E diele, 08.09.2024, 11:24 AM (GMT+1)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Rruga e mistikëve për në Baba Tomor

E hene, 27.02.2012, 08:59 PM


RRUGA E MISTIKËVE PËR

NË BABA TOMOR

 

Nga: KALOSH ÇELIKU

 

Poezia është shprehje e artizmit poetik, lojë fjalësh, burimisht që kanë qëllim magjik, është thirrje hyjnore, arrin në qiell dhe hedh fuqinë e vet dhe bëhet e fuqishme duke pasur edhe shpirtin e tyre, Hyut. Nuk është ajo e përshkrimeve, përkushtimeve prijësve të partisë, parullave të thata patetike. Rreth nesh çdo gjë është poezi: toka, qielli, dita, nata, ëndrra, era, shiu, bora, zogjtë, lumi, lindja, vdekja, ringjallja… Vetëm, duhet një sy i mprehtë për t’i hedhur në letër emocionet, idetë dhe imagjinata duhet shkrirë në indin poetik me mjeshtri të jashtëzakonshme qiellore.

Dhe, risinë që sjellë poezia e dashurisë në letersinë shqipe i  ka rrënjët te lirika popullore, që e ka tejkaluar moti pjesa më e fuqishme e poezisë shqipe,  lirika e dashurisë.  Dhe, jo rastësisht Lasgushi është poet i madh. De Rada, Serembe, Frederik Rreshpja, Dritëro Agolli, Hida Halimi, Xhevahir Spahiu, Azem Shkreli, Visar Zhiti, Mimoza Ahmeti, Mirko Gashi, Pano Taçi, Gani Xhafolli, Zyhdi Morava etj.

Poezia shqipe është lëruar dhe zhvilluar brenda kufijve politik: Shqipëri, Kosovë, IRJ e Maqedonisë, Mal i Zi dhe Diasporë. Dhe, përçudi, përderisa në Shqipëri ajo është lëruar përkrah poezisë patriotike edhe poezia e dashurisë, në Kosovë, Mal të Zi dhe IRJ e Maqedonisë është lëruar poezia patriotike. Realitet, që do të thotë se, një popull e manifeston atë që nuk e ka, i mungon me vite, liria. Risi në poezinë shqipe, sot është kombinimi i dashurisë me patriotizmin. Poetët që e lërojnë këtë lloj poezie numërohen në gishta. Megjithatë, kjo është poezia e ironisë, sarkazmës dhe protestës artistike.

Motivet e poezisë erotike në letërsinë shqipe janë të njohura: besnikëria, tradhtia, ndarjet, xhelozia, malli, sëmundja nga dashuria, mirëpo edhe ëmbëlsia nga dashuria dhe bukuria e trupit të zhveshur. Është interesante se në rolin e subjektit lirik paraqitet në këto poezi, njësoj shpeshëherë gruaja sikur edhe mashkulli. Përmëtepër, te disa autorë është e përbashkët tema: jeta pas vdekjes. Ringjallja. Dhe, raporti midis jetës dhe vdekjes. Edhe pse, në kohën e sotshme ende vazhdon të shkruhet me të madhe poezia patriotike, ku gjakohet pas lirisë dhe luftohet robëria shekullore.

Poezia erotike në gjirin e vet e ka edhe tipin e poezisë profetike. Zakonisht, këtë lloj të poezisë e kanë shkruar poetë-profetë, që letërsia shqipe i ka pasur edhe para kohës së Romantizmit: Frakulla, Çami, Zuko Kamberi etj. Stili i poetëve-profetë është i përsosur, nuk vajtojnë për të kaluarën, po për të sotmen dhe të nesërmen. Vargu i kësaj poezie e  lufton hipokrizinë, koprracinë dhe grykësinë. Një spektër më i gjerë objektesh paraqitet në poezinë erotike, e cila dallohet fare lehtë nga poezia patriotike. Kështu që mjeshtëria e poetit shprehet me kërkimin e forcave të reja, përsosjen e figurave ekzistuese dhe të proçeseve stilistike duke lejuar shtimin dhe zhvillimin e temave të paprekshme.

Poezia erotike e  ka gjakun dhe shpirtin, që i ecin nëpër damarë. Një përzierje të së resë: dashurisë me patriotizmin. Gjuha e thjeshtë dhe me stilin e qartë, po të thellë është përsosur me imagjinatën e pasur dhe gjuhën e stolisur. Këndimi i poezisë te “Borë në mars”: Pas borës së acart – Ti vjen si pranverë/ E nesërmja do të vij/ me Ty!/ dhe asaj erotike: Shijen e buzëve Tua/ do ta marr me vete. – Po, kam frikë se ma zbulojnë -/ Në kufi...!/  Vdekjes dhe Lindjes. Ringjalljes…

Dhe, për mua si poet, poezi e fuqishme është ajo që qarkullon nëpër damarë gjak dhe shpirt, i ka thellë rrënjët në poezinë popullore. Dhe, i japin gji Tri Zana të maleve. Fuqi për luftë si Mujit dhe Halilit…

Ikja nga parullat e thata, patetika patriotike është risi e plotë në poezinë erotike, sikur është ruajtja dhe ndikimi i poezisë popullore. Poezia e mirë artistike duhet të ketë edhe filozofinë jetësore plot figura poetike. Poeti hedhë farën në tokë pjellore, ashtu si bujku me hebet në krah drithin në ara, kështu që frutat e pjekur në pranverë, poezitë i lulëzojnë në libër, bregliqen…

Armë e fuqishme është edhe lirika satirike, ku poeti përqesh momente njerëzore, politikën me prijësit e tyre, madje edhe vetë fatin e popullit shqiptar. Origjinaliteti i poetit, fatkeqësisht ende është në kundërshtim me dukuritë imorale dhe idetë e kohës, në të cilën jeton brenda kufijve politikë.

Poezia erotike shqipe sa vjen e më shumë demokratizohet dhe misticizmi depërton thellë e më thellë në art.  Dashurinë ndaj lirisë e paraqet me shprehje plot figura dhe me gjuhën erotike të lirikës së dashurisë. E zhvesh nga trupi ferexhenë patetike dhe parullat e thata dhe i vesh rrobat e nusërisë. Në poezinë erotike shqipe, nganjëherë është shumë vështirë të dallohet deri ku shkon alegoria e ku fillon shfaqja realiste. Vetë gjuha shqipe, gjuhë e poezisë ka disa veçori të saj poetike, e përshtatshme në paraqitjen e dy-tre dykuptimësive të vargut. Megjithatë, në këtë poezi ekziston edhe një rrezik stereotipash, sepse ajo bazohet në disa tema të përsëritura: dashuria, vera, bukuria. Që, poeti shqiptar sot më e ka tejkaluar me sukses dhe pasuruar me Baba Tomorin si vend i perëndive: Rrapin, Miken, vetminë, Lotët e Shën Mërisë, Gjakun e Krishtit, Burrin, Engjëllin mbrojtës grua, Nimfën.  Qiririn, Natën e Madhe etj.

Inspirimi i poetit është i sinqertë dhe i thellë duke u shërbyer me shprehje të larta poetike. Formën e një vargu mes legjendave, porosish dhe alegorish. Tendencë kjo, për të krijuar një rrymë të re letrare me shumë vazhdues dhe përkrahës për një të nesërme. Poeti  rebel është i gatshëm të rroket fytas edhe me Zonjën Vdekje. Ringjalljen. Lindjen. Robërinë. Lirinë. Shkurt, ballafaqohet me misteriozen: dashurinë qiellore dhe tokësore.

E di se, rrezik për poetët e talentuar me dhunti nga Zoti, janë poetët e rrejshëm të oborreve të partive politike. Poetë pa talent, po të shkathët t’u vihen pas partive politike në pushtet, si dhelpra pas dashit, me shpresë se mos i bien udhës. Poetë të këtillë vetëm për një përdorim, letërsia shqipe ka me bollëk, sa kanë të hanë edhe qentë e rrugëve…

Herët a vonë, këta poetë do të dështojnë në poezi. Rrugën do t’ia lëshojnë poetit-profet, lirikut me mendime të thella dhe me talent të madh vrojtues, kur është fjala për situatat e përgjithshme njerëzore, i cili ka qëndruar, në të vërtetë, mjaft indiferent kur është fjala për ngjarjet politike të kohës së tij pseudopatriotike.

Vargu i luftarak, përjeton një lulëzim të ri të lirikës shqipe. I lëshon paragjykimet, maxhen, burgun shtëpiak… Ferexhenë e hudh në përrua… Robërinë... Shkolla letrare është shtegu i tij drejtë Lirisë… Universiteti… Biblioteka… E nxjerrë vargun nga brezi. Poeti është me shpirt krenarë dhe i vetëdijshëm në paraqitjen e realitetit shoqëror, kështu që për këtë poet rebel jeta e varur nga partitë politike është e huaj. Tentim ky, i komunizmit që tërë jetën e shoqërisë ta ketë nën kontroll. Hap i gabuar ideologjik me të cilin dështoi në parashikime. Tashti e kanë radhën partitë politike “demokratike”, shkaku se poetët bëhen edhe më të fuqishëm. Stili i tyre është sakrificë, ndjeshmëri e poetit dhe sinqeriteti. Përsëri do të vdesë dhe ringjallet mes poezive, por kurrë nuk do t’u bie duarve dhe këndojë arritjeve të tyre demagogjike.

Shkëputja e poetit nga format klasike poetike nuk qe proces i lehtë, me vete mori edhe viktima artistike. Nuk është punë e lehtë t’u ikësh ndikimeve nga letërsia ruse           (Shqipëri) dhe jugosllave ( Kosovë. Mal i Zi e IRJ e Maqedonisë ).

Poezia  shqipe moderne sot ka një rrezik nga poetët e oborrit të partive politike “demokratike”. Fatkeqësisht, falë Zotit, në përgjithësi janë poetë të dobët dhe pa talent. Megjithatë, poezia e ardhmërisë do të jetë poezia e verës dhe e dashurisë, që alegorikisht të paraqesë dashurinë hyjnore dhe dehjen e mistikëve në Baba Tomor...

Ardhmëria e poezisë shqipe qëndron në traditën e poezisë popullore, Rilindjes shqiptare, duke u pasuruar me rrugë të reja, për të hipur në Baba Tomor. Atdheun e Perëndive. Tyrben, ku pihet vera, shkruhet poezia. Dhe, bëhet dashuri…



(Vota: 32 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora