Kulturë
Istref Haxhillari: Fundi i hidhur
E diele, 09.12.2012, 06:00 PM
Istref
Haxhillari
Fundi i
hidhur
1
Zbriti
nga makina, rrëmbeu çantën e vogël në kruskot, eci me hap të shpejtë. Flokët e
dendur e të thinjur krehur mënjanë, këmisha e bardhë, kravata dhe pantallonat
pa asnjë rrudhë e tregonin elegant. Megjithëse e pati braktisur regjimin e
mëparshëm spartan, Shefi përjetonte periudhë shëndetmirë, veçse sytë kafe me
rremba gjaku po i zinin qeska dhjami nën vete, poshtë nofullave të fuqishme
palat e gushës tregonin një burrë që vinte duke u shëndoshur.
Ngaqë
ishte e diel dhe binte shi, e piu vetëm kafen e mëngjesit në barin e vogël
përballë godinës katërkatëshe, ku ndodhej zyra e tij. Bari fshihej pas hotelit
të madh, e frekuentonin klientë e përhershëm që e dinin dhe qenë mësuar.
Pajisjet, muret e lyera në ngjyrën e rërës, mbulesat e tavolinave, të gjitha
gri. Pemët e reja të shëtitores përballë harkonin si kornizë pamjen e kufizuar
të dritares së vetme.
Pronari u
befasua nga ardhja e deputetit në atë orë.
-Mirëmëngjesi,
- e përshëndeti duke shtrirë një buzëqeshje të gjerë në fytyrë.
-Mirëmëngjesi,
Tef, - e thirri si përherë në koenfidencë. Pertefit i vinte mirë, askush nuk ia shkurtonte emrin
në atë mënyrë të lezetshme.
-Qenkeni
nisur herët nga Tirana, - i tha për të hapur muhabet.
-Punët e
mira bëhen shpejt, të këqijat mendohen, - ia ktheu në formë sentence.
-Oh, e
bukur kjo, - i bëri qejfin Tefa me sytë nga dera. I shkonte mendja se do të
hynin të tjerë ta shoqëronin. Sa herë vinte deputeti, lokali modest
gjallërohej. Mirëpo ishte shumë shpejt dhe, pasi pinë kafet, mbetën me vështrim
jashtë. Nga jugu një ngjyrim portokalli depërtonte përmes reve të zbehta, pikat e shiut lotonin mbi verandë dhe
shndrisnin si kokrriza të vogla rubini.
Shefi u
ngrit qëndroi para dritares së hapur, vështroi tutje bregut nën trokitjen
ritmike të shiut. Cigaren nuk e hoqi nga buzët. Tefa e shoqëroi dhe të dyve
drita e pakët ua zmadhonte hijet përkundruall murit të zhveshur.
Vitet e
fundit qyteti ishte transformuar nga qendër e thjeshtë banimi buzë liqenit në
qytet të zhurmshëm me dyfishin e banorëve të mëparshëm. Ndërtesat shumëkatëshe
zaptonin qiellin, u merrnin frymën vilave dhe shtëpive të vogla. Nga lindja
vazhdonte të zgjerohej shëmtuar përgjatë shëtitores. I vinin gjithnjë e më
shpesh sinjale prej njerëzve të thjeshtë, frikësuar nga tjetërsimi i bregut dhe
shëtitores historike. Pjesërisht kishin të drejtë, po nuk qe e thjeshtë të
ndaloje bumin e pazakonte të ndërtimeve. E pati fiksuar si problem. Tepër i
kujdesshëm, bënte plane të hollësishme përpara se të merrte vendime me rëndësi.
Nuk ishte
fort i përqendruar, hija e një brenge të lehtë i shfaqej hera-herës në cepat e
buzëve. Pertefi u habit disi nga pamja e trishtuar e deputetit, sikur përpara
diellit të ndriçuar befas re të murrme zhysnin gjithçka në errësirë. Donte t’i
thoshte ndonjë gjë qetësuese, po nuk ia gjeti anën dhe heshti.
Në hyrje
u shfaq orëndreqësi si çdo mëngjes. Pa deputetin, i qeshi fytyra.
-Ku je o
Shef, na mori malli, - iu drejtua shumë sinqerisht.
-Eja, or
mik, ç’kemi, - i dha dorën, e përkëdheli lehtë shpatullave, e uli në tavolinë.
- Dopjo,
këtij, - i tha Tefës, pa e zgjatur muhabetin si gjithnjë.
-Ndoshta
teke, - kundërshtoi ai duke përkitur duart i kënaqur.
-Lëri
këto, - bëri shaka.
Orëndreqësi
ngriti gotën e uroi.
-Ke pasur
punë? - e pyeti.
-Dobët,
njerëzit blejnë orë të reja kur nuk u shkojnë mirë të vjetrat. Më shumë ndërroj
ndonjë bateri për orët elektronike, - i tha.
Shefi pa
orën e dorës dhe nxori celularin kërkoi Andrean. Sekretari kishte ardhur herët
në zyrë e priste, po ai nuk e dinte.
-Jam te
Tefa, - i tha shkurt.
Andrea
zbriti shkallët me të shpejtë, hyri tërë gaz në klubin e vogël.
-Mirëserdhët,
- i dha dorën dhe, pa larguar buzëqeshjen nga fytyra, përshëndeti të tjerët me
përkulje të lehtë të kokës.
-Këtu? -
u habit Shefi.
-Ju
prisja, - u mburr.
Nuk e
hapte zyrën kur sigurohej se ai ishte në seancat parlamentare ose jashtë
shtetit. Vinte në një kthinë të vogël te rruga e gjimnazit, bënte punën e
agjentit të sigurimit të automjeteve.
Deputeti
nuk i pati rënë në sy.
-Ç’kemi
këtej? - u interesua, ndërkohë vështrimin e përcolli në një pikë të largët diku
tutje dritares.
Andrea
raportoi për të rejat.
-Erdhi
Gurteni? - e ndërpreu pa e dëgjuar deri në fund.
-Pyeti
për ju, - u përgjigj.
Shefi
hapi sërish celularin kërkoi numrin e Gurtenit.
-Po të
pres - i tha.
Nxori nga
çanta një plan vendosje, u zhyt në botën e tij. Sapo kishte siguruar fondet për
rikonstruksionin e rrugës së fshatit më të thellë të komunës Qendër. Rruga
gjashtë kilometra e gjatë lidhte fshatin me linjën kryesore. Rikonstruktuar dy
herë me fondet e FSHZH-së, dimri më i parë e shpartallonte. Specialistët dhe
vetë banorët mendonin se rruga nuk mund të ndërtohej në shtratin e vjetër.
Njëmbëdhjetë rrëke uji binin mbi xhade. Në dimër sasi të mëdha dheu dhe gurësh
merrnin me vete gjithçka ndeshnin përpara. Projektuesi i rikonstruksionit të
fundit u tërhoq, i bindur se ndërtimi i saj qe i pamundur. Shefi vendosi të
provonte fatin. Kur ishin hedhur dy herë fonde, le të hidheshin edhe një herë
të tretë.
Muajin e
fundit, vizitat e tij në zyrat qendrore të FZHSH-së u shndërruan në ritual.
Fondi
Shqiptar i Zhvillimit ishte agjenci publike për nxitjen e zhvillimit ekonomik
në nivel rajonal dhe lokal mbi bazën e marrëveshjes midis Qeverisë Shqiptare
dhe Bankës Botërore. Synonte përmirësimin e
infrastrukturës social-ekonomike vendore. Statuti i fondacionit
mbështetur në ligjet e shtetit shqiptar dhe kërkesat e investitorëve të huaj
ishte shumë i rreptë në emetimin dhe kontraktimin e vlerave monetare. Nuk jepte
fonde për ndryshimin e vendndodhjes së rrugës, merrte përsipër financimin e
rikonstruksioneve, jo ndërtimeve të reja. Megjithatë në zyrën e financës e
siguruan për një fond të konsiderueshëm. Drejtori ekzekutiv e dha pëlqimin pas
disa takimeve kokë më kokë me deputetin.
Këtë
problem e pati zgjidhur përfundimisht, e shqetësonte ecuria e mëtejshme e
punës. Nuk i besonte kryetari të komunës, mendoi ta monitoronte vetë deri në
përfundimin e procedurave dhe fillimin e punimeve. Përzgjodhi kompaninë e
ndërtimit “Infinit”. Ata toleronin zbritje deri në njëzetepesë përqind dhe me
këtë kusht, marrëveshja verbale garantonte interesa të kënaqshme për palët.
Nga
pikëpamja ligjore e gjithë procedura ishte kompetencë e qeverisjes vendore, por
Rudin Kosta nuk donte të rrezikonte as emrin, as përfitimet e veta. Ende nuk i
pati thënë Gurtenit. Mendonte se duhej përpunuar më vete në detaje.
Ngaqë
deputeti nuk po bënte muhabet si herët e tjera, ra heshtje e bezdisur. Shiu i
shtruar sikur u lagte mendimet. Andrea vështronte jashtë me nge, priste të
vinte Gurteni. Tefa vajti te banaku për punët e veta. Kundër natyrës së tij,
orëndreqësi e mbylli gojën gjithë kohës. Mbaroi dopjon dhe ndenji me dy mendje,
i pavendosur nëse duhet të ikte. Ende shpejt, pothuaj nuk kishte filluar
lëvizja e njerëzve.
Deputeti
e vuri re.
-Pse nuk
merr edhe një? - e pyeti me kunj.
-Epo vetë
nuk pihet, - e ktheu në shaka.
-Ke të
drejtë, - tha dhe u kthye nga pronari, porositi dopjo për të dy, teke për vete.
Ndërsa Tefa nxitoi të kryente porosinë, Andrea buzëqeshi: kur donte të pinte
Shefi e fillonte startin ngadaltë, finishi nuk dihej.
-Thatë
sikur nuk shkon, - e cyti.
Deputeti
u kujtua dhe nënqeshi me cepat e buzëve.
-Ah, po.
Ku e ke salcën? - i tha Tefës.
-E humba,
- kërkoi ndjesë, u ngrit solli tri pjata të vogla.
-Shumë i
heshtur sot? - e ngacmoi orëndreqësin.
-Sipas
vendit, kuvendi, - u përgjigj me një gjurmë buzëqeshjeje që sakaq ia shpëlau gllënjka
e rakisë së mbetur në gotë.
-Ah,
djall! - qeshi.
Gurten
Fraholli hyri plot potere. I mori dorën ia shtrëngoi përzemërsisht, duke
nxjerrë në pah parakrahët e mëdhenj dhe muskujt e kërcyer.
-Nuk ju
prisja kaq herët, - kërkoi ndjesë. Nga mbipesha dhe astma mezi merrte frymë.
-Varet si
e shikon, nganjëherë mesi i ditës duket shpejt, - picërroi sytë dhe fërkoi
faqet e rruara taze. - Këtij sillja me shishe, - i shkeli syrin Tefës.
Ai pruri
dopjon e zakonshme dhe pjatën e vogël me salcë. Gurteni trokiti gotën me atë të
deputetit, ktheu çerekun. Shefi nuk po hapte muhabet, fjalët humbën. Gurteni u
mundua të rindizte bisedën.
Sipas
mënyrës së tij.
-Në liqen
ka filluar të rrihet krapi, - tha me pamje specialisti, - hodhëm rasat në
vjeshtë.
-Ke dalë
sivjet? - u bë kurioz Tefa.
-Deri
tani jo, kam pasur punë, - hodhi sytë nga deputeti. Ai miratoi me kokë dhe
Gurteni brenda hullisë së vet u bë llafazan.
-Dimrit
zura një koran dymbëdhjetë kilogram, - u mburr, - u habitën peshkatarët.
-Shkon me
verë të bardhë, - i mbajti ison Andrea.
-E
vërtetë, - miratoi. Pinte shumë verë, nuk donte t’ia dinte.
-Sa mund
të pish? - Orëndreqësi uli sytë mbi barkun stërmadh të Gurtenit.
-Më shumë
se ty, - i ktheu shpotinë. Gjithnjë e tepronte kur binte fjala për pijen ose
peshkimin dhe të tjerët e ngacmonin.
Gjysmë
ore më vonë bari u mbush plot, bashkuan dy tavolina. Tymi i duhanit dhe zhurma
zotëronin hapësirën e vogël të lokalit. Shefi dëgjonte i shpërqendruar,
hera-herës kujtohej të vinte buzën në gaz dhe t’i ngacmonte të pinin.
Më në
fund porositi gotat e radhës dhe u ngrit.
-Duhet të
punojmë, - u tha gjysmë me shaka, - ju vazhdoni.
Gurteni
dhe Andrea e futën në mes, nxituan ta ndiqnin. Shiu pushoi, rrezet e mekura të
diellit lodronin nëpër re, tutje nga malet u përshfaq ylberi. Rruga gëlonte nga
njerëzit, disa qëndruan ta përshëndesnin dhe u deshën disa minuta të mbërrinin.
Andrea e mbante
zyrën të pastër e të sistemuar, gjithçka ndodhej në vendin e vet. Shefi hoqi
xhaketën e vendosi mbi shpinoren e kolltukut, ndezi kompjuterin. Përveshi
mëngët dhe mori pamjen tipike të shërbëtorit të popullit mbytur në punë. Hapi
plan vendosjen e rrugës, nisi të shkruajë në një bllok me lëkura të kuqërremtë
të shkëlqyer. Si u hap kompjuteri hyri në faqen e FSHZH-së dhe buzëqeshi: fondi
i rrugës qe hedhur si investim i radhës në faqen e përditësuar të fondacionit.
Gurteni zgjati kokën, po nuk guxoi të pyeste, ndenji në pritje.
Pas një
pauze të shkurtër e të sikletshme, Shefi u kthye nga Andrea.
-Na lër
vetëm, - i tha, - duhet të bisedoj me kryetarin.
Priti
derisa dera u mbyll plotësisht. Kur u shuan hapat e fundit në korridor, ngriti
kokën. Vështrimi zbriti nga dera, rrëshqiti përgjatë dyshemesë, qëndroi mbi
Gurtenin.
-Fondet
janë gati, - buzëqeshi me lezet, - miqtë
tanë na nderuan.
-Më në
fund, - u shtendos kryetari i komunës dhe një buzëqeshje e ngrohtë iu vizatua
mbi fytyrën petashuqe.
Shefi i
shpjegoi hollësisht procedurat. Fjalët, lëvizjet e duarve tejçonin energji,
ndonëse flokët e thinjur dhe rrathët e kaftë poshtë syve e tregonin të
rraskapitur.
Ai
dëgjonte duke thithur ngadalë cigaren. Sytë iu ngushtuan si dy vrima të vogla
në fytyrën e gjerë.
-Sa? - u
interesua.
-Tetëdhjetë
milion të vjetra, - tha Shefi, - e kënaqshme apo jo?
Gurteni
fishkëlleu ngaqë aty për aty nuk i erdhi ndër mend ndonjë gjë. Pastaj, si t’i
qe kujtuar diçka e rëndësishme, e pyeti.
-Po
projekti?
Shefi u
vrenjt. I lodhur së shpjeguari këtij bulldogu gjëra që dukeshin sheshit, nuk do
të donte të merrej me të, por ishte e domosdoshme të shestonte gjithçka. E
fortifikoi veten me durim përpara se të vazhdonte.
-Fondet
nuk merren pa projekt, - i tregoi hartën përpara hundës së tij dhe pa dashur
fjalët i dolën të mprehta e të hidhura.
-E humba,
- u turpërua. Sytë e bardhë, të zbrazët vështronin kuturu.
-Siç e
shikon bëra punën tënde.
-Keni të
drejtë, - pranoi dhe vështroi skicën i përqendruar. - Në trasenë e vjetër? -
pyeti i merakosur.
Ishte një
pyetje dëshpëruese që duhej respektuar dhe Shefi e mori në konsideratë.
-Sigurisht,
por me punime mbrojtëse shtesë. Janë parashikuar vepra arti në të gjitha zonat
e rrezikuara. Mbi njëzet, - i tha me ton të zbutur.
Ai tundi
kokën mosbesues. Asnjë vepër arti nuk i bënte ballë rrëkesë së dherave dhe
gurëve dimrit në lartësinë njëmijedyqind metra mbi nivelin e detit. E dinte po
aq mirë sa edhe deputeti se rruga në atë segment ishte e pamundur, i vetmi
shans mbetej devijimi i shtratit të mëparshëm.
Shefi e
pikasi saktësisht çfarë mendonte, megjithatë e provokoi.
-Mund të
shprehesh, - i tha.
-Si zor
të përballohet dimri dhe pjerrësia e malit, - foli me të gjithë bindjen që
mundi të mblidhte dhe tundi kokën ngadalë gjithë tension.
-Projekti
u bë sipas standardeve, as ti as unë nuk mbajmë përgjegjësi për kushtet
gjeoatmosferike, - fjalët e fundit i përforcoi me gishtin tregues ngritur lart.
-Po,
Shef, - tha pa buzëqeshjen e përhershme.
-Ajo për
të cilën duhet ta vrasësh mendjen është tenderi.
-Patët
rast të bisedoni me atë firmën? - pyeti me interesim të kapshëm.
-Natyrisht.
Gurteni u
mendua disa sekonda para se ta pyeste përsëri.
-I
pranojnë kushtet?
-Mendoj
se po, - ishte gjithë ç’mundi të përgjigjej. Ose ç’deshi ai të dinte kryetari i
komunës.
-Me çfarë
vlere? - ngulmoi edhe njëherë.
Shefi
ndezi cigaren, shkarraviti diçka në bllok të kalonte pak kohë. Pinte shumë
duhan, fjollat kaltëroshe të tymit
lodronin në ajrin e palëvizshëm të zyrës, por asnjëri nuk kujtohej të hapte
dritaren.
-Mund të
zbresin deri në tri të katërtat e shumës fillestare, - i tha me cep të buzës.
Gurteni u
mendua dhe një varg pyetjesh iu përvijuan në tru. Ishin parashikuar të gjitha
të papriturat? A do të respektohej afati i shpalljes së tenderit? Në këtë rast si do të shmangeshin firmat
tenderuese? Donte një përgjigje për të gjitha këto, po nuk guxoi.
As ishte
nevoja, Shefi e lexonte si kartë të hapur.
-Ndërro
komisionin e tenderimit, - tha pa hezituar, - verë njerëz të besuar.
Gurteni
priti i dyzuar të vazhdonte idenë, po kur e pa se hezitimi i tij nuk ra në sy,
vendosi të polemizojë.
-Ligji
shprehet kundër për kryetarin e komisionit, - i tha sikur ligjvënësi nuk e
dinte.
Deputeti
e vështroi si gjyshi fëmijën e pagdhendur që i jep justifikim të respektueshëm
për ta rrahur. Në vend të kësaj buzëqeshja e mëparshme iu largua ngadalë prej
fytyre.
-Kush tha
të ndërrosh kryetarin? - u mëshoi fjalëve.
Gurteni
sajoi një buzëqeshje të lehtë komike, heshti të paktën për një minutë, po
dyshimi i kishte dalë në sipërfaqe.
-Vetëm
anëtarët e komisionit, - tha Shefi dhe ndaloi t’u jepte theks fjalëve
pasardhëse: - këtë ta lejon ligji.
Më në
fund kryetari i komunës e kuptoi ku godiste deputeti. Dhe ishte kaq e thjeshtë!
-Nxitohem
nganjëherë, - u shfajësua.
Në të vërtetë ai nxitohej gjithnjë.