E premte, 29.03.2024, 11:32 AM (GMT)

Kulturë

Ahmet Selmani: Variacionet e misterit

E enjte, 01.03.2012, 07:56 PM


VARIACIONET E MISTERIT

 

Moikom Zeqo: “Klepsidra” (parabola misteri), botoi “Toena”, Tiranë, 2011

 

Shkruan: Ahmet Selmani

 

·                     Parabola arketipore

Përpjekja për ta gjetur një pikë kryesore në librin “Klepsidra” të Moikom Zeqos, me sa duket, gjithnjë na shpie drejt një epiqendre të caktuar. Dhe kjo patjetër bëhet e vetëmjaftueshme për të qëndruar si një rrafsh metaforik ku ndërlidhen të gjitha fijet me të cilat ndërthuret vepra në fjalë. S’do mend, i tillë është edhe vetë titulli që përmban ky libër, pra klepsidra, e që njëherazi mund të shihet se është edhe titulli i një proze të përfshirë aty. Kjo nënkupton faktin se, nëpërmjet tregimit për klepsidrën, veglës antike për matjen e kohës, autori arrin në mënyrë programatike ta ndërtojë kontekstin e përgjithshëm, parabolën arketipore dhe shllimin paradigmatik të tij, gjithmonë duke e bashkuar kohën astronomike me atë artistike.

Si rrjedhojë del se kjo është një tendencë relativizuese për ta vendosur dhe zhvendosur çdo gjë brenda një kozmogonie të caktuar. Sido që të vrojtohet ecuria e këtillë, na bëhet e qartë se zbulimi i një klepsidre në një varr të nekropolit të Durrësit, shndërrohet në temë qendrore, duke shërbyer si një palimpseset enigmatik ose si një emblemë palimpsestike, siç e quan vetë autori. Me anë të saj i shpall luftë kategorisë së kohës si ekskluzivitet astronomik, në radhë të parë duke krijuar sfidën e tij të pashmangshme për ta zhvilluar një lojë të pafund; në njërën anë duke e fiksuar atë si një parametër historik, si ndodhi konkrete në rrethana të njohura, që gjithsesi kundrohet brenda suazave të kapshme dhe, nga ana tjetër, duke e përplasur çdo gjë në shtjellën e përfytyrimit artistik, në sferën e manifestimit shpirtëror, aty ku ndodh shtegtimi universal, i cili është i paarritshëm dhe i pakufishëm.

Detyrimisht, në bazë të kësaj edhe klepsidra bëhet figura themelore e M. Zeqos, me të cilën na fut a priori në botën e tij jashtëzakonisht të pasur dhe marramendëse, ku sendet përmbysen me lehtësi nga poshtë – lart, dhe anasjelltas, nga lart – poshtë, si një riciklim sui generis, me të cilin ai mëton të krijojë vizionin e gjithëkohësisë ose që orvatet me një finesë të rrallë ta zhdukë atë në suaza të rrafshit artistik. Pra lëvizja e këtillë bëhet në mënyrë shumë të natyrshme, por që është kërcyese, zhvendosëse, asgjësuese, rikthyese. Siç thotë T. S. Elioti, koha e tashme dhe koha e shkuar janë të tashme ndoshta në kohën e ardhshme, ndërsa koha e ardhshme ka ndodhur në kohën e shkuar. Kështu del se koha e humb rëndësinë e saj konvencionale, por realisht e fiton rëndësinë artistike.

Autori, të gjitha tregimet dhe esetë e tij i quan parabola misteri, me qëllimin e vetëm që ato t’i trajtojë në mënyrë sa reale aq dhe hipotetike, duke i lëvizur në rrafshin e dritëhijes. Vetë termi parabolë këtu merr kuptim të plotë letrar e zhanror, bëhet rrëfim i përsosur alegorik, sigurisht si një rrokme për ta riformësuar atë në aspektin e një kompozimi modern. Madje, qoftë edhe si një term gjeometrik, këndej vetvetiu del se parabola është një vijë e lakuar dhe e hapur, ndarëse dhe bashkuese njëkohësisht, është pjesë dhe tërësi, formë dhe përmbajtje, sepse në fund, prapsëprapë, mbetet vetëm misteri si element mbizotërues që shtrihet brenda kufijve të qartësisë apo edhe të enigmës që paraqitet.

·                     Njësimi i paradokseve

Duke e ndjekur vijën horizontale të librit “Klepsidra” të M. Zeqos, pra renditjen e ngjarjeve që janë gërshetuar sipas një logjike pak a shumë jetëshkruese, në përgjithësi mund të themi se kemi të bëjmë me një sublimim empirik të dijes dhe të fantazisë së autorit. Na krijohet përshtypja sikur ai vazhdon ta plotësojë me ngulm këtë vijë të ndërlikuar të cilën e ndjek, thjesht aktin shkencor duke e shndërruar në një akt artistik.

Prandaj mund të konstatohet qartë se në këtë mënyrë i rikuptimëson gjërat që kanë të bëjnë me përvojën e tij intelektuale dhe krijuese, me qëllim që edhe lexuesit t’i japë një mundësi tjetër perceptuese, domethënë krejtësisht të lirë dhe të kapshme.

Meqë të gjitha këto shfaqen si një kronikë ose si një ditar shkencor, aq më tepër ato e forcojnë idenë heterogjene, si një mishërim apo pleksje të re brenda optikës së autorit që synon ta ndërtojë botën e tij përplot qasje empirike dhe artistike.

Kështu edhe personazhet dhe ngjarjet e shumta bredhin fare lirshëm nga njëra kohë në tjetrën, pikëtakohen në aspektin ontologjik dhe gnoseologjik, me forma të ndryshme, por me përmbajtje të njëjta. Ato nuk kanë as fillim e as mbarim; sa janë reale po aq janë edhe imagjinative, sa janë materiale po aq janë edhe shpirtërore. Rëniet dhe ngritjet e tyre janë gjëja më e zakonshme dhe më normale që ndodh gjatë trajtimit.

Teksa i kundrojmë brenda prozave dhe eseve, ato na krijojnë pamje e ndjesi të panumërta. Bie fjala në prozën “Gra mistike” e shohim asketen Maria egjiptiane tek udhëton nëpër kohë dhe hapësira të ndryshme, herë duke u zhdukur e herë duke u shfaqur, për të na lënë vazhdimisht një përshtypje të njëjtë; te “Princi Hirtigr” po ashtu realiteti dhe imagjinata bashkohen duke i thyer të gjithë kufijtë e mundshëm; edhe muzikanti Karion nga Dyrrahu që shfaqet nga gojëdhënat, ndjek të njëjtat lëvizje në vështrimin krijues të autorit; edhe fantazma e shqiptarit Jusuf nga Leskoviku zgjohet nga mbishkrimi i një shpate për të ardhur deri në ditët tona; nëpërmjet figurës së famshme të Don Kishotit zbulon paraardhësin e tij shumë më përpara se të kishte lindur; mandej urata e Migjenit për vitin 1937 rishfaqet si paralelizëm dhe si paradoks edhe në vitin e mbrapshtë 1997; ëndrra tronditëse e Andrea Manesit se Perandoria Osmane nuk i takonte sulltanit por atij vetë, të cilën e shpall para popullit, ndërton një lojë për të ardhmen; vetëvrasja e Llazarit, këtij bashkëkohësi të Krishtit, i kundërvihet mrekullisë së ringjalljes; murgu Argan që zbulon dorëshkrimin anonim ku flitet për simbolikën e peshkut, na shpie në dy botë të ndryshme; udhëtimi fantazmagorik i arkeologut anglez Nikolas Hamond për ta gjetur shtëpinë e lagësht të Hadit, na zbret në rrafshe reale dhe konkrete; biseda midis priftit shqiptar Gjon Buzukut dhe dijetarit francez Guijome Paskal si dy persona të krishterë dhe heretikë, beftas na puq në një rrafsh ku ndeshet fati i përbashkët; edhe murgu Nifon si thithës i librave, i cili bymehet gjersa pëlcet, na përplas në një gjë tepër thelbësore; muzikanti i verbër Hoiçi, të cilit ia presin veshët, por që i mbetet trupi ku është shkruar teksti i Sutrës së Shenjtë, po ashtu na krijon ndjesinë e një realiteti grishës etj.

Në të vërtetë, të gjitha këto personazhe i thyejnë ligjet e jetës dhe të vdekjes njëkohësisht, lëvizin gjithandej me bëmat interesante, përmbysen në mënyrë klepsidrike nëpër hapësira të ndryshme gjeografike, jo duke e shënuar kohën si një pikë kalendarike, por duke e sfiduar atë në të gjitha aspektet. Pra e rëndësishme është ndërlidhja ose ngjasia midis tyre, perceptimi që ngjallet nga kundrimi i tyre. Ata vijnë nga librat dhe dija, nga leximet dhe ndjesitë, nga kujtesa dhe takimet etj. Si të tillë korrespondojnë vetvetishëm me situatat dhe përplasjet, njëjtësohen brenda një tërësie të përbashkët, njëherë shfaqen si paraardhës të njëri-tjetrit, por herën tjetër edhe si pasardhës. Dhe pavarësisht nga kjo ringjallje e kundërt apo përmbysje ciklike, ato e ruajnë paraqitjen e tyre thelbësore, nuk zhduken kurrë në tërësi, por vetëm transformohen, përcjellin të njëjtat kumte dhe vizione universale. Ose, megjithëse ngjajnë si dukuri paradoksale të vetvetes, në esencë prapë arrijnë të njëjtësohen gati plotësisht, të paktën duke e ruajtur embrionin kuptimor dhe filozofik.

Në të gjitha ngjarjet e trajtuara jeta dhe vdekja shfaqen jo si dy pole të kundërta, por si dy fenomene shumë të afërta; ato e plotësojnë njëra-tjetrën, japin kuptim të ndërsjellë, krijojnë ndjeshmëri, i lëvizin gjërat, sigurojnë vazhdimësi etj. Kështu ia dalin të krijojnë mozaikun e mundshëm, motërzimin autorial për ekzistencën e tyre në kontekstin universal.

·                     Misteri si vizion

Ajo që mbetet si nyja më intriguese e këtij libri, pa dyshim është elementi i misterit qoftë si temë, qoftë edhe si vizion. Pra autori pikënisjen e tij e ka te ngjarjet që pak a shumë kanë karakter të mistershëm, për t’i zhdrivilluar ato me një intuitë dhe imagjinatë të jashtëzakonshme. Dhe për sa i përket gjithë kësaj, ndonëse duket që shtjellimi është i gjerë dhe i thellë, prapëseprapë nuk arrijnë të shterohen në kuptimin e një qartësie absolute. Edhe pëkundër asaj që ndodh gjatë rrëfimit të vazhdueshëm, përsëri misteri mbetet i njëjtë, fillimi asnjëherë nuk është fund, përmbysja nuk është asgjësim. Në të vërtetë, edhe atëherë kur gjërat që i trajton, i merr si zbulime të gatshme, prapëseprapë i shndërron në mister, duke krijuar një motërzim artistik për ta, pra supozimin e mundshëm, ose duke hedhur një shkëndijë dyshimi apo pasigurie, thjesht për të na e ndezur përfytyrimin edhe më tepër.

Dhe kjo pikëpyetje e shtruar na shpie drejt të panjohurës, e cila bëhet gjithnjë e më joshëse. Kështu, i gjithë misteri rishtazi mbetet si materie e pashtershme që i përket gjithkujt dhe askujt, edhe të veçantës edhe të përgjithshmes. Prandaj mënyra e këtillë e trajtimit hap një vizion dialektik për lëvizjen dhe qarkullimin e ideve dhe veprave nëpër kohë dhe hapësirë, për të dëshmuar se ato riciklohen, rishfaqen, ringjallen, plotësohen. Ndaj, pikërisht si të tilla, janë gjithënjerëzore dhe universale; ato gjenden në një vend të caktuar vetëm rastësisht, por kjo assesi nuk do të thotë se kanë lindur vetëm aty. Pra nuk dihet saktësisht lindja dhe vdekja e tyre, por dihet vetëm ekzistenca e gjithëkohshme.

Mbase me këtë lojë kaq të hapur autori e ndërton filozofinë e tij artistike për ekzistencën e ideve dhe koncepteve që kanë bëjnë me realitetin njerëzor në përgjithësi. Në këtë pikëpamje njeriun e bën vetëm bartës apo vëzhgues, përjetues ose rikrijues të tyre.

Për nga konteksti del se këtu misteri është zbulim, dhe anasjelltas, zbulimi është mister. Ose, gjithçka e trajtuar është lexim dhe shqyrtim i një palimpsesti ekzistencial, të cilin autori e përdor si një utopi të pafund. Për këtë arsye loja e këtillë vazhdon gjer në pambarim për t’ia lënë lexuesit që edhe ai të bëhet pjesë e saj. Në fund të fundit, kështu mbushen zbrazëtirat brenda universit njerëzor e historik, plotësohen të gjitha mungesat që ndihen, por njëherazi shpërndahen edhe plotnitë, zhvendosen nga strofullat letargjike. Lëvizja e lirë sjell freski, të pasuron, ndërsa mbyllja, fjetja shkakton ankth, pasiguri. Misteri i M. Zeqos është variacion shumë relativ, i plotësueshëm dhe i ndryshueshëm; ai jeton brenda gjithëkohësisë për ta mbajtur gjallë njeriun në kuptimin shpirtëror dhe për ta tërhequr atë si me magji që të identifikohet në situata të nduarnduarshme.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora