E shtune, 12.10.2024, 10:45 PM (GMT+1)

Kulturë

Arif Molliqi: Mërgimi dhe vendlindja si simbolikë në poezinë e Neki Lulajt

E diele, 26.02.2012, 05:56 PM


MËRGIMI DHE VENDLINDJA SI SIMBOLIKË NË POEZINË E NEKI LULAJT

 

(Rreth librit me poezi  “Zjarri i shpirtit”, Bukuresht 2012)

 

Nga Arif Molliqi

 

Mërgimit, kësaj teme dhe këtij fati nuk ka mundur t’i shpëtoj asnjë krijues. Andaj kjo paradigmë ka krijuar specifikat e saj dhe ka shënjuar kodin specifik letrar, sikur në planin e diskurseve, ashtu edhe në rrafshin tematik-semantik. Sidomos kjo tendencë dhe pikasja e këtij fati, në mënyrën më tragjike, vërehet në poezinë shqipe të shkruar në dy dekadat e fundit nga krijues mërgimtarë, pjesë e së cilës është edhe krijimtaria poetike e Neki Lulajt, poetit nga Kosova, i cili jeton në Gjermani, autorë tashmë i dy vëllimeve tjera me poezi (Dardania ime dhe Kështjella e ëndrrave). Pra, letërsia shqipe e krijuar dy dekadave të fundit jashtë atdheut është e ngjizur nga tragjikja nën qiellin e jetës së vrazhdë, nëpër të cilën heshtja të plagos, siç do të shprehej autori i kësaj vepre. Së këndejmi, është poeti mërgimtar që ka ndërthurur, duke skalitur në shtatin e Atdheut, gjithë ato dhembje, me atë dashuri zhurritëse, gjithë ato klithma i ka shënuar, përmes gjuhës së poezisë, që është gjuhë e frymëzimit metafizik, gjuhë e orakujve, gjuhë e sublimes estetike.

Në këtë drejtim, derisa i lexon poezitë e “Zjarrit të shpirtit” të tij, domosdo se aty ballafaqohesh me plagën e mërgimit dhe mallin për Atdhe si koncepcione poetike, të cilat priren në rrafshe konkrete të historisë së vjetër e të re, e sidomos të qenies nacionale të poetit. Aty gjen edhe shumë pyetje dhe dilema retorike të komplikuara, që autori i shtron kudo në nëntekstin e vargjeve, por që përgjigjjet nuk mbeten të heshtura, të fjetura dhe të përtejmi. Për poetin Lulaj nuk është e lehtë, në atdheun e tij të kërkojë sytë e Monalizës, që brenda saj të gjejë Kodin e Davidit: Nga rrugëtim/ I gjatë/  Lexova mbrëmë/  vonë/.../ Kodin e Davidit/.  Ose, një tjetër klithje:  Vetmia/ i përtyp fjalët/.  Këto përmasa të kësaj poezie, si rrugëtimi, kërkesa për dashurinë ose dhembjen e quajtur Atdhe, vetmia aty ku jeton larg Atdheut, ia përtyp edhe fjalët. A s´janë këto klithmat reale që poeti duhet t’i shndërrojë në realitet artistik, duke i kthyer në vargje për t’i interpretuar me gjuhën e poezisë: Trokita ca herë në portën e vjetër/ Mendova se nga ana tjetër/ Do t´më vije përgjigja jote/ (Zjarri i shpirtit).

Ja, shikoni se si gërshetohet malli për shtëpinë, për portën në njërën anë dhe, për ata që pret t’i përgjigjet në anën tjetër! Po kush janë ata, pos të dashurit e poetit? Në këto vargje dhe në një cikël të tërë vjershash, figura e portës, e shtëpisë, e mallit për atdheun, pse jo edhe për fshatin e lindjes, për prindërit, janë aluzione dhe imazhe kryetipore, qe shprehin dhe implikojnë intencën e shpirtit të poetit, madje edhe kur thërret në “kupë të qiellit”. Kjo gjendje për poetin bëhet edhe më dramatike, sepse malli për to është më i trishtueshëm se sa fati i kurbetqarit. Pezmi poetik i poetit nuk derdhet i tëri vetë aty, ai sikundër implikon tek: Sonte bjeshka/ e heshtja më plagos. Kjo mund të jetë metafora e poetit për: Shqiptarët/ me strajca mbi supe.../ Mërgimtarët/ Me ëndrrat në valixhe/, që është realizimi më i goditur, më i shprehur artistikisht dhe metaforikisht i poetit. Çfarë është më e rëndë për njeriun kur bartë strajcën e mërgimit mbi supe dhe, kur me ënddrrat në valixhe duhet të përjetojë mbrëmjet dhe mëngjeset.

 

Vlera meditative të avancuara në aspektin artistik

 

Poeti Neki Lulaj, edhe kur ec në tehun e simbolikes së Atdheut, ajo ecje është një ecje moderne, që e ruan edhe klasiken e domosdoshme, ngase abstraksioni poetik krijon ngjizje. Megjithatë, në këtë aspekt, do thoshim në mënyrë simbolike, me përkthimin e botës së tronditur emocionale e shpirtërore, në fjalë të figurshme e të kuptueshme, poeti ka konstruktuar të mundshmen dhe të bukurën, brenda jetës shpirtërore të njeriut në labirintet e jetës, prej së cilave duhet të vizatojë me vija të trasha nuancat më të mundshme, që tejkalojnë pamundësinë e njohjes. Duke mbetur në përmasën tematike, poeti gjithsesi më se shumti  thurr vargje për mërgimin dhe Atdheun, për heronjtë dhe figura kombëtare, si për Gjergj Kastriotin, I. Rugovën, Sali Çekajn, Nënë Terezën, Bogdanin,  Hasan Prishtinën, për Himnin, Flamurin, për vendet historike e tjera.

Duke mbetur te forma e vargjeve, te poezia e Neki Lulajt, dominantja është vargu i lirë, pastaj trajtat e shpeshta të retorikës, në kuptimin e diskursit politik, historik, elegjiak. Pra, magjia e kujtimeve dhe dashurisë për figurat kombëtare, qofshin ato të së kaluarës, apo të kohës së re, nuk e kanë rrëmbyer vetëm autorin, por e rrëmbejnë edhe lexuesin. Me pak fjalë, tregohet se nuk kemi veç poezi, por kemi edhe një pasqyrim të historisë. Nuk kemi veç klithje poetike, por dëshmi të kohës dhe vendit. Sado që autori e pëlqen kthimin e vazhdueshëm tek gjeneza Pellazge, Ilire, Adami, e herë-herë te gjithçka që e ka lidhur më fëmijërinë e tij plot tallaze dhe përplasje, ai ketë e bën me shumë dinamikë, më një shpërthim që del nga shpirti. Ky kthim aq i shpeshtë dhe aq i lehtë te fëmijëria, atë e trazon shpirtëtisht, e sidomos kur i kujtohet e bukura, e ndjeshmja, e paprekshmja, magjia e vendlindjes. Kur i kujtohet se atje edhe fjala që ka kuptim, është e pacenueshme: Atje, kurrë/ Nuk digjet fjala/ Nuk thahet besa.

Në këto poezitë që pasqyrohet mjaft dukshëm realiteti shqiptar e në veçanti ai i Kosovës, ku si çdo krijues nga Kosova nuk mund të anashkalojë të kaluarën e brishtë dhe peshën e madhe të dhimbjes, për shkak të rrethanave politike dhe ekonomike të krijuara nga pushtuesit, gjaku i të rënëve dhe amaneti i tyre, skenarët e politikës së pambarim, që çdo herë venë në lojë fatin e popullit e të vendlindjes së tij. Mirëpo, edhe këtu janë disa vargje që brenda tyre kanë një shpërthim, që s’është tjetrë veçse një eksplodim më një satirë të mprehtë që godet. Talenti poetik i Nekiut spikatet dukshëm tek ato poezi ku ai i ka të caktuara temat konkrete. Aty kur ai si personazh ka sidomos plagën e kurbetit, sidomos kur shpreh klithjen e tij me mjete të lojës estetike e stilistike: Edhe në netët e gjata/ Pa gjumë/ I lamë/ Portat e hapura/ Se vijnë kurbertqarët.

Padyshim, kjo vlerë meditative dhe ky sublimin i gjithë kësaj dendësie ka prodhuar poezinë më të avancuar në aspektin artistik. Ngase poeti merret shtruar me temën e mërgimit të cilën nuk e kundron përciptazi, por ai është futur thellë në thelbin e çështjes, duke na sjell një motiv e qasje të re të cilën nuk e hasim kaq artistikisht në librat paraprake. Edhe në këtë përmbledhje poeti ka dhënë maksimumin e ndijimeve dhe krijimeve që për temë bosht kanë metaforën e mërgimit, të mallit dhe të dashurisë për atdheun. Këto tri elemente sikur janë bërë bosht i temës së trajtuar në bllokun e poezive që për temë kanë morfologjinë, jo vetem të shpirtit por edhe të mërgimit, atdheut, heronjëve, të gjithçka që është shqiptare, njerëzore dhe humane. Vetë kuptimësia e kësaj morfologjie është vendosur në zbulimin e këtyre gjërave. Ngase sikur këto motive e ndjekin si hije autorin, sikur këto motive ia nxinë jetën, ia shumëfishuan dhembjen derisa t’i zbulojë, derisa ta nxjerrë nga shpirti atë mallin e pashuar për Kosovën e tij të dashur, për gurët e varret, për gjithçka shqiptare: Ne  jemi udhëtarë/ Nëpër stacionet e pandalura/ Të jetës.

Krejt në fund duhet të them edhe diçka: Neki Lulaj poezinë e shkruan me pasionin e madh të një të dashuruari pas muzës së këtij arti. Ai nuk ngurron ta shpallë më se një herë këtë pasion të tij. Mirëpo, a mjafton vetëm të dashurohesh në muzën poetike? Për t´i përmbushë kërkesat e anës tjetër, vetë muzës ndaj së cilës shprehin pasionin krijues, poetët duhet bërë më shumë. Edhe Nekiu duket se din t´i përfillë hiret e asaj muze naziqare. Kështu, derisa lexuam këto poezi, gjetëm se autori ka një lëndë shumë të pasur jetësore që mëton t´i japë trajtën e poezisë. Ky është një fakt që në shiqim të parë shpesh na duket i mjaftueshëm për krijimtari të njëmendtë poetike. (Hamburg, janar, 2012)



(Vota: 35 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora