëmohet e del e butë, e butë si një kadife e përdorur. Pra, Drita nuk është e prerë për poezinë e kamxhikut, atë sociale, sepse ajo do ashpërsinë që asaj i mungon. Ministri i poezisë së saj, me atë portret që i ka blatuar ajo, më shumë zë dhjamë se sa leqendiset. Si është katranosur shoqëria e sotme shqiptare, zor se e pickon dot shpirti i butë i poetes lirike. Ajo nuk e përdor dot kërbaçin, sepse për dorën e saj ai është mjaft i rëndë.

 

Le t’i urojmë Dritës suksese të mëtejshme dhe të ec e sigurt në rrugën e bukur të poezisë lirike që, për mendimin tim, i shkon shumë përshtat.

Suksese!

---------------------------

(Për ZSh-në, nga redaktori ynë Z. Lushaj, Dhjetor 2012)



(Vota: 29 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora