E diele, 28.04.2024, 10:11 PM (GMT+1)

Mendime

Shefik Shkodra: Sindikata vetëm për të drejtat e punëtorëve

E enjte, 03.05.2012, 06:49 PM


SINDIKATA VETËM PËR TË DREJTAT E PUNËTORËVE

NGA SHEFIK SHKODRA

Të flasësh për atë që s’ekziston dhe nuk ka as kuptim që të jetë në atë mënyrë, është paradoks sikur me BSPK-ën para këtij opinioni publik. Është e padurueshme, kur i dëgjon duke thënë, se nuk duhet të protestojmë për Një majin, për arsye të gjendjes politike të Kosovës, apo se, njerëzit shkojnë nëpër pushime dhe nuk i përgjigjen ftesës për protestë. Organizimi i një shoqate nuk është diçka automatike dhe e fiksuar, as e paplanifikuar. Ka program dhe rregullore, status shoqëror faktik, legal dhe legjitim.

Gjendja sociale është e dukshme në vendin tonë

Nuk ka nevojë t’i krahasojmë statistikat me vendet fqinje e me të tjerët. Gjendja ekonomike te ne në Kosovë është ashtu qysh perceptohet, veç e veç, nga secili individ, por edhe në mënyrë të përgjithshme nga të gjithë. E vlerësimet për vende të reja pune, për prodhimtarinë në vend, për punësimin janë të dhëna të mjaftueshme herë pas here. Gati është në gjendje, që secili qytetar ta vërej e ta kuptoj, në mënyrë të plotë praktikisht shkëputjen nga një ekonomi e planifikuar në atë të tregut. Nuk ka kush nevojë të shpjegoj e të njehsojë shumë shifra të ndryshme. Mundësitë janë të tilla, apo nuk jemi duke vepruar sa e si duhet, këtu qëndron problemi. Ky vend, si çdokund nuk mund të mbahet vetëm nga punësimi në arsim, në administratë, në shëndetësi, në tregti (me prodhime të importuara) etj. të gjitha veprimtari shërbyese e jo prodhuese.

Pa i numëruar ata të papunët, që do të duhej të jenë gjithnjë në qendër të vëmendjes, edhe të punësuarit nuk janë të kënaqur. Për çdo ditë ka ndryshime në rritjen e çmimeve, qoftë edhe për ndonjë cent, por pagat nuk mund të lëvizin.

Njerëzit sot nuk janë krejt të pavetëdijsuar

Sa i përket thënieve, se për shkak të gjendjës politike, nuk bën që të protestohet e as të reagohet. Mendoj që nuk ka nevojë, që të gjithë të merren me politikë. Nuk është obligim për secilin qytetar të Kosovës të merret veç me politikën e veriut. Atëherë kur paraqitet nevoja njerëzit këtu janë. Secili duhet ta bëjë punën e vet. Edhe sindikatat (s’)i kanë obligimet dhe detyrimet ndaj punëtorisë. Dhe, sindikata vetëm për të drejtën e punëtorëve angazhohen. U lodhën njerëzit duke pritur për atë “njëzet përqindëshin e famshëm”. Sindikata nuk di që ka sjellë pozitve diçka lidhur me këtë çështje të punëtorëve. Dikush u thotë, ‘s’keni kurgjë prej kësaj, ju që keni kaq e kaq stazh pune (s’)merr më tepër se kaq’. Duke u dhënë shifra simbolike, por pa ua sqarur si duhet. Megjithatë, as atë grimcë që e kanë pritur nuk u është ofruar punëtorëve. Si thotë populli: “këtë punë e kanë qitë e lanë”.

Nuk ka asnjë pikë arsye që t’u besohet këtyre njerëzve në kryesi të kësaj sindikate të vetëquajtur. Kemi thënë edhe më herët, se këta janë të vetëzgjidhur dhe vetë mbajnë planifikime e programime të rastit, atëherë kur atyre u konvenon për rritjen e pikëve, apo ndonjë beneficioni. Nuk janë të lidhur me masën drejtpërdrejt. Ai ‘unë duhet të jem’, tjetri thotë, ‘jo mua më takon të udhëheq me sindikata’, çka i thonë kësaj. Të humbet besimi, nëse ka pasur besim vërtet te masa. Megjithatë, e marrim se është krejt legjitime, por e pabesueshme dhe jo transparente. Në këtë kohë, te ne, legjitimiteti pranohet prej një pakice dhe bëhet si e përgjithshme. Si e plotëfuqishme. Po, si për “gjynah”, bëhen sikur krejt e dëshirojnë mbrojtjen e punëtorit. Sikur faji është diku tjetër. “Jemi shtet i ri dhe ... më parë unë jam për shtetin...” Edhe “gjendja në veri të Kosovës...”, “nuk jemi të pranuar...veç si vëzhgues, sepse nuk jemi të pranuar më parë si shtet”, etj. fjalë e fjali pa ndonjë arsye për këso dëshmish, përse pra udhëheqin dhe çka mundën të bëjnë. Sipas atyre fjalëve, do të thotë, që të jemi të urtë e të butë, për të mos thënë, të durojmë edhe uri shekulli. Çfarë patriotizmi i dikujt! Sipas këtyre thënieve të kryetarit po del, se, askush tjetër nuk ka respekt për këtë vend. Njerëzit tjerë të këtij nënqielli nuk po qëndrojkan në vijën e atdhetarisë. Do të thotë, dikush dëshiron veç protesta e kundër shtetit tonë të ri.  Kjo është shumë nënçmuese. Nuk bën të mendoj njeriu se është lehtë të flas krejt çka i vjen më “shkurt”, sikur nuk ka dëgjues në këtë terren. Po nuk do të duhej ndonjërit, si kryetarit Arifi, t’i zihet aq për të madhe. Më e keqja na del se, nuk është mirë të manipulohet në asnjë rast me këta qytetarë! Ani çfarë apeli, për një konfirmim të vetvetës, se, është udhëheqës i sindikatave. Asgjë tjetër.

Pra, punoni edhe pa protesta

Një maji – ditë e punëtorëve, dikur është festuar (në shtetet socialiste) dhe është pranuar si një datë që “gëzon” punëtorët. Po në vendet tjera të botës, me sistem kapitalizmi, punëtorët kanë kërkesat e tyre. Nëse sindiatat tona janë të mobilizuara dhe kanë një grafikon pune real, atëherë, kur paraqitet nevoja për këtë masë, nuk fikësohet asnjë datë e kohë. Kjo nuk do të thotë, se, vetëm një javë ditë, apo një muaj është koha kur mund të protestohet. Dhe s’është puna që vetëm protesta, reagimet e drejtpërdrejta janë mjete për të fituar të drejtën nga qeveria. Kemi thënë edhe më herët, se disa protestat që janë bërë te ne pas luftës nga organizimet e kryesisë së Sindakatës, jo që nuk kanë qenë efektive, por edhe ngarkesë për shoqërinë tonë. Ato janë organizuar vetëm sa për të thënë. Dhe veç sa për të thënë se, unë (kryetari e kryesia e sindikatës) jam ai që e ndihmoj këtë punëtori shumë të dashur e të përvuajtur, por unë e zgjedh kohën kur duhet të protestohet. Po nëse ju e keni paraparë se, ekzistojnë mundësitë që të veprohet edhe ndryshe, për t’u dalë në ndihmë punëtorëve, atëherë nuk ka nevojë për protesta. Dhe, kur ziheni ngusht, na nuk kemi faj, dikush tjetër. Nuk jemi të pranuar nga Brukseli, nuk kemi të planifikuar asgjë për të dalë nga gjendja çfarë është, po jemi sindikata (veç vëzhguese ndoshta), mbështetje s’ka punëtori i jonë te ju, atëherë, çka dirigjoni ju? Ky milet e ka marrë vesh se ju me atë kryesi dhe as ai tjetri e tjetri, nuk keni qëndruar aty që t’u ndihmoni të tjerëve. Thuani opinionit publik se aty jeni veç sa të merrni pagat e juaja, ndoshta edhe beneficione tjera.

Rrezik në ballafaqim me çështjen sociale

Po kjo që u tha deri këtu s’ka hiç rëndësi. Kërkesat legjitime të punëtorëve janë kudo në botë. Ato (nuk) mund të mohohen. Nuk ka nevojë të egërsohet askush pse punëtori po e kërkon një të drejtë për jetë më të mirë. Nuk duhet të mohohet edhe ajo masë që janë punësuar ashtu si kanë mundur, në arsim, shëndetësi, administratë, e shumë pak në sektorin privat. Por, a ka zbatim të ligjit nëpër këto ndërmarrje, si ato hoteliere, tregtare, etj. Dhe protesta s’është veç armiqësore e kundër “shtetit të ri”, por edhe manifestim dhe përkujtim për ata që duhet ta kenë në rend dite kërkesën. Gjithnjë duke i potencuar rregullat e ligjin që duhet të respektohen. Dhe krejt e veçantë dhe më e vështirë del çështja sociale (e atyre të papunësuarve fare) se, çdokush e di si dëmtuesin kryesor të një shteti, qoftë i ri apo i vjetër. Ruhet si një ndrydhe në veti derisa ka mundësi të heshtet e të mos merr përmasa, vërtet të pranueshme për askënd. Pra, sindikatat tona kanë çka punojnë dhe çka thonë. Nuk mjaftojnë dy-tri fjali të përseriten para publikut të gjërë.



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora