E hene, 29.04.2024, 05:22 AM (GMT+1)

Kulturë

Mark Vuji: Vetëvlerësimi mësimor (I)

E marte, 28.02.2012, 08:58 PM


AKADEMIA E SHKENCAVE TË EDUKIMIT

 

MARK VUJI

 

VETËVLERËSIMI

MËSIMOR

 

KULTURA E TË NXËNIT

SERIA  3

 

TIRANË,  GEER, 2012

 

PROF. AS. DR. MARK VUJI

 

VETËVLERËSIMI MËSIMOR

OSE

TË NXËMË, TË SILLEMI E TË KOMUNIKOJMË ME TË TJERËT, DUKE KONTROLLUAR RREPTËSISHT VETVETEN, MBËSHTETUR  DHE NË DRITËN E OPINIONIT SHOQËROR

 

Titulli:

VETËVLERËSIMI MËSIMOR

 

Autori:

Prof. As. Dr. Mark Vuji

 

Redaktor shkencor:

Prof. As. Dr. Qazim Dushku

 

Korrektues letrar:

Marie Tirta (Vuji)

 

Radhitja në kompiuter dhe art-desing:

Ndue Dragusha

 

Autori: Për nevojat e punës në shkollë, lejohet ribotimi i këtij libri në çfarëdo forme qoftë, me kusht që të ruhet autorësia.

 

TIRANË, GEER, 2012

 

TË NDERUAR LEXUES!

 

Tani keni në dorë monografinë “VETËVLERËSIMI MËSIMOR”, të cilen, pas një studimit të mëtejshëm, mendoj ta ribotoj më 2013, prandaj kërkoj nga Ju që të më ndihmoni me mendime, sugjerime dhe modelime praktike, që lidhen me këtë temë. Materialet që do të na sillni në botimin e ri, do t’i nxjerrim në emrin tuaj.

(Mund të lidhemi bashkë përmes telefonit 0 215 22 582 dhe celularit: 069 26 40 548)

 

KAPITULLI I TRETË

 

NËNTËSHKALLËSHI KRIJON HAPËSIRAT E NEVOJSHME QË NXËNËSIT TË APLIKOJNË MË ME LEHTËSI VETËVLERËSIMIN

 

Nëntëshkallëshi është një kompleks psikodidaktik,  që shërben për të vënë nxënësit në punë për të kërkuar e gjetur dije të reja dhe aftësitë e shprehitë e të  menduarit logjik, që kërkohen për t’i përpunuar ato e për të bërë njëherësh vetëvlerësimin e cilësisë së përvetësimit të tyre.

 

Shënim paraprak

 

Në organizimin e proçesit mësimor, sipas kritereve të kulturës së re të të nxënit, mësuesi duhet të zgjedhë metoda, që krijojnë për nxënësit hapësirat e nevojshme për të përcaktuar drejt produktin e punës së tyre, që, siç dihet, përbën bazën e vetëvlerësimit psikodidaktik, që i nxit ata të mësojnë me ritmin që kërkohet dhe të mbajnë një qëndrim korrekt në mësim.

Sot, rritja e volumit të punës që bëjnë nxënësit brenda orës së mësimit, u jep atyre më shumë mundësi që të njohin shkallën e formimit të përgjithshëm shkencor që kanë arritur, prandaj mësuesi, çdo gjë që e sheh të arsyeshme se ata mund ta bëjnë vetë, duhet t'i ndihmojë që atë ta realizojnë në mënyrë gjithnjë e më të pavarur. Le të mos lëmë mësuesin, thotë Aleksandër Xhuvani, të bëjë atë që nxënësit e bëjnë me mundësitë e tyre, por t'ia lëmë nxënësit mundimin e kërkimit dhe kënaqësinë e të gjeturit.” Ne mendojmë se nëntëshkallëshi do ta kryente mirë këtë punë. Ky pedagog i shquar e bëri këtë kërkesë ndaj shkollës sonë që në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, sepse ai luftonte për fuqizimin e potencialit krijues të mbarë kombit. Sot mendimi pedagogjik është në kërkim të metodave që ua lehtësojnë nxënësve gjithnjë e më shumë punën për të kërkuar e gjetur, për të përpunuar dhe për të mbrojtur idetë e reja, që i zbulojnë në burime nga më të ndryshme, si dhe për të bërë vetëvlerësimin e përvetësimit të tyre bashkë me aftësitë për të vepruar dhe format e të menduarit për të gjykuar mbi vlerat e gjetjeve. Nëntëshkallëshi krijon hapësirat e nevojshme që nxënësit, nën drejtimin e mësuesit, shkallë pas shkalle, paralel me kërkimin, gjetjen dhe përpunimin e dijeve të reja, të bëjnë edhe vetëvlerësimin e përvetësimin e tyre.

Për të realizuar nëntëshkallëshin, këtë kompleks metodash, është mirë që në mësim të krijohen situata psikodidaktike, që rekomandohen në librin “Shkollat e të nxënit”, f. 13-15, që u japin mundësi nxënësve, që të njohin vetveten, që të krijojnë një vizion personal dhe të përbashkët, që të përdorin modelime mendore, që të marrin pjesë në të mësuarit me grupe dhe që të praktikojnë të menduarit sistemik.

Në këtë kapitull do të jepet struktura e nëntëshkallëshit, do të analizohen karakteristikat e çdo faze. Në secilën prej tyre, mësuesi duhet të përcaktojë me kujdes se “ç’duhet të bëjë vetë e ç’mund të bëjë nxënësi”. Po përpiqemi të provojmë se ai përdoret me sukses në të gjitha lëndët dhe në të gjitha llojet e mësimdhënies me në qendër nxënësit, siç janë të nxënit bashkëveprues, ndërlëndor me bazë projektesh, kritik e krijues, global etj. Le t’i shohim më poshtë këto probleme më gjerësisht.

Shkalla e parë: Pasi përcaktohet objektivi që do të studiohet, bëhen kërkime për të gjetur të dhënat e nevojshme. Kjo është shkalla bazë nga e cila varet suksesi i të gjitha të tjerave. Mësuesit, në këtë fazë, bëjnë punë të madhe për të gjetur specialistët që do të bashkëpunojnë me nxënësit, për të siguruar vendin ku do të punohet, për përgatitjen e planit të veprimeve, për njohjen e nxënësve me mjediset e punës dhe me detyrat e tyre etj. Po këto gjëra duhet të mbahen parasysh edhe kur ata punojnë në klasë apo laboratore. Në shkallën e parë punohet për të kërkuar e gjetur të dhëna që shërbejnë për të zbërthyer një temë të re, ose për të përforcuar lëndën e një kapitulli, për të zbuluar lidhjen në mes të lëndëve, për realizimin e të mësuarit global dhe me projekte etj. Mësuesi ndjek punën kërkimore që bëjnë nxënësit, sidomos për të parë se sa ata përqëndrohen tek gjërat kryesore, si i mbledhin të dhënat që rregjistrojnë, inçizojnë, fotografojnë apo fotokopjojnë etj. Në mbarim të kërkimeve, organizohet një shkëmbim i thjeshtë mendimesh për të parë se ç'u bë, me qëllim që nxënësit të përsosin metodën e kërkimeve dhe të formojnë një bindje gjithnjë e më  të saktë për cilësinë e punëve që kryejnë. Ky, në këtë rast, është elementi i parë i vetëvlerësimit. Siç shihet, tani ka rëndësi që nxënësit të zotërojnë kulturën e kërkimit dhe disa elemente kryesore po i japim më poshtë.

 

 

KËSHILLA PËR NXËNËSIT

(për shkallën e parë)

 

1. Dëgjo me vëmendje orientimet që jepen nga mësuesi dhe specialistë të tjerë për të bërë kërkime të sukseshme për problemet që studiohen.

 

2. Përpiqu të njihesh me vendin ku do të bësh kërkimet dhe, në mënyrë të veçantë, me njerëzit me të cilët do të kesh të bësh.

 

3. Është e domosdoshme që të sigurosh mjetet vetjake për të kryer kërkimet dhe për të bërë rregjistrimet e të dhënave për objektin që studiohet, për t'i pasur si prova materiale në debatet e ardhshme.

 

4. Çdo gjë duhet ta rregjistroni me vërtetësinë më të madhe. Ruajuni nga sajimet që e shkatërrojnë punën kërkimore. Sipas rastit, merren dhe kampione, që kanë vlera dokumentuese.

 

5. Atje ku do të shkoni, tërhiqni mendimet e njerëzve të prodhimit apo të qëndrave kulturore, për problemet që studioni dhe u interesojnë.

 

6. Sistemoni materialin, që u duhet për të vazhduar punën më tej.

 

Në shkallën e parë, nxënësit njihen me psikologjinë dhe teknikat e punës kërkimore, mësojnë se kërkimi është rruga që të çon tek zbulimi i gjërave të panjohura për të ose edhe për të tjerët. Edhe nxënësit mund të gjejnë gjëra të reja. Ja ç'tregojnë disa shënime biografike të njerëzve të shquar. Paganini,siç tregojnë biografët e tij, që në moshën 11-vjeçare, dha koncertin e parë “Karamanjola”, të cilën e kishte kompozuar vetë. Aishe Arnaut, shkrimtare siriane me origjinë shqiptare, ishte vetëm 14-vjeç, kur fitoi çmimin e parë për novela në Liban. Filip Paxho ishte vetëm 6-vjeç, kur, duke interpretuar pjesë nga Moxarti, Shuberti, Shopeni, mahniste dëgjuesit dhe se në moshën 15 –vjeç fitoi çmimin e parë në konservator për piano, në konkursin që organizoi Akademia Franceze e Muzikës. Ismail Kadare botoi vëllimin e parë me poezi qëkur ishte në shkollën e mesme etj.

I dhamë këta shembuj për të bindur disa që nuk besojnë se nxënësit mund të bëjnë punë kërkimore serioze, jo vetëm për të fituar dije, por edhe për të realizuar vetëvlerësimin e cilësisë së përvetësimit të tyre. Punët kërkimore duhet të bëhen në përputhje me kërkesat e moshës, që nga kopshti e deri në maturë. Në një grup të tretë në kopsht, kur përpara fëmijëve u vunë një numër i madh lodrash, që kishin vlera të ndryshme estetike, ata synuan për të marrë më të bukurat. Duke vepruar kështu, bënë një farë kërkimi, që i çoi në dallimin e vlerave të tyre. Në shkallën e parë, nxënësit fitojnë shumë shprehi të punës kërkimore dhe, mbi të gjitha, forcojnë shpirtin e kërkimit për të gjetur gjëra të reja. Kur kjo punë bëhet mirë në të gjitha lëndët, sipas programeve shtetërore, për 15 vjet, kuptohet se formimi i tyre i përgjithshëm si hulumtues dhe aftësia e tyre vetëvlerësuese do të zhvilloheshin në nivel shumë të lartë. Në shkallën e parë, mund të organizohen shumë lloje punësh kërkimore në të gjitha lëndët. Po shikojmë një ushtrim nga shkencat biologjike.

 

 

USHTRIM

 

Cili nga këta lloje gruri është më i përshtatshëm për tokat e fshatit tonë?

 

1. Përgatitni parcelat ku do të organizohen eksperimentet. Të gjitha duhet të kenë të njëjtin trajtim agroteknik.

 

2. Zgjidhni katër lloje gruri me forcë mbirëse të barabartë.

 

3. Mbillni këto farëra në katër mikroparcela të veçanta dhe me sipërfaqe të barabarta.

 

4. Korrni me kujdes, që të mos përzihen farërat.

 

5. Të peshohet secila sasi veç e veç dhe të përcaktohet cila farë ka prodhim më të lartë.

 

6. Ndiqni eksperimentin vitin tjetër në prodhimin e gjerë ku janë mbjellë kampionet e farërave që keni zgjedhur ju dhe verifikoni përfundimet që keni nxjerrë e diskutoni me njerëzit që keni punuar. Dëgjoni ç'thonë agronomët që ju kanë ndihmuar dhe mësuesi që ju ka udhëhequr.

 

 

Ushtrime të tilla, mësuesit mund të ndërtojnë shumë. Ato i ndihmojnë nxënësit për të bërë vetëvlerësime të sakta, jo vetëm për dijet e përvetësuara, por edhe për aftësitë që kanë fituar për t’i gjetur ato dhe për format e të menduarit që kanë përdorur për të gjykuar mbi vlerat e tyre. Shtojmë se punët me karakter kërkimor, njëherit janë dhe përgatitje për debat. Pa kërkim, s’ka debat.

Shkalla e dytë: Seleksionohen të dhënat që merren gjatë kërkimeve.

Tani fillon studimi i të dhënave. Zgjidhen ato që janë të lidhura terësisht me temën ose kapitullin që përpunohet. Përzgjedhja është veprim mendor i rëndësishëm, që e ndihmon nxënësin që të kuptojë se sa ka përfituar nga puna e bërë në shkallën e parë. Nga të dhënat, merren ato më të plotat. Në seleksionim nuk lihen jashtë as gjërat e dyshimta. Edhe ato hidhen për diskutim në grup për të sqaruar vlerat e tyre. Ka raste që gjatë kërkimit dalin edhe probleme interesante, por që nuk kanë lidhje me temën e mësimit. Ato rregjistrohen në një fletore të veçantë dhe ruhen për t'u shfrytëzuar në ndonjë rast tjetër. Sa më mirë të bëhet përzgjedhja e materialeve, aq më me lehtësi punohet për të nxjerrë konkluzionet përfundimtare. Nxënësit, nga kjo punë, marrin të dhëna edhe për të plotësuar vetëvlerësimin e punës që bëjnë.

Shkalla e tretë: Analizohet me kujdes çdo e dhënë, që është përzgjedhur dhe përcaktohen vlerat që kanë në kuadrin e objektit që studiohet.

Analiza bëhet nga çdo nxënës në mënyrë individuale, kur mësimi nuk organizohet në grup. Secili përpiqet që të kapë të gjitha karakteristikat e objektit që studion me qëllim që të nxjerrë përfundime të sakta dhe të përgatitet për t'u ballafaquar me shokët dhe me vetveten për punën që bën dhe për rezultatin që ka arritur. Tani, gjatë analizës, fillojnë të kristalizohen vetitë e objektit që është në studim, të tëra së bashku japin imazhin e tij të plotë ose sintezën. Në këtë shkallë, idetë e formuara fillojnë e nguliten në kujtesën e nxënësve. Mësuesi tani afrohet më shumë me nxënësit, që për arsye të ndryshme, kanë mbetur prapa dhe i orienton se si mund të thellohen edhe ata për të zbuluar vetitë e objektit që studiojnë, që ende nuk i kanë kapur. Me këtë punë, mësuesi përpiqet t’i përgatisë edhe ata që të marrin pjesë me sukses në debat për mbrojtjen përfundimtare të rezultateve të kërkimit. Në fund të analizës, pothuajse të gjithë nxënësit formojnë një mendim më konkret për produktin e punës që kanë bërë, domethënë, vetëvlerësimi gadi ka marrë formë të plotë. Veprimet mendore që realizojnë, si: analiza dhe sinteza, kanë vlera të mëdha formuese për nxënësit, jo vetëm për problemet e mësimit, por edhe më vonë në jetë. Analiza është një veprim inteligjent i nivelit të lartë, që përdoret në të gjitha sferat e prodhimit njerëzor. Në këtë rast, nxënësit bëjnë analizën e përfitimit që kanë arritur në këtë orë mësimi, gjë që i ndihmon ata për të plotësuar më tej vetëvlerësimin.

Shkalla e katërt: Bëhen përfundimisht përgjithësimet dhe formulohen qartë konkluzionet.

Tani mësuesit dhe nxënësit ndodhen në pikën më të rëndësishme  të nëntëshkallëshit. Mendimet duhen hedhë në letër. Këtu fillon të veprojë më me forcë vetëpërgjegjësia. Çdo gjë duhet menduar mirë e formuluar qartë e kuptueshëm për vete dhe për të tjerët. Veç të tjerave, kur mësuesi është i kujdesshëm, kërkon që formulimi i përgjithësimeve të qëndrojë edhe nga ana gjuhësore. Vetëvlerësimi vjen duke marrë formë. Pas përgjithësimit, çdo gjë është më e qartë dhe nxënësit ndërgjegjësohen për pikat e forta dhe të dobëta që në këtë fazë duken më mirë. Mësuesit gjithnjë duhet të tërheqin vëmendjen e nxënësve që të vetëkontrollojnë punën që bëjnë me qëllim që të mos u mbetet asgjë pa u kuptuar. Pra, vetëvlerësimi duhet të shfrytëzohet për të mbajtur gjithnjë të ndezur luftën për një përvetësim cilësor të dijeve.

Shkalla e pestë: Bëhet përgatitja psikologjike e teknike për të marrë pjesë në debat.

Ka shumë rëndësi që përgatitja e nxënësve për të marrë pjesë në debat, të bëhet me kujdes. Këtë punë e bëjnë mirë mësuesit që njohin kulturën e inkurajimit. Disa nxënës e nënvlerësojnë vetveten dhe preferojnë më mirë të heshtin se të debatojnë. Kjo dëmton vetëvlerësimin dhe në mënyrë të veçantë formimin e tyre të përgjthshëm shkencor. Mësuesit me profesionalizëm të lartë, këtë punë e nisin që në shkallën e parë. Ata i nxisin nxënësit që të flasin, i ndihmojnë që të formulojnë mendimet dhe i inkurajojnë që të marrin pjesë në mikrodebate, që zhvillohen në çdo shkallë, si përgatitje për debatin kryesor. Po kaq kujdes duhet të tregohet edhe me ata nxënës që mbivlerësojnë vetveten, dobësojnë vetëkontrollin dhe bëjnë ndonjëherë dhe gabime të pafalshme.

Teknikisht, përgatitja për të marrë pjesë në debat, duhet bërë në mënyrë konkrete. Nxënësit kërkohet të dinë proçedurën që ndiqet në organizimin e debatit. Ndoshta do të ishte mirë t'u jepeshin edhe këto këshilla që po i paraqesim më poshtë, që çdo mësues mund t'i modifikojë ato, duke ua përshtatur  nxënësve të klasës së tij.

 

 

KËSHILLA PËR NXËNËSIT PËR TË MARRË PJESË NË DEBAT

 

1. Përgatit me kujdes çdo gjë që do të paraqitësh për diskutim në debat.

 

2. Merr me vete materialet e dokumentet që ke gjetur gjatë punës kërkimore, që do të  shërbejnë për të konkretizuar interpretimet që do të bësh për idetë që do të paraqitësh.

 

3. Qartëso çdo gjë që lidhet me vlerat e objektit që studioni.

 

4. Përpiqu të parashikosh se çfarë pyetjesh mund të bëjnë të tjerët. Edhe përgjigjet t'i kesh të gatshme për të përballuar çdo situatë që mund të krijohet.

 

5. Formulo disa pyetje që mund t'u bësh ti të tjerëve. Përgjigjet duhet t'i kesh të shkruara.

 

6. Në debat futu me besim se përgatitja që ke bërë është korrekte. Tani vetëvlerësimi sa vjen e bëhet më i saktë.

 

Shkalla e gjashtë: Mbrohen konkluzionet përfundimtare.

Kjo është ndër fazat më të rëndësishme, pika kulminante e mësimit dhe më interesante. Për të arritur deri këtu, nxënësit, sipas udhëzimeve të mësuesit, kanë bërë një punë të madhe hulumtuese, seleksionuese, analizuese e përgjithësuese. Në forma të ndryshme, materialin e kanë kaluar disa herë nëpër duar. Ata i kanë formuluar idetë e tyre dhe tani janë përgatitur që t'i mbrojnë ato. Mbrojtja bëhet në dy forma. Kur çdo nxënës është përgatitur në mënyrë individuale, secili mbron vetë mendimet e tija. Bën pyetje e jep përgjigje. Dëgjon vërejtjet e shokëve, të mësuesit apo të specialistëve të prodhimit. Kur nxënësit punojnë në grup, idetë paraqiten në emër të grupit nga një përfaqësues. Edhe të tjerët mund të shtojnë mendime që i shohin të nevojshme. Përgjigjet e pyetjeve që u bëjnë të tjerët, mund t'i formulojnë bashkarisht. Shpesh debati ndizet me forcë. Mësuesi duhet të sigurojë ekuilibrin dhe të kultivojë tek nxënësit etikën debative. Mbrojtja krijon kushte që të gjithë nxënësit të realizojnë vetëvlerësimin e punës së tyre, sepse tani bëhet i qartë produkti që ka realizuar secili. Ky debat i gjallë bën të mundur që dijet të nguliten mirë në kujtesën e të gjithë nxënësve. Vetëvlerësimi merr vlera të reja.

Shkalla e shtatë: Dëgjohen vërejtjet e mësuesve dhe të specialistëve të prodhimit.

Ky është momenti kur nxënësve u krijohen mundësitë, jo vetëm të korrigjojnë gabimet, por edhe që të pasurojnë materialet me gjëra të reja, që sjellin mësuesit dhe specialistët e tjerë. Edhe në këtë rast, nxënësit bëjnë pyetje për ndonjë problem të vështirë, ose për të sqaruar ndonjë dyshim. Këto veprime, të gjitha shkojnë në favor të saktësimit të vetëvlerësimit. Nxënësit tani janë në gjendje të përcaktojnë se sa kanë arritur që t'i kapin dijet e reja, lidhjet e tyre me njohuritë që kanë marrë në kapitujt e kaluar, në lëndë të tjera dhe në sferat e ndryshme të prodhimit. Në këtë shkallë, ata dëgjojnë fjalën e saktë të mësuesit dhe të shprehur bukur. Lexohen fragmente nga literatura plotësuese etj. Siç shihet, të dhënat, sa vjen e plotësohen, kurse vetëvlerësimi bëhet më i saktë.

Shkalla e tetë: Është momenti i reflektimit dhe i aplikacionit të lëndës së zhvilluar.

Tani del qartë se sa nxënësit janë në gjendje që t'i përdorin dijet e fituara në rrethana të përafërta me ato, kur bënë përpunimin e tyre të parë, pra, sa ato i kanë kuptuar në mënyrë logjike. Për të krijuar situata problemore, për të realizuar reflektimin, shfrytëzohen lidhjet në mes kapitujve të një lënde, ose në mes të lëndëve të ndryshme si dhe lidhjet që kanë ato me prodhimin. Në këto raste, nxënësit mund të angazhohen që të zhvillojnë ndonjë ushtrim apo problem, zgjidhja e të cilave nxjerr në pah aftësitë e përpunimit logjik të materialeve dhe të aftësisë së tyre aplikative, që do të thotë se ata kanë dije dhe aftësi për të vepruar me to. Refleksioni dhe aplikacioni përbëjnë bazën më të fuqishme për nxënësit që të krijojnë një ide të plotë për saktësinë e vetëvlerësimit që kanë realizuar. Kjo është shkalla ku del qartë se sa ata janë në gjendje të mendojnë në mënyrë sistemike, pra, se sa janë të zotët që të mendojnë dhe të veprojnë në mënyrë aktive, kritike e krijuese. Për nxënësit, reflektimi dhe aplikacioni, përbëjnë bazën më të mirë për të formuar mendime të sakta mbi shkallën e përgatitjes së tyre. Vetëvlerësimi në këtë rast bëhet i saktë, produkti i punës së tyre del ashtu siç është në realitet. Reflektimi, në të vërtetë, është një kontroll dijesh i nivelit të lartë dhe ka vlerë të dyfishtë. Ai nuk tregon vetëm se sa dinë dhe mund të bëjnë nxënësit në një fushë të caktuar, por hedh dritë edhe mbi rezultatin e punës të vetë mësuesit, i cili, në këtë rast, bën edhe ai vetëvlerësimin e punës që ka bërë, me një fjalë, se sa kanë përfituar nxënësit nën drejtimin e tij. Reflektimi dhe aplikacioni, në dorën e mësuesve të paaftë, që nuk llogarisin mirë kohën, “bëhet” pasi bie zilja, ose më mirë të themi se nuk bëhet fare. Lihet në heshtje. Kur ndodh kështu, mësimi dëmtohet rëndë, për të mos thënë se mund të quhet edhe i dështuar.

Shkalla e nëntë: Materiali hidhet në të pastër.

Më në fund, çështjet kryesore të mësimit redaktohen dhe ruhen për t'i shfrytëzuar kur të jetë nevoja.

Njohja nga mësuesit e mekanizmit të këtij kompleksi didaktik, ka rëndësi të madhe.

Po japim një kujtesë metodike, që mund të shikohet nga çdo mësues në dritën e përvojës së tij.

 

 

KUJTESË PËR MËSUESIT QË APLIKOJNË NËNTËSHKALLËSHIN

 

Është mirë që mësuesi, kur aplikon nëntëshkallëshin, të ketë parasysh edhe këto gjëra.

 

1. Studiohet se çfarë mundësie jep tema, që do të përpunohet, për aktivizimin e nxënësve për të kërkuar e gjetur dijet e reja, për t'i mbrojtur ato në debat dhe për t'i zbatuar në praktika mësimore.

 

2. Përcaktohet me kujdesin më të madh “Çfarë duhet të bëjë mësuesi dhe ç'mund të bëjnë nxënësit brenda orës së mësimit, ose të një seance prodhimi, në secilën shkallë”.

 

3. Është e domosdoshme që të veprohet në bazë të një metodike të caktuar, për t'i përgatitur nxënësit që të bëjnë me korrektësi veprimet që duhet të kryejnë në çdo shkallë, përfshi dhe vetëvlerësimin e rezultateve që kanë arritur.

 

4. Reflektimit duhet t'i kushtohet kujdesi i duhur, sepse ai na jep mundësi të vetëvlerësojmë edhe punën tonë si mësues, që të shohim se çfarë nuk ec në organizimin e proçesit mësimor dhe me se mund të zëvendësohet.

 

5. Realizimi me sukses i kërkesave të nëntëshkallëshit, duhet të ndiqet me përparësi nga mësuesi, sepse ai krijon mundësi që nxënësit, krahas punës që kryejnë për marrjen e dijeve të reja, të bëjnë edhe vetëvlerësimin e përvetësimit të tyre, gjë që i nxit të mbajnë vëmendjen në mësim.

 

6. Mësuesi duhet të punojë me këmbëngulje që nxënësit të njohin veprimet që do të kryejnë në çdo shkallë me qëllim që të bëhen mjeshtër të përdorimit të nëntëshkallëshit, që siguron formimin e tyre si individë që mendojnë e veprojnë në mënyrë logjike, aktive, kritike e krijuese dhe që dinë të vetëvlerësojnë punën që bëjnë.

 

Ne duhet të mendojmë edhe për kualifikimin e nxënësve si përdorues të këtyre proçedimeve të reja didaktike. Ndoshta ata mund t’i ndihmojnë në këtë drejtim dhe disa këshilla që i paraqesim më poshtë.

 

KËSHILLA PËR NXËNËSIT QË APLIKOJNË NËNTËSHKALLËSHIN

 

1. Njihuni me objektin që do të studioni dhe me mjedisin kulturor e teknik ku do të bëni kërkimet.

 

2. Studioni udhëzimet e mësuesit dhe të specialistëve të tjerë për mënyrën e veprimeve që do të kryeni në shkallë të ndryshme.

 

3. Njihuni me njerëzit që do të bashkëpunoni, si me specialistët e prodhimit, veteranët, biznesmenët etj.

 

4. Siguroni mjetet e punës dhe literaturën plotësuese etj.

 

5. Përgatitni planin e vëzhgimit, pyetjet për intervista, anketa etj.

 

6. Vëzhgoni çdo gjë me vëmendje të posaçme dhe rregjistroni, inçizoni, fotografoni me vërtetësi të plotë.

 

7. Seleksiononi materialet e mbledhura, që lidhen drejtpërdrejt me objektin e kërkimit. Gjërat tjera i mbani shënim në një fletore të veçantë për t'i shfrytëzuar për ndonjë rast tjetër. Kujdes që të mos mbeten jashtë gjërat kryesore.

 

8. Analizoni e sintetizoni faktet, që i vlerësoni si të domosdoshme, për të dalë i plotë studimi. Bëni vetëvlerësimin e gjërave që keni përvetësuar dhe plotësoni boshllëqet.

 

9. Përdorni me mjeshtri krahasimin për të nxjerrë ç'kanë të përbashkët e ku dallojnë në mes të tyre gjërat, që jeni duke studiuar.

 

10. Evidentoni vlerat e qëndrueshme të sendeve e dukurive që studioni dhe bëni vetëvlerësimin e cilësisë së përvetësimit të tyre.

 

11. Formuloni në mënyrë sa më të qartë përgjithësimet që bëni për probleme të caktuara.

 

12. Përgatituni për të marrë pjesë në debat. Të kesh me vete të gjitha të dhënat, provat materiale dhe çdo gjë që e gjykoni të nevojshme për të konkretizuar argumentimet tuaja.

 

13. Ruaju si nga nënvlerësimi ashtu dhe mbivlerësimi i vetvetes dhe besoni tek përgatitja që keni bërë.

 

14. Në debat dëgjoni çdo gjë me vëmendje, në mënyrë të veçantë argumentimet e të tjerëve për probleme që diskutohen. Në heshtje krahasoni thëniet e bashkëbiseduesve me përfundimet që keni nxjerrë vetë. Korrigjoni gjërat e mundshme. Kujdes pyetjet që keni vendosur që t'ju bëni të tjerëve. Përgjigjen duhet ta keni të shkruar. Kur të merrni fjalën, përqëndrohuni tek problemi dhe mos mendo se ç'do të thonë të tjerët, sepse mund të ç'orientoheni. Studioni mirë pyetjet që do t'u bëjnë shokët. Shikoni se ku godasin ato. Përgjigjuni me kujdes!

 

15. Konkluzionet e mësuesit, të specialistëve të prodhimit apo të njerëzve të tjerë që mund të marrin pjesë në mësim, i dëgjoni me vëmendje, jo vetëm për të korrigjuar gabimet, por edhe për të pasuruar materialin me gjëra të reja, që mund të merrni prej tyre.

 

16. Sistemoni materialet dhe përgatitni me shkrim, sipas kërkesës së mësuesit, konkluzionet kryesore.

 

Ç’PËRFITOJNË NXËNËSIT NGA NËNTËSHKALLËSHI?

 

Ky kompleks psikodidaktik, ka në themel të tij idenë “Mësimdhënia me në qendër nxënësin”, që krijon raporte të reja në proçesin mësimor në mes të mësuesit e të nxënësve dhe në mes të nxënësve me njëri-tjetrin, gjë që e bën të mundur të realizohen vetëvlerësime cilësore nga të dy palët për punën që bëjnë, si nga mësuesit, ashtu dhe nga nxënësit.

 

DUKE ZBATUAR NËNTËSHKALLËSHIN, NXËNËSI FITON AFTËSI:

 

1. Si hulumtues.

2. Si seleksionues.

3. Si analizues.

4. Si përgjithësues.

5. Si debatues.

6. Si mbrojtës i ideve të reja.

7. Si korrigjues.

8. Si reflektues.

9. Si redaktues.

10. Si vetëvlerësues.

 

NËNTËSHKALLËSHI I AFTËSON NXËNËSIT:

 

1. Për të bërë eksperimente.

2.  Për të vëzhguar.

3. Për të bërë vrojtime.

4. Për të mbledhur informacion.

5. Për të përpunuar materiale.

6. Për të ngritur hipoteza.

7. Për të përgatitur situata problemore.

8. Për të veçuar detaje për dukuri ose ngjarje të caktuara.

9. Për të bërë intervista.

10. Për të organizuar anketa.

11. Për të bërë redaktime.

 

NËNTËSHKALLËSHI ZHVILLON SHPREHITË E KOMUNIKIMIT, SI:

 

1. Të folurit.

2. Të dëgjuarit.

3. Të lexuarit.

4. Të shkruarit.

 

NËNTËSHKALLËSHI NXIT:

 

1. Dialogun.

2. Diskutimin.

3. Debatin.

 

NËNTËSHKALLËSHI FORCON SHPREHITË E TË MENDUARIT SISTEMIK, AKTIV, KRITIK E KRIJUES, SI:

 

1. Imagjinatën.

2. Parashikimin.

3. Interpretimin.

4. Të kuptuarit.

5. Argumentimin.

6. Analizën e sitezën.

7. Krahasimin.

8. Reflektimin.

9. Përgjithësimin.

10. Origjinalitetin.

11. Mendimin kritik.

12. Mendimin krijues.

13. Hipotezën.

14. Mendimin sistemik.

 

NËNTËSHKALLËSHI NDIKON NË RRITJEN E RENDIMENTIT TË PROÇESIT MËSIMOR

 

·         Ai ua lehtëson nxënësve kuptimin e dijeve të reja.

·         Ndikon në ngulitjen e materialit mësimor.

·         Bën të mundur që dijet t’i marrin duke vepruar, gjë që rrit qëndrueshmërinë e tyre.

·         Duke pasur karakter aplikativ, forcon aftësitë për t’i shfrytëzuar dijet për nevoja jetësore.

·         Krijon mundësi për aplikim dhe vetëvlerësim, pra, ndikon në çlirimin e dijeve nga pasaktësitë si dhe për pasurimin e tyre me elemente të reja.

 

Nëntëshkallëshi i stërvit nxënësit që krahas marrjes së diturive të reja, të bëjnë vetëvlerësimin e përvetësimit të tyre në mënyrë kritike dhe krijuese. Kjo ka një rëndësi të dorës së parë, sepse i bën ata përgjegjës për punën që realizojnë gjatë zhvillimit të mësimit.

Nëntëshkallëshi përdoret për tema dhe kapituj të caktuar, në të gjitha lëndët e klasat, në përputhje me veçoritë moshore të nxënësve.

 

EDHE MËSUESIT PËRFITOJNË NGA KY KOMPLEKS METODIK

 

·         Për të përcaktuar drejt pozicionin e tij dhe të nxënësit në mësim.

·         Për të gjykuar mbi efektivitetin e sistemit të punës së tij.

·         Për të njohur e ndrequr gjithnjë e më në thellësi të metat.

 

 

PËRMBLEDHJE

 

Ne tani jemi më në gjendje që të organizojmë mësimin sipas kërkesave të nëntëshkallëshit, që siguron aktivizimin e nxënësve për të kërkuar e gjetur dije të reja dhe për të bërë vetëvlerësimin e përvetësimit të tyre si dhe të aftësive dhe të shprehive të të menduarit logjik, që kanë përdorur për t’i përpunuar ato.

Nëntëshkallëshi u krijon kushte nxënësve që të mësojnë, duke kontrolluar vetveten.



(Vota: 3 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora