E premte, 04.10.2024, 03:05 PM (GMT+1)

Kulturë

Flet pedagogia, shkrimtarja dhe poetja Eva Gavani

E diele, 11.03.2012, 02:10 PM


“Emancipimi i femrës nuk fillon nga moda!...”

 

Nga Albert ZHOLI

 

Është lindur në qytetin e Vlorës në një familje intelektualësh. Shkollën fillore dhe atë të mesme e ka kryer në Vlorë. Që herët është dalluar për shkrime e për poezi të mira të vlerësuara nga poetë vlonjatë, por edhe në konkurset e zhvilluara pranë Radio-Tiranës. Në vitet e shkollës së mesme ka shkruar edhe publicistikë në mënyrë të vazhdueshme në faqet e gazetës lokale "Zëri i Vlorës". Studimet e larta i ka mbaruar në vitin 1988 në Universitetin e Tiranës për degën Kimi. U duk se në ato vite e la pas dore letërsinë, mbasi profesioni, familja, fëmijët donin kohën e tyre. Në vitin 1998 botoi librin e parë me titull "Kam mall" një përmbledhje me poezi e disa tregime. Më pas ajo ka shkruar edhe 7 libra të tjerë. Në fushën profesionale si kimiste punon pranë Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave dhe pedagoge në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Është në fazën përfundimtare për marrjen e titullit Dr. në Kimi. Është autore e parë e një sërë artikujsh shkencorë botuar brenda e jashtë vendit në revista shkencore.

Ka filluar të shkruajë që në fëmijërinë e hershme. Siç thotë, atëherë mahnitej pas përrallave që i tregonte nëna e saj, ndërsa në kopsht improvizonte situata të ngjashme me përrallat që i kishin treguar. Eva beson se, që atëherë kish lindur tek unë ajo dëshira për të krijuar diçka vetë, bazuar natyrisht në fantazinë e saj.

Cila ka qenë poezia e parë dhe kujt ja keni dedikuar?

Poezia ime e parë ka qenë me sa më kujtohet për mësuesen time, e cila nxitoi ta publikonte atë në këndin e shkollës. Mu duk një arritje e madhe në atë kohë isha a s'isha 9 vjeç. Kam shkruar një poezi për Enver Hoxhën me të cilën fitova një çmim të parë në konkursin e Radio Tiranës në vitet e shkollës tetëvjeçare e më pas në vitet e gjimnazit një poemë të tërë. Gjithsesi ishin të bukura për kohën. Të shtoj edhe diçka për këtë pyetje tuajën, në atë kohë të mos shkruaje për Partinë nuk të evidentohej talenti, edhe nëse kishe talent do të të thoshin që: herës tjetër duhet të shkruash një poezi të bukur për Partinë.

Vlora, qyteti i lindjes, i njohur për ndikim te banorët e tij, çfarë iu ka dhënë juve?

Është e drejtë ajo që thoni ju. Dhe kjo lidhet mbase me klimën, pozicionin gjeografik, gjiret dhe hiret e Vlorës fakti që vlonjatët edhe po s'qenë poetë, piktorë a artistë të mirë e të evidentuar, dinë të flasin bukur të këndojnë bukur madje edhe pa orkestër, të vallëzojnë bukur etj.. Vlora gjithmonë ka nxjerrë artistë që i janë mirënjohës asaj vetë për frymëzimin gjenetik.

Talent për poezi dhe tregime, por studiuat për Kimi, përse ky kapërcim?

Eh, ky kapërcim atëherë më lodhi edhe mua. Veç faktit që në atë kohë merrej për bazë mesatarja shumë e mirë për shkencat ekzakte e pavarësisht dëshirave apo prirjeve që mund të kishe, mua nuk mu la shumë hapësirë zgjedhjeje sepse isha bursa e tretë në familje. Vëllai e motra ime e kishin fituar atë më parë vëllai për ekonomik e motra për piano. E jetova gjatë këtë kontradiktë në fillimet e studimeve po më pas u mësova.

Emërimi mbas studimeve i plotësoi dëshirat tuaja, apo..?

Unë mbeta në Tiranë në vitet e fundit të studimit. Fillimet e mia si kimiste lidhen me Uzinën e Antibiotikëve që më pas u mbyll.

Cilët kanë qenë idhujt tuaj në fushën e Kimisë dhe si ju kanë paraprirë në jetë?

Nuk kam pasur idhuj, por me që po ma kujtoni po përmend adashen time Eva Kyrin. Në fakt si çdo student idhuj janë pedagogët e mirë. Unë kam pasur fatin e mirë të kem pedagogë me emër në fushën e akademisë me një pjesë të të cilëve bashkëpunoj akoma e mendoj se brezi im i gjithi ka qenë  me fat.

Sot a e mendoni se të qenit kimiste është profesioni juaj më i mirë që ju ka dhënë qetësi shpirtërore, emër dhe të ardhura të mira?

Tani e dua shumë profesionin tim jo për emrin as për qetësinë shpirtërore e më pak për të ardhurat, por profesioni im do pasion e mua k jo nuk më mungon. Pastaj me këtë profesion kam mbajtur me dinjitet familjen e kjo më jep vërtet kënaqësi.

A je ndjerë e nënvleftësuar në momente të veçanta nga njerëz të paaftë dhe si ke reaguar?

Shpesh jemi të rrethuar nga njerëz të paaftë që paaftësinë e tyre e kthejnë në mllef. Nuk ke si reagon me qetësi, natyrisht me gjithë përpjekjet për të mbajtur ekuilibrat e duhur.

A është e vështirë të jesh pedagoge dhe nga ana tjetër më mirë krijuese apo kimiste?

Unë i dua të tria këto, janë tashmë jeta ime. Detyra ime është që t’i realizoj të trija pa harruar cilësinë. Të them që janë si tri ura që më lidhin me jetën e larmishme apo si tri rreze që më gjenerojnë energjitë.

Thuhet se mitmarrja ka përfshitë një masë të madhe pedagogësh, cili është mendimi juaj për këtë veprim tërësisht shqiptar?

Sinqerisht, aty ku unë jam, nuk kam parë apo dëgjuar asnjë rast të tillë. Mendimi im është një: dinjiteti nuk blihet edhe dija gjithashtu, të dyja fitohen.

Femrat kimiste, poete a janë më xheloze dhe egoiste se meshkujt brenda profesionit?

Këtë nuk e di. Kjo varet nga natyra e njeriut. Unë besoj që xhelozia në profesion nuk ka seks.

Në fushën e krijimtarisë, ku ndiheni më mirë si poete apo si shkrimtare?

I dua të dyja njëlloj, nuk mund t’i ndaj tani.

A ndihet e vlerësuar sot femra shqiptare?

Femra shqiptare për ditë e më shumë po e fiton vlerësimin që shoqëria i ka borxh asaj.

A është ende maskiliste shoqëria shqiptare?

Shoqërisë shqiptare i duhet akoma shumë kohë të dalë nga maskilizmi, për sa kohë harbutëria mund qytetërimin maskilizmi do të lulëzojë.

A është marrë me politikë Eva dhe pse?

S’e kam në planet e mia ndonjëherë politikën. Kjo sepse nuk shoh garë të ndershme në politikë.

Cili është problemi më i rëndësishëm i femrës shqiptare sot?

Mendoj se vetëvetja. Femrat shqiptare janë të zgjuara të kuptojnë që emancipimi i tyre nuk fillon nga moda...

Çfarë vlerësoni tek njerëzit?

Tek njerëzit vlerësoj qëndrueshmërinë e karakterit e të qenit të vërtetë, (kjo do të thotë që mos të shtiren për atë që s'janë)

Motua në të cilën udhëhiqeni në jetë?

Kam më shumë se një moto në jetë e do përpiqem ta përmbledh me pak fjalë. Të sistemoj çdo gjë në kohën e duhur, që nga e djeshmja të marr mësimet e duhura në mënyrë që e nesërmja t'i takojë të ardhmes.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora