E diele, 28.04.2024, 01:56 PM (GMT+1)

Kulturë

Cikël me poezi nga Shefki Ollomani

E shtune, 08.12.2012, 12:07 PM


Disa poezi nga libri im më ri
– FENIKSI SHQIPTAR,
Botoi ShGB “SHKUPI”,
Shkup – Nëntor 2012

*****

FALENDEROJ

Falenderoj Prindërit e mi
Që më lindën e rritën me dashuri.

Falenderoj Familjen time
Rrugës jetës në shtegtime.

Falenderoj miq e shokë
Qiell, Diell  edhe Tokë.

Falenderoj mot pas motit
KRIJUESIN tim e të Kozmosit.

*****

TË DUA VETËM TY

E kam Qiellin
dua vetëm një Yll.
E kam Detin,
dua një Pikë Uji.
E kam Botën,
të dua vetëm Ty.

Ti je Yll që ndriçon,
Ti je Det që dallgëzon,
Ti je Ujë që gurgullon,
Ti je Ajr që frymon,

Për Ty, o Yll, oj Dritë!
Vdes e ngjallem ditë-përditë.

*****
JE

JE - Diell i zemrës sime,
Nëpër brenga e shqetësime.

JE - Hënë e shpirtit tim,
Nëpër flakë e nëpër tym.

JE- Trëndafil i kuq në verë
Që nuk vyshkesh asnjëherë.

JE - Hënë e plotë në terr të natës
JE - Yll polar në mes t’shtrëngatës.

*****

ZEMRAT TONA

Zemra ime, zemra jote
Porsi lulet e kësaj toke.

Zemra jote, zemra ime
Ndezen, shkrihen n’përqafime.

Zemrat tona, rreze Dielli
Yje të kuq të këtij Qielli.

*****


UNË DHE TI

Unë dhe Ti, Ti dhe Unë
Rrjedhim bashkë porsi lumë.

Ti dhe Unë, Unë dhe Ti
Jem dy yje në Gjithësi.

Ti dhe Unë, Unë dhe Ti
Jem një shpirt, një Njeri.

Ti dhe Unë, Unë dhe Ti
Jem një Zemër, një Dashuri.

Unë dhe Ti, Ti dhe Unë
Mish e thua, s’ndahem kurrë.

Unë dhe Ti, Ti dhe Unë
Të fortë – çelik, shkëmb e gur.

Unë dhe Ti, Ti dhe Unë
Ti Shqiponjë, Unë Flamur.

Ti dhe Unë, Unë dhe Ti
Jem Shqiptar, jem Shqipëri.

Unë dhe Ti, Ti dhe Unë
Për çdo ditë duhem më shumë.

*****

TOKA JONË

As parajsë, as ferr
Pak gëzime, shumë tmerr!

Bota jonë porsi hije
Merre vesh e bjeri n’fije!

Bota jonë njerëzore
Plot sekrete e mistere!

*****

UNË

Edhe kur qajë, unë shpresoj
Kur të tjerët vajtojnë, unë këndoj

Edhe kur vuaj, unë qesh
Kështu fati e desh.

Qesh e qajë, vajtoj - këndoj…
Gëzohem - hidhërohem, besoj - shpresoj…

Rrokullisem në këtë botë mizore,
Nëpër grackat e jetës njerëzore!

S’jam i varfër, s’kam pasuri,
Po kjo fare s’ka rëndësi.

Nuk jam derr i kënaqur,
As Sokrat i vuajtur.

Asgjë nuk jam, gjithëçka jam,
Asgjë nuk kam, gjithëçka kam.

Jam Njeri, s’jam Shenjëtor,
S’jam Engjëll, jam Njerëzor.

Herë i qetë, herë temperament…,
Jeta ime - eksperiment!

*****

JETA

Jeta është e bardhë
Të zezë e bëjnë sundimtarët,
”Zotat” e rrejshëm dhe djallët!

Jeta është e drejtë,
E bukur, paqësore,
Të shëmtuar e bëjnë diktatorët!

Jeta është e lehtë,
E këndshme, me vlerë,
Të rëndë e bëjnë puthadorët!

Jeta është e ëmbël,
Mjaltë e sheqer,
Të idhët, helm e bëjnë xhelozët!

Jeta është parajsë,
Kopësht me lule
Ferr e bëjnë mizorët!

Jeta është këngë, melodi
Është vals, simfoni,
Është hyjnore, harmoni,
Jeta është kënaqësi,
Lozonjare, e hareshme,
Monotone e bëjnë intrigat e nëndheshme!

*****

LOTI IM

Loti im vyshket
Si lulja pa ujë,
Nga ky siklet
Nga kjo rrokopujë!

Loti im thahet mbi qerpikët e mi
Si vesa në diell,
Nga këto marrëzi
Nga tymi në qiell!

Loti im rjedh mbi mollëza
Porsi uji nëpër kroje,
Porsi shiu nëpër degëza
Rënkojnë thekshëm këto troje!

Loti im kristal i pastër
Rrokulliset ngastër më ngastër,
Mbi drunj, bimë, male, fusha të Shqipërisë
Me durim, besim e shpresë për rreze të Lirisë.

Loti im përgjaket:
Kur jeta vret jetën!
Kur krijesa mbyt krijesën!
Kur njeriu urren njeriun!

*****

MOS MË PYETNI!

Mos më pyetni ku i kam trojet,
Mos më pyetni pse shterruan krojet!

Mos më pyetni ku i kam kufinjt,
Mos më pyetni pse kafshojnë gjarpërinjt!

Mos më pyetni ku i kam detrat,
Mos më pyetni pse s'fryejnë erërat!

Mos më pyetni ku i kam liqenjt,
Mi ndanë e shqyen çakenjt!

*****

Mos më pyetni ku i kam bjeshkët,
Mos më pyetni pse s'piqen pjeshkët!

Mosmë  më pyetni ku i kam fushat,
Mos pyetni pse i vranë drenushat!

Mos më pyetni ku i kam kullat,
Mos më pyetni pse u thërmuan gurët e tullat!

Mos më pyetni ku i kam plagët,
Mos më pyetni pse më dogjën flakët!

Mos më pyetni ku i kam armët, dyfekët…!
Mos më pyetni pse nuk krisin fyshekët!

Mos më pyetni ku i kam gjyshërit, baballarët…
Mi tretën shekujt, mijëvjeçarët…!

*****

Mos më pyetni për Tokë e Qiell,
As për Hënë dhe as për Diell.

Mos më pyetni mua, mos!
Se unë veç e katranos!

Mos më pyetni për asgjë, as sot, as mot,
Pyeteni Popullin dhe të Madhin ZOT.

*****

DISA SHQIPTARË

Luftëtarë trima, deri në zenit,
Të pabesë, tradhëtarë, në infinit!

Me një këmbë në histori,
Me tjetrën në tradhëti!

Kështu Shqiptarët – bardhë e zi
Ndreqin, prishin këtë Shqipëri!
*****
SIZIFI SHQIPTAR

Ngjitet kodrës, malit zbret
Liri, bashkim! – po bërtet.

Me mundim ngjitet, rrëzohet
Ngritet prore, nuk dorëzohet.

Mban mbi krahë globin e Tokës
Gjaku shputave, djersa kokës.

Mban mbi shpinë hallet e Kombit
Me besim në ndihmën e Zotit.

Mban mbi supe Shqipërinë Etnike
Sikur Muji në baladat kreshnike.

Mban në zemër Atdheun, Lirinë
Mban në shpirtë dritën, drejtësinë,

Ngjitet malit me tërfëllimë
Po në majë kurrë s’arrinë!

S’është me të Zoti, Perëndia
As Shqiptarët, as Njerëzia!

Hapin, vrullin nuk e ndalë.
Në majë të malit një ditë do dalë.

Në luftë për vdekje, a për jetë
Kështu Shqipëria të mos jetë.

Se Liria nuk ndalohet
Sepse Drita nuk shterrohet.

Sizifi ynë kombëtar
Do të dalë fitimtar.

*****

LEKA I MADH

I Madh linde,
I Madh mbete
Askujt nuk iu binde,
S’të trembën armiq, as tërmete.

Ca thonë je grek,
Të tjerët je sllav,
Nga lashtësia Ti thërret:
Jam Ilir, jam Pellazg!

Me Ty krenohet gjithë Ballkani
Ilir ishe, Shqiptar je,
Llavë e zjarr vullkani
Përmbi tokë e nëpër ré.

Në tre kontinente një Perandori,
Pellazgji e Iliri,
Maqedoni e Shqipëri
Të gjitha ishin e mbetën Nji.

Varri në Azi
Trupi n’Iliri
Fama në gjithë botën
Historia s’e ndal rrotën.

*****
FORMAT E TRADHTISË

Dikush tradhëton se s'ka çare,
Dikush tradhëton për pare,
Tjetri tradhëton se s'ka marre!

Disa tradhëtojnë nga zemërimi,
Disa tradhëtojnë nga zhgënjimi,
Tjerët tradhëtojnë nga lakmimi!

Dikush tradhëton nga trishtimi,
Dikush tradhëton nga frikësimi,
Tjetri tradhëton nga tmerrimi!

Disa tradhëtojnë nga xhelozia,
Disa tradhëtojnë nga budallakia,
Tjerët tradhëtojnë nga pavetëdia!

Dikush tradhëton nga karrierizmi,
Dikush tradhëton nga egoizmi,
Tjetri tradhëton nga nervozizmi!

Disa tradhëtojnë nga torturimi,
Disa tradhëtojnë nga dhunimi,
Tjerët tradhëtojnë nga mosdurimi!

Dikush tradhëton nga paburrnia,
Dikush tradhëton nga pafytyrësia,
Tjetri tradhëton nga shizofrenia!

Disa tradhëtojnë nga disfatizmi,
Disa tradhëtojnë nga histerizmi,
Tjerët tradhëtojnë nga iluzionizmi!

Dikush tradhëton nga grykësia,
Dikush tradhëton nga dobësia,
Tjetri tradhëton nga pabesia!

Disa tradhëtojnë nga dështimi,
Disa tradhëtojnë nga dëshpërimi,
Tjerët tradhëtojnë nga mashtrimi.

Dikush tradhëton nga barbaria,
Dikush tradhëton nga lemeria,
Tjetri tradhëton nga mizoria!

Disa tradhëtojnë nga pendesa,
Disa tradhëtojnë nga mbijetesa,
Tjerët tradhëtojnë nga mosshpresa!

Dikush tradhëton nga sikleti,
Dikush tradhëton nga naiviteti,
Tjetri tradhëton nga mosdinjiteti!

Disa tradhëtojnë nga hipnotizimi,
Disa tradhëtojnë nga dënimi,
Tjerët tradhëtojnë nga mosflijimi!

Dikush tradhëton në burg të zi,
Dikush tradhëton në kolltuk të ri,
Dikush tradhëton lidhur me zinxhirë,
Dikush tradhëton pa pranga, i lirë!

Disa i tremben vdekjes, ferrit,
Disa kanë babzinë e derrit,
Disa i thyen egërsia e armikut,
Tjerët i mashtron dega e fikut!

Disa japin informata,
Disa bëjnë deklarata,
Disa nënshkruajnë kontrata,
Tjerët marrin dekorata!

Kështu tradhëtia po luan valle,
Kështu tradhëtia krijon halle,
Kështu tradhëtia bën kërdinë,
Ndaj s'bashkojmë dot Shqipërinë!

*****

FENIKSI SHQIPTAR

U lind në Shumeri*)
Kur mbi këtë Dhe
S'kish shtete as njeri
Ky vend me erë u bë Atdhe.

Aty me shekuj e mijëvjeçarë jetuan
Kullën e Babilonit ndërtuan
Deshën të ngjiten në Qiell tek Zoti
Kështu punuan mot pas moti.

Ndërtuan një kohë tepër të gjatë
Derisa Zoti ua dërgoi "dhuratë"
Përmbytjen e Madhe me shtrëngatë
Për të zhdukur këtë popull të ngratë.

U përzie Tokë e Qiell
U errësua Hënë e Diell
Çdo gjë dridhej e përdridhej
Gjithë ky popull lebetitej
Dhe në fund s'mbet kushë i gjallë
Përveç Feniksit Shqiptar.

Ai u mbyt, u dogj në Shumeri
Dhe u ringjallë përsëri
Nga hiri i vet u rilindë
Tutje, larg, në Atlantidë.

Në atë ishull gjeti atdhenë
Feniksi ynë ngriti folenë
Atje Shumerët e stërlashtë
Morën emrin e ri - Atlashtë.

Por kur ishte në kulm të fuqisë
E godet forca e Perëndisë
U fundos gjithë Atlantida
Dhe Atlashtët, porsi drita
Morën sërish rrugën e kthimit
Gjetën vendet e shpëtimit.

Se Feniksi nuk u mposht
Atlashti i urtë me emrin Thot
I priu popullit nëpër det
Në tokë të Khemit (Kthemit)** u kthye
Nga kish ardhë populli i vet
Piramidat filloi me ndërtue.

Atlashtët u shpërndanë gjithandej
Rreth Mesdheut e më tej
Në Shumeri e Feniki
Në Kaukaz e Anatoli
Në Etruri e Pellazgji
Në të bukurën Iliri.

U lindëm si Shumerë
U vjetëruam si Atlashtë
U mplakëm si Pellazgë
U rilindëm si Ilirë
U burrëruam porsi Arbër
Dhe jetojmë si Shqiptarë
Se mbi Dhé jemi të Parë.

Kemi Atlantidën, Shumerinë
Tokën e Kthemit, Pellazgjinë
Kem Ilirinë e Arbërinë
Shqiponjën tonë - Shqipërinë.

Kështu ishte, kështu mbeti
Kështu filloi, kështu vazhdoi
Kështu desh Hyu, Zoti, Perëndia
E para, e përjetshme të jetë Shqipëria.

*****

Feniksi ynë Shqiptar
Nëpër shekuj e mijëvjeçarë
Herë u dogj e herë u poq
Herë u vra e herë u ndoq
Herë vdiq, herë u ringjallë
Por mbet gjithmon Shqiptar.

Për të Atdheu dhe e vërteta
Janë më të shtrenjtë se vetë jeta
Ndaj nuk trembet, nuk tërhiqet
As nga vdekja, as nga rreziqet.

Për Liri e për Shqipëri
Bjen e ngritet përsëri
Bëhet shkrumb e bëhet hi
Derdh gjak të vjetër e gjak të ri
Që Shqiptarët e Shqipëria
Të jetojnë të lirë në Atdhe
Derisa të ekzistojë Gjithësia
Dhe të ketë jetë mbi Dhé.

*****

Herë Sizif e herë Feniks
Herë në sulm, herë në tërhekje
Ky Shqiptari trim, fisnik
Herë në luftë, herë në përpjekje
Herë si grua, herë si burrë
As fiton, as mposhtet kurrë.

Është vendim, vullnet Hyjnie
Që Feniksi kurrë mos zhduket
Është ky urdhër Perëndie
Që Shqiptari të mos shuhet.

--------------------
*)-Shumeria /Vendi me shumë erë/ Babilonia
e mëvonshme/Mesopotamia e më pastajme/Iraku
qendror i sotëm.
**)-Khemi/Kthemi, Vendi i Kthimit/Egjypti i Lashtë
i Faraonëve (Farës sonë, Fisit tonë)

*****

BIOGRAFIA
e Shkurtër e Autorit

Shefki Ollomani u lind në vitin 1959 në fshatin Tuhin të rrethit të Kërçovës. Shkollën tetëvjeçare e ka kryer në vendlindje, kurse shkollën e mesme në gjimnazin "Zef Lush Marku" në Shkup. Ka të kryer 3 vite të Fakultetit Juridik në Prishtinë.
Si aktivist dhe veprimtar ilegal i OMLK-së, në Shtator 1982 detyrohet të ndërpresë studimet dhe të emigrojë në Zvicër, ku qëndron deri në Vjeshtë të vitit 1985.
Në Zvicër angazhohet në rradhët e LR(S)SHJ-së, sot LPK, si bashkëpunëtor dhe pastaj si anëtar i Redaksisë së "Zërit të Kosovës", janar 1985 - nëntor 1987.
Ishte anëtar i Redaksisë së organit intern të MLK-së - "Pararoja", 1985 - 1987.
Gjatë viteve 1987 - 1990 ka qenë Redaktor Përgjegjës (në cilësinë e Kryeredaktorit) i organit intern të GKK-së - "Rruga e Revolucionit".
Gjatë viteve 1991 - 1992 ka qenë Redaktor Përgjegjës (në cilësinë e Kryeredaktorit) i organit të ORSH-së - "Kushtrimi i Lirisë".
Në vitet 2002 - 2003 ka qenë Sekretar i Kolegjiumit të Redaksisë së organit të FBKSH-së - "Ribashkimi i Shqipërisë".
Nga viti 2004 është krijues i pavarur (pa parti).
Merret me poezi dhe publicistikë.
Deri tani ka botuar 3 vëllime me poezi, me titull: Vargje lirie për Atdheun (Shkup 2004),  …Për lirinë, për Shqipërinë (Shkup 2005) dhe Zgjohu, ngritu Shqipëri! (Shkup 2009). Si dhe 6 libra publicistik me titull: Në rrugë drejtë Lirisë (Shkup 2004), Shqipëria Etnike (Shkup 2007),  Çështja Kombëtare Shqiptare (Shkup 2008), Leka i Madh (Shkup 2010), Atlantida, Pellazgjia dhe Iliria (Shkup 2010) dhe Thoti i Atlantidës (2010).

Ky është Libri i tij i Dhjetë që ia boton Shtëpia Gazetaro-Botuese SHKUPI nga Shkupi.
*****



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora