Kulturë
Nimfa Hakani: “Kosova”!
E diele, 04.03.2012, 07:54 PM
“Kosova”!
Një Emër për vajzën time!
Nga Nimfa Hakani
Babë,
Ti doje që “Kosovë”
t’a quaja time bijë
Kur,
më Prill 81
vajzat e djemtë e Kosovës
për lirinë e saj u ngritnë
e unë shtatëzanë isha
me të dytin fëmijë.
Nuk të kundërshtova,
për respekt,
dhe,
përse s’e dija ende,
gjininë e fëmisë,
Por vajzën,
në qoftë se fëmija,
në bark të tim e till ish,
emrin “Kosovë” t’i jepja ,
dëshirë nuk kish!
Dhe dita erdhi,
dhe vajzë ish vërtet,
Shumë emra,
u dhanë,
nga të gjithë ata,
që në këtë ngjarje të vecantë,
donin të ishin pjesë.
Dhe ti babë,
përsëri, më autoritetin tënd,
me zë pak të dridhur kërkove,
(ti e dije që një kërkesë,
e pazakonëshme ishte),
që unë “Kosovë” t’a quaja,
atë qënie të njomshtë,
që botën ende,
s’ishte në gjëndje,
t’a perceptonte.
. . .
Libra,
unë kisha hulumtuar,
që kur ende isha,
vajzë tepër e re
emra të vecantë kërkoja,
për të ardhëshmit,
fëmijët të mij.
Dashuri,
të paspjegueshme kisha,
për ato qënie ,
që pjesë e mishit tim,
një ditë do të ishin
kur unë ende nuk dija,
se si një fëmijë vinte në jetë!
Për djalë, emrin,
e kisha gjetur ,
që në klasë të tetë,
“Ergysi” i Bilal Xhaferrit,
në shpirtim tim,
përherë kishte mbetur.
Por asnjëherë e kënaqur,
s’kisha qënë,
me ndonjë emër vajze,
për një bijë,
që vetëm,
në ëndrat e mija jetonte.
. . .
Kur shtatëzënë,
me fëmijë të parë isha,
një ditë,
në fund pranvere,
tek ju për vizitë,
Babë unë erdha,
Gladiolat shumëngjyrëshe,
në lulëzim kishin shpërthyer,
në të dy anët e rrugicës
përpara shtëpisë.
Ndalova një copë herë,
shpërthimin pranveror,
të admiroja
dhe dilema ime, më në fund
lehtazi,
në cast u zgjidh.
. . .
Por Babë,
ti me këmbëngulje,
përsëri mu lute,
këtë radhë me zë të ngashëruar:
Që Kosovë,
Unë kërthisëzën time të vogël,
t’a quaja,
në nderim të tokës së amëshuar
grabitur kaq padrejtësisht,
nga trupi i Shqipërisë së rrënuar!
Si atë ditë!
Kurrë më parë,
për asgjë ti s’ishe lutur,
Si atë ditë!
Zëri kurrë më parë,
s’të ishte tutur.
Dhe unë,
u lotova, e me zë pak të lartë,
e emocionuar,
megjithë zhgënjimin e plotë,
në tënden fytyrë të rudhur,
( shprehja e fytyrës time,
ishte një përgjigje),
E vendosur ,
me pasion t’u përgjigja:
Jo, Babë!
“Kosovë” vajzën
Mos më bëj ta quaj!
Nuk mundem vajzën ,
“Gjak “ t’a thërras!
Çdo gërmë e fjalës Kosovë,
gjak të ngrohtë kullon !
Vuajtje të thella,
tingëllimi i fjalës Kosovë,
kaq shumë përçon!
Emrin tim,
nga mitologjia greke,
mua ma zgjodhe!
Pas “Nimfave të Shkumbinit”,
të Haxhiademit,
ti më pagëzove!
Dhe vajza ime,
një emër të bukur do të ketë,
një emër luleje,
që si lule në Jetë të jetë.
Dhe ashtu si ti,
mua më mësove
Kosovën tonë fort t’a dua,
e në zemër, thellë t’a mbaj !
Ashtu dhe Gladiola ime,
Kosovën,
fort do t’a dojë!
Dhe atë tokë të vuajtur
në zemrën e saj,
ashtu si unë,
Përherë do t’a adhurojë!
Shkurt, 2012