E diele, 23.06.2024, 06:42 AM (GMT+1)

Kulturë

Fehmi Kelmendi: Rrëfim për një ngjarje makabre

E diele, 11.03.2012, 03:47 PM


Rrëfim për një ngjarje makabre

 

Nga Fehmi Kelmendi

 

Golgota Kosovare

 

Muzgu zbriste tatëpjetë. Nata afrohej. Gjysmëterr. Errësira filloi të mbulonte tokën arbërore. Rrugët e kryeqytetit  ishin të mbushura plot e përplot me ushtarë, policë e militarë. Edhe qytetet dhe fshatrat përreth qenë mbushur dhe rrethuar prej tyre. Njerëzit ishin mbyllur nëpër shtëpitë e tyre. Rrugëve të qyteteve dhe fshatrave njeri nuk dukej me përjashtim të dy a tre vetëve të cilët i kishte zënë vona duke blerë bukë dhe për t`u furnizuar me artikuj ushqimorë që ndjehej nevojë e madhe, sepse ata nga dita në ditë vinin duke u shtrenjtuar dhe pakësuar. Kriza e përgjithshme filloi të ndjehej në mbarë Kosovën. Por krismat e armëve edhe më shumë i shqetësonin qytetarët. Nga frika dridheshin si thupër. Gjithkah mbizotëronte  paniku dhe kaosi. Dashur, padashur të rinjtë e të rejat tona ia mësyan malit. Tok me nënat që mbanin fëmijët e tyre në krahë. Populli i habitur nuk dinte nga t`ia mbante. Fushata propaganduese njerëzit e hutuar gabimisht i orientonte. Askush nuk dinte se ç’po ndodhte.  Orë e çast pritej se dikush mund të trokiste në derën e shtëpisë së tyre me synim të rrëmbimit të kryefamiljarit ose të ndonjë anëtari tjetër. Një ogur i zi vazhdimisht i përcjellte. Gjatë tërë natës askush nuk i mbyllte sytë. Kush e dinte se si do të gdhihej.

Pushtuesit barbarë kënaqeshin si sadistë kur vranin, therrnin, plaçkisnin dhe djegnin shtëpi e fhstra të tëra.. Ata kur masakronin civilë të pafajshëm: pleq, gra dhe fëmijë e foshnje  bënin orgji. Dhuna e egër e tyre nuk kishte sosje. As që ngopeshin dot duke pirë gjakun e viktimave. Të dehur këndonin këngë shoviniste dhe loznin valle. Prej torturave çnjerëzore banorët vendës u detyruan të braktisnin vatrat e tyre... Nuk kishin forcë të shihnin kur therreshin fëmijtë dhe foshnjet para syve të prindërve të tyre. Lajmi rreth e rrotull qarkullonte se ushtarët dhe policët okupatorë kishin urdhëruar që qytetarët civilë sa më parë të lëshonin vendin.“Djepin e pushtuesit” dhe të thyenin qafën matanë Bjeshkëve të Nemuna. Përdryshe asnjë prej tyre i gjallë nuk do të shpëtonte. Si të ia kthejmë shpinën vendit tonë për t`ua plotësuar dëshirën pushtuesve gjakatarë! Kush ishte ai që mund të lëshonte aq lehtë atdheun e vet të trashëguar nga të parët e vet? Që nga koha e lashtë deri më sot, kushedi se sa dëshmorë kishin rënë brez pas brezi duke mbrojtur atdhenë shumë të dashur e të çmuar!

Mozo më keq! Në luftë për liri dhe pavarësi bijtë dhe bijat tona me qindra herë e ujitën me gjakun e tyre atdheun e bekuar. Vështirë mund të përshkruhet rruga historike nëpër të cilën kaloi populli liridashës e paqëdashës. Asnjë popull tjetër në botë nuk jetoi aq gjatë nën robëri sa ky i stërvuajturi. Pyes përse vallë kështu të e pësojmë? Sikur të ishim popull i mallkuar. Askujt nuk i kemi as hak e as borxh. Të tjerët gjithmonë na kanë shtypur me forcë. Pse nuk kemi pranuar robërinë dot, ndaj vallë jemi fajtorë? Luftërat tona gjatë gjithë periudhave historike kanë qenë të drejta, sepse kishin karakter mbrojtës, e jo pushtues. Edhe kohëve të fundit u detyruam të rrekim armët kundër pushtuesve të egër. Vërtetë ne nuk e deshtëm luftën por ajo na u  imponua. Luftëtarët e lirisë heroikisht dhe me nder mbronë popullin dhe atdheun e tyre të rrezikuar.

Gjatë luftës sonë çlirimtare, një ditë prej ditësh një grua shkoi tek fqinjët e tyre që ishin dalur më parë dhe strehuar nëpër male   duke qarë me dënesë. Ajo iu drejtua njërës prej grave të komshive  me këto fjalë: motrat e mia po thojnë se ne patjetër duhet të largohemi nga vatrat tona, edhe atë sa më shpejt, sepse kështu paskanë urdhëruar xhelatët. Nxitoni! Njëra prej grave e tronditur e pyeti: Po ku do të shkojmë motra ime? Kudo që të jetë veç këtu të mos jemi, iu përgjigj gruaja e trishtuar. Kur u dëgjuan fjalët e tilla ato u shtangën. Lotët faqeve tatëpjetë u shkonin rrëke. Të mjerët çka na gjeti. Edhe vendlindjen po duhet me e lëshua mendonin më vete. Një nënë  e shastisur pasi pushoi një çik me lot ndër sy tha që të vishnin rrobat e trasha kur të dilnin hovshëm nga shtëpia. Disa gra që kishin dalur  në ballkonin e shtëpisë së tyre për të vëzhguar se ç’po ndodhte rreth e përqark, u detyruan sakaq të largoheshin prej të shtënave të armëve të lloj-llojta. Civilët e detyruar grumbull  iknin porsi mizat e bletës kur dalin nga kosherja. Dalja nga shtëpia pëcillej me vaj. Tani, thonin po ia lëmë armikut krejt të gatshme.

Çilu tokë e të hymë të gjallë në ty, siç thotë populli. Me vete morën vetëm ca raqe dhe ia kthyen shpinën shtëpisë, vendlindjes dhe atdheut të lashtë. Duke qarë përsërisnin fjalët: lamtumirë vendlindje e dashur, lamtumirë atdhe i çmuar, lamtumirë shtëpi e vjetër. Dikush thërriste si në ëndërr: ku jeni duke shkuar o ju të mjerë. Kujt po ia lëni vendin.? Gjatë gjithë kohës i mundonin halucinacionet. Në ikje nuk kërkohet shpëtimi po në qëndresën heroike. Rrugës kolona e njerëzve të ikur sa vinte rritej. Gjatë odiseadës hasën në shumë peripeci. Policët e maskuar çirreshin si bisha. Ata i ndalnin të ikurit shpesh rrugës gjatë udhëtimit. U kërcënoheshin duke kërkuar të holla me kusht që të shpëtonin kokën. Kërkonin marka gjermane. Kërkonin gjithashtu edhe gjëra të çmuara. Sjelljet e tyre ishin tejet të vrazhda. Ata që nuk kishin mjete transporti përjetuan kalvarin më të madh. Disa ecnin këmbëzhbathur, disa ishin të veshur dobët, ndërsa kishte edhe të sëmurë, të etur e të uritur, pleq, plaka, fëmijë e foshnje. Kur mendon për ata trupi të rrënqethet. Shiu binte pa ndërprerje. Kushtet e vështira atmosferike dyfishonin mënxyrat e papara. Aty-këtu u dilnin  ushtarët dhe policët duke i sharë, kërcenuar dhe poshtëruar.

Malet dhe bjeshkët ishin të mbuluara me dëborë. Druanin se diku mund të rrokulliseshin. Jo rrallë u vinte ideja që më mirë do të ishte sikur të pranonin vdekjen se sa të iknin nga vatrat e tyre stërgjyshore.Me të drejtë thuhet se atdheu është më i vlefshëm se jeta. Me këtë ideal të lartë kombëtar u nisën në luftën trimat çlirimtarë.Ata, zoti i bekoftë, rrekën armët dhe me gjak çliruan atdheun e okupuar. Lavdia, nami dhe nderi në rend të parë atyre u takon. Ata në krye me komandantin legjendar krijuan një epope të re në historinë e bujshme të popullit të pamposhtur. Forcat e armikut të përbetuar kërkonin prej tyre armëpushim. Pushtuesit duke i torturuar civilët kërkonin prej tyre informata rreth luftëtarëve të lirisë. Por, polemi kishte hallet e veta. Secili përgjigjej se asgjë nuk dinte  dhe se as që kishte pasur ndonjëri prej tyre ndonjëherë kontakt me ta. Kështu veprohej për shkak të konspiracionit. Kurse mes vete njerëzit; gratë e burrat, të rinjtë e të rejat, madje edhe fëmijtë, bisedonin tinëz duke përkrahur luftën çlirimtare. Nga mesi i natës diku në rrugë disa ushtarë të armatosur deri në dhëmbë ua prenë udhën duke i pyetur se ku shkonin duke u shtirë se kinse ata nuk dinin gjë lidhur me shpërnguljen tyre.

Si nuk kishin dijeni! Ashtu u takonte atyre me u shprehë. Njerëzit i zbritnin nga makina me pretekst se kinse dyshonin se ata posedonin armë. Gratë dhe fëmijtë nga frika aq tronditeshin sa që u dukej se u përmbys bota. Shumë prej tyre nuk e kuptonin gjuhën e pushtuesve. Ata në pyetje vetëm  i rrudhënin  krahët duke u përgjigjur në gjuhën amtare nuk di. Meqë se nuk e kuptonin fare gjuhën e tyre, ata thonin atëherë shkoni në rrotë të së ëmës. Falë fatit disa disi shpëtuan nga kthetrat e armikut. Mikëpritja e vëllazërve nga shteti amë,sidomos ajo e familjeve bujare, që i befasuan të ikurit nga vendi i tyre  ka qenë shembullore. Edhe gratë të tjera që vinin varda nga vendlinda  e që nuk pushonin dot nga vaji, lavdëroheshin për mikpritjen  e tyre. Të lodhura e të rraskapitura me fëmijtë e foshjet e tyre në krahë as vetë nuk ishin në gjendje të tregonin për peshën e vuajtjeve. Le të na kujtohet poeti ynë i mjerimit, Migjeni, i cili diti shumë bukur të përshkruante vuajtjet e hallexhinjve. Sikur ai sot të ishte i gjallë do të përshkruante këtë tragjedi të pashoqe. Në shtëpitë ku ishin  vendosur, si nikoqirët, ashtu edhe anëtarët të tjerë të familjeve, kishin konsideratë të jashtëzakonshme ndaj musafirëve.

Megjithatë, të strehuarit në shtetin amë  gjumi nuk  zënte duke menduar më të keqën për fatin e atyre që ishin në mëshirën e armikut. Ata nuk gajloheshin për vete, sepse ishin në vend të sigurtë, por për motrat dhe vëllezërit e tyre se dikush po e jepte edhe jetën, për çlirim, liri dh pavarësi. Ndërsa të tjerët  rrinin brenda nëpër shtëpia. Disa madje edhe iknin nga lufta. Le të  përkujtojmë fjalët prekëse të himnit të flamurit tonë kombëtar: ”Nga lufta veç ai largohet që është i lindur tradhtar.” Mërzia i kishte kapluar të gjithë të ikurit. Por duke iu falenderuar saktificës së trimave luftëtarë ata u kthyen në shtëpitë e tyre. Mënyra e jetesës së njerëzve të ikur e të vendosur nëpër vise të ndryshm, ishte tejet e rëndë... Aty  refugjatët qëndronin në çadra të vogla togje-togje të ngjeshur si krandet e qibritit. Për ta  ishte më mirë sikur të mos shkonin atje fare. Ditët, javët dhe muajt kalonin. Kur u dëgjua lajmin se sipas marrëveshjes së Kanës ushtria dhe policia pushtuese  do të tërhiqeshin nga toka e tyre, të gjithë brohoritët: Rroftë liria dhe pavarësia!

Por sa ishin të gëzuar, aq edhe të brengosur, sepse nuk dinin për fatin e njerëzve të masakruar, të humbur dhe të zhdukur. Kur arritën të ikurit në shtëpitë e tyre panë dramën e papërshkruar. Shumë shtëpi, e fshatra ishin bërë shkrumb e hi dhe rrafsh me tokën. Shkatërrimet vandaliste, përdhunimet, djegjet dhe plaçkitjet ishin evidente. Çdo gjë ishte shndërruar në hi e pluhur. Pamja ishte e llahtarshme…



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora