Mendime
Vilhelme Vranari: 100 vjet Pavarësi Kombëtare!
E shtune, 10.11.2012, 08:20 PM
Gëzuar Shqipëri, 100 vjet Pavarësi Kombëtare!
(Ismail Qemali - arkitekt i Independencës sonë)
Nga Vilhelme Vranari Haxhiraj
Të
gjithë shqiptarët, në fillim të
shekullit XX shpresonin se kishte ardhur koha që pas 5 shekuj robërie,
Shqipëria të gëzonte pavarësinë. Pas vdekjes së Skënderbeut, grindjet mes principatave nuk e
favorizonin kurrë njohjen e Shqipërisë si
komb. Patriotët e Rilindjes Shqiptare dhe Arbëreshe kishin punuar për ta
përgatitur opinionin për domosdoshmërinë e shkëputjes nga Turqia. Këtë mision e
mori në dorë njereiu që e njihte mirë Turqinë. Ismail Qemalit, si diplomat i pajisur me kulturë të gjerë,
njohës i disa gjuhëve, shfrytëzoi rrethanat e kohës: Pozita gjeografike e Shqipërisë si nyje në Mesdhe, shtrirja nga Danubi në Gjirin e Artës, nga Vardari në brigjet e dy
deteve, kushtet fiziko-gjeografike (vend malor i alternuar me fusha, ultësira dhe
kodra), ndikuan në ruajtjen e
kulturës, gjuhës dhe traditës, jo vetëm si dëshmi e etnisë pellazgo-iliro-arbëre, por faktorë që ndihmuan për
Pavarësinë. Në këtë
kontekst inkorporohet edhe bashkëjetesa e tri besimeve fetare që ka
ruajtur etninë dhe vëllazërimin e shqiptarëve, faktorë që i shfrytëzoi I. Qemali, i cili vuri
në plan të parë çështjen
kombëtare, që evitoi përçarjet mes
shqiptarëve. Vrasja e gjyshit të tij nga
sulltani, bëri
që ai të ishte shumë
i matur në kërkesat ndaj P. Lartë. Për këtë arsye fillimisht kërkoi Autonominë e Shqipërisë.
Si përkthyes i zoti, ai bëri karrierë politike. Qysh në moshë të re emërohet Guvernator i Varnës (Bullgari), ku jo më kot priti Perandorin Franc Jozef. Pas internimit në Azi të Vogël, shkon Kryetar i Komisionit N/kombëtar në Danub. Më vonë emërohet Kryetar i Dhomës së Deputetëve në Parlamentin turk,
ku zhvilloi biseda mbi
gjendjen aktuale të Perandorisë Osmane dhe zgjedhën e shteteve nën sundimin e
saj. Këto takime apo poste titullare, ai shfrytëzoi për çështjen kombëtare. Analiza e tij
mbi gjëndjen e Perandorisë në Egjipt, mbi çështjen e Kretës dhe luftën
ruso-turke, e pavlerësuar nga sulltani,
bëri që Porta e
Lartë të pësonte disfatë. Porse pasojat ranë mbi shtetet
evropiane nën sundimin e Turqisë. Por kjo analizë social-politike e I. Qemalit, ingjante projektot të një
arkitekti për të ngritur një ngrehinë të shndërruar në gërmadhë. Pra u bë përvoja parësore e Ismail Qemalit për të synuar
drejt shpalljes së Pavarësisë kombëtare.
Posti i Ministrit të Jashtëm, që e dëmtonte çështjen shqiptare, u refuzua nga I. Qemali. Njohja me rrethet përparimtare të Evropës e me personalitetet e shquara politike të kohës, e favorizonin për të bërë
prezent problemin kombëtar në opinion botëror. Pas Mit’hat Pashës, Kryetar i Partisë liberale turke u bë I. Qemali.
Në një intervistë në Giornale d’Italia) më 23 qershor 1909, Ismail Qemali
thekson: Liberalët e Europës Perëndimore ngjajnë me trashëgimtarët e një
pasurie të madhe, që shqetësohen për t’u kënaqur me të ardhurat e grumbulluara
nga pararendësit e tyre. Nëse në Perëndim liberalizmi është etiketë e një
partie për të marrë pushtetin; në Lindje mjafton mendimi liberal që të ngjallen
dyshime të cilat sjellin të këqija të mëdha. Kjo analizë i vlente për të
nesërmen e afërt të vendit dhe ishte një afirmim diplomatik i tij në botën evropiane.
Ardhjen e turqve të rinj ai e quan anarki të rëndë, që vjen nga lart, e cila është
më e rrezikshme dhe më e dëmshme se ajo që vjen nga poshtë. Ndërsa komitetin
“Bashkim e Përparim” të xhonturqve e quan shtet brenda shtetit, që imponon
vullnetin e tij, shtyp liritë e njeriut dhe i kundërvihet kushtetutës. Politika
e tyre e detyroi atë të ndërtojë platformën e qeverisjes së Shqipërisë. Kushtetuta nuk është qëllimi, por mjeti për zhvillim dhe
përparim.-
thekson Ismail Qemali.
Ndërkohë Sulltani
e emëroi Guvernator në Tripolitani. Ai nuhati rrezikun dhe kërkoi strehim politik në ambasadën angleze, e cila e nisi në Athinë.
Menjëherë nisi fushatën diplomatike nëpër oborret e Europës, me ftesën e bërë
nga shqiptarët e Australisë që aktualisht ndodheshin (në Athinë).
Që arkitekti të ndërtonte ngrehinën e shqiptarëve, i duhej lënda e parë, e cila ishte mbështetja e fuqive të
mëdha evropiane. Menjëherë nisi maratonën nëpër oborret e Evropës dhe nuk
harroi të publikonte situatën politike të kohës. Udhëtimin e nisi me vende ku çështja shqiptare
njihej mirë, si me Romën, Siçilinë e Kalabrinë, ku shfrytëzoi mosmarrëveshjet Austri-Itali për influencën e secilës në Shqipëri.
Ismail
Qemali frenoi disi përpjekjet për epërsi ndaj
Shqipërisë si: të Austrisë, Greqisë, Italisë e Serbisë. Me shkathtësinë e tij,
ai shfrytëzoi situatat ose më mirë grindjet politike mes shteteve evropiane dhe të secilit në veçanti. Më pas shkoi në Gjenevë, Bruksel, ku takoi Faik Konicën për të reklamuar çështjen kombëtare
në gazetën e
drejtuar prej tij, "Albania". Botimi i gazetës së tij (I. Qemalit) me titull “Shpëtimi i Shqipërisë”, në gjuhë shqipe, greke
dhe turke, u përdor për të ringjallur ndjenjën kombëtare te shqiptarët në botë.
Me nuhatje shfrytëzoi vdekjen e mbretëreshës Viktoria të
Anglisë dhe shkoi në Londër për ngushëllim, ku u takua me personalitete të
politikës botërore.
Shkoi në
Egjipt, ku kishte shumë shqiptarë. Sulltani,
për hesape të vjetra, e dënoi me vdekje në mungesë. Ai shfrytëzoi me mençuri dobësimin e P. Osmane, për shkak të kryengritjeve, sidomos në Ballkan, të
cilat ai diti t’i shfrytëzojë me mençuri. Traktati i Shën Stefanit dhe Kongresi i
Berlinit 1878, e copëzonin Shqipërinë, gjë që nuk ishte në favor të terrenit që po
përgatiste I. Qemali.
Ndaj iu desh të shfytëzojë ndarjen e turqve të rinj më 1908. Për Plakun e Vlorës, shpallja e kushtetutës do të ishte faza e parë për
Autonomi. *Përvoja diplomatike dhe vizitat nëpër oborret e Europës, bën që ai u
mbështet në 2 Fuqi të Mëdha: Austro-Hungari dhe Itali, të cilat për qëllimet e
tyre, ishin kundër pushtimit të Shqipërisë nga Greqia dhe Serbia. Bisedimet
me qarqet e lëvizjes përparimtare në Athinë, Romë,Vjenë, Paris, Londër, Kajro,
Bukuresht dhe me shqiptarët jashtë vendit, bënë të ndryshonte opinioni i
Europës për shqiptarët, të cilët i konsideronin pa ideale kombëtare.
Hartimi i Memorandumit të
Gërçës nga I. Qemali dhe Hasan Prishtina, me 12 kërkesa, sipas të cilave të 4
vilajetet shqiptare të kishin autonomi administrative për çastin, nën vartësinë
e Xhonturqëve, pati rëndësi: Nisën
kryengritjet e
Malësisë së Madhe me Dedë Gjo Lulin, dhe kryengritjet e përgjithëshme 1909-1911. I. Qemalit si
largpamës dhe vazhdues i programit të Rilindasëve, e dinte se rruga e nisur , donte
mbështetjen e ndërkombëtarëve, para të cilëve doli me këto kërkesa: 1- Kushtetutë dhe Autonomi administrative për
popujt e ndryshëm të P.Osmane;
2- Shqipëria të ketë 2-3
apo 4 vilajete me krahina shqiptare. 3-
Hapja e shkollave shqipe dhe shpërndadja e librave në gjuhë amtare në çdo trevë
ku flitet shqip. 4- Gjuhë zyrtare të ishte shqipja. 5- Të krijohej policia, postë telegrafa, marrëdhënie diplomatike me
Perëndimin dhe fqinjësia e mirë. Kërkesa për autonomi dhe jo Pavarësi,
përputhej me kushtet ekonomike, si ide përparimtare për kohën. Ai kërkoi
organizimin e shtetit me frymë europiane.Në Nicë të Francës më 19 shkurt 1912 ai doli me idenë e Pavarësisë.
Ambasadori italian Tommasso Tittoni njoftoi se në Nicë po mbahet një kongres sekret, me praninë e I. Qemalit. Ai
shprehet: Një fis që kërcënohet nga serbët e grekët, është fis i vjetër ilir
i shqiptarëve, që ruan e do të ruajë traditën dhe identitetin e lashtë kombëtar.
Ismail Qemali, më 5 Nëntor
1912 u takua me shqiptarët e Bukureshtit, ku dolën me një Rezolutë. Por kjo varej nga Fuqitë e Mëdha. Në Vjenë, gjeti mbështetjen e Berchtold dhe ambasadorit Avarna. Më 20/XI/1912 nga Trieste niset për Shqipëri. Ditën që Skënderbeu ngriti flamurinnë Krujë,
edhe Ismail Qemali më 28/XI/1912 ngriti flamurin e kuq me shkabën e zezë në
Vlorë. Shpallja e Pavarsisë së Shqipërisë u mirëprit nga Italia, Austria dhe
Rumania. Kurse Serbia nuk e njohu aktin
madhor që shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Stambolli heshti, kurse Greqia dhe
Mali i Zi, synonin copëzimin e Shqipërisë. Formimi i Qeverisë së Vlorës me
Kryeministër Ismail Qemalin, me anëtarë kabineti nga të gjitha trojet shqiptare
dhe me përfaqësues nga tri besimet fetare, ishte akti final i njohjes së
Shqipërisë si komb i pavarur. U mbushën 100 vjet dhe vendi ynë përsëri ka mjaft
probleme që po ia lemë kohës t'i zgjidhë! Shqiptarë, kudo që jeni, Ju uroj:
Gëzuar 100 vjet Pavarësi Kombëtare!