E diele, 28.04.2024, 10:29 PM (GMT+1)

Mendime

Aristotel Mici: Rreth Tërheqjes se Avokat Totozanit

E enjte, 03.05.2012, 05:34 PM


Rreth Tërheqjes se Avokat Totozanit

Nga Aristotel Mici

Më erdhi mirë si qytetrar kur lexova  njoftimin se zoti Igli Totozani ishte tërhequr nga  shprehja e tij kategorike “ndërroni Himnin”. Së pari e vlëresoj këtë  veprim, sepse terheqja  si dhe dorëheqja është  një gjest kulture, që shpreh  tolerancë para arsyes,  gjë që e shohim shumë rrallë në Shqipëri.  Dihet  sa lart e çmonte  filozofi francez Volteri mbretërinë e Arsyes para asaj të forcës. Së dyti e shikoj këtë tërheqje edhe  si një largim nga  fushata e pahijëshme antiHimn, që ka nisur të hedh shigjetat e saj kundër Himnit Kombëtar

Me gjithë konsideratën që shpreh për zotin  Totozani në këtë veprim, si njeri i letrave, e shikoj të dobishme për të shtuar  diçka lidhur me tërheqjen ndaj deklarimit të tij. Sqarimet e zotit Totozani  jepen  përciptaz dhe me lehtësi. Si pa të keq, duke komentuar tërheqjen, ai thotë se  “një ide dhashë”.  Mirëpo idetë dalin  nga studimet, nga faktet, nga analizat. Po me sa lexuam  në deklarimin e tij, më tepër se  “një ide”, ai kishte një shqetësim, që ia jepte  fjala  “burrë”. Më siguri zoti Totozani e ka sheshuar me vetveten  këtë përdorim fjale  nga ana  e Asdrënit ne poezi. Mirëpo mijëra gra , që kanë dëgjuar fjalën e tij populiste për barazi gjinore brenda Himnit Kombëtar, mbeten të hutuara. Të paktën ato gra të mos mbeten të mërzitura as me Asdrenin  dhe as me Himnin. Le t’ ju kujtojmë atyre dhe t’u sqarojmë se fjalën “burrë” në poezi me efekte  emocionale  para  Adrenit, po me  atë lloj figure artistike , e ka pas përdorur  edhe  rilindasi i famshëm Pashko Vasa, te poezia  “O moj Shqypni”, madje dy  herë:

“Kur ka dhanë besën burri i Shqypnisë,

I ka shti dridhën gjithë Rumelisë”

Dhe për më shumë, duke personifikuar Shqipërinë, P. Vasa shkruan:

Ti ke pas kenë një Zonjë e randë,

Burrat e dheut të thojshin Nanë  .

Nuk i sollëm këto shëmbuj për analzë poetike, po vetëm për një analogji. Që të kuptojmë të gjithë, si gratë edhe burrat, pse shigjetat godisin poezinë e Asdrenit, në këtë rast lidhur më fjalën “burrë”, dhe jo  atë të Pashko Vasës. Synimi është i qartë,….  të errësohet simboli i Himnit.

Kështu, duke e përshëndetur zoti Totozani për tërheqjen e tij, e pamë të nevojëshme të bënim këtë  ndërhyrje letrare, për të zbuluar me anë të analogjisë dhe gjykimit krahasimor qëllimin e mbrapsht  të fushatës së katërt antiHim  në poezinë e Asdrenit. 

Në mbyllje të fjalës, lidhur me terheqjen,  avokat Totozani ishte kujtuar të  tregonte pak për  muzikën e  këtij himni, që vjen nga një vend fqinj, pra nga një autor  që nuk është shqiptar. Po kjo nuk është një gjë e re. Këtë e kanë komentuar gjithnjë muzikologët dhe patriotët e çdo brezi gjatë  kësaj kohe shekullore. Muzika e huajtur ka qenë  një nga  motivet  nga ku ngrinte krye përpjekja antiHimn. Megjithatë Himni  Kombëtar i përballoi sulmet mohuese  ndër dekada. Parë nga kjo anë, ne shqiptarët si  komb, nuk jemi të vetmit qe kemi  një himn  me melodi të huajtur, sepse aktualisht janë disa kombë sot që ë kanë  himnin më muzikë të huazuar, fjala vjen muzika e Himnit të SHBA është e një kompozitori anglëz, himni zyrtar i Spanjës është i kompozuar nga një autor gjerman, himni i Bolivisë është i hartuar nga një autor italian më 1845, himni portugëz shtjellohet porsi ariet e vjetra italiane. Po, megjithëse kanë muzikë të huajtur, kombet e  këtyre vendeve i ruajnë  himnet e tyre  të paprekshëm.  Në mënyrë të veçantë  dua të theksoi admirimin e amerikanëve për Himnin e tyre  Nacional. As populli dhe as specialistët e artit dhe të letërsisë nuk shqetësohen  pse himni i tyre ka një muzikë  nga një autor i huaj. Dhe kjo spjegohet me arsyen se studjuesit amerikanë  vlerat kulturore dhe ato simbolike nuk i gjykojnë nga këndi i purizmit  të ngushtë nacional, aq i ngulitur në trevat ballkanike. Për më tepër kjo ide e tolerancës amerikane duket edhe tek Statuja e Lirisë. Skulptori që e ka realizuar këtë kryevepër është francezi Berthold, i cili, duke parë se statuja do të kishte përmasa gjigande, i kërkoi ndihmë ingjinierit të famshëm Eifel. Pra kemi dy autorë të huaj që realizojnë një skulpturë gjigande, simbolin e lirisë dhe demokracisë amerikane,  dhe asnjë amerikan  nuk rebelohet kundër  këtij sikmboli të lirisë. Atëherë pse disa shqiptarë sot ,  pas 104 vjëtësh, duan të bëjnë të kundërtën me Himnin? Pse po përpiqen ta njollosin Himnin Kombëtar, kur etërit, gjyshërit dhe stërgjyshërit e kanë nderuar gatitur me dorë në zëmër. Duket qartë se ambicja e tyre është rrënimtare dhe, ashtu me anë të rrënimit mendojne të mbahen mend, se ata qenë aq të zot sa t’ia heqin  kombit të tyre nga ndërgjegja simbolin shekullor . Kjo logjikë e mbrapshtë të çon tek marrëzi të tjera, fjala vjen, që studentët e arteve ta prishin godinën e Akademisë së Arteve dhe  të Konservatorit muzikor, sepse është krijuar nga projektues dhe konstruktorë të huaj, jo shqiptar;  po kështu, për këtë “arsyë” të rrënojmë edhe korpusin e Universitetit, se edhe ai  është projektuar nga arkitekte italianë.

Gjithësesi, duke përshëndetur gjestin intelektual të avokat Totozanit për tërheqjen e tij nga thashëethemet e pahijëshme të betejës së katërt antiHimn, shprehim mendimin se Himni Kombëtar është dhe duhet të jetë një simbol i paprekshëm. Nuk duhet harruar se gjysma e kombit jeton jashtë kufijëve shtetëror të Republikës së Shqipërisë. Që në kohën e Monarkisë, kur dolën komentet e para antiHimn, intelektualët  patriotë e largpamës deklkaruan: “Se duke  shoqëruar ngritjen e Flamurit më 28 Nëntor 1912, Himni i Flamurit është bërë qysh në atë kohë një fakt historik, një simbol mbarëkombëtar.. Asnjë himn tjetër, sado i përsosur që të jetë, nuk mund ta zëvendësojë atë.”

Kjo që shtruam në fund është e rëndësishme të kuptohet nga gjithë  shqiptarët, të cilet te ndërgjegjësohen,duke krijuar një opinin mbarëkombëtar, kundër “betejës” së katërt antiHimn, që fatkeqësisht u gjallërua në këtë vit jubilar të 100vjëtorit të Pavarësisë.

Let të shprësojmë se shqiptarët do të dëgjojnë kushtrimin e Himnit Kombëtar :

të bashkuar rreth Flamurit



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora