E merkure, 24.04.2024, 09:55 PM (GMT+1)

Kulturë

2 Poezi nga Niko Kacalidha

E merkure, 07.03.2012, 08:02 PM


Niko Kacalidha

 

 

Krishti u kryqëzua në Leshnicë

 

Krishti u kryqëzua në Leshnicë*

dhe gjithë e përpjeta gjer në buzë të muzgjeve

                                    të nxirte në Gogotën time,

me lulekëmbana të rëna nga shëtitja e epitafit.

 

Kryqin ja dhanë stërgjyshit tim dhe e mbarte mbi shpinë

me një peshë të tmerëshme të fatit.Dhe u zbardh

                                brenda një nate.

 

Gjyshja ime ishte vetë Shën Mëria e borzilokut

                             dhe e dhimbjes së përgjakur

që vuri kujën në shpellat e mia të shpirtit

                       dhe u bë ikonë e shtëpive tona

dhe ajo erë e marë që fryu mbrëmë ishte

                                             erini e saj e kujes.

 

Krishti u kryqëzua në Leshnicë

dhe gozhdët i kërkuan hua nga yjet e Kashtës

     së Kumtrit që na rri mbi krye

     dhe pikoi gjaku mbi shegët e egra.

Dhe qirinjtë i kërkuan hua për ringjalljen

       nga yjet e Asterisit.

Dhe ciklaminet  për kurorë nga agullimi ynë.

 

Krishti u kryqëzua në Leshnicë.

Dhe në Leshnicë do të ringjallet së vdekuri

            sipas ungjillit të gjyshes.   

 

*Leshnicë-vendlindja e autorit

 

 

Ma mori gjyshen Maji

 

Ma mori gjyshen maji dhe s’arita ti çoja

    pakon e kafesë për llogari të majit.

 

Xhezveja bosh e heshtjes, varur në

                          gozhdën e dhimbjes.

 

Filxhani i përmbysur i fatit me mijëra

                                udhë të pathëna.

 

Ma mori gjyshen maji dhe i preu kostumin e

                       kumbullës. Se s’donte ta çonte me

   shaminë e tretur të saj, të zezonës.

 

Ma mori gjyshen maji  shtegut të drurëve.

      As me kafe s’e ngopa fisnikërinë e

      rrudhjes.

 

Ma mori gjyshen maji dhe nuk e la të ecte

      se mos pikëllonte jaseminin.

 

Ma mori gjyshen maji si n jë pendë të lehtë

         për të firmosur qiellin,

dhe :’’ Ku e kam Nikon ? Prisni ti mar leje

         Nikos ’’ i thoshte majit.

 

Qiriri i qiparizit në asterisin e mbrëmjes

    përnatë i ndezur për të brenda meje.

Dhe është fryma e saj, puhiza që endet mbrëmjeve

                                 në gjethnajën e drurëve, përbri

                                 shtëpisë sime.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora