Mendime
Fadil Maloku: “Askund shteti nuk shahet si në Kosovë”- tha Limaj!
E diele, 06.05.2012, 02:46 PM
“Askund shteti nuk shahet si në Kosovë”- tha Limaj!
Shkruan: Prof. Dr. FADIL MALOKU, sociolog
fadil.maloku1@gmail.com
“A mund ta paramendoni mediokrin si ministër? Para se të vijë në atë pozitë, ai është plotë me brenga për të arritur aty, e pasi që e merr, është plotë me brenga për të mos e humbur, e nëse fillon të brengoset për të mos e humbur, atëherë nuk ka asgjë që ai nuk do të jetë në gjendje të bëjë për ta ruajtur atë pozitë...”
1. Çka mendoj Limaj?
Kështu tha Fatmir Limaj, (pas vendimit të gjykatës për lirimin e tij nga aktakuza e ushtruar gjatë këtyre tri viteve), në një interviste në TV! Athua është kështu, apo Limaj i zhgënjyer me idealet e tija për shtetndërtimin foli ashtu si foli? Tani, nëse u adresohemi retrospektives së ngjarjeve të ndodhura gjate gjithë periudhës se pasluftës, e sidomos këtyre të katër viteve te fundit te postshpalljes se pavarësisë se Kosovës, perceptimin e qytetarëve kosovarë të cituar nga ish ministri Limaj, duhet kendvështruar nga disa dimensione. Së pari, athua është ky vetëm një perceptim i përgjithësuar apo është edhe një perceptim personal i Z. Limaj, i cili i gjendur ne sendwich të akuzave dhe idealit për të ndërtuar një shtet normal, u detyrua nga ndërgjegjja të fol zemërplastë! Së dyti, duhet shikuar procesin e shtetndërtimit kosovar, edhe si një nus produkt social e politik i dalë nga vonesat e shkaktuara nga ish administrata e UNMIK-ut. Thënë me thjesht periudha që Z. Limaj e adreson perceptimin e qytetarëve për shtetin e tyre jo funksional jo të mbaruar e gjithsesi edhe jo komplet me kuptimin e ushtrimit të kompetencave të plota dhe të pavarura, në fakt është periudha me kritike dhe më diskutabile e procesit të shtetndërtimit edhe për shkakun se elitat politike qeverisjen dhe administrimin e vendit e vonuan pa arsye të forta. Dhe së treti, partitë politike, shoqëria civile, mediat dhe institucionet tjera me ato gjysmë kompetenca juridike nuk qenë të afta ta fuqizojnë idenë e pavarësisë së plotë nga faktori ndërkombëtarë, gjë që po ndodhë edhe sot e kësaj dite çuditërisht...!? Këtë rol nuk mundi ta zëvendësoje as EULEX, nga i cili është pritur shumë nga qytetarët e Kosovës. Duket që perceptimi se: “askund shteti katërvjeçar nuk shahet si në Kosovë”, i dalur nga goja e Z. Limaj, ditën kur aktakuza e ngritur pushoi se ekzistuari, nuk mund të mos i adresohet edhe qeverisë aktuale që në një mënyrë apo tjetrën është fajtore për këtë perceptim negativ të qytetarëve për shtetin e tyre. Por, perceptimi i tillë i qytetarëve për shtetin duhet gjithqysh me u adresua edhe në një drejtim tjetër, e ai, për mendimin tim, është padyshim edhe kah Brukseli, i cili me gjithë angazhimin që është dukë bërë aktualisht, disi Kosovën është duke e mbajtur në ethe të një lloj getoje sociale dhe të një embargoje kulturore! Them geto dhe embargo, në kuptimin që mesazhet nuk janë artikuluar gjithherë qartë, madje nuk kanë as referenca të afateve, nuk komplementarizohen sa duhet me marrëveshjet e arritura midis Kosovës dhe Serbisë, etj. Qytetarët kosovar duke qenë në duart e këtyre “kirurgeve” të Brukselit që Kosovën e kanë shndërruar në një sallë të madhe operacionesh, ku me skalpel testojnë institucionet e reja të dalura nga një proces demokratik, vetëm e vetëm të reduktojnë (e padyshim unë mendojë edhe testojnë qëllimshëm!) rolin e shtetit (“sui generis”) të Kosovës, në një adresë të thjeshtë telefoni (!?), ashtu siç predikojnë neoliberalët që veten e trajtojnë si pronarë të vetëm të zhvillimeve dhe trendëve të globalizimit. Duke këndevështruar kështu “sharjet që i bëhen shtetit të Kosovës”, na del se Z. Limaj nuk foli koti! Ai e nuhati shumë mirë ‘frymarrjen” dhe disponimin e qytetarëve të vetë që nuk hezitojnë ta shajnë shtetin, ashtu siç e kuptojë edhe momentin e bërjes së luftës me Serbinë, në vitin 1999.
2. Por, pse shahet shteti?
Për mendimin tonë, shtetin e Kosovës, qytetarët e saj e shajnë edhe për shkak se të gjithë parametrat socialë, ekonomikë, politikë flasin në drejtim të krijimit të një hendeku gjithnjë e më të tmerrshëm midis shtresave sociale që po lindin si pasojë e përzierjes së duarve nga ana e ndërkombëtareve, pra euroktrateve te Brukselit të cilët nuk kanë ide se si duhet të përshtatet shteti i ri rrethanave të reja integruese e globalizuese!
Zhgënjimin dhe sharjet e qytetareve te Kosovës, padyshim nëse flasim me fakte e “mbulojnë” si analizat dhe studimet e pakëta të organizuara empirike sociologjike, ashtu edhe gjithë parametrat ekonomikë (papunësia tejmase e larte!), socialë (varfëria gjithnjë me e theksuar) e sidomos ata politikë, ku ende nuk ka ndodhë katarësisi i thyerjeve ideologjike. Por, gjykimi i tij i ashpër për idealin e tij mbi shtetin e Kosovës, me siguri qe bazuar në edhe në parametrat e mësipërm, të cilët atë e bëjnë të mbetet aq i rezervuar e fund fundi edhe i zhgënjyer me rrjedhat dhe të gjitha zhvillimet e pasluftës! Për të vërtetuar këtë hipotezë të tij që me sa duket nuk doli edhe gjithaq nga mllefi i tij për të gjitha të bëmat që ai mendon se i janë shkaktuar gjatë gjitha këtyre viteve të pasluftës, por para së gjithash se i njëjti është mirë i informuar si për trendët ekonomike, ato sociale, e padyshim edhe ato politike për kahet që është në fakt duke i marrë Kosova.
Në anën tjetër, gjithashtu edhe analizat dhe sondazhet e bëra tregojnë që qytetarët e Kosovës gjithnjë e me shumë po bëhen të pakënaqur me shtetin e tyre. Kur e themi këtë gjithnjë mendoj në sferën lokale ku ashpërsia apo hendeku midis të pasurve dhe të varfërve po rritet dita ditës dhe se trazirat sociale janë në horizont...diku. Dhe jo vetëm trazirat sociale si mundësi për të demonstruar pakënaqësinë e tyre qytetarët e Kosovës, por kujtojë që edhe studentet pa mëdyshje do të hynin në këtë vallë të pakënaqësisë me shtetin e tyre. Dikush do të thoshte se katër vjet janë tejet pak kohë për të demonstruar muskujt e vetë një shtet i menaxhuar dhe i dirigjuar nga qendrat e vendosjes ku eksperimentohet me sovranitetin ne rrethanat e globalizimit. Por, sharjet a kane adrese tjetër..?
3. Faji është edhe partitë politike, shoqëria civile, mediat
Rolin e muskujve përveç qeverisë padyshim që duhet adresuar edhe tek partitë politike të vendit, shoqëria civile, mediat dhe institucionet tjera, të cilat në këtë proces sharjesh, zhgënjimesh, frustrimesh dhe pamundësisë së ushtrimit të rolit të vërtetë për të ndërtuar një shtet funksional, do të duhej të kontribuonin më shumë në përmirësimin e imazhit. Fakti që janë evidente 58 parti politike të regjistruara, dëshmon më së miri se procesi i rirreshtimit në baza programore dhe sosh ideologjike akoma nuk ka filluar në Kosovë. Herndikap ky që edhe i fuqizon sharjet e qytetarëve për shtetin e tyre. Por, a janë duke kuptuar partitë politike kosovare rolin që e kanë marrë mbi vete? Nëse ad hoc i hedhim një vështrim historikut të kompetencave dhe përgjegjësisë së këtyre konstruksioneve jo vetëm sociale, kuptojmë që ato akoma nuk janë në rrugë të duhur.
Çështja e përkufizimit të asaj se çka në fakt nënkuptojmë apo përkufizohet me termin parti politike, është një çështje kogja delikate, sidomos kur janë në pyetje rrethanat e formimit dhe synimet apo qëllimet afatgjata, përveç motiveve ekzistuese ekskluzive për ta marrë pushtetin dhe përmes tij të ushtrojnë implementimin e ideve dhe synimeve të tyre programore. Nëse i adresohemi Maks Weberit, një sociologu që akoma ja vlen të konsultohet, atëherë kuptojmë që historia e partive politike është e ndërlidhur ngushtë me lindjen e demokracisë si formë e organizimit shoqërorë e politik, ku këto organizata politike kanë përgjegjësi dhe kompetenca të duhura për ta ndërtuar shtetin dhe kapacitetet e tija. Tani, nëse skalpelin tonë sociologjik e drejtojmë diku edhe më thellë në historik të këtyre krijesave, kuptojmë se ekziston edhe një parahistori më e hershme që natyrisht nuk ka të bëjë edhe gjithaq me organizimin që bashkëlindi me demokracinë.
4. Partitë politike si konstruksione sociale
Psh. nga historia kuptojmë se që nga koha e Aristotelit ekzistonin disa grupe qytetarësh që në fakt e kundërshtonin ashpër rregullimin e Athinës së vjetër, ata ndaheshin sipas historianëve në plebej(shumica klientele) dhe patric(pakica e zgjedhur elite) që nënkupton edhe opinionist të kundërt lidhur me rregullimin e Athinës. Në mesjetë gjejmë si shembuj të organizimit parapartiakë edhe. gvelfët dhe gibelinët të cilët bazamentin e kërkesave dhe synimeve të tyre e mbështetnin kryesisht idetë dhe konceptet religjioze. Në Angli pas revolucionit të ndodhur të vitit 1688, kemi imponimin e dy krijesave parapartiake të shquara si vigevcë (pasuesit e liberalizmit të mëvonshëm) dhe torevcë(si pasues të mëvonshëm të konzervatizmit).
Në revolucionin e ndodhur borgjez francez (1789), grupet kryengritëse psh i shquanin si grupe “partiake”, ngase ishin kundër mbretit, pra kundër absolutizmit. Në Francë që ishte një ambient më të “pjekur” për nga diferencimi i shtresave sociale, çështja e organizimit pro et contra ishte diçka që në fakt stimulonte gjithën e më shumë konceptin e organizimit partiak. Në SHBA-, psh para se të ndodhë aprovimi i Kushtetutës së vitit 1787, u theksuan kryesisht dy koncepte apo dy botëkuptime të kundërta për rregullimin shtetërorë të këtij kontinenti: ai “federal” dhe ai” demokrat”, që sipas autorëve të shumtë kjo ndarje apo ky lloj pozicionimi do shërbejë më vonë edhe për profilizimin e dy partive kryesore që edhe sot e kësaj dite akoma janë prezentë në skenën politike amerikane. Ose psh, nëse kthehemi sërish në Evropë, kuptojmë se bie fjala në Gjermani organizimi parapartiak, në fakt kishte nisur me fillimin e profilizimit të tipareve ideologjike: liberale, demokrate, socialiste, konzervative, etj. Por, përgjithësisht mund të themi se çështja e inicimit të bërthamave të para parapartiake në shumicën e vendeve evropiane, bëhet kryesisht në fund të shekullit XIX, kurse në disa tjera edhe në fillim të shek.XX.
Nëse tani kthehemi në kohën tonë të teknologjisë informative, kuptojmë që përveç ideologjisë (që në fakt ka të bëjë edhe me fenomenin e globalizmit ashtu sikurse: kapitalizmi, fashizmi, komunizmi, e izmat tjerë)rrethanave dhe ambientit social e ekonomik, etj. një parti politike i nevojiten apo të paktën janë të rëndësishme për sensibilizimin e opnionit që sërish i është nënshtruar ndikimit të komunikimit masiv, pra teknologjisë informative që edhe krijon si të dojë dhe kur të dojë publik për vete, ajo që sot identifikohet si dhunti apo aftësi e lartë e lidershipit për t’i bind masat e gjëra për nevojën që ajo ndien për tëë. Në kuadër të këtyre cilësive apo kritereve, padyshim që është e rëndësishme edhe: përgjegjësia për të ndërtuar kapacitetet shtetërore përmes imixhit që krijon për veten e vetë në sytë e qytetarëve: një tjetër veçori për kohën në të cilën jetojmë e këtyre konstruksioneve sociale dhe politike, padyshim që ka të bëjë edhe me vullnetin dhe këmbënguljen për të materializuar idetë (ideologjinë) dhe synimin (për çlirim psh) për mirëqenien sociale në mënyrë që i njëjti shtet të mos iu ekspozohet as kritikave e as sharjeve eventuale tq qytetarëve të saj, siq po ndodhë me shteti ne Kosovës. Partitë politike të periudhës së globalizmit, natyrisht janë akoma në fazën e ristrukturimit dhe akomodimit me rrethanat e reja që po formësohen gjithën e më shumë si pasojë e faktorëve dhe indikatorëve teknologjikë të njohur si demokraci digjitale, ku tani atyre u shtohen edhe disa role shtesë kur janë në pyetje përgjegjësitë ndaj qytetarit...Ato përgjegjësi dhe role kryesisht kanë të bëjnë me reprezentimin, integrimin dhe sidomos ushtrimin e mbikëqyrjes së fuqisë së pushtetit të fituar në mandate të ndryshme.
Partitë politike kosovare në periudhën e tranzicionit, zakonisht është e rëndësishme t’i studiojmë dhe analizojmë edhe për shkak se ato në një farë mënyre janë fara e parë e demokracisë, apo themelet e organizimit politikë pluralist që dmth se ato janë katalizatorët kryesor e gjithë organizimit politikë, social e ekonomik të një vendi. Ato insistojnë të pronësojnë (de facto) këto cilësi edhe për shkak se edhe ashtu me fuqinë e ligjit(de jure) duhet të shërbejnë si ndërmjetësues midis shteti dhe shoqërisë. Duke u gjendur pra në pozitat“sendwich”, partitë kosovare në rast se dëshirojnë të jenë në koherencë me trendin e zhvillimeve aktuale globale dhe me nevojat dhe kërkesat e qytetareve të saj, përveç rolit të: seleksionuesit dhe rekrutuesit të elitave të reja politike, pastaj kultivuesit të përkatësisë dhe bindjes ideologjike: artikuluesit të qartë i interesit të grupit, etj., pa mëdyshje duhet të lozin edhe rolin e altoparlantit, pra të zërit të qytetarit. Ndryshe ato, së bashku me shtetin që po mendojnë se po e ndërtojnë me kompetencë dhe përgjegjësi, do të vazhdojnë të shahen...ashtu si tha Z. Limaj!