E diele, 28.04.2024, 09:46 AM (GMT+1)

Kulturë

Nuhi Veselaj: Rreth identitetit të gjinisë asnjanëse në shqipen e sotme (I)

E enjte, 23.02.2012, 08:59 PM


RRETH IDENTITETIT TË GJINISË ASNJANËSE NË SHQIPEN E SOTME

 

Nga Dr. Nuhi Veselaj

Prishtinë, 2012

 

Përshëndetje!

Lexues i nderuar,

Kjo vepër si punim-sprovë me titull “Rreth identitertit të gjinisë asnjanëse në shqipen e sotme” në version pak më të shkurtër është publikuar së pari në veb-faqe zemrashiptare.net, në 10 vazhdime (03.11.2009 – 25.04.2010)  dhe së andejmi e plotë në Google (Akllapi net A.G/ Kuvendi L.) Vlerësuesit dhe publikuesit i falenderoj nga zemra.

Tashti, pas rishikimit e përpunimit të lëndës, u bë edhe ndonjë përplotësim, pos tjerash, përveç 3 tipave të asnjanësit të trajtuar në atë version: asnjanësi i mirëfilltë i paparanyjëzuar, asnjanësi prembiemëror i paranyjëzuar dhe asnjanësi prepjesor i paranyjëzuar, këtu u përfshi edhe tipi i katërt: asnjanësi në shprehjet ablativale (prejdhjedhore).

Kemi bindjen se nga trajtimi i bërë kryesisht në aspektin sinkronik, identiteti i emrit të gjinisë asnjanëse në shqipen e sotme del më i plotë se në çdo punim të mëparshëm kushtuar kësaj teme, prandaj gramatikanët e standardologët e sidomos studiuesit e gjuhës sonë do të bënin mirë që rezultatet e këtij punimi t’i kenë parasysh dhe risitë t’i çojnë më tej.

 

Autori

Prishtinë, mars  2012

 

 

Redaktor:

 

Recensues

1.  Prof. dr. Abdullah Zymberi

2.  Prof. dr.  Imri Badallaj

 

 

Pasqyra e lëndës:

 

Parathënie

Sqarim

Konstatime paraprake

1. Rreth kundërthënieve (nën)tekstore të sipërshprehura

2. Konstatime nga normativi “Gjuha letrare shqipe për të gjithë”

3. Konstatime nga prof. Kolec Topalli

4. Konstatime tona vetjake

 

I. PRANIA E ASNJANËSVE NË SHQIPEN LETRARE (FSHS 2002) DHE GRUPIMI

I TYRE SIPAS NYJË-MBARESËS SË NJËJËSIT TË SHQUAR

1) Grupimi i asnjanësve sipas nyjë-mbaresave të njëjësit të shquar

2) Konstatime rreth  grupimeve të mësipërme

a) Grupimi sipas tipit  të nyjë-mbaresave të shquarsisë

b) Grupimi përkatës dhe numri i shembujve

Tabela e numrit të asnjanësve të regjistruar në FShS 2002.

 

II. NËNFUSHAT SEMANTIKE SIPAS TIPAVE TË ASNJANËSVE NË

SHQIPEN LETRARE

A.     ASNJANËSIT E TRASHËGUAR SI EMRA TË MIRËFILLTË (TË PAPARANYJËZUAR)

B.     ASNJANËZIMI I MBIEMRAVE TË PARANYJËZUAR

a) Prejmbiemërorët me kuptimësi cilësie

b) Prejmbiemërorët  me kuptimësi gjendjeje a të qeni

1. Rreth kuptimit strumbullar të asnjanësit prejmbiemëror

a) Rreth sinonimisë  së asnjanësve  prejmbiemërorë  të cilësisë

b) Rreth  sinonimisë së asnjanësve  prejmbiemërorë jocilësorë

2. Sqarime të tjera rreth kuptimësisë  së prejmbiemërorëve

Skema ndërsinonimike e prejmbiemërorëve

3. Shembuj ilustrues fjalisor në përputhje me skemën e mësipërme

a) Nga grupimi i prejmbiemërorëve me kuptimësi cilësie

b) Nga grupimi i prejmbiemërorëve me kuptimësi jocilësore(gjendje a të qeni)

4. Vazhdimi i sqarimeve  në raportin asnjanësi prejmbiemëror/ barasvlerësit  sinonimikë

1) Specifikimi i nënfushave semantike kusht i bashkëjetesës sinonimike

2) Gjinia mashkullore si trajtë përfaqësuese e emërtimit të njerëzve  sipas gjendjes a veprimtarisë së tyre

3) Rreth zhvillimit të strukturës sinonimike të prejmbiemërorëve

C. ASNJANËZIMI MBI BAZË PJESOREJE

1. Grupimi i asnjanësve prejpjesorë sipas profilit të nënfushës semantike

2. Disa nga karakteristikat e veçanta të asnjanësve prejpjesorë

 

III. FAKTOGRAFI RRETH SHTRIRJES SË PËRDORIMIT TË

ASNJANËSVE  PREJPJESORË NË GJUHËN SHQIPE

1. Rreth qëndrimit jo të qartë teorik e praktik ndaj asnjanësve prejpjesorë në  shqipen e sotme letrare

2. Rreth përfshirjes së asnjanësve në burime të caktuara leksikografike të gjuhës sonë.

 

IV. VENDI I ASNJANËSVE PREJPJESORË  NË KUADËR TË

PREJPJESORËVE TË TJERË

1). Treshi sinonimik dhe emërtimi i proceseve tekniko-teknologjike në gjuhën shqipe

2)  Shembuj tipikë të treshit sinonimik të shqipes në krahasim me dy gjuhë të huaja në kontakt

3) Nënfushat semantike në raportin asnjanësi prejpjesor / barasvlerësi sinonimik

4) Skema e shembujve të treshit sinonimik sipas nënfushave semantike të tyre

Konstatime nga skema e mësipërme

Sipërfundim

 

V. KONSTATIME TË TJERA PLOTËSUESE RRETH IDENTITETIT TË

ASNJANËSVE TË PARANYJËZUAR

1. Rreth identitetit formal gramatikor

a) Raporti ndërgjinisor: asnjanës/mashkullor/femëror

Shënim

b) Raporti nyjë-përcaktuese e përparme joshquese ndaj emrit të gjinisë përkatëse

c) Raporti asnjanës/mashkullor, sipas nyjë-mbaresës shquese

2. Rreth identitetit semantik plotësues të asnjanësve në raport me sinonimikë të tjerë.

Skema e dallimeve ndërgjinisore sipas nyjës së përparme dhe të nyjë-mbaresave të shquarsisë

 

VI. ANASHKALIMI I VLERAVE REALE TË ASNJANËSIT NË

SHQIPEN E SOTME LETRARE PASOJË E KONSTATIMEVE

TË NXITUARA APO JO?

1) Çka mësojmë nga  reagimi i prof. A. Xhuvanit

2) Pasojat nga zëvendësimi i asnjanësit prejpjesor me trajta foljore në FGJSSH 1980

3) Rreth një konstatimi të nxituar kundërthënës të prof. A. Kostallarit

Sipërfundim

 

VII. ÇËSHTJE TË HAPURA SPECIFIKE RRETH ASNJANËSIT  NË SHQIPEN E

SOTME

1)  Rreth përkufizimit terminologjik të emërtimeve të tre tipave të identifikuar të asnjanësve

2) Rreth identifikimit të  asnjanësit prejrrjedhor (ablatival)

1. Nga gramatika e Akademisë

a) Nga morfologjia e gjuhës shqipe

b) Nga sintaksa e gjuhës shqipe

2. Nga punimi i prof. Shaban Demirajt

3. Nga konstatimi i prof. Kolec Topallit

4. Nga Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe (2011)

3) Çështje rreth  përkufizimit të nënfushës semantike të asnjanësve

4). Disa vërejtje për çështje  të veçanta

Sipërfundim

 

VIII. MENDIMI PËRMBYLLËS PËRGJITHËSUES RRETH

IDENTITETIT TË ASNJANËSVE NË SHQIPEN E SOTME

1. Konstatime përgjithësuese

2. Përkufizimi përmbyllës i profilimit të nënfushave semantike që mbulojnë katër tipat e asnjanësve

a) Asnjanësit si emra primitivë të paparanyjëzuar

b) Asnjanësit mbi bazë të mbiemrave të paranyjëzuar

c) Asnjanësit prejpjesorë të paranyjëzuar

ç) Asnjanësit  në shprehje prejrrjedhore (ablativale)

Përfundime rreth profilimit të nënfushave semantiket të asnjanësve

3. Edhe disa konstatime përgjithësuese rreth asnjanësve

Konstatime përmbyllëse

Rezyme

Literatura kryesore

  

Parathënie

 

Gjinia asnjanëse e emrave në gjuhën shqipe nuk është temë e patrajtuar në gjuhësinë tonë, si në aspektin historik ashtu edhe në atë aktual. Mirëpo, në studimet e deritashme, jo aq në rrafshin diakronik sa në atë sinkronik, vërehen mjaft paqartësi, madje edhe konstatime jo plotësisht  të sakta, të cilat sadopak do të vihen në pah  ose do të trajtohen në këtë punim.

Në të vërtetë, në burimet e deritashme, përveç identifikimit të tipave përkatës brendagjuhësorë, janë vënë në dukje, mjaft mirë, edhe disa nga veçoritë e veçanta të kësaj kategorie në shqipe në krahasim me asnjanësit e gjuhëve të familjes indoevropiane që e kishin ose që ende e kanë të gjallë një gjini të tillë. Madje, me sa jemi në dijeni, si karakteristika të veçanta brendagjuhësore të asnjanësit të shqipes që nga faza e dokumentimit të shqipes, si gjuhë e folur dhe si gjuhë shkrimi, në burime të caktuara, kryesisht përmenden si vijon:

 

E para, ndonëse thuhet se shqipja gjininë asnjanëse e ka të trashëguar nga gjuha i.e., gjuhësia jonë dhe përgjithësisht është konstatuar, me të drejtë, se trajtat e vjetra  të protoshqipes do të jenë zhdukur në periudha të hershme, ndërsa që të tre tipat e sotëm të asnjanësve të shqipes, të trajtuar në burimet tona normative: asnjanësit e mirëfilltë të paparanyjëzuar (primitivë), asnjanësit e paranyjëzuar prejmbiemërorë dhe asnjanësit e paranyjëzuar prejpjesorë, janë krijime relativisht të vona. Që të tre tipat janë zhvillime të brendshme të shqipes, por të përftuar e të përdorur mjaft gjatë, shekuj me radhë, prandaj edhe gjurmë të tyre të hershëm nuk mungojnë. Zhvillim i brendshëm është edhe asnjanësi i paranyjëzuar prejrrjedhor (ablatival), i cili përdoret i ndajfoljezuar në shprehjet përkatëse, qoftë në kuadër të ndajfoljes, ose të togfjalëshit të kallëzuesit të përbërë foljor,  që ne, për të veçantat që ka në krahasim me tre tipat e sipërpërmendur, në këtë punim, e trajtuam si tip më vete.

 

Sqarim:Me qenë se tipi i tillë asnjanës del si fjalë analitike e përbërë prej një fjale

shërbyese pjesëza dhe + një fjalë shënuese, (pjesore, mbiemër ose njësi tjetër gramatiko-leksikore), si p.sh: së+ pjesore, së kënduari, së + mbiemër së gjati, së + ndafolje së bashku etj. dhe hë për hë, nuk ka një emërtim të vetëm, të veçantë që përfshin të dyja grupet e nëngrupet, edhe pse edhe asnjanësi i tipit së kënduari mund të quhet: asnjanës i paranyjëzuar prejpjesor i rasës rrrjedhore i togfjalëzuar në kallëzuesin e përbërë , ndërsa  grupi tjetër tipi së gjati: asnjanës i paranyjëzuar prejmbiemëror i rasës rjedhore i ndajfoljezuar, ne parapëlqyem termin asnjanësi i paranyjëzuarshprehje prejrrjedhore ose asnjanësi ablatival (prejrrjedhor), duke pasur parasysh faktin se me fjalë-termin shprehje (lokucion) quhet një grup fjalësh me veçori të dallueshme nga kuptimi e funksioni, siç në të vërtetë janë pothuaj të gjitha shprehjet asnjanëse prejrrjedhore edhe kështu përfshimë të dyja grupet në një emërtm, por kjo nuk do të thotë se gjatë analizës, kur trajtohen veçoritë e të dyja grupeve, nuk do të përdoren terma ose shprehje të tjera adekuate.  Sigurisht për ne do të jenë më të pranueshëm termat, kur të vendosen  institucionalisht.

 

E dyta, si veçori e parë formale dhe funksionale e dallimit të një emri si asnjanës ndaj dy gjinive të tjera përmendet nyjë-mbaresa -t(ë), p.sh.: mish-të, të mirë-t, të menduar-i/t e numrit njëjës në rasën emërore në trajtën e shquar, për ndryshim, pra, nga gjinia mashkullore gramatikore që po në njëjësin e shquar merr nyjë-mbaresat e shquarsisë -i ose -u: punëtor-i, njeri-u si dhe nga gjinia femërore, e cila po në këtë trajtë shquarsie merr nyjë-mbaresën -a ose -ja, p.sh.: nënë-a,  lule-ja, ndërsa për tipin e katërt kjo çështje mbetet e veçantë, sepse ata nuk dalin në trajtën e shquar dhe si nyjë të parme nuk e kanë po së,  trajtë kjo arkaike.e rrjedhores.

E treta, gjithashtu asnjanësit dallohet formalisht e semantikisht edhe nga mbiemri a emri i paranyjëzuar në trajtën e pashquar të numrit njëjës në rasën emërore etj. dhe kjo shihet më së miri, kur emri përkatës parashoqërohet me nyjë-treguesin numëror një, si nyjë joshquese, sepse po në këtë rasë asnjanësi parashoqërohet me nyjën e përparme (+ fjala përkatëse), ndërsa emrat, zakonisht të emëzuar nga njësi të tjera leksiko-gramatikore (prejmbiemërorë a prejpjesorë e të tjerë) të dy gjinive aktive (mashkullore e femërore) marrin nyjat përkatëse të përparme, në mashkullore i (+ fjala përkatëse) e në femërore e (+ fjala përkatëse). P.sh.  asnjanësi një të bardhë ndaj një i bardhë (frymor m.) ose një e bardhë (frymor a abstrakt f.) ose  një të menduar as.  ndaj m. një (person a veprim.)  i menduar ose f. një (persone a punë) e menduar. Në të vërtetë, siç del nga shembujt e mësipërm emri në mashkullore ose femërore është i emërzuar nga njësi të tjera joemra edhe me kuptim konkret frymori ose me kuptim abstrakt, varësisht nga konteksti..

E katërta, si veçori tjetër e asnjanësit të shqipes në krahasim me gjuhë të tjera, po përmendim faktin se në gjuhën tonë asnjanësi del i identifikueshëm edhe si fjalë e thjeshtë sintetike, siç është tipi i parë i asnjanësve dhe si fjalë analitike, siç janë tre tipat e paranyjëzuar. Në të vërtetë, tre tipat e asnjanësit të paranyjëzuar konsiderohen si trajta të përftuara më vonë në krahasim me tipin e parë dhe quhen emra asnjanës analitikë vetëm pse janë të pajisur edhe me nyjën e përparme. Krahaso: nyja e përparme + mbiemri i emërzuar  (të mirët) – tipi prembiemëror ose nyja e përparme + pjesorja e emërzuar (të dalët)  - tipi prejpjesor ose nyja  e përparme + pjesorja ose mbiemri i emërzuar  (së menduari, së mbari) – tipi i shprehjeve prejrrjedhore.

E pesta, edhe sa i përket ndërtimit dhe fushës semantike që mbulojnë asnjanësit e katër tipave dallojnë nga njëri tjetri. Ndërsa tipi i parë, asnjanësi i paparanyjëzuar zakonisht del i përftuar si emër i mirëfilltë për të mbuluar kryesisht koncepte nga fusha e konkretizimit, duke emërtuar jo emra të një nënfushe semantike të specifikuar, por të ndryshme, zakonisht nocione të emrave të lëndëve të panumërueshme ose nocione të pjesëve të trupit të njeriut etj. (ujtë, kryet), tipi i dytë, asnjanësit e paranyjëzuar prejmbiemërorë të përftuar kryesisht sipas motivimit që u jep tema prodhuese mbiemërore, dalin të specifikuar në atë nënfushë semantike, ku shprehen zakonisht nocione abstrakte të një cilësie, gjendjeje a të qeni. Po ashtu edhe tipi i tretë, asnjanësit prejpjesorë dalin të specifikuar për një nënfushë të veçantë semantike, ku shprehen zakonisht koncepte veprimi ose ide të konceptuara veprimtarish. Tipi i katërt, asnjanësit prejrrjedhorë, për të cilët thuhet se duke kaluar në shtresën arkaike e kanë të humbur motivin e ndonjë specifikimi të veçantë të mëvetësishëm, siç e kishin dy tipat e tjerë parashtesorë, por edhe këta me tiparin e emrit abstrakt  (prerjpjesor a prejmbiemëror), qoftë si pjesë përbërëse të kallëzuesit, qoftë në funksion  të shprehjeve ndajfoljore e ruajnë tiparin e emrit abstrakt, dhe kështu mbulojnë fusha semantike lidhur me veprimet përkatëse.

E gjashta, që nga faza dokumentuese e shkrimit të gjuhës sonë e gjithnjë në vijimsi konstatohet se asnjanësi i të tre tipave të parë, nuk i ka të zhvilluara të gjitha kategoritë morfologjike (numrin e rasën) qysh i kanë emrat e dy gjinive të tjera, dhe si pasojë gjinia e tillë paraqitet me paradigma të mangëta (për nga numri e rasa). Tipi i katërt si prejpjesor ose si prejmbiemëror i emërzuar, duke kaluar në funksion ndajfoljeje, nuk e ruan aspak kategorinë e lakimit në rasa, ngase përdoret si fjalë e ngurëzuar. Mirëpo jo vetëm për këtë, por edhe për disa elemente të tjera gjinia asnjanëse e emrave në gjuhën shqipe nuk mund të krahasohet si gjini e barabartë me dy gjinitë e tjera,  por edhe emrat e tillë të të katër tipave kanë specifika te veta të veçanta që nuk i kanë emrat e dy gjinive aktive dhe kështu e përplotësojnë strukturat përkatëse në sistemin emëror të shqipes.

E shtata, është konstatim me vend, ndonëse në finesa shfaqen përjashtime, se asnjanësit e mirëfilltë (primitivë) që shprehnin zakonisht nocione të gjë-sendeve konkrete jogjinisore, ndërkohë, duke i përzier ose duke i përvetësuar treguesit e emrave të gjinisë tjetër përkatëse, por pa u larguar nga rrënjëzori fjalëformues, shkallë-shkallë janë integruar ose janë në shkrirje e sipër në gjininë përkatëse aktive, më shumë në gjininë mashkullore e më pak në atë femërore.

E teta, edhe për asnjanësit e paranyjëzuar si emra analitikë, që shprehin zakonisht nocione abstrakte, por edhe të tjera, janë dhënë mendime jo të padiskutueshme se edhe këta kanë pësuar rrudhje sa u përket nënfushave semantike e së këtejmi kanë edhe pakësim numri(!), jo nga shkrirja në gjini tjetër, siç ngjau me asnjanësit e tipit të parë, po kanë humbje (zhdukje!) nga konkurrenca d.m.th. nga zëvendësimi i tyre me emra të prejardhur abstraktë sinonimikë të tipit sintetik. Kështu, thuhet, se prejmbiemërorë e rasës emërore janë zëvendësuar kryesisht me emrat e prejardhur me prapashtesën -si, ndërsa prejpjesorët e rasës emërore me emrat e veprimit me prapashtesat -im ose -je a ndonjë tjetër. Për këtë shkak, siç thuhet, edhe numri i asnjanësve të këtyre dy–tre tipave është zvogëluar shumë dhe priret të zvogëlohet edhe më(!). Si pasojë e një bindjeje të tillë, për ne, jo të pleqnueme drejt, edhe këta dy tipa bashkë me tipin e parë janë karakterizuar nga ndonjë ose nga disa teoricienë të standardologjisë së gjuhës sonë si mbeturina(!), pa të ardhme në standard dhe si të tillë supozohet se do të mbesin në raste vetëm si relikte a si trajta arkaike(!?).

 

Pikërisht konstatimet e fundit, nga pika 8, lidhur me pasivizimin deri në zhdukje të asnjanësve en bloc (për të tre a katër tipat) që ne i mbyllëm me pikëçuditje e pikëpyetje në kllapa, i quajmë konstatime të nxituara, jo të qëndrueshme ose jo të pleqnueme drejt dhe gjithsesi shumë të diskutueshme. Po shtojmë edhe këtë se jolumnisht, konstatime të tilla, pra shumë të diskutueshme ose jo të pleqnueme drejt i ndeshim, pothuajse, në të gjitha punimet shkencore e si rrjedhojë edhe tekstet relevante shkollore e universitare përkatëse të gjuhës sonë. Ne i quajtëm konstatimet e tilla të guximshme, sepse siç do të shohim në këtë punim ato bien ndesh me realien, me realitetin tonë gjuhësor.

Kur themi kështu kemi parasysh dy fakte që nuk janë vërejtur ose nuk ishin të njohura sa duhet më përpara nga studiuesit e caktuar

 

e para, në studimet e deritashme nuk është vërejtur mjaftueshëm fakti se asnjanësit e paranyjëzuar, të dy tipat joprejrrjedhorë, nuk u zëvendësuan dhe as sot nuk po zëvendësohen plotësisht nga sinonimikët përkatës në fushën e abstraksionit që, sipas motivimit, e kishin si destinacion të parë, por janë të zëvendësueshëm ose priren të zëvendësohen vetëm për një pjesë të fushës përkatëse të abstraksionit, i cili sadokudo ka edhe koncepte me elemente konkretësie dhe

e dyta, nuk është vërejtur gjithashtu fakti se prodhueshmëria dhe aktiviteti i asnjanësve të paranyjëzuar prejmbiemërorë dhe sidomos i atyre prejpjesorë, në shqipen e sotme, si në gjuhën e folur, ashtu edhe në atë të shkruar, faktikisht nuk del i zvogëluar. Gjithsesi dhe kurrsesi në atë masë sa të konsiderohen, emrat e tillë si mbeturinë(!). Përkundrazi numri i tyre, varësisht nga konteksti, po shënon rritje ose, siç do të shohim, ka mundësi të pakufizuar shumimi.

 

Për një kundërvënie të tillë ne bazohemi jo vetëm në realitetin tonë të përgjithshëm gjuhësor dialektor, por edhe në gjuhën e sotme standarde. Po si ndodhi, pra, një lajthitje e tillë me elemente patologjike ose a pati fare lajthitje? - mund të pyesë dikush.  Edhe ne i bëmë vetvetes një pyetje të tillë, prandaj  jemi përpjekur me e zgjidhë enigmën në 8 krerët e këtij punimi (monografi), të titulluar: Rreth vetëvetësisë (identitetit) të asnjanësit në shqipen e sotme, ku mjaft në hollësi dhe thellësi jemi përpjekur me trajtue këtë temë..

Pa u zgjatur shumë, këtu po themi se një lajthitje e tillë, nëse mund të quhet kështu nga dikush, konstatojmë me plotgojë se ajo nuk ekziston. Nuk ekziston në kuptimin se ç’është e vërteta studiuesit tanë me dritën e shkencës në mendje ndërkohë, në ecje e sipër, duke u ngjitur malit të dijes, patën hyrë mjaft thellë në pyllin e panjohur të sistemit emëror e foljor të gjuhës sonë dhe atë që e panë në atë pyllnajë, teorikisht e përmbajtësish edhe e patën trajtuar (shënuar) mirë në burimet përkatëse të publikuara, por ata për shkaqe të ndryshme, sigurisht edhe të arsyeshme, objektive e subjektive, nuk patën mundësi me depërtue edhe më në thellësi të asaj pyllnaje, andaj për pjesën e pashkelur dikush prej tyre pati dhënë ndonjë supozim, e supozimet ose parashikimet herë-herë mund të dalin të qëlluara e herë-herë jo. Prandaj për këtë askush nuk duhet fajsuar si i lajthitur.

Ne, ç’është e vërteta, rastisëm të hyjmë pak më thellë në atë pyll, duke ecur rrugës që trasuan ata, për çka i falënderojmë shumë. Mbase pak rrugë hapëm edhe vetë, siç do të shihet nga kjo sprovë jona, apo jo, le të vlerësohet. Kështu themi kur e kemi fjalën vetëm për temën në shqyrtim. Në këtë kontekst, është e vetëkuptueshme, mendojmë ne, se për temën në shqyrtim, andaj pse nuk është studiuar më thellë askush nuk duhet të fajësohet. Pra, asnjeri për atë që s’ka pasur mundësi ta shohë e ta njohë nuk mund të kritikohet.. Më parë mund të fajësohemi ne, nëse nuk jemi të zotët me e paraqitë atë risi që e kemi parë e konstatuar dhe njëherazi, mbas tashti, mund të fajësohen edhe më shumë ata përgjegjës nga vendi i punës a pozita që mbajnë, ose nga punët e detyrat që kryejnë në shoqëri, që pasi të vërtetohen risitë shkencore e praktiike, të cilat, tashmë, po dalin sheshazi, në dritën me diell sprovash diturie, nuk i interpretojnë si e sa duhet ose edhe nuk i përfillin e zbatojnë apo edhe nuk i bëjnë korrigjimet ose përplotësimet e nevojshme në burimet përkatëse destinuar kësaj teme.

 

Pra, konfuzioni ka ndodhur pa të keq, sepse studiuesit që i njohim ne, të cilët do të ceken ose edhe jo të gjithë, në këtë punim, me veprat e tyre nuk kanë mundur ta shohin çështjen në fjalë më thellë sinkronikisht, sepse disa prej tyre tërë energjinë e kishin shpenzuar në shndritjen e gjërave nga pikëpamja historike, ku diakronikisht kanë korrur, vërtet, suksese të pamohueshme, kurse nga aspekti aktual sinkronik janë mjaftuar, si me thënë, me të dëgjuar nga të tjerët ose me ndonjë vështrim sipërfaqësor dhe vetëm të një nënfushe semantike, si të themi gjysmëabstrakte-gjysmëkonkrete, d.m.th. e patëm nën vezhgim procesin e veprimit, vetëm nga një pikë, qoftë vetëm veprimin si proces ose vetëm  rezultatin e veprimit, në njërën anë e jo edhe idenë e konceptimit në majat më të larta të abstraksionit, në anën tjetër.

Me fjalë të tjera, kur është fjala te nënfusha semantika e vetë procesit të veprimit dhe të rezultatit e kanë hetuar mjaft mirë, sepse këtu me të vërtetë asnjanësi përkatës në konkurrencë me sinonimikë të tjerë, ka pësuar rrudhje, pasivizim e në raste edhe zhdukje në dukje.

E themi, në dukje, sepse asnjanësit e tillë nuk kishin pësuar zhdukje të vërtetë, siç do të shpjegohet në këtë punim, ngase kishin bërë tërheqje taktike të natyrës praktike, duke marrë përqendrim të ri pozicionimi në një nënfushë të përafërt semantike, jo për të shprehur nocionin e vetë procesit të veprimit, dhe as të rezultatit të veprimit, por për konceptin e shkallës më të lartë të atij nocioni në fushën e abstraksionit, prandaj ne gjykimet e tilla rreth rrudhjes a shuarjes së përgjithshme të asnjanësve të paranyjëzuar i quajtëm konstatime të nxituara.

 

Sidoqoftë, edhe në këtë punim-sprovën tonë, sigurisht mund të kenë mbetur gjëra të diskutueshme ose të pa zbardhura mirë, përveç atyre që pamë ne, pasi nuk kemi mundur ta konsultonim tërë materialin që ndoshta ekziston rreth kësaj teme. Fundja, as që pretendojmë se kemi dhënë përgjigje shteruese për të gjitha çështjet e diskutueshme lidhur me këtë, megjithatë kemi bindjen se temën në fjalë e kemi trajtuar më në hollësi, thellësi dhe gjerësi seç është bërë, me sa dimë, më përpara në aspektin sinkronik nga studiuesit tanë. Së këtejmi, kërkojmë dhe shpresojmë që përpjekja jonë për zbardhjen e problemit në fjalë, do të mirëkuptohet nga dashamirësit e shkencës së gjuhës sonë dhe sidomos nga kuadrot përgjegjës të standardologjisë shqipe, në mënyrë që shembujt e kësaj gjinie gramatikore: asnjanësit e paranyjëzuar të vlerësohen më drejt, dhe së këtejmi që tashti, menjëherë dhe në të ardhmen edhe në interpretim më mirë të zënë vendin e merituar në kuadër të mozaikut të sistemit emëror të shqipes.

 

Në fund, kërkojmë nga lexuesi i nderuar që gjatë leximit dhe pasi ta lexojë e rilexojë punimin në tërësi të mbajë qëndrim kritik. Për çdo vërejtje a vlerësim do të jemi mirënjohës. Shfrytëzojmë rastin të falënderomë recensuesit, në mënyrë të veçantë prof. dr. Abdullah Zymberin, të cilët jo vetëm pse dhanë vlerësimin pozitiv që i bënë këtij punimi, (me gojë e me shkrim), por edhe për guximin që patën për të mbështetur qëndrimin tonë në dukje të guximshëm, ngase nuk është lehtë me dalë në kundërvënie ndaj konstatimeve të mëparshme të disa studiuesve tanë të njohur, konstatime këto, të cilat edhe janë konsideruar si të vërteta të pakontestueshme e që ne i quajtëm të nxituara.

 

Prishtinë, 2012

Autori

 

 

Konstatime paraprake

 

Historianët e gjuhës shqipe kanë konstatuar se në periudhën paradokumentuese, përveç emrit të gjinisë mashkullore dhe asaj femërore ishte shfaqur në gjuhën tonë edhe emri i gjinisë asnjanëse, i cili ka lindur sigurisht nga nevoja për t’i dalluar emrat përkatës nga dy gjinitë e tjera natyrore, mashkullore e femërore ose ndërkohë për të plotësuar ndonjë vacuum në strukturën përkatëse gramatikore, ashtu siç ka ndodhur edhe në gjuhët simotra të familjes  i.e. e të tjera.

Në të vërtetë, që në atë periudhë të dokumentimit në gjuhën shqipe dallohen këta  tipa asnjanësish:

së pari, si më të hershëm konsiderohen, pa dyshim, emrat asnjanës të mirëfilltë (primitivë) të paparanyjëzuar, me të cilët emërtoheshin koncepte të fushës konkrete e abstrakte të spektrit të gjerë, megjithatë, mund të thuhet se, ndërkohë shihet njëfarë përqendrimi i tyre rreth emërtimit të lëndëve (ushqimore) më të përdorura të kohës, zakonisht jo të numërueshme, si dhe në disa emra të veçantë të pjesëve të trupit e të tjerë, zakonisht të pandashëm në ekzemplarë, shembuj këta, që disa prej tyre dalin të identifikueshëm sipas formës  së formimit edhe në gjuhën e sotme, siç janë emrat: mish-të. ujë-t,  krye-t,  anët(ë), e ndonjë tjetër;

së dyti, emrat asnjanës prejmbiemërorë të paranyjëzuar, të cilët u përftuan më vonë, sipas gjase jo ekskluzivisht për emërtimin e gjërave konkrete, por për koncepte të fushës abstrakte, siç janë konceptet e tipareve të veçanta që i ka mbiemri: të cilësisë, të gjendjes a të qenit (tipi: të mirë-t, të keq-të, të gjallë-t);

së treti, emrat asnjanës prejpjesorë të paranyjëzuar, që edhe këta, duke ndjekur pas vijën së formës së formimit të prejmbiemërorëve, u krijuan fillimisht për të mbuluar nocione abstrakte, siç janë në radhë të parë, emërtimet e proceseve të caktuara të veprimit e pastaj u shtrinë edhe në ndonjë nënfushë tjetër (tipi: të menduar-it, të dalë-t, të shkruar-it, të rrezatuarit) dhe

së katërti, emri asnjanës ablatival, po thuajse mbeturinor, që u quajt prej nesh prejrrjedhor, sepse del i përftuar në shprehje mbi bazë të rasës arkaike rrjedhore, të cilat në ditet tona, si të thuash, duken si të ringjallur, reflektohen në funksion të një kallëzuesi të përbërë në marrëdhëne kundrinore a rrethanorsi p.sh: pushoi së kënduari (këngën), (u kënaq) së pushuari (nga të pushuarit), por edhe si ndajfolje e shprehjes ndajfoljore, ku shprehin nuanca të veçanta kuptimore rreth veprimit të caktuar semantiko- gramatikor, tipi: së bashku apo të ecim së bashku, së mbari apo u kthye së mbari, së dyti ose për së dyti në radhë etj. po duke bartur me vete kuptimësinë e rrjedhojes së veprimit abstrakt, por të gërshetuar me elemente  konkretësie kryesisht.me prejardhje mbiemërore.

Meqë tipi i katërt  edhe pse ka të bëjë,  kryesisht me shprehje kryesisht ndajfoljore ose rreth tipareve të veprimit që shpreh kallëzuesi me foljet përkatëse dhe njëherazi shpreh përmbajtjen leksiko-gramatikore  të emrit por të gërshetuar me foljen paraprirëse të tipit të veçantë (të nënkuptuar ose të shprehur), në njërën anë dhe njëherazi nuk ka të bëjë me strukturë normale të asnjanësit të mirëfilltë prepjesor që identifikohet formalisht edhe sot, ne, gjatë tërë analizës edhe pse mund ta përmendim paksa kalimthi, deri në dy krerët e fundit nuk do ta kemi objekt të veçantë trajtimi, por do të marrim në analizë pothuajse vetëm tre tipat e parë, sepse tek ta, për mendimin tonë, paraqiten edhe probleme të hapura edhe fakte të veçanta më të vërejtjeshme identifikimi.

Si duket, gjasat tregojnë se në gjuhën tonë të dokumentuar asnjanësi primitiv i mirëfilltë asnjëherë nuk kishte përfshirë, jo vetëm të gjithë jofrymorët, por as të gjithë frymorët, madje edhe ata që nuk dallohen sipas seksit, përkatësisht të gjithë ata emra që nuk tregonin gjini natyrore, prandaj termi gjini asnjanëse, sidomos sot, me treguesit përkatës që ka, ka kuptim të karakterit thjesht gramatikor, ashtu si edhe shumica e dy gjinive të tjera.

Siç dihet, në shqipe, gjinia e emrit përcaktohet zakonisht nga nyjë-mbaresa e njëjësit të shquar: –t(ë) për gjininë asnjanëse, -i,-u për gjininë mashkullore dhe –a, -ja për gjininë femërore; si dhe nyjë-treguesi i pashquar një  paraprijës të emrit të caktuar: as. (një)këta, m.(një)ky këta dhe f. (një)kjo (një)këto.

Thuhet në burime të caktuara se asnjanësi i të tre tipave të parë në periudhat e mëhershme të para dokumentimit të shqipes, ka pasur shtrirje më të gjerë dhe njëherazi edhe përdorim më të dendur se në periudhën e më pasme, kur u bë i mundshëm praktikisht dokumentimi i tyre. Ne, pa kundërshtuar tërësisht, supozimin e tillë teorik, e marrim me rezervë, pikërisht atë pjesë të konstatimit që ka të bëjë me faktin se ndërkohë gjoja fushëveprimi semantik i tyre i të tre tipave të parë, pra edhe i paranyjëzorëve, në vazhdimësi në rrjedhë të kohës, shkallë-shkallë jo pse paska pësuar tkurrje, që nënkupton edhe zvogëlim numri për konceptin përkatës, por për faktin se gjoja aktualisht paska marrë përgjithësisht edhe shenja shuarjeje ose karakteristika reliktore a mbeturinore ?!

Sidoqoftë, ne para se të shprehim rezervën tonë lidhur me këtë, në vazhdim po japim mendimet, pra, jo të padiskutueshme të disa gjuhëtarëve tanë me emër lidhur me këtë çështje dhe po fillojmë, së pari, me atë të prof. Sh. Demirajt.

Prof. Sh. Demirajt, si duket i përqendruar, kryesisht, në analiza historike, pa u thelluar në aspektin e përimtësuar sinkronik, për të tre tipat e parë të asnjanësve shfaq mendimin, pra sot joplotësisht të pranueshëm, sidomos, kur është fjala, për dy tipat e paranyjëzuar:

 

Gjatë kësaj periudhe (periudha III, shek. XIV, XV – XVI, deri në fillim të Rilindjes Kombëtare  n.v.) dobësohet gjithnjë e më shumë gjinia asnjanëse, e cila shndërrohet më në fund në një gjini mbeturinore, jo vepruese” ose “Gjinia asnjanëse ruhet ende sot te disa emra prejpjesorë si të folurit, të menduarit etj., te disa emra prejmbiemërorë: të kuq-të, të verdhë-t etj. e sidomos tek disa togfjalësha arkaikë (f. 198), sepse, emrat asnjanës, të tipit ballë-të, ujë-t në njëjës janë integruar në gjininë mashkullore, ndërsa në shumës në gjininë femërore, kurse emrat prejmbiemërorë dhe ata prejpjesorë asnjanës, të tipit: të mirët, të qeshurit, si dhe dëftorët asnjanës: ata këta si në njëjës sot në shumës janë integruar në gjininë femërore”. (Shih Sh. Demiraj, Gramatikë historike e gjuhës shqipe, Prishtinë 1998, f. 57, 200.)

 

Me fjalë të tjera ky me plot bindje shprehet se te tre tipat e asnjanësve mund të konsiderohen, sot për sot, të pasivizuar, joveprues dhe se një çintegrim i tillë, sipas tij, është rezultat:

“i prirjes së përgjithshme të shqipes për të parapëlqyer emrat me prejardhje sintetike, përkundër tipit analitik, andaj prejmbiemërorët janë zëvendësuar gjithnjë e më shumë me emra të prejardhur me prapashtesat -i, -ë/ni -ëri, -si, ndërsa prejpjesorët me emra të prejardhur me –im dhe –je. (Aty, f. 204.)

 

Një qëndrim të tillë kategorik, pa koment a interpretim plotësues, e ndeshim, pothuaj edhe në Gramatikën e Akademisë (1976, 1995, 2002), ku shprehimisht thuhet:

“Gjinia asnjanëse në gjuhën e sotme shqipe përbën një kategori që vjen vazhdimisht duke u rrudhur. Ajo është reduktuar në një numër të kufizuar fjalësh dhe, me humbjen plotësisht të gjinisë asnjanëse të fjalëve përcaktuese (të mbiemrave, të përemrave dëftorë e pronorë), shfaqet vetëm morfologjikisht në tipin e lakimit të shquar  (vetëm në rasat emërore e kallëzore njëjës), në disa emra  edhe me praninë e nyjës –të, për rasën emërore njëjës dhe, të ndryshme nga ajo e gjinisë mashkullore –i dhe ajo e gjinisë femërore -a: krye-t, të ecur-it, të ri-të. Pra, gjinia asnjanëse në shqipen e sotme ka karakter mbeturinor”. (Aty f. 93.)

 

Jolumnisht, një konstatim të tillë, përgjithësues rreth tkurrjes, shkrirjes a pasivizimit, madje edhe zëvendësimit a shndërrimit, pa bërë dallimin a shpjegimin e duhur se për cilin tip asnjanësish dhe për cilën nënfushë semantike është fjala, e ndeshim të theksuar, mjerisht, en bloc, pothuaj në të gjitha veprat tona gjuhësore të derisotme që konsiderohen normëzuese dhe shkencërisht të drejta, siç janë  Studime gjuhësore në fushë të shqipes  (nga prof. I. Ajeti, Prishtinë, 1985), ku thuhet se “në gjuhën shqipe kemi edhe gjininë asnjanëse, megjithëse të sjellë në një numër të vogël emrash”. (Shih aty f. 96.), në Gramatikën praktike të gjuhës shqipe (grup autorësh), Tiranë 1998), konstatohet gjithashtu, se emrat asnjanës janë të paktë, përdoren kryesisht në frazeologji, në ndërtime të ngurosura, vetëm në njëjës, më shpesh në një trajtë... ata zakonisht të shquar përdoren edhe si terma. (Aty f. 15.) Edhe në Gramatikën e gjuhës shqipe për të gjithë (të B. Becit), Tiranë, 2004, thuhet shkurt se “janë në gjininë asnjanëse disa emra të prejardhur nga mbiemrat: të ftohtë-t, të zi-të, të kuq-të; disa emra të nyjshëm  të prejardhur  nga foljet (prejfoljorët): të folur-it, të shtypurit, të dalë-t, të qeshur-it”. (Aty f. 57.) Po ashtu, por edhe më shkurt del përcaktimi te Shqipja standarde (vepër e Rami Memushajt, Tiranë, 2005.), ku thuhet vetëm kaq se “Gjinia asnjanëse përfshin një klasë shumë të kufizuar emrash, kryesisht ata me nyjë të përparme”. (Aty f. 53.)  Prof. Eqerem Çabej, në të vërtetë, pa e përmendur tipin përkatës, se cilit tip i referohet, shprehet se “në gjuhën e shkrimit (ashtu si te disa gjuhë të tjera i.e.) është një tendencë që asnjanësi të zhduket”. (Shih Studime gjuhësore VII, Prishtinë  1986, f. 94.) Po këtij konstatimi, pa e përcjell me koment, sipas prof. R. Ismajlit, i bashkohet edhe  Harvej Mayer me fjalët: “neutri  anon të zhduket në shqip e në rumanisht”. (Shih: Seminari... 25/1, Prishtinë 2007, f. 52.) Edhe studiuesi ri N. Pajaziti, në një paraqitje te vepra Frang Bardhi - 400 vjetori i lindjes  (përmbledhje kumtesash, botim i IAP-së, Prishtinë 2007.), pa e përcaktuar tipin përkatës, shpreh njëkësi mendimi: “Emrat asnjanës që i hasim te këta shkrimtarë (Buzuku e Bardhi) në ditët tona janë integruar në njërën nga dy gjinitë, pjesa më e madhe në gjininë mashkullore, ndërsa një pjesë më e vogël në gjini femërore”. (Aty f. 155.)

Nuk po vazhdojmë me përmendje të tjera, sepse lista del e gjatë, por e shohim të arsyeshme që kalimthi të cekim konstatimin e prof. L. Mulakut, i cili pajtohet me atë të prof. Sh. Demirajt se ”asnjanësit participorë dhe ata me prejardhje mbiemërore janë zëvendësuar thuajse plotësisht me emra prapashtesorë” (Shih Seminari...25/1, f. 447.)

 

Tash së voni temën rreth asnjanësit në shqipe e ka trajtuar mjaft gjerësisht prof. Kolec Topalli në veprën Gramatikë historike e gjuhës shqipe (Tiranë 2011). Natyrisht edhe ky duke e trajtuar këtë lëndë kryesisht nga pikëpamja diakronike mbështet konstatimin se ashtu si edhe në gjuhë të huaja edhe në gjuhën tonë sa i përket prodhueshmërisë dhe aktivitetit të tyre kjo gjini gjoja në shqipe ka pësuar pakësim ose çintegrim. Pra, edhe ky autori në një vend tjetër, pa u deklaruar se për cilin tip e ka fjalën, shprehet kështu:

Nga shekulli në shekull vërehet shtimi i emrave me prapashtesast –im dhe –je, që kanë zëvendësuar emrat e gjinisë asnjanëse duke shënuar kështu mënjanimin gradual të asnjanësit në gjuhën shqipe. (Vepra e cit. f. 223.)

Prandaj sipas tij:

Si rezultat i çintegrimi të emrave asnjanës në gjinitë e tjera, asnjanësi në ditët  tona paraqet një kategori gramatikore reliktore ...

megjithatë autori nuk e sheh të zhdukur plotësisht këtë kategori, në gjuhën tonë, ngase asnjanësi, fjala e tij::

Ka mbijetuar me rastet që vijon:

1) tek emrat e formuar nga emërzimi i mbiemrave prejpjesorë, si: të lodhurit, të punuarit, të mësuari; të ftohtit, të ngrohtit etj.;

2) tek emrat e mësipërm në rasën rrjedhore, si: mbarova së foluri, plasa së qari, u lodhe së punuari etj.;

3) tek emrat e formuar nga emërzimi i një mbiemri të mirëfilltë, si: të zi - të zitë e ullirit, të verdhë  - të verdhët e vesë, të kuq-  të kuqtë e buzëve;  me të mirë, me të keq;

4) tek ndajfoljet e shprehjet ndajfoljore, të formuara nga emërzimi i kategorive të tjera leksiko-gramatikore në rasën rrjedhore, si: së largu, së shpejti, së afërmi, së bashku, së pari, për së mbari, për së gjati, për së gjalli; kot së koti etj.;

5) në format foljore të pashtjelluara analitike, të krijuara me togje parafjalore me një emër prejpjesor të gjinisë asnjanëse, si:  me të marrë, një të dalë, për të hyrë.

 

Për mendimin tonë, edhe në konstatimet e tij dalin çështje të paqarta ose të diskutueshme. Sido që të jetë, siç mund të shihet nga paraqitja e autorit imponohen për trajtim, jo vetëm asnjanësit prejmbiemërorë, të cilët kanë të veçantë ose funksionale rasën emërore dhe kallëzore, por edhe asnjanësit e rasën rrjedhore ose asnjanësit me shprehje prejrrjedhore, pika 2) dhe 4), që ne i kategorizuam si tip më vete.

Në të vërtetë, në këtë punim janë dhënë edhe mjaft konstatime të tjera plotësisht ose pjesërisht të pranueshme, të cilat domosdo do të përmenden gjatë analizës në punimin tonë, por për ne del i diskutueshëm ose jo i qartë konstatimi tjetër i autorit që ka të bëjë me prejpjesorët e paranyjëzuar të rasës emërore, sepse sipas tij,

këta emra (prepjesorët) sa vijnë e po zëvendësohen me emra të tjerë joasnjanës ose priren të zëvendësohen (në mjaft raste) me emra prejfoljorë të formuar nga prapashtesat –im dhe –je, si lodhje - të lodhurit, mësim – të mësuarit, larje të larit, kërkim – të kërkuarit, qenie – të qenët, qëndrim – të qëndruarit, ndejë –të ndenjurit etj.,

konstatim ky që sipas nesh del gjithsesi i diskutueshëm.

Pra, shikuar sipërfaqësisht e njëanshëm edhe ky autor sipas konstatimeve të tij  përqafon  mendimet e  konstatuesve të më sipërm se  gjoja  kjo gjini aktualisht mund të cilësohet si një formë joaktive ose si një relikt, i cili, siç e thonë disa, së shpejti si mbeturinë mund t’i takojë së kaluarës (!), andaj, edhe gjithnjë e më pak është shënuar subjektivisht te disa fjalorë të viteteve ’70-’80 të shekullit të kaluar, burime këto, të cilat ende dalin të rekomanduara si plotësisht të normëzuara.

Sidoqoftë, ne gjatë analizës do të vjelim shembuj e konstatime nga këto burime, por edhe do t’i shfrytëzojmë të gjitha ato që shkojnë në interes të punimit tonë Rreth identifikimit të asnjanësitnë gjuhën e sotme shqipe, qoftë në mbështetje ose jo të mendimeve tona.

 

Ne, vërtet, pas analizës që i bëmë çështjes në fjalë, rreth verifikimit të pohimeve të mësipërme erdhëm në përfundimin se shikuar realisht disa nga konstatimet e mësipërme të të gjithë autorëve që kanë të bëjnë rreth pasivizimit, zëvendësimit a shuarjen apo rreth kufizimit të numrit të asnjanësve në përdorim e sipër, sidomos për dy –tre tipat e paranyjëzuar, i marrim me shumë rezervë, madje si të tilla pa ndonjë sqarim plotësues, mund të cilësohen edhe si konstatime të guximshme, të nxituara, madje edhe si teprime a një sipunë me gjykime të pamatura mirë.

 

Ne,  për rezervën a mospajtimin tonë gjejmë mbështetje në këta katër faktorë:

 

e para, nga nënteksti i konstatimeve të tilla kundërthënëse që u cekën më sipër,

e dyta,             nga vërejtje-vlerësimet e dhëna në “Gjuha letrare shqipe për të gjithë” rreth kësaj teme.

e treta, nga ndonjëri nga konstatimet e prof. Kolec Topallit dhe

e katërta, nga realiteti që na ofrohet dhe imponohet përditshmërisht, ashtu siç mund të shihet qartë dhe siç ka filluar në të vërtetë të shihet në kohë të fundit edhe nga studiues e qarqe të tjera, sidomos nga Tirana.

Po i zbërthejmë paksa më poshtë  këto fakte  rradhazi, në katër nëntituj:

 

1.      Rreth  kundërthënieve (nën)tekstore të sipërcekura

 

Në kuadër të konstatimeve, ndonëse fragmentare, të sipërshënuara prej nesh edhe lexuesi i rëndomtë mund të vërejë kundërthënie kuptimore tekstore dhe nëntekstore të tyre, ngase:

 

e para, zëvendësimi (në proces e sipër) e integrimi janë dy procese të ndryshme me dallime të theksuara sipas tipave përkatës;

e dyta, çdo prirje spontane nuk do të thotë edhe tkurrje e materialit të goditur  dhe që kjo dukuri vlen për të katër tipat e asnjanësve;

e treta, kur pas shembujve jepet treguesi etj. (do me thënë e të tjerë) dhe jo pikë ose e ndonjë tregues tjetër, lë për të kuptuar se ka ose mund të ketë edhe raste të tjera, madje mund të ketë edhe shembuj potencialë;

e katërta, edhe nga kuptimi i pjesëz-ndajfoljes pothuaj mund të nënkuptohet se shembujt mund të mos jenë plotësisht të rrëgjuar, por mund të jenë në numër të konsiderueshëm, në  përdorim e sipër, qoftë në cilësinë e termit, qoftë si fjalë aktive në ligjërimin e përgjithshëm;

e pesta, kur pranohet se një trajtë e tillë e ngurosur në shprehje frazeologjike që askush s’mund ta mohojë ashtu si dhe prania e tyre edhe në fusha të caktuara terminologjike e stilistike, thuhet se është normative, atëherë nënkuptohet vetvetiu se ajo fjalë assesi nuk del jovepruese, e shuar ose e gjykuar për mospërdorim, por del me gjallëri relative përdorimi, me mundësi që në mënyrë analoge të mundet me joshë ose me krijue edhe shembuj të tjerë dhe .

e gjashta, edhe nga konstatimet e K. Topallit kur përmend vetëm prirjen ose disa raste  të zëvendësimit nënkuptohet jo zhdukja ose.pasivizimi i plotë i tyre dhe së këtejmi na jepet e drejta të shprehim rezervë rreth paqëndrueshmërisë së tyre en bloc, siç del nga shumica e konstatimeve të shprehura nga studiuesit që u cekën më sipër.

 

Sidoqoftë, ne mendojmë se këto pesë-gjashtë fakte na japin mbështetje që çështja në shqyrtim të konsiderohet e diskutueshme dhe njëherazi shtrohet nevoja e verifikimit dhe të grumbullimit edhe të fakteve të tjera plotësuese, por, në këtë kuadër edhe për rivërtetësinë e gjykimeve të tilla të diskutueshme.

 

2. Konstatime nga normativi “Gjuha letrare shqipe për të gjithë”

 

Kërkesën tonë rreth nevojës së verifikimit të qëndrueshmërisë së konstatimeve të lartpërmendura e mbështesim si të drejtë, madje me fakte bindëse, bazuar edhe në konstatimet e hartuesve të veprës normative: Gjuha letrare shqipe për të gjithë (Tiranë, 1976), vepër kjo, e cila pas Kongresit të Drejtshkrimit (1972), si me thënë, u paraprinte burimeve të tjera normative në frymën e Drejtshkrimit të gjuhës shqipe të vitit 1973. Pikërisht konstatimet nga doracaku Gjuha letrare për të gjithë, ne i shohim mjaft të arrira, të qëndrueshme dhe patjetër normativisht të mbështetura për kohën, vërejtje këto që kanë të bëjnë pikërisht me tre tipat e parë të asnjanësve në shqyrtim. Andaj kërkojmë nga lexuesi, jo vetëm nga dashamirësit e rëndomtë të gjuhës shqipe, por edhe nga ekspertët përkatës që së bashku t’i ndjekim vëmendshëm konstatimet përkatëse nga ky burim që po i japim  radhazi, sipas tre tipave të asnjanësve në shqyrtim:

 

a) Aty thuhet me të drejtë se “kjo formë e asnjanësit (është fjala për tipin e parë n.v.) dëgjohet ende sot nëpër dialekte e në të folurit e brezit të vjetër” dhe menjëherë më poshtë theksohet e drejta e pamohueshme universale se “trajtat e asnjanësve të këtyre emrave mund të përdoren në vepra letrare për të karakterizuar gjuhën e një epoke të kaluar”. (Aty f. 12.)

Pra, materializimi i trajtave të tilla në vepra letrare e shkencore (e drejtë kjo e padiskutueshme), gjithsesi jo vetëm nuk nënkupton pra zhdukjen e tyre, por në njëfarë mënyre parakupton këndelljen a jetëgjatësinë e tyre në vepra letrare, në kuptim të shfrytëzimit të vlerave trashëgimore, por, në rast nevoje, edhe mundësinë e krijimeve të vlerave të reja artistike nga mjeshtrit e gjuhës edhe për destinime të tjera po mbi këtë bazë. Po sipas kësaj logjike e quajmë shumë pa vend konstatimin e Seit Lilës, të shprehur ne Kongresin e Drejtshkrimit (1972), ku format ose trajtat gjalpët, mjaltët, ujët, sipas tij, konsiderohen tashmë të huaja për gjuhën letrare. (Shih: Kongresi i Drejtshkrimit, Prishtinë, 1974, f. 267.)

b) Edhe lidhur me asnjanësit e tipit të dytë (prejmbiemërorët), ndonëse çështja nuk del plotësisht e qartë, aty jepen mendime të qëndrueshme. Në të vërtetë, nga hartuesit e burimit në fjalë konstatohet mirë, kur thuhet se ka raste, që “emri asnjanës ose femëror pa prapashtesë dhe emri femëror me prapashtesë përdoren me kuptime pak a shumë të ndryshme, si p.sh. të bardhët me bardhësi, të ftohtët e ftohta me ftohtësi etj.” dhe njëkohësisht theksojnë në mënyrë të veçantë, gjë që nuk e mohojnë as të tjerët, se “emrat asnjanës të formuar prej mbiemrash përdoren dendur në një numër shprehjesh frazeologjike”, duke theksuar edhe një të vërtetë tjetër të padiskutueshme se “në këto shprehje përdorimi i tyre është normativ.” (Aty f. 238.)

Pra, siç po shihet nga formulimet e mësipërme dalin në shesh tri fakte të qarta që i bëjnë të rrëzueshme konstatimet rreth pasivizimit total të asnjanësve të tipit në fjalë:

e para, aty pohohet qartë se në raste bashkëjetojnë trajtat e asnjanësve prejmbiemërorë, krahas atyre sintetikë me prapashtesim,

e dyta, kur thuhet se emrat e tillë  përdoren dendur dhe

e treta, kur thuhet se trajtat e tilla e kanë bekimin e normës, sidomos në shprehje frazeologjike.

c) Edhe më qartë e më mirë se për dy tipat e parapërmendur autorët e tekstit në fjalë, janë shprehur lidhur me tipin e tretë, ndonëse, sipas nesh edhe kjo paraqitje e tyre nuk është tërësisht e plotë. Aty, ndërkaq, pasi ceken 34 shembuj nga ky tip, d.m.th. trajta asnjanësish nga emërzimi i pjesoreve “që shënojnë veprime abstrakte” tërhiqet vërejtja se “një pjesë e emrave prejfoljorë asnjanës  përdoren me kuptime deri diku të ndryshme nga ato të emrave përkatës me prapashtesat –im ose –je, p.sh. të çmuarit – çmim, të kënduarit – këndim, të menduarit – mendim, të mësuarit – mësim, të punuarit – punim, të shkruarit – shkrim; të luturit- lutje, të ngjarët – ngjarje, të pyeturit – pyetje, të sharët- sharje etj.”, duke sqaruar më tej se ”pjesorja e emërzuar në këto raste e jep më të theksuar kuptimin e procesit të veprimit, ndërsa formimet me prapashtesa emërtojnë veprimin si nocion abstrakt dhe në mjaft raste emërtojnë rezultatin e veprimit. Pikërisht për këtë arsye në gjuhën e sotme letrare këta emra mund të përdoren me vlerat e tyre të veçanta, p.sh. arti i të kënduarit, por shkrim e këndim, të mësuarit – mësim, të menduarit – mendim, të shprehurit, mënyra e të shprehurit, por shprehje, shprehja e bukur etj. (Aty f. 239).

Kështu, ndonëse fjalëzat sqaruese një pjesë dhe deri diku dalin pothuajse të panevojshme, nga teksti i mësipërm, sidomos për faktin kur aty nga fundi i formulimit shënohet treguesi etj. (nxirë /bollduar/ prej nesh) si dhe për faktin tjetër që del nga theksimi se “emrat prejfoljorë asnjanës kanë përdorim të gjerë e të qëndrueshëm në gjuhën e sotme letrare në një varg shprehjesh e mënyrash të thëni me karakter frazeologjik” si dhe  fakti i tretë,  kur në përfundim thuhet se “përdorimi i emrave të tipit të tillë të mësipërm  në shprehje të tilla është plotësisht normativ” (Aty f. 239),  së këndejmi, pra, kuptohet katërçipërisht se shembujt e tillë, varësisht nga konteksti mund të përdoren edhe sot e gjithë ditën, si të thuash, në numër të pakufizuar, duke i dalluar, pak a shumë, tri nocione 1) nënfushën abstrakte semantike si koncept, 2) veprimin si proces abstrakt dhe 3) rezultatin e veprimit.

Pra, siç po shihet, konstatimet nga kjo vepër, d.m.th. nga “Gjuha letrare shqipe për të gjithë” janë të mjaftueshme sa për të sjellë në rishikim konstatimet en bloc, nga thëniet e paracituara në veprat e studiuesve të caktuar, me të cilat, si të thuash, pa të drejtë arsyetohej subjektivisht pasivizimi a zhdukja e asnjanësit në gjuhën shqipe dhe në këtë kontekst shprehim habi e keqardhje pse kjo lajthitje ndaj së vërtetës së pamohueshme nuk është vënë re më përpara nga studiuesit tanë(?!).

Prandaj është për t’u çuditur, pse një korrigjim a modofikim i tillë, ndërkohë e me kohë, deri në ditët tona, nuk është hetuar dhe nëse është hetuar pse nuk është bërë, edhe pse dihet se lënda e doracakut normativ “Gjuha letrare shqipe për të gjithë” nuk ishte e panjohur gjithandej e këndej dhe më gjerë, madje ai tekst mësohej në hollësi, edhe si tekst shkollor a udhëzues për mësuesit e shqipes, nga të gjitha rrethet tona shkencore dhe arsimore përkatëse.

Sidoqoftë, vërtet, disa gjëra për ne mbesin të paqarta.

 

3. Konstatime nga prof. Kolec Topalli

 

Nga prof. Kolec Topalli, diçka shënuam të diskutueshme më përpara, por këtu po i theksojmë këto dy konstatime të veçanta të qëndrueshme të këtij autori:

e para, konstaton me vend kur thotë se zëvendësimi i formës së asnjanësit me emra të gjinive të tjera të formave foljore analitike të pashtjelluara (për të punuar, një të punuar dhe  me të punuar) është i pamundur, pasi ato janë kristalizuar si një njësi gramatikore, dhe

e dyta,  është i padiskutueshëm dhe me interes paraqitja e tij, siç e pamë më sipër, lidhur me tipin e “ri”: asnjanësit prejrrjedhore,  të patrajtuar ose të papërfshirë më parë në burimet tona normative leksikografike i cili pasqyrohet në shprehjet prejrrjedhore (ablativale), të cilat nga forma përmbajtja dhe shtrirja që kanë imponojnë që të trajtohen si tip më vete, ngase pa trajtimin e tyre identiteti i asnjanësit në gjuhën shqipe del i mangët.

Ka edhe finesa të tjera në konstatimet që ndeshim në punimin e prof. K. Topallit, që ne i kemi cekur ose do t’i shfrytëzojmë në analizën tonë gjatë trajtimit të temës, por këtu, një herë për një herë po mjaftohemi vetëm me dy konstatimet e mësipërme të qëndrueshme, ngase edhe nga kjo anë shohim rrënjëzimin kësaj gjinie në historikun dhe aktualitetin e gjuhës sonë, fakte këto të nevojshme që duhen pasur parasysh dhe nga stadardologët e sotëm të gjuhës sonë.

 

4. Konstatimet tona vetjake

 

Si te çdo dashamirës i gjuhës, edhe te ne. pas një përvoje pune prej disa vitesh në arsim dhe në lëmin e krijimtarinë letrare, madje paksa edhe në atë hulumtuese shkencore-gjuhësore, sidomos gjatë dhe pas studimeve pasuniversitare (postdiplomike) dhe konkretisht gjatë hartimit të temës rreth emërtimit të proceseve tekniko-teknologjike në gjuhën shqipe, u rrit interesimi ynë, për ta njohur sa më mirë dhe më në thellësi tërë sistemin ligjërimor të shqipes, si në fushën e konkretizimit, ashtu edhe në atë të abstraksionit. Në këtë kontekst hetuam tema që në gramatikat tona të normëzimit letrar (standard), mbase të bazuara më tepër në fushën praktike të konkretizimit, ishin anashkaluar ose ishin lënë nën hije disa nga komponentet më të rëndësishme të gjuhës sonë që i përkisnin më tepër fushës së gjerë të abstraksionit, dhe shikuar në tërësinë e saj si sistem gjuha jonë në trashëgimi ato komponente i kishte normalisht aktive (që i ka, në rë vërtetë, edhe sot si gjuhë e natyrshme), siç janë infinitivi i mirëfilltë edhe neutri i paranyjëzuar. Andaj këtu e ka fillin edhe interesimi dhe angazhimi ynë për shtjellimin e temave të tilla më në hollësi.

Pra, së këtejmi, për të harmonizuar sadopak të dhënat kundërthënëse teorike, në njërën anë dhe realiteti që na imponohet, në anën tjetër, si dhe vetë nevoja që paraqet gjuha për segmente të tilla, sidomos në fushën e abstraksionit, doli e nevojshme që mendimet dhe përvojën tonë mbi këto çështje komplekse, jo vetëm ta mësojmë e përplotësojmë, por edhe ta shprehim me shkrim. Disa vezhgime a përpjekje tona në këtë drejtim tashmë janë publikuar e disa ende kanë mbetur pa u botuar, madje janë disa raste që janë ende në fazën e përpunimit.

Sidoqoftë, është e vërtetë se për hartimin e këtij punimi gjetëm mbështetje pragmatike dhe logjike, madje edhe në premisen intelektualisht të njohur se çdo bashkësi shoqërore e civilizuar, përkatësisht çdo gjuhë moderne, siç është kjo jona, në zhvillim e sipër, ka nevojë që t’i rrisë kapacitetet e veta të mjeteve gjuhësore. Pra, t’i rrisë, nga gjerësia dhe cilësia e fushave kuptimore që i ka dhe t’i shfrytëzojë të gjitha ato mundësi nga kapacitetet ekzistuese në të mirë të të shprehurit si në fushën e konkretizimit, ashtu e aq më tepër në atë të abstraksionit e jo t’i zhdukë a t’i shuajë subjektivisht ato që i ka, ose t’i anashkalojë nga mosnjohja e lëndës dhe së këtejmi arritëm në përfundimin se gjuha jonë, norma e saj do të jetë shumë më funksionale dhe më e kompletuar, njëherazi edhe shumë më e fortë dhe e qëndrueshme, nëse me gjirin e vet në bazë të normës globale të natyrshme e kthen dhe e mëkon si infinitivin e mirëfilltë të përjashtuar, ashtu edhe neutrin e vet, të nënvlerësuar. Andaj këto dy tema që me kohë edhe i vumë në qendër të vëmendjes të hulumtimeve tona dhe më në fund doli edhe ndihmesa jonë që infinitivi i shqipes të rikthehet në tryezën e (ri)shqyrtimit me propozim rishikimi, andaj po të njëjtin synim e kemi edhe lidhur me asnjanësin e gjuhë shqipe, sepse kur diçka rikthehet, rishikohet dhe rivendoset në tryezën e shqyrtimeve ajo edhe do të gjejë zgjidhje fatlume.

Dhe, në të vërtetë, gjatë verifikimit të fakteve arritëm në përfundimin se konstatimet e dhëna në “Gjuha letrare shqipe për të gjithë”, për asnjanësit ishin të drejta, por lypsej vërtetësuar (verifikuar) e sforcuar më tej më mirë dhe më në hollësi. Dhe së këndejmi, gjatë këtij vërtetësimi, sigurisht duke e lidhur punën tonë edhe me realitetin tonë ligjërimor, zbuluam mrekullinë ekzistuese se trajtat e tilla (të asnjanësve të paranyjëzuar) jo vetëm nuk dilnin me prirje rrëgjuese nga pikëpamja e përdorimit të përditshëm, por dilnin të sforcuara atavikisht, madje të pozicionuara fort në përdorim normal po në fushën e abstraksionit, por jo kryekëput për konceptin e vetë veprimit, po në një nënfushë të përafërt me të, d.m.th. në nënfushën që ka të bëjë me konceptin e kuptimit të procesit të veprimit në shkallën më të lartë të abstraksionit, me një shtrirje të lehtë në tërë nocionin lidhur me atë proces.

Për t’u kuptuar më mirë ky formulim që ka të bëjë vërtet paksa me rrudhje ndaj fushës së gjerë që sipas gjasash mbulonin asnjanësit e paranyjëzuar në një fazë më të hershme, por njëherazi edhe me një përqendrim të ravijëzuar në një nënfushe semantike brenda saj, u desh që kjo çështje të vështrohet më në hollësi dhe thellësi, prandaj po i themi më poshtë edhe disa fjalë si sforcim lidhur me këtë “mrekulli” që na u zbulua dhe si një zbulim fatlum na u imponua që ta zbërthenim e sqaronim aq sa mundëm, sipas mundësive tona...

Sidoqoftë, gjatë analizës, siç u tha, doli në shesh e vërteta se asnjanësit e paranyjëzuar (prejmbiemërorët dhe prejpjesorët) tani dilnin si një organizën i gjallë gjuhësor me prirje të qartë specifikimi për të mbuluar një nënfushë semantike, e cila ka të bëjë me mbulimin e konceptit të  procesit të cilësisë, të gjendjes a të qenit, përkatësisht të veprimit, por jo tani, për tërë nocionin përkatës të fushës së gjerë të abstraksionit, çka na jepet për të kuptuar, siç u tha, gjerësinë përfshirëse që mund ta kenë pasur më përpara, asnjanësit në fjalë për emërtimin e vetë procesit të cilësisë, të gjendjes a të të qenit, ose të veprimit a të rezultatit të veprimit përkatës, që tani, me ndonjë përjashtim jo aq me peshë, këto nocione mbulohen kryesisht nga emrat e tjerë sinonimikë, qoftë me prejmbiemërorët me prapashtesat –si a –i, qoftë me prejpjesorët me prapashtesat –im ose –je, ose me emrat e nyjshëm femërorë, tipi e mira ose me prejpjesorët pandajshtesorë, tipi: shkojë-a, rritë-a ose nga ndonjë tjetër tip emëror. Për një shtrirje të tillë të gjerë që kishte kjo gjini dëshmon edhe asnjanëzimi i shprehjeve ndajfoljore prejrrjedhore, që ne e merenduam si tip të katërt.

Pra, duke u mbështetur në premisën e sipërpërmendur se çdo gjuhë e zhvilluar i ka të ravijëzuara fjalët përkatëse për konceptet e fushës abstrakte, përkatësisht termat e specifikuar përkatës që shprehin ato koncepte dhe të ndihmuar nga konstatimet kritike kundërthënëse që dilnin nga dy- tri pikat e sipërcekura dhe më fort, duke u bazuar në realitetin tonë gjuhësor, ne arritëm në konstatime të tjera më të modifikuara dhe më të drejt-sofistikuara nga ato që u cituan fillimisht nga disa nga studiuesit e gjuhës sonë, të cilat (konstatimet tona) u përpoqëm t’i sqarojmë dhe argumentojmë sa më bindshëm në këta tetë krerët vijues të këtij punimi:

 

I.                   Prania e  asnjanësve në shqipen letrare (FSHS 2002) dhe grupimi i tyre sipas nyjë-mbaresave të njëjësit të shquar.

II.               Nënfushat semantike, veçori dalluese sipas tipave të asnjanësve në shqipen letrare.

III.            Faktografi rreth shtrirjes së asnjanësve të nyjshëm prejmbiemërorë e prejpjesorë në shqipen e sotme.

IV.              Vendi i asnjanësve të paranyjëzuar në kuadër të prejpjesorëve të tjerë.

V.                 Konstatime të tjera plotësuese rreth identitetit të asnjanësve të nyjshëm në shqipen standarde

VI        Anashkalimi i vlerave të asnjanësit në shqipen e sotme

pasojë e konstatimeve të nxituara.

VII.     Çështje të hapura rreth asnjanësit në shqipen e sotme

VIII     Mendimi përgjithësues dhe  përcaktimi i nënfushave

semantike të asnjanësve në shqipen e sotme.

 

Sidoqoftë, ne kemi bindjen se në këtë punim janë paraqitur argumente të mjaftueshme nga jeta jonë gjuhësore, të cilat na japin të drejtë të konstatojmë që asnjanësit e të katër tipave, jo vetëm mund a duhen përdorur pjesërisht e me rezervë, po me lëndën e trajtuar në hollësi e thellësi në tetë krerët e sipërshënuar, u përpoqëm me dhënë ndihmesën në të mirë të ndriçimit të problemeve të trajtuara jo mjaftueshëm në të  kaluarën nga pikëpamja teorike e praktike. Në këtë kontekst, ngase kemi të bëjmë me mjaft risime, kërkojmë nga lexuesi i nderuar jo vetëm të lexohen e rilexohen me vëmendje të veçantë konstatimet tona, por edhe të vlerësohen objektivisht, natyrisht duke mbajtur edhe qëndrim kritik.

 

Gjithsesi nga trajtimi i kësaj teme, shpresojmë se së paku, më mirë e më në thellësi se asnjëherë më parë, me sa dimë ne, do të qartësohen, jo vetëm nënfushat semantike që mbulojnë asnjanësit përkatës, sipas prejardhjes së tyre (emërore, mbiemërore dhe prejpjesore), por do të ndriçohen më mirë edhe çështje të tjera me interes për konsolidimin e shqipes standarde të sotme dhe të nesërme, të qëndrueshme për mot e vjet.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora