E shtune, 27.04.2024, 09:18 PM (GMT+1)

Mendime

Fehmi Kelmendi: Esat pashë Toptani - gjakpirësi i Shqipërisë

E premte, 29.06.2012, 06:59 PM


Esat pashë Toptani - gjakpirësi i Shqipërisë

Nga Fehmi Kelmendi

Pas shërbimit të gjatë si servil i pushtetit okupues osman, Esat pashë Toptani (1863-1920), u bë edhe vegël e serbëve, malazezëve, grekëve, italianëve, francezëve dhe dreqit të zi e të birit të tij. Ndonëse Ismail Qemali i ofroi ofiqin e Ministrit të Brendshëm të Qeverisë së Vlorës, Esati u ngrit kundër saj. Në prill të vitit 1913, bëri marrëveshje të fshehtë me forcat pushtuese malazeze dhe ua dorëzoi qytetin e Shkodrës. Gjeneralin turk Riza Hasan pashën, i cili orvatej që me çdo kusht të mbrohej Shkodra nga sulmuesit malazezë, Esat pashë Toptani një ditë e kishte ftuar në darkë dhe pas buke, duke e përcjellur deri te dera e kopshtit, aty sipas marrëveshjes paraprake me sejmenin e tij, Osman Balin, e vrau me pabesi në pusi. Vrasjen e Riza Hasan pashës, Esat pashë tradhëtari e kishte organizuar në bashkëpunim me konsullin malazez të Shkodrës, Aleks Martinoviqin. Me direktivën e Esat pashës, argati i tij, Osman Bali, e mbyt me dajak duke e futur në një thes Nexhat Çomon.

Për të sunduar qoftë edhe një territor prej disa metrash katrorë, përmes ndihmës nga jashtë, si shërbëtor i huaj, u çua si kuçedër kundër Qeverisë popullore demokratike të Vlorës, që kishte Ismail Qemalin për kryetar. Në Qeverinë e Vilhelm Vidit, të kryesuar nga Turhan pashë Përmeti (mars-shtator 1914), në cilësinë e Ministrit të Brendshëm dhe të Luftës, Esat pasha jo vetëm që sabotoi qëndresën popullore për çlirimin e tërësisë territoriale të Shqipërisë natyrore, por edhe me ndihmën e agresionit serb shtypi kryengritjen çlirimtare fshatare, vetëm e vetëm për të vendosur pushtetin e vet me karakter të separatiizmit islamik, me qendër në Durrës. Udhëheqësit kryengritës: Qamil Fejzo, Haxhi Qamili, Musa Qazimi, Ramadan Gjilani, Haxhi Qerimi, Haxhi Demiri etj. Esat pasha i vrau disa, madje edhe patriotin e shquar, Menduh Zavalanin, si dhe Abdyl Ypin.

Princ Vidi ishte me origjinë gjermane, nip i Mbretëreshës rumune Elisabeta, edhe kjo me origjinë gjermane nga familja Hohenzollern, dhe ishte caktuar nga Fuqitë e mëdha europiane në krye të shtetit shqiptar. U lind më 1876 dhe vdiq më 1945. Varri i tij gjendet në kishën evangjelike Luterana të Bukureshtit. Në Shqipëri erdhi më 7 mars 1914 dhe u largua nga Shqipëria më 3 shtator të të njëjtit vit, 1914.  Gjatë sundimit të tij gjashtëmujor, Qeveria e formuar më 17 mars me seli në Durrës prej tetë anëtarëve (Turhan pashë Përmeti, kryeministër dhe ministër i Jashtëm, Esat pashë Toptani, ministër i Brendshëm dhe i Luftës, Mufit bej Libohova, ministër i Drejtësisë, Aziz pashë Vrioni, ministër i Bujqësisë, Preng Bib Doda, ministër i Punëve Botore, Hasan Prishtina, ministër i PTT, Dr. Adamidhi, ministër i Financave, dhe Dr. Turtulli, ministër i Arsimit dhe Shëndetësisë), nuk u tregua e aftë për mbrojtjen e Shqipërisë nga pushtuesit e jashtëm.

Me protokollin e Firencës të 11 gushtit 1913, dalë nga Konferenca e Londrës për caktimin e kufirit shqiptaro-grek, dhe me Protokollin e Korfuzit më 1914, të cilin e nënshkroi në vend të Qeverisë së Vilhelm Vidit Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit me Greqinë, Vilhelm Vidi dhe Esat Pasha lëshuan pe në favor të imperializmit grek. Vilhelm Vidi ka qenë stërnip i perandorit gjerman, Vilhelmi I, dhe kushëri i Vilhelmit II. Esat pashë Toptani  më 21 shkurt 1914, dorëzoi kurorën e Shqipërisë princit Vilhelm de Vied. Më 27 janar 1916, Esat pasha prej trupave austro-hungareze iku në Itali, forcat pushtuese të së cilës veç gjendeshin në Vlorë. Edhe me këtë rast, Esat pasha që mbetet si një njollë e zezë në historinë shqiptare,  nuk i ndërpreu dot lidhjet me serbët dhe grekët.

Pas pushtimit të Durrësit nga forcat asutro-hungareze, Esat pashën si aleat të tyre e morën në mbrojtje ushtarët francezë dhe e dërguan në Greqi, ku jetonte në luks me të hollat që i vinin nga Serbia. Në qershor të vitit 1915, Esati u muar vesh me Nikolla Pashiqin që një regjiment serb nën komandën e kolonel Milutin Mishkoviqit të kalonte kufirin shqiptar për të hyrë në Elbasan, pastaj edhe në Tiranë, si shpërblim për ndihmën lidhur me vendosjen e sundimit të tij në Durrës. Esat pasha gjithmonë sundoi si vazal i pushtuesve të huaj. Koloneli serb, Millutin Mishkoviqi, në fjalimin e tij të 2 qershorit 1915, që mbajti në territorin e okupuar shqiptar, lavdëroi Esat pashën. Edhe kjo jep të kuptojmë se sa tradhëtar i madh ka qenë ky maskara, si dhe për mënyrën e qeverisjes së tij si kukull.

Esat pasha mori pjesë në luftë edhe kundër Turqve të Rinj, si vazal i sulltanit. Edhe vëllaj i tij, Gani Toptani, nuk ishte më i mirë. Esat pasha në bazë të marrëveshjes së Nishit me Nikolla Pashiqin, siguroi krijimin e njësive mercenare, grupet e para duke i vënë nën komandën e Jusuf Doshishtit, dhe kështu, me ndihmën e serbëve, kah fundi i shtatorit 1915, arriti në Durrës. Krahas marshimit të tij, një njësi ushtarake nën komandën e kolonel Millutin Mishkoviqit, duke kaluar nëpër Çermenik, Elbasan dhe Qafën e Priskës, futet në Tiranë. Esat pasha me forcat e veta luftonte edhe kundër atyre që ia rrezikonin ushtrinë pushtuese serbe. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Esat pashë Toptani gjendej në Paris të Francës, ku më 13 qershor 1920, para hotelit “Kontinental”, përmes një atentati, qe shtrirë për toke nga plumbat e Avni Rustemit.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora