Mendime
Bardhyl Mahmuti: Diskriminimi racial në Maqedoni...
E merkure, 09.05.2012, 07:45 PM
Me rastin e 9 majit, ditës së ngadhënjimit mbi nazizmin!
DISKRIMINIMI
RACIAL NË MAQEDONI SI PASOJË E EKSTREMIZMIT POLITIK
DHE FUNDAMENTALIZMIT FETAR!
Në prag të
Samitit të NATO-s (që do të mbahet më 21 dhe 22 maj të këtij viti në Çikago të SHBA-ve)
qarqet antishqiptare në Maqedoni filluan një ofensivë të përgjithshme politike,
mediatike, policore, gjyqësore dhe teatrale që përmes mobilizimit të mbi 800
forcave speciale të armatosura deri në dhëmb të “dëshmojnë efikasitetin e tyre
në luftë kundër «radikalizmit islam», «terrorizmit» dhe «ekstremizmit politik»”.
Përballë kësaj
strategjie të koordinuar antishqiptare strukturat e organizuara shqiptare (qofshin
politike apo jopolitike) madje edhe intelektual me peshë në skenën politike
kombëtare përpiqen të dëshmojnë se shqiptarët e besimit mysliman nuk janë radikal,
se zgjidhjet për problemet e tyre i kërkojnë përmes BE-së, SHBA-ve, NATO-s etj.
Me një fjalë,
përballë kësaj ofensive të tërbuar me pasoja të përgjithshme për shqiptarët-shqiptarët
janë në defensivë të plotë!
Sot, në ditën
kur popujt liridashës kremtojnë përvjetorin e kapitullimit të nazizmit dhe
hapjen e perspektivave të reja të respektimit të diversitetit etnik, kulturor,
gjinor, fetar ..., populli shqiptar në Maqedoni bën bilancin e pasojave të koordinimit
të politikës ekstremiste dhe të fundamentalizmit ortodoks maqedonas.
Në këtë bilanc
mund të rikujtohen shkurtimisht vetëm disa aspekte :
1. Që nga
themelimi i krijesës komuniste «Maqedoni» si Republikë Socialiste në kuadër të Federatës
jugosllave dhe e « kombit maqedonas», komunistët maqedonas dhe fundamentalizmi
religjioz ortodoks përcaktuan si orientim strategjik që përmes themelimit të “Kishës ortodokse maqedonase” të vihen nën kontroll
kishat ortodokse të frekuentuara nga shqiptarët e besimit ortodoks.
Ky
orientim strategjik kishte vetëm një qëllim: asimilimin e shqiptarëve ortodoks
në kombin maqedonas, të formuar nga Partia Komuniste e Jugosllavisë.
Pas
gjashtë dekadave të kësaj strategjie askush nuk mund të japë një përgjigje se
sa shqiptarë ortodoks kanë ruajtur identitetin e vet kombëtar në Maqedoni. Shumë
pak, për të mos thënë hiq!
2. Orientim
i dytë strategjik i komunistët maqedonas dhe fundamentalizmit religjioz
ortodoks ishte humbja e të gjitha gjurmëve të katolicizmit shqiptar në Maqedoni.
Për
realizimin e këtij orientimi strategjik u aplikua sistematikisht dëbimi, shpronësimi
dhe asimilimi i shqiptarëve katolikë si dhe vendosja e kontrollit shtetëror mbi
kishën katolike. Koordinimi i politikës ekstreme me fundamentalizmin religjioz
e lanë Kishën Katolike Shqiptare në Maqedoni pa meshë në gjuhën shqipe dhe emëruan,
për herë të parë një maqedonas (Kiro Stojanov) në krye të saj. Me këtë edhe është bërë shndërrimi i kishës
katolike shqiptare e ritit romak në kishë katolike të ritit bizantin të lindjes
dhe Dioqeza e Shkupit, historikisht e njohur si Krye-dioqeza e Dardanisë, është
vendosur nën Krye-Dioqezën e Vërhbosne-s me seli në Sarajevë. Po rikujtojmë se
Andrea Bogdani (gjyshi i Pjetër Bogdanit figurës së shquar të historisë shqiptare)
ishte kryepeshkopi i parë, ndërsa Mark Sopi i fundit i Dioqezës së Shkupit, deri në ndarjen e saj nga ajo e
Prizrenit në vitin 2000.
Me
projektin e ndërtimit të Kishës ortodokse maqedonase mbi themelet e shtëpisë së
Gonxhe Bojaxhiut (Nënës Terezë, simbolit të katolicizmit shqiptar) dëshirohet t’i
jepet fund këtij objektivi strategjik.
3. Të vetëdijshëm
se shumica e shqiptarëve në Maqedoni janë të besimit mysliman, orientim i tretë
strategjik i komunistët maqedonas dhe fundamentalizmit religjioz ortodoks ishte
ndryshimi i strukturës demografike të popullsisë në Maqedoni.
Si pasojë
e aplikimit të vrasjeve, torturave, shpronësimeve, uzurpimit të shumicës së pronave
të Bashkësisë Fetare Islame, rrënimit të xhamive dhe objekte tjera të kultit
fetar si dhe formave tjera të diskriminimit
u detyruan të shpërngulen me qindra-mijëra shqiptarë për në Turqi dhe vendet
tjera të botës.
Manastiri,
si kryeqendër administrative e njërit nga katër vilajetet shqiptare nën
Perandorinë Otomane, pothuajse u “spastrua nga shqiptarët”.
«Lufta
Globale kundër fundamentalizmit islamik» ka trimëruar pasardhësit e ekstremizmit
politik maqedonas dhe fundamentalizmit religjioz ortodoks të përcaktojnë si
orientim të veçantë strategjik “pyllëzimin” e territoreve që ende kanë mbetur
me shumicë shqiptare, me kisha ortodokse maqedonase!
Ndërtimi
i Kishës në Kalanë e Shkupit, për të humbur gjurmët iliro-shqiptare të kësaj kalaje, projekti që në lokacionin e
Xhamisë së rrënuar Burmali të ndërtohet Hoteli që do të ruaj fasadën e Shtëpisë së Oficerëve Serbë, si simbol i
terrorizmit serb në territoret shqiptare dhe Kisha në Qendrën e skijimit «Kodra
e Diellit» në Malet e Sharrit, atje ku nuk ka asnjë banorë të ortodoksisë maqedonase
janë vetëm disa nga provokimet e fundit
të ekstremizmit politik dhe fundamentalizmit ortodoks maqedonas.
Koordinimi
i pushtetit politik me atë religjioz nuk është i panjohur në këtë pjesë të Ballkanit.
Fundin e përgjakshëm të shekullit XX e karakterizoi koordinimi i pushtetit
politik të Millosheviqit me fundamentalizmin e Kishës ortodokse serbe.
Rikujtojmë
ata që kanë harruar se me bekimin e Kishës ortodokse serbe u bë luftë kundër
katolikëve slloven; kundër katolikëve kroat; kundër myslimanëve dhe katolikëve
në Bosnje dhe Hercegovinë dhe kundër shqiptarëve mysliman e katolik në Kosovë.
Koordinimi
i politikës ekstreme dhe fundamentalizmit të Kishës ortodokse serbe sollën dëme
të mëdha në njerëz dhe shkatërrime materiale.
Arrestimet
arbitrare të komanduara nga qarqet politike dhe proceset e montuara gjyqësore
kundër shqiptarëve në Maqedoni nuk janë fshehtësi për askënd. Siç nuk janë fshehtësi
as motivet e urrejtjes etnike dhe fetare që i shoqërojnë këto dënime.
Koordinimi
i politikës ekstreme antishqiptare dhe i fundamentalizmit ortodoks maqedonas
ka marrë përmasa shqetësuese.
Në maj të
vitit 2010 u vendosën gurëthemelet e Gjykatës Themelore në Shkup. Në mënyrë ceremoniale
bekimin e këtij institucioni të drejtësisë e bëri Kreu i Kishës Ortodokse të Maqedonisë
në prezencë të diktatorëve të VMRO’së. Ky ishte një alarm për demokracinë e këtij
vendi dhe stabilitetin e kësaj pjese të Ballkanit .
Arrestimet
e fundit të shqiptarëve dhe etiketat stigmatizuese ishin paralajmëruar që moti!
Të gjithë
e shohim se ky koordinim i dy ekstremeve po përsërit historinë në variantin e
tij tragjik. Kambanat e rrezikut i dëgjojmë të gjithë!
Bashkimi
Demokratik Shqiptar apelon që në këtë ditë të festimit të fitores ndaj
nazizmit demokratët e mirëfilltë të ngrenë
zërin e protestës kundër ekstremizmit politik antishqiptar që ka marrë formën e
nazizmit dhe kundër fundamentalizmit ortodoks maqedonas që bekon terrorin shtetëror në Maqedoni!
Në të kundërtën,
indiferenca do të inkurajonte koordinatorët e dy ekstremeve (ekstremit politik
dhe fundamentalizmit ortodoks maqedonas) që të vazhdojnë politikën e
diskriminimit racial kundër shqiptarëve në Maqedoni.
Bashkimi
Demokratik Shqiptar shpreh brengosjen e thellë për paaftësinë e forcave
politike shqiptare që nuk po gjejnë një konsensus minimal përballë këtij
agresioni antishqiptar në Maqedoni.
Shprehja
popullore shqiptare se «çdo gjë këputet prej së holli, vetëm zullumi prej së trashi»
merr kuptimin e plotë në këtë kontekst.
Që t’i
jepet fund këtij zullumi antishqiptar në Maqedoni bashkërenditja e veprimtarisë
politike dhe kombëtare në përgjithësi është e domosdoshme.
Bashkimi
Demokratik Shqiptar
Bardhyl
Mahmuti
Më 9 maj 2012