Kulturë
Resul Shabani: Përsëri për shelgun vajtues (I)
E hene, 12.03.2012, 07:35 PM
Resul Shabani u lind në Strugë më 14.10.1944. Filloren dhe të mesmen i kreu në vendlindje. Gjuhë dhe letërsi shqiptare studioi në Universitetin e Shkupit dhe të Prishtinës. Fillimisht punoi arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqiptare. Prej vitit l971, u punësua në redaksinë e gazetës "Flaka e vëllazërimit" në Shkup, ku punoi reporter i lirë dhe redaktor i rubrikës së kulturës. Ka qenë edhe redaktor përgjegjës i revistave "Jehona" dhe "Gëzimi" dhe redaktor përgjegjës i Redaksisë së botimit të librit artistik.
Jeton dhe vepron në Shkup.
Ka botuar veprat:
1974-Liqeni, tregime (Flaka e vëllazërimit)
1975-Peshk, poezi ((Flaka e vëllazërimit)
1978-Hamleti me plis të zi, poezi (Flaka e vëllazërimit)
1978-Shën, tregime (Rilindja)
1982-Anija e vjetër, dy drama (Rilindja)
1983-Ora e liqenit, poezi (Rilindja)
1983-Dashuria e kapitenit, roman (Flaka e vëllazërimit)
1986-Ujëpërshkruesi i fushës, poezi (Flaka e vëllazërimit)
1987-Fani vjen vetëm, tri drama (Flaka e vëllazërimit)
1989-Liqeni, ribotim - lekturë shkolle (Detska Radost)
1989-Oh, Amerika, poezi (Flaka e vëllazërimit)
1990-Dashuria e kapitenit, ribotim-lekturë shkolle (Flaka e vëllazërimit)
1992-Oh, Amerika, maqedonisht (Makedonska kniga)
1994-Qerpik i lagur, tregime (Flaka e vëllazërimit)
1996-Mëkat i trilluar, poezi e zgjedhur (Onufri)
1997-Uji i zemrës, poezi (shqip-rumanisht) (Orient-Oksident- Rumani)
1997-Ora e liqenit, maqedonisht (Matica)
1998-Erë ftoji, poezi e zgjedhur, (në disa gjuhë) (Goce Delçev)
1999-Shtatë drama (Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptarë)
2001-Nuse vale, tregime (Klubi letrar ’94)
2003-Përsëri për shelgun vajtues, poezi të zgjedhura (Botim i autorit)
2004-Dashuria e Kapitenit, roman (Onufri)
2004-Përsëri për shelgun vajtues, (Onufri)
2005-POEZI, shqip-maqedonisht (Shoqata e Shkrimtarëve të Maqedonisë)
2005-Hamleti me plis të zi, (Serembe)
2007-Ura prej uji, tregime të zgjedhura (Serembe)
2008-Hamleti me plis të zi, poezi (Mikena)
2009-Ura prej uji, tregime të zgjedhura (Serembe)
2010-Vitrina e skenës, drama (Serembe)
2011-Hamleti me plis të zi, poezi, anglisht (BUN “Shën Kliment Ohridski)
2011- Ura prej uji, tregime të zgjedhura, maqedonisht (Slovo)
2012- Ëndërr e falur, poezi e zgjedhur, maqedonisht (Dijalog)
Pesë drama të autorit janë inskenuar në teatrot profesioniste.
Është prezantuar në disa antologji poezie dhe tregimi: - Aliu Aliu “Tregimi shqip”;
Alexandre Zotos “Anthologie de la poesie albanaise”;
Ali Aliu “Gjysmëshekulli i artë”
Antologji e poezisë shqipe; “Poeti Europei”(italisht);
Ali Aliu Antologjia e poezisë bashkëkohore shqiptare (maqedonisht);
Danilo Kocevski Fundi i shekullit (maqedonisht);
Sergej Glavnjuk Nga shekulli në shekull (rusisht);
Paul Polidor Fundi i shekullit (rumanisht);
Poetët e Maqedonisë;
Prozatorët e Maqedonisë,
Zoran Ançevski Poetët e P.E.N.-it të Maqedonisë etj;
Luan Topçiu Antologjia e poezisë shqipe (rumanisht);
Bashkim Kuçuku Antologji e poezisë shqipe bashkëkohore,
Poezi dhe tregime të autorit janë përkthyer në gjuhë: - anglisht, italisht, rumanisht, frëngjisht, rusisht, spanjisht, serbisht, maqedonisht, turqisht, çekisht, etj.
Për krijimtarinë origjinale dhe për përkthimet ka marrë disa çmime:
"Çmimi për Opus letrar" (Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptarë në Maqedoni);
"Pena e Artë" - për përkthimin në gjuhën maqedonishte, të poezisë së Fatos Arapit (Shoqata e Përkthyesve Letrarë në Maqedoni);
"13 Nëntori" - për përkthimin në shqip të Antologjisë së Poezisë Maqedonase (Kuvendi i Shkupit);
"Kiril Pejçinoviq" - për përkthimin në maqedonisht të poezisë së Visar Zhitit (ShPLM);
"Çmim special *Serembe*" - për opus lirik (Klubi i Artistëve Laçjanë);
"Çmim *Asdreni*" - për libër më të mirë me lirika midis dy festivaleve(Netët Korçare të Poezisë);
"Çmim *Skeptri Letrar*" - për opus letrar (Shoqata e Shkrimtarëve të Maqedonisë);
"Mirënjohje *Vilson Bloshmi dhe Genc Leka*" (Shoqata e ish të burgosurve dhe të përndjekurve politikë”; Korçë)
"Çmim *Grigor Përliçev* (ShPLM);
"Çmim shtetëror për kontributin në njohjen reciproke të kulturave Nëna Tereze",
"Çmim *Mjeshtër i përkthimit*" (SHSHM dhe SHPLM);
"Çmim *Kurora poetike*" në Festivalin “Netët Korçare të Poezisë”;
"Çmim *Abdylazis Islami*" - për përkthimin shqip të librit poetik “Hijet e Atdheut” të poetit Rade Siljan;
"Mirënjohje për kontributin në veprimtarinë e festivalit *Këngë Jeho*"(Strugë);
"Mirënjohje për kontributin në dramaturgjinë dhe teatrin shqiptar" (Teatri Amerikan-shqiptar);
"Çmim shtetëror *23 Tetori*" - për kontribut të theksuar në lëmin e letërsisë dhe kulturës,etj.
Ka marrë pjesë në mjaft manifestime letrare ndërkombëtare, duke qenë edhe anëtar i shumë jurive. Në ditët e sotshme e gjejmë në gatishmëri si kontribues i pa shtershëm në shkrim, redaktor, si dhe përkthyes i veprave në shumë gjuhë, kryesisht ballkanike ku veçojmë në përditshmëri përkthym nga shqipja në maqedonishte dhe anasjelltas.
Ali ALIU:
AROMA POETIKE E JUGUT
Resul Shabani si krijues serioz u shfaq që në fillim të viteve 70-ta të shek. XX. Është realizuar, dhe vazhdon të realizohet, si poet, prozator, dramaturg. Në të tre zhanret, me individualitet tani më të formuar, me rreth njëzet vepra të botuara, Resul Shabani është njëri nga të paktët krijues shqiptarë në Maqedoni, që radhitet në mesin e shkrimtarëve të pranuar në shkallë kombëtare. Përzgjedhja prej 80 poezishë, të cilën po ua ofrojmë lexuesve me titullin Përsëri për shelgun vajtues, kryesisht përfshin poezinë e viteve 80-ta të autorit. Njohësi i opusit poetik të këtij krijuesi do të vërejë se, sidomos në rrafsh të shqetësimeve poetike, por edhe në atë të teknikave krijuese, poezia në fjalë është e një prejardhjeje stabile, konsistente - ka të njëjtën parashenjë njohëse...
Mund të thuhet se tërë krijimtaria e Resul Shabanit është në lidhje jetike me vendlindjen, me kujtimet e fëmijërisë. Ky ambient, në këtë vepër është shndërruar në një univers-metaforë. Pikat, si shtylla orientuese, janë: liqeni, lumi (Drini) që buron nga thellësitë e Malit të Thatë dhe Kalishti - fshati buzë gjolit, i poetit. Nga këto vatra nis shtegtimi, tek ato kthehet, duke u ngarkuar e shkarkuar, mbushur e zbrazur. Nga ky univers kujtimi fëmijëror, poeti ka marrë kodet e komunikimit me tërë ambientin. Matrica bosht prej ku rrezaton pluskimi i ngacmimeve, i ngjalljes dhe i ringjalljes së botës virgjërisht të jetuar dhe të ëndërruar, është gjoli. Hapësira e tij shtrihet e pafund dhe e pakapërcyeshme - i ndëshkueshëm kalimi. E ndan atë mespermes lumi mitik që të pranon, të qas ta shoqërosh në rrjedhë, të rrjedhësh edhe ti, por vetëm për pak: rrjedha e tij depërton tej, në botën e paarritshme, virtuale. Valët e Drinziut të kristaltë, gëzim e pikëllim bashkë: i lagin dhe i kalbin këmbët e shavarit, por e lënë të shkrumbohet etjeje koka, fjala e mbërthyer në gojë. Etja poetike shtegton, arratiset e alarmuar rrrjedhës përpjetë, në kërkim gjenezash, në zbulim enigmash dhe misteresh, duke shpaluar shtresime antike dhe mitologjike... Hapen, në këtë shtegtim poetik, si guacat, të risemantizuara legjenda e përralla...
Në këtë etje poetike, me aromë ngrohtësie të jugut, shija e parë është malli; malli i pangushëllueshëm e që në çaste kalon në pikëllim. Kalimi nga malli në pikëllim lidhet, ka burim ndalesën, të pamundshmen, murin - atë që s’të lë të kthehesh tek fëmijëria, duke të mashtruar me kthim përmasash e trajtash virtuale të saj dhe muri që ta ndan gjolin, rrjedhën, burimin, malin. Kërkon ngushëllim etja e poetit, duke u njësuar me shelgun vajtues, me lulen e mbirë mbi sipërfaqen e ujit që ëndërron të lëshojë rrënjë, me kallamin gjysmë i kalbur në thellësi uji e gjysmë zhuritur etjeje në barkën, e cila, e lënë në mëshirë të diellit, ëndërron të lundrojë. E shkallëzimi i mallpikëllimit, në këtë lirikë me tipare vërtet të veçanta dhe individualitet karakteristik në poezinë e sotme shqiptare, mbetet si vërshim i brendshëm, si shpërthim i heshtur: i duhet të pëlcasë nga brenda shkëmbit, të bëhet copë e grimë, duke u rrokullisur greminës për të shuar etjen, për ta prekur rrjedhën, valët, për të përcjellë mesazhe malli e pikëllimi... Lexuesi i para sa e sa viteve, kur është shkruar dhe botuar për herë të parë kjo poezi, frymëzuar nga malli për kohën e ikur, të nxitur e zgjuar pas çdo kthimi fizik dhe imagjinativ të poetit, ka mundur dhe s’ka mundur ta zbërthejë shqetësimin e brendshëm të metaforës-univers të saj: hapësira brenda kurorës malore që e mban në prehër liqenin, hapësira që përshkohet mespërmes nga Drini i Zi, ajo është dhe s’është e poetit. Mbi këtë qenie dhe mosqenie, është zënë, është gatuar opusi letrar i pasur dhe i veçantë i Resul Shabanit... Edhe bashkëbisedimi poetik me peshkun e peshkatarin, me shotën, me rrjetën dhe yjet kapur në të... kanë këtë gjuhë ezopike që, gjeti shteg për t’u përcjellë.
Brenda kësaj hapësire - vatër e pashuar për rishqetësime poetike, do të artikulohen edhe reflekse nga përditshmëria, edhe ato të natyrës intime, që gjithashtu nuk mungojnë në vëllimin me poezi të përzgjedhura - Përsëri për shelgun vajtues të Resul Shabanit.
Shkup, 10 Nëntor 2003
Resul Shabani
Vëllim me poezi të përzgjedhura:- “Përsëri për shelgun vajtues”
NË AMFITEATËR
FLORA E MERMERI
Moreja e largët dhe deti prej kristali,
etja mitike si pirg drite,
e ti jetoje pa dritë, pa ditë, pa net, pa anije,
maje mali me zogjtë e urtë mitologjikë.
Kjo florë e dalldisur, ky det i dashuruar
në brigjet e veta, përherë i vetmuar,
me ç’erë të mbarë e barti anijen
në të katër anët?
Kush? O, kush reciton në skenë?
Ngre sytë dhe shikoj: një det heshtje,
florë dhe mermer.
Oj erë e dashur nga deti që po vjen,
merrmë edhe mua!
More!
PA AKTORË E SPEKTATORË
Kështu ngjau një nate parajsore,
tek i ngrysur po i bëja shoqëri vetmisë sime,
m’u bë se dëgjoja ciatjen e spirancave
dhe u trondita trembshëm.
E ndjeva - po frynte nagapak,
e lëviznin trerët e shtëpisë.
Oj, shtëpi e vjetër me antenë,
me muzikën e prajshme, me shtrat e dritare,
me degën e ullirit dhe lulen e zezë,
me përkëdhelinë e të dashurës mitare
shtëpi, e vjetra shtëpi,
bregliqenore.
Kështu ngjau?
Hapat më shpunë kejit
me shtylla uji e fosfori.
Ishte natë e ishte terr,
isha vetëm e ishte verë;
se kush më tha,
a ma zuri veshi,
se te sheshi
po shfaqej një premierë.
Shpejtova hapin, ndala frymën,
dhe të pash,
vërtet atje në shesh
ishe Ti,
e veshur si mbretëreshë.
PENTAGRAMI ME NJË KËNGË
Shkronjat këtu janë shkraba dhe shenja,
e fjalët heshtje e palexueshme.
Tani flet vetëm pentagrami,
se një dorë dhe një shpirt në ty jetoi,
jetoi,
jeton ende poeti.
Atë që e thotë heshtja jote, fjala ime,
dhe fjala e poetit që vjen të jetojë,
e thotë,
më kot urtësia s’e dëshmoi se thesarët e fshehur
dikush i gjeti atëbotë.
AMSHIMI I HIRIT
KËNDON KUMRIA
A është vonë që njerëzit
i kanë fikur dritat e syve?
Marr të pi - vetëm s’më pihet,
marr të vritem s’më del gjak;
dru e gur zhur o valë
vetëm ngjyrë dhe vetëm pikturë.
Zgjuar eci, mbi vete mjegull;
a është vërtetë vonë,
apo ende s’jam zgjuar i tëri?
Në cilat vite po hynë vitet e mia,
në cilat rrudha, në cilat valë?
A është vërtet kohë e ftohtë,
apo fryn një fllad pranvere?
Ç’po ngjet me shqisat e mia?
Marr të marr rrugë e shtrati
vjen pas meje si anija që fundoset.
Me katërqind duart e mia
mezi i shtërngoj gishtërinjtë e mi.
Këmbët vetë përpara më shpiejnë.
Do të arrij sidoqoftë.
AMSHIMI I HIRIT
Këndej anës sime dëgjova,
ishte zëri yt i dashur;
zëri i tërë fyjeve të botës
që poeti u frynte me mushkëri.
Pa këtë fjalë të ëmbël që shkon pas bagëtisë
çdo gjë jotja do të ishte pluhur e hi.
Në rrugën e marrë verdhësia
s’do të arrinte as deri në tavolinë,
ku shfaqet ngjyra dhe loti.
Këndej, në krahun tim,
pikëllimi pa hala thellimi
i thërret anijet të marrin erën
me velat dhe retë e bardha n’kokë.
Të gjithë shkruanin
e thoshin: do të kthehemi
me fjalën e urtë.
Të gjithë shkruanin letra;
të gjithë zgjoheshin;
të gjithë flinin;
të gjithë pinin ujë;
të gjithë i përshëndesnin
të afërmit e tyre në rrugë.
PAGJUMËSIA
Pagjumësia e poetit
është barrë që s’e mban
frymëzimi.
Shtrati ka këmbë;
këmbët janë ngjitur polip
në letargjinë e agonisë.
Po zallisem, oj nënë!
Faqja ka mbetur
pa puthjen tënde,
letra - pa fjalë.
Qe, shiko, a u çova
dhe hapa dritaren?
Kush hyri - fryma
e më tha:
- Nisu! Nëna të pret
e rruga është e gjatë.
Shtrati ka këmbë
e dhoma ime është pjatë fluturuese.
Po të vete
kë të pyes?
-Fjala s’më del goje
qepallat s’shqiten dot
oj, Nënë!
Çfarë zallie!
Ndoshta jam plot shëndet
e gjumi më shëron.
TRIPTIK
PIKËPYETËSI I PARË
Mugullojnë kërpudhat
nën diellin e ri dhe hijen e vjetër
të Trungut ironik.
Koha zbret me përrenjtë
deri në Detin e Lumit të Thellë,
gijotina prej uji ku e pret.
Ishte i tejdukshëm
muri që i ndante largësitë e paprekura;
ishte i djegshëm
pirgu që ngrihet deri në diell
dhe mbi fjalët e poezisë,
si porosi e lashtë e faunës.
Nga copat e forta të mishit
dhe nga eshtrat e zogjve të mi,
përmendorja e yjeve dhe e diejve
u ngrit mbi një kodër lulekuqesh.
Mugullojnë kërpudhat
në rrënjën e hijshme të filizit,
dhe shirat e largët paralajmërohen me retë
që i prishin kurorat e blerta të pyllit të ri.
Asnjë kohë nuk i përsërit më bukur
motrat e veta të verdha
si kallami i sheqerit.
I mbijetoi në këngë që vala-valës
ia tha në besë liqenit.
Në shtratin e lindjes
kashta e vjetër tani është kalbur,
dhe druri i tijosur i shtratit
është djegur në një betejë dashurie.
Kanë mbetur vetëm dy toptha mesingu
si relikte të një akti të papërsëritshëm.
Zhur e gur,
kasolla në breg dhe moçali,
atje lart plisi i borës-flakë,
majë mali e lusin fushën
t’i bëjë shtrat Drilon lumit.
E lusin malin të hapet
e t’i bëjë rrugë trimit,
që me një kalë përrallash
vjen kallamishtes
e ndalet nën një mollë.
Bora e hollë e zallit saharik
këndej Urës së Qabesë,
kthen trimin e ndjellë nga një fjalë
Nëne me një bijë të pabesë.
Po them:
Asnjë kohë nuk përsëritet më e bukur!
PIKËPYETËSI I DYTË
Lëre ëndrrën e merre grua
më të bukurën mollë fshati,
le ta tjerë me bosht një fije
të gjatë peri, sa rruga e kurbetit;
le t’i thërrasë mëngjes - mëngjes
kumritë e detit
t’i këndojnë këngë vëllait -
atij të vogëlit.
Perin lidhe përdore,
si jetimi me jetimen,
që gjetën rrugë të shpërlarë
me nurin e hënës,
nëpër malin mijëvjeçarë.
Dije, se në mal
mugullon kërpudha helmuese,
por lara e fluturës mbi të si pikturë
ta shfaq përpara parajsën.
Ti nuk je më i kthjellët se liqeni,
më i thellë se uji i tij horizontal.
Nga çatia e përhimtë e bregut
duket oxhaku yt dhe koka jote e lartë.
Unë e di se do të kthehesh,
se je kthyer edhe më parë festave,
kur lumi zinte akull e lulja vesë,
në ditën mes pranverës e dimrit.
Agimet e rrëmbyera si vala
pikojnë nga strehët e shtëpisë sate,
e poeti e merr me një fjalë
këngën e këndezit.
As në këngët e epeve të lashtë,
nuk gjen mëngjes më të bukur,
se möngjesi buzë liqenit,
kur heshtja mërmërit
dhe dielli ujëvarë derdhet
mbi çatinë e kasollës sime.
Po ndërtoj një barkë
me trungjet që ka sjellë
lumi i malit me shtylla bore;
ti futem Drilon Ziut
gjirit të thellë e të kthjellët.
Kah t’ia mbaj me barkën,
kur ujvarë e kam shpirtin
e rrëzohem mbi trupin tim?
E di se një ditë do të kthehesh
se unë s’do të shterrem me pritje,
se jam ujë kaq i thellë.
Merre kthjelltësinë time e më shiko,
a mund të ma prekësh fundin e fjalës,
medet!
PIKËPYETËSI I TRETË
Me kurthin e errët të natës,
me thuprat e njoma të mëkatit
e thura rrugën e largët
të kthimit
oj, Nënë!
Unë s’di të ta shkruaj një letër,
se më është ënjtur gjuha e shkrimit
nga lashtësia e germave
që i mbajta në hejbetë e mia,
andej nga me gishtërinjtë
kërkova një kore buke
të kohës së largët.
Kur do kthehem,
më e vogël se dora,
do më duket shtëpia,
shtëpia ime buzë liqenit,
kështjella prej uji,
që kaq shumë po ma zmadhojnë
kujtimet e përfytërimet.
Ajo del mëngjeseve
nga syprina e liqenit,
e futet në gjirin e ëndrrës
si fëmija jetim
që i qepet mëndeshës.
O, bobo, Nënë, sa shumë kam mall
për syrin tënd të shterur,
që kulloi aq vesë mëngjesit
bashkë me bilbilin në degë.
Nuk e di, nuk e di, nuk e di,
pyetem, pyes e më pyesin,
pikëpyetës më janë bërë
tri dimensionet e rrugës
dhe harku magjik
që ka përmbajtje uji.
Në rebusin me yje
ta nxjerr, si në tepsi,
hartën shpirtërore të liqenit
me një kasollë në zall.
Ngrohtësi e ahurit dimrit
e ruan nën borë lulen e tharë
pa erë e pa rrënjë
e me bukurinë
që në pranverë shndërrohet në flutur.
Rrugën e pata mësuar nga zhuritja e lumit
dhe nisa me Drilonin tatëpjetë;
mal më mal grykave, Nënë
deri te portat me shtylla yjesh
që nuk i prek dora ime
e mallit.
Si të kthehem
kur lumi me mua s’vjen përpjetë?
Uji kthjelltësinë e ka trazuar,
e portretin tim
s’e lexoj dot në syprinë,
si Narcisi në një legjendë.
A jam unë ky, kaq i ri?
pas qindra vjet rrrugëtimi
që e bën etja
me këmbët prej shavari,
duke kërkuar burimin, pellgun, pusin
ku del si prej sise,
si qumësht i bardhë,
Drini i Zi,
zi e zi,
moj Nënë!
Më gjetën në gjumë,
me kokën nën plis dheu.
Mbi duart e mia të mbuluara me gjethe,
në ujin që kishte lëshuar nata me vesë,
kishte mugulluar kërpudha
dhe lulja pa rrënjë.
Një lis, moj Nënë, një lis
hije të vjetër po më bën
në malin që ma ndau rrugën dysh,
rrugën që shpie në zhurin tim.
U lodha në gjumë e pritje
dhe të mbiva si kërpudhë,
në këto fjalë.
Kush e di sa shekuj -
rrënja ime?