E premte, 11.10.2024, 07:51 PM (GMT+1)

Kulturë

Nexhmije Mehmetaj: Prof. Dr. Shefik Osmani dhe pedagogjia e mësimit plotësues të gjuhës shqipe jashtë atdheut

E premte, 24.02.2012, 08:59 PM


PROF. DR. SHEFIK OSMANI DHE PEDAGOGJIA E MËSIMIT PLOTËSUES TË GJUHËS SHQIPE JASHTË ATDHEUT

 

Nga Nexhmije Mehmetaj

 

Prof . dr. Shefik Osmani është dijetar i madh, pedagogë përparimtar, didakt i shquar, promotor dhe drejtues i zgjedhur shkencor - pedagogjik i shkollës shqipe jashtë atdheut. Natyrisht se pohimet e këtilla kanë mbështetje mbi fakte dhe vepra të tij.

Prof. Dr. Shefik Osmani i lindur në Shkodër 1923. Në këtë qytet me tradita arsimore e atdhetare u dha i tëri, që fëmijë, pas “dritës së diturisë” është Laureat i çmimit të Republikës. Ish drejtor i shkollave pedagogjike në Shkodër, Peshkopi, Tiranë. Inspektor pranë Ministrisë së Arsimit dhe të kulturës, punonjës shkencor në ISP, publicist.. Shefik Osmani ka shkruar e botuar shumë. Ç'është e vërteta nuk janë pak 40 tituj të fiksuar në bibliografinë e tij shkencore.

Kur të shkruhet historia e diasporës shqiptare, krahas me shumë pedagogë të shquar që janë marrë me rëndësinë e gjuhës amtare larg atdheut apo me mësimin e gjuhës shqipe tek brezat e rinj, një vend nderi i takon pa dyshim prof dr Shefik Osmanit.

Shkolla e parë shqipe e pavarur  në Zvicër zë fill në vitin 1990 në kantonin Glarus, me mësuesen Drita Krasniqi, për t’u përhapur më vonë anembanë Kantoneve të Zvicrës. Përparime në këtë drejtim ishin arritur sidomos gjatë vitit 1994/95 shkolla shqipe jashtë atdheut është e organizuar në 14 shtete të botës: në Gjermani, Zvicër, Francë, Angli, Austri, Suedi, Norvegji, Holandë, Danimarkë, Finlandë, Belgjikë, Luksemburg, SHBA dhe në fillim të punës në Kroaci” Dr. Muhamet Bicaj. [1]  Për organizimin e shkollës shqipe Ministria e Arsimit e Qeverisë së Republikës së Kosovës  kishte përgatitur gjithçka të nevojshme: Plan-programin, dokumentacionin shkollor (regjistri, dëftesa, libreza nxënësish) tekstet shkollore udhëzime didaktike të hartuara dhe vënien në jetë të të cilit, prof dr. Shefik Osmani ka qenë promotor dhe drejtues i zgjedhur shkencor pedagogjik. Ai theksonte rolin shoqëror e pedagogjik të shkollës dhe edukatës për mes gjuhës amtare në kushte dygjuhëshe. Prandaj, edhe vetë shkolla duhet t’u shërbejë nevojave dhe progresit të shoqërisë.

Rëndësia e gjuhës amtare dhe roli i saj në përvetësimin e një gjuhe tjetër u bë objekt hulumtimi edhe nga pedagogë evropianë, si: dr. Rudolf de Cillia në Austri, dr.dr. Basil Shader në Zvicër, dr. Katrin Hohman në Gjermani etj. Në këtë frymë u paraqit edhe mendimi pedagogjik e didaktik i prof Shefik Osmanit, në artikullin “Teknologjia didaktike dhe mësimi shqip në diasporën e re” shkruan “Shkollat e mësimit plotësues janë një dukuri e re në fushën e arsimit botëror, janë shtojca të shkollave të rregullta vendëse, por që mbarështohen me kurrikula të veçanta - të ngritura mbi bazën  e të drejtave ndërkombëtare për arsimimin e fëmijëve refugjatë të punonjësve të huaj, që zakonisht emigrojnë si fuqi punëtore në vendet e zhvilluara, ku formojnë enklavat e tyre”.

 

Mbi 15 vite bashkëpunoi me organizatorë të mësimit plotësues, mësues e intelektual të diasporës për hartimin e një varg tekstesh shkollore me bashkautorësi u shërbyen nevojave shkollore në mësimin plotësues, si burim i rëndësishëm i diturisë janë: “Plotësori i abetares”,dhe në bashkautorësi “Zemra ime” për klasat (I-II-III) “Shkollë e jetë” për klasat IV-V-VI, “Leximi im” së bashku me fletore pune, teksti “Fjalë pas fjale”, “Fjalor me figura”etj.

Jo vetëm në pikëpamje pedagogjike por edhe në fushën e kulturës ai mori pjesë në Seminare të shumta të arsimtarëve si në Zvicër, Gjermani, Belgjikë, Holandë, Suedi etj. gjithkund ku jetonin shqiptarët, duke dhënë kontribut, në veçanti për zhvillimin e arsimit dhe të shkollave në gjuhën amtare.

 

Për hapjen dhe mbajtjen e shkollave të mësimit plotësues në Zvicër ishte përgjegjësi e madhe jo vetëm në përqasjen e tyre me shkollat tradicionale zvicerane, por edhe me shkollat simotra të komuniteteve tjera si spanjolle, italiane, portugeze, turke  etj të cilat kanë mbështetje të fortë të qeverive përkatëse. Por ato kishin mbështetjen e fortë të konceptuar nga prof Shefik Osmani.

 

Siç shkruan edhe vet ai se “ Shkolla Shqipe e Mësimit Plotësues është një hallkë e re në sistemin tonë arsimor për veçoritë që ka në krahasim me shkollat e tjera të rrjetit arsimor nga përbërja e nxënësve me origjinë fshatare e qytetare, me prurje dialektore në ligjërim dhe nivele të ndryshme njohurish. Ajo dallon edhe nga shkollat publike e ato private. Kjo shkollë shkruan ai, - i përgatit nxënësit në drejtim  të përvetësimit të gjuhës amtare shqipe dhe vlerave të saj artistike e shkencore, të njohjes së historisë së shqiptarëve, karakteristikave kryesore të gjeografisë së vendlindjes të të parëve të tyre dhe njohjes së disa tipareve të artit popullor, që është përpunuar në truallin tonë. Kjo shkollë mësimin e zhvillon njëherë në javë mbi bazën e klasave të bashkuara (I-X), u përshtatet rrethanave ku ndodhet dhe kushteve që kanë nxënësit në mesin dy gjuhësh.

 

Për rolin e edukatës dhe shkollës bën fjalë në shkrimin “Roli dhe perspektiva e shkollës shqipe të mësimit plotësues në diasporë”ndër të tjera shton:

” Roli i shkollës në këto momente mbetet në epiqendër. Ajo e mëson, aftëson, e përgatit brezin e ri me dije, me shprehi, me aftësi që kur nxënësi të mbarojë klasën e nëntë të jetë një njeri i mësuar, një bamirës, në atdhetar i përgatitur, një person i edukuar në frymën e idealit kombëtar.

Si pas tij angazhimi i mësuesve kushtëzon mbijetesën e fizionomisë kombëtare të brezit të ri shqiptarë të kësaj diaspore, traditat e së cilës: gjuha shqipe, doket e zakonet tona ruhen, trashëgohen dhe transmetohen, “..nëse do të funksionojnë si duhet shkollat tona, nëse në kuvende në vatra familjare, në mjediset e shkollës do të mbizotërojë gjuha shqipe, nëse do të kumbojë kënga shqipe. Ai komb që ka në dorë arsimin siguron të ardhmen e vet. Dhe e ardhmja sigurohet  me përgatitjen e brezit të ri për kthim në vendlindje.

Shkolla është një institucion shtetëror që përfshinë të gjithë nxënësit shqiptarë pa dallim krahine, pa dallim ideje e feje. Shkolla dhe mësuesi i edukojnë nxënësit që të miqësohen me njëri tjetrin, ta ndihmojnë njëri tjetrin, ta përkrahin njëri – tjetrin, së bashku ta lartësojnë emrin shqiptar, të mishërojë kudo nderin shqiptar, ta përfaqësojë kudo kulturën shqiptare dhe popullin shqiptar triumfues mbi dhunën, mbi forcën, mbi barbarët.

 

Shkolla shqipe është institucion i depolitizuar. Ajo është institucion kombëtar. Mësuesi personifikon personazhin numër një. Të mësuesi  prindërit shohin edukatorin e fëmijës së tyre ,shohin zëvendësin e tyre që i mbulon me kujdes e dashuri të gjithë fëmijët e tyre pa asnjë dallim, pa asnjë iluzion tjetër. Shkolla është vatër e patriotizmit shqiptar, qendra e kulturës kombëtare shqiptare, institucion ku kalitet shkenca e gjuhës shqipe, shkenca e historisë dhe gjeografisë etnike, punishtja e botës së artit shqiptar, prezantuesja e figurave të shquara shqiptare.

Ne intelektualët e Shqipërisë që na drithërohet zemra për të ardhmen e kombit “qëndrimin tuaj patriotik e shohim me kryelartësi, tubimet tuaja me krenari, shkollat tuaja me admirim të madh.

Shqiptarët e mëdhenj nga Kosova si Ymer Prizreni, Hasan Prishtina, Isa Boletini etj etj le të na shërbejnë si shembull se si duhet kombi dhe gjithçka kombëtare.”

 

Ndërsa në artikullin “Gjuha jonë është e bukur “ i këshillon prindërit:

“E pra, fëmijët tuaj nëse nuk ndjekin shkollën shqipe, nëse prindërit kënaqen vetëm me mësimin në gjuhën e huaj dhe nuk i dërgojnë fëmijët në shkollën shqipe të mësimit plotësues, nëse mësuesve shqiptarë u mungon vokacioni kombëtar dhe ai profesional këto të fundit shkallë – shkallë do të humbin gjënë më të shtrenjtë që ka çdo njeriu Gjuhën amtare. Humbja e gjuhës amtare dobëson marrëdhëniet me vendlindjen. Atdheu i dytë zë vendin e atij të parit. Vendlindja e prindërve, përkatësisht atdheu i parë mbetet vetëm në kujtesë sa për të treguar origjinën.

 

Ai gjithnjë mendonte se si të përparojnë nxënësit shqiptarë në shkollat e vendit ku ata kanë vendosur të jetojnë. “Nxënësit shqiptarë padyshim se duhet integrohen në shoqërinë pritës së bashku me gjuhën shqipe, duke ditur shqipen ata do të mësojnë një gjuhë tjetër më mirë” Ai theksonte rolin shoqëror e pedagogjik të shkollës dhe edukatës për mes gjuhës amtare në kushte dygjuhëshe.

 

Për nevoja të mësuesve hartoi “Dokumentet didaktike bazë të SHSHMP” në 41faqe.

 

Përshkruhen me imtësi si kurrikula të një institucioni të ri në teori e praktikë: nga plan- programet, struktura, paraqitja e tyre analitike. Cikli ulët përfshin klasat:I-II-III. Cikli i mesëm, kl. IV –V- VI. Cikli i lartë, kl. VII-VII-IX( me orët përkatëse të mësimit dhe temat në lëndët Gjuhë e Lexim), si dhe udhëzimet metodike e përshkrimi i teksteve e leximeve ndër lëndore deri te kultura muzikore dhe ajo figurative.

.

Ky plan vetvetiu është voluminoz, me përmbajtje të pasur dhe autentike, kështu që ajo meriton të gjurmohet duke e çmuar apo vlerësuar rolin e tij në zhvillimin e pedagogjisë së Mësimit Kombëtar jashtë atdheut. Plani dhe programi i shkollës shqipe të mësimit plotësues përmban. 1. Qëllimi dhe detyrat e shkollës shqipe.

• Shkolla shqipe e mësimit plotësues përfshin në gjirin e vet të gjithë fëmijët e familjeve të mërgimtarëve shqiptarë, që nga mosha 6-16 vjeç dhe i arsimon e i edukon ata me frymën e patriotizmit shqiptar, të vërtetave shkencore dhe bukurive estetike.

Ajo ka për qëllim që fëmijët shqiptarë të zotërojnë mirë gjuhën e shkruar amtare shqipe, ta kultivojnë atë dhe letërsinë shqiptare, të njohin historinë dhe gjeografinë etnike të vendit të të parëve të tyre, të kenë njohuri mbi lëmin e pasur etnografik( doke e zakone shqiptare, arte popullore etj.), të trashëguara brez pas brezi si karakteristikë dalluese e kombit tonë të lashtë.

 

• Shkolla shqipe synon gjithashtu që nëpërmjet leximeve letrare nga autorët më të njohur, mësimeve të gjuhës, pjesëve historike dhe atyre gjeografike, të kulturës muzikore dhe asaj figurative, ku do të reflektohen majat e gjinisë shqiptare, të edukojë krenarinë kombëtare legjitime shqiptare, larg ndrydhjes së psikologjisë së inferioritetit që duan të na imponojnë disa qarqe të caktuara shqiptarofobe, të mëkojë ndjenjat e dashurisë për vendlindjen e të parëve që manifestohet nëpërmjet veprimtarive të ndryshme si dhe perspektivën e rikthimit në atdhe.

• Shkolla shqipe e mësimit plotësues i edukon nxënësit me respekt dhe mirënjohje ndaj vendit mikpritës dhe në këtë kuadër përpunon rrugët e bashkëpunimit të saj me shkollën ku aneksohet, duke shfrytëzuar të tëra njohuritë shkencore e kulturore bashkëkohore të përbashkëta, që transmetohen prej saj, në mënyrë të pavarur.

• Shkolla plotësuese ka për qëllim që të përfshijë të gjithë fëmijët shqiptarë, kudo që ndodhën.

 

2. Struktura e Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues.

3. Programi analitik orientues. Para sheh 3 orë mësimore në ditë, sasia e temave dhe përmbajtja etj. .....

 

4. Udhëzime metodike.

 

Delemont, 16. Shkurt 2012

 


[1] Buletini i LAPSH »Naim Frashëri » në Zvicër 1995



(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora