E diele, 28.04.2024, 01:29 AM (GMT+1)

Mendime

Lis Bukuroca: Përgjigje z. Aurel Dasareti

E diele, 06.05.2012, 10:25 PM


Nga Lis Bukuroca

Përshëndetje Zoti Dasareti,

ju falënderoj për këshillat. Për vërejtjen e parë lidhur me kërkesën time për ndryshimin e himnit, nuk do të ndalem fare, sepse e kam argumentuar në shkrimin tim këtu, e publikuar edhe te gazeta Shekulli, përligjur edhe në debatin televiziv tek Ilva Tare.

Bindja ime është kjo: Himni do të ndryshohet, por jo nga ky brez, që drejton vendin, por diku pas 10 apo 20 viteve, dmth. nga brezi që nuk dëshiron të ekskomunikojë gruan shqiptare...Nga shqiptarët e rinj, me orientim europian...

Sa i përket “shqiptarëve” në Turqi mund të shtoj këtë: Deri në vitet e 80 shqiptarët nëpër fshatra të Maqedonisë shkruheshin si turq, pas protestave të 81, nisi kuptimi i identitetit vetjak. Deri në fillim të viteve të 70 ka pasur emigrimi drejt Turqisë, edhe ata nga shqiptarë, që quanin veten agallarë dhe flisnin shqip, por edhe turqisht nëpër qytete dhe turpëroheshin ta quanin veten shqiptarë (njoh raste të tilla, kam takuar njerëz të tillë edhe kur kanë ardhur në vizitë dhe mburreshin me identitetin e ri. Deri në vitet e 70 betimi më i  madh ka qenë: “N’ kofsha turk!”  Asimilimi i shqiptarëve në Ballkan kishte marrë masa shkombëtarizuese, dhe kjo vërehet tek mbiemrat tonë. Kudo në botë, popujt kanë mbiemra në gjuhën e vet dhe ndoshta fetarë kanë emrin, edhe tek turqit, por kurrë jo mbiemrin, sepse mbiemri shlyen origjinën/identitetin dhe i jep njeriut konotacione vetëm fetare dhe zhduk ato kombëtare. Shumë mbiemra të turqve nuk janë me origjinë arabe/islamike, por turke dhe kanë kuptim në turqisht. Tek ne, jashtë kufirit, kemi më shumë mbiemra turq e arab, se sa shqiptarë dhe jemi denacionalizuar)

Pse unë mendoj se në Turqi nuk ka shqiptarë?  Gjatë masakrave serbe në Kosovë, kudo në botë, ku ka pasur shqiptarë, kanë dalë në protesta; kanë ndihmuar luftën, kanë qenë të organizuar apo kanë bërë llobime, madje edhe nga shqiptarë në SHBA, që dinin vetëm origjinë e vet dhe nuk flisnin shqip. Nga Turqia i dashur Dasareti, nuk ka pasur asnjë metelik ndihmë, asnjë protestë dhe nuk janë identifikuar me vendin e vet, sepse sikur të kishin qenë atje 6 milion shqiptarë, atëherë zhurma e tyre do t’ ishte dëgjuar në botë. Ata i nderuar Zotëri, janë shkrirë në turq, sepse sikur të mos ishte kështu, ata 6 milion nuk do të kishin lejuar që në luftën shqiptaro-maqedone, ta ndihmojë Turqia Maqedoninë me helikopterë. I dashur Dasaret, ndoshta është e tepërt t’ ju përkujtoj se ka dhjetëra faqe interneti të arbëresheve të Italisë dhe nuk ka asnjë faqe interneti të shqiptarëve të Turqisë: Edhe pse disa milion, edhe pse të shkuar para disa dekadave e jo si arbëreshët para gati 500 viteve...

Një studiues kosovar, që ka jetuar me vite në Turqi thotë se atje jetojnë 10 milion shqiptarë. Berisha tha 6 milion. Të themi se janë vetëm 8 milion. Ç’ ka dmth. kjo? Kjo dmth. se Shqipëria e vërtetë, më e madhja, gjendet jashtë vendit të vet dhe jo vetëm kjo, por ne duhet të sillemi, të gjykojmë dhe mendojmë si shumica shqiptare që jeton në Turqi, sepse Shqipëria e vërtetë jeton në Azi! Jo vetëm kjo i dashur mik, por kur përsëritet kjo, ka edhe prapavijë tjetër: Të asimilimit edhe të shqiptarëve që jetojnë në atdhe. A nuk kanë kërkuar të hiqet busti i Skënderbeut nga tryeza e Nanos? A nuk kanë kërkuar ata të ndryshohet historia shqiptare? A nuk mësohet në shkollën turke në Tiranë se Turqia nuk ishte pushtuese?

Mik i dashur, në politikë nuk duhet pranuar atë që thuhet nga interesi i një karrieristi, por të zhbirohet se çka po synohet. Dhe, ajo që po synohet, po thuhet hapur!  Nuk guxojmë të jemi aq naiv e të mendojmë se ata “shqiptarë “ të Turqisë, kanë ndërmend ta ruajnë shqiptarizmin tonë, por ta zhdukin atë që ka mbetur, siç e kanë zhdukur të vetin.

Pra shkurt e shqip, shqiptar është vetëm ai që ndjen veten të tillë, jo në bazë të gjakut siç tha sharlatani Berisha.

Një doktor i shkencave, nuk duhet të marrë guximin mik i dashur e të flasë për gjakun e përzier, sepse gjaku i dashur mik, siç e din, është i njëjtë si tek shqiptarët, ashtu edhe tek kinezët, apo indianët e Amerikës. Përbërja është e njëllojtë. Për gjakun, ashtu si foli Kryeministri jonë, mund të flasë një bujk apo bari, por jo një njeri që ka një titull shkencor.

Unë nuk mburrem as me 30 perandorë romak me origjinë ilire, as me 26 vezirë me origjinë shqiptare. Ata nuk kanë bërë asgjë për atdheun e vet dhe nderoheshin nga romakët, respektivisht nga osmanët, sepse veprat dhe përkushtimi i tyre i kushtohej vendeve, që ata i përkisnin shpirtërisht dhe me orientim.

Sa për sqarim: Unë nuk mohoj faktin se janë dëbuar shqiptarë në Turqi, por unë pranoj faktin se në Turqi, nuk ka më shqiptarë! Këtë e ka dëshmuar lufta në Kosovë, lufta në Maqedoni dhe lufta në Luginën e Preshevës...

Për historinë është e rëndësishme të shkruhet numri i të dëbuarve, por për realitetin është me rëndësi të thuhet e vërteta: Në Turqi nuk ka më shqiptarë. Shpresoj t’ u kem dhënë përgjigje qortimeve Tua dhe mbetem me respektin më miqësor...

Vizitoni: http://letersi-perkthime-artikuj.blogspot.de



(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora