Kulturë
Kristaq Turtulli: Ju lutem, blini bajame me kripë...
E diele, 26.02.2012, 05:15 PM
KRISTAQ TURTULLI
JU LUTEM, BLINI BAJAME ME KRIPE...
tregim
Dalja ime në shitje të bajameve me kripë mund të mos kish ndodhur aq shpejt, në moshë të njomë dhe në trokthin e nxituar te vjeshtës se vonë me mot të ftohtë. Sikur të mos ish thirrur nën armë vëllai më i madh, i cili punonte mbartës në fabrikën e konservës. Babai ka vite që nuk shkon në punë, dergjet në shtrat i sëmurë. Nëna ime e vuajtur e imët e urtë dhe flokëbardhë përkujdeset për babanë, i qëndron gjithnjë pranë, i shërben natë e ditë. (Kur linda u përfol në maternitet se lindi një plakë, nëna atëherë ish veçse tridhjete e pesë vjeç.)
Dalja ime në lokalet dhe baret e qytetit, në shitje të bajameve me kripë, u bë fare thjesht, pa asnjë ceremoni. Vetëm sa u shoqërua me psherëtimën e thellë të babait, kthimin e kokës së thinjur nga ana e murit. Nena u rrëmbush prej ngashërimit te heshtur, kafshoi cepin e buzës dhe beri shuk shaminë e hundeve.
Krejt ndryshe nga prindërit, e prita si një ngjaje te madhe, me kureshtje të hapur fëmijërore daljen dhe bredhjen nëpër lokalet e qytetit, në shitje të bajameve me kripë. Gjithnjë më joshte ikja e rrëmbyer, me duar në xhepa, nëpër natë e vëllezërve të mi. Mbartnin në shpinë, si hamej të mëdhenj çantat prej doku të vjetra dhe të irnosura. Brenda në çanta nëna fuste kaushë bajame me kripë. Bajamet i mbështillnim me fletë fletoreje, fletë librash të vjetër ose me copëra gazetash. Një herë iu ankova nënës sepse ajo po mbështillte bajamet me fletët e librit që më pëlqente shumë: Don Kishoti i Mançës, përkthyer prej Fan Stilian Nolit. Ajo rënkoi dhe tundi kokën me trishtim. Kur jetonim në shtëpinë e madhe në qendër të qytetit kishim bibliotekë të bollshme, të krijuar në breza. Vepra madhore prej shkrimtarëve dhe filozofëve me të shquar të kohës. Por librat humbën u shpërdoruan gjatë bastisjeve, kontrolleve dhe shpërnguljeve.
Secili prej kaushëve kish dhjetë kokrra bajame, kur mbetej ndonjë gjysmë bajame, thërrmuar gjatë pjekjes, nëna fuste edhe një më tepër. Kur ndihmoja nënën të mbushte kaushët me bajame, më porosiste gjithnjë:
-Biro numëroji bajamet me kujdes, sepse turpërohesh me njerëzit për hiç mos gjë.
Kur vëllezërit dilnin në shitje të bajameve, kërceja mbi shtratin prej dërrase, mbështesja bërrylat në parvazin e dritares, vendosja ballin në xhamin e ftohtë dhe ndiqja me shikim ziliqar siluetat e brishta të vëllezërve teksa mbështilleshin prej tisit të natës. Supembledhur prej thëllimit të hidhur vëllezërit e mi humbnin nxitimthi, kthenin bërrylin e rruginës me gropa të Pani Kuqos.
Qysh në ditën e parë të daljes kërkova me krenari të më jepej çanta prej doku, njëlloj si e vëllezërve, qepur me dorë nga nëna prej ndonjë çarçafi të vjetër. Nëna luajti kryet në shenjë kundërshtimi.
-Po bajamet me kripë ku ti fus? –pyeta.
Nëna me zë të dredhur më tha:
-Çantën do ta mbajë vëllai, do marrësh bajame sa herë do të nevojiten.
Mblodha buzët i pabindur. Pabarazia e mos mbajtjes së çantës më shkaktoi trishtim të lehtë, ngaqë kujtoja se çanta prej doku, nxitimi nëpër natë supe mbledhur, me duar në xhepa, më vinte në një shkallë barazie me vëllezërit e mi. Paçka se unë isha vetëm tetë vjet dhe vëllai im Alfred ish trembëdhjetë.
Dalja ime në shitje të bajameve me kripë në shtegtim të gjatë, natën, nga një lokal në tjetrin, u bë i mbushur me kureshtje të hapur, në zbulim të enigmave të mëdha, të çuditshme, me qejfe dhe shakara prej pijetarëve të qytetit tim. Në kthinat e ngushta, të pista pihej birrë, vodkë, përtypeshin kërnace me qepë të prera hollë dhe tymosej duhan me shumicë. Bota më dukej misterioze, rënduar me mjegullën e dendur dhe kundërmimin karakteristik të alkoolit. Bares nga një tavolinë në tjetrën dhe flas me të ulët të ndrojtur:
-Ju lutem, blini bajame me kripë.
Ndërkohë ndjeja mbi shpinë të gjitha llojet e vështrimeve: Te ngrohta, dashamirëse, me përdëllim të dhembshur:
-Birkë e nenës! I vogël si zogth dhe shet bajame në netët e vona!
Vështrime inkurajimi, indiferente, deri tek hakërrimi dhe kërcënimi i vërtetë:
-Shko qërohu me gjithë bajame.
Fatmirësisht vëllai im Alfred më dha qysh në fillim instruksionet e nevojshme; të mos ligështohesha nga veprimet dhe provokimet e pijanecëve, të shmangesha me kujdes, të mos humbisja toruan dhe të qëndroja sa të mundja gjakftohtë:
-Hej çun, ti që shet bajame, eja këtu, eja- dëgjohej zë i fortë.
Afrohesha tek tavolina nga vinte zëri.
-Sa i ke bajamet?- më pyeti një zë i trashë me vështrim të vëngër.
-Dhjetë lekë kaushi.
-Lëri në tavolinë katër kaushë, - foli burri me zë të trashë dhe shtoi,- pa ta marrim vesh, sa bajame ka në kaush?
-Dhjetë bajame,- u përgjigja.
-Je i sigurt që secili kaush ka dhjetë bajame?
-Po,- u përgjigja me gjysmë zëri.
-Mirë. Do ti hap kaushët këtu në sytë tënd. Në qofte se kaushët kanë nga dhjetë bajame siç thoni do ti jap lekët, por po gjeta me nëntë bajame, nuk ka para!
Vëllai qëndronte në përgjim disa tavolina me tutje, me jepte kurajë me shikim të ngrohtë, të mos trembesha dhe të mos tërhiqesha. Nëna i numëronte disa herë me radhë bajamet përpara se ti vendoste në kaushë. Shpesh vinte edhe nga një bajame më tepër. Po ku i dihej, ndodhte që letra mbështjellëse hapej në fund, ose grisej dhe bajamet binin. Luaja kokën në shenjë aprovimi, por gjuha me ish tharë. Me ceremoni fillonte numërimi i bajameve, për fat të mirë dilnin me shume se dhjetë bajame. Merrja frymë i lehtësuar. Prova e vështirë kaloi me sukses.
Kish nga ata pijanecë dredharakë, sy skuqur,që gjatë numërimit të nxituar të bajameve, tinëzisht me gishtin e vogël futnin ndonjë prej bajameve brenda mëngës së xhaketës. Fillonim më hakërroheshin, fëmijë dhe nuk isha i sinqertë, mungesa e ndershmërisë përmban elemente të këqija, të huaja, armiqësore të përvetësimit të djersës së popullit.
-Hëm e dimë, edhe prindërit e tu kështu e shfrytëzonin popullin. Shko mbushu, nuk ke para!- shtonin në fund.
Mposhtja me shumë vështirësi ngashërimin, ngulja këmbë dhe thosha:
-Shkundte mëngën e djathtë të xhaketës.
-Si! E shikoni ç’thotë! Hej, shko dreq i vogël,-më gërmuqej ai.
Nuk tundesha nga e imja. Pijetarët e tjerë të tavolinës shkriheshin së qeshuri dhe detyronin shokun të shkundte mëngën e xhaketës. Bajamet fshehura binim në tavolinë. Duhej ndërhyrja e menjëhershme e vëllait, ata më zgjasnin lekët pa e ndërprerë argalisen e çmendur. Largohesha prej tyre me lëmshin e pështjellimit dhe të ankimit në shpirt.
Nuk e përfytyroja se edhe të rriturit talleshin, gënjenin, mashtronin me pa të drejtë një djalë të vogël, që kish dalë për të nxjerrë bukën e gojës. Kujtoja se të rriturit qenë seriozë dhe të drejtë si babai im. Kjo gjë më bënte të tregohesha më i kujdesshëm, kur shikoja se pijetarët ishin të dehur ngulmoja të më jepnin lekët, përpara se të lija bajamet në tavolinë. Ndodhte që disa prej pijetarëve vonoheshin, hiqeshin sikur harronin dhe vazhdonin bisedat me njëri tjetrin. Me këmbëngulje i tërhiqja prej mënge. Ata ktheheshin nga unë dhe më shkreheshin:
-Çfarë do more kopuk?
-Paratë e bajameve, - u thosha.
-Sikur ti dhamë lekët,- ma kthenin dhe rrëkëllenin me zhurmë vodkën në gurmaz.
Dale ngadalë fillova ta kuptoja se shitja e bajameve nuk ish lodër e thjeshtë, aventurë romantike, por një punë e lodhshme e mundimshme. Bredhje e pandalshme nga një lokal në tjetrin, në orët e vona të mesnatës. Në mot të ftohtë me erë shi dhe dëborë, veshur me bluzë të ronitur dhe këpucët e hapura si gojë të urituri.
Në mëngjes zgjimi ish i bezdisshëm, nëna më shkundte butë nga shpatullat dhe më fliste me të ulët, lutës, të ngrihesha të shkoja në shkollë. Shpëlaja fytyrën, fusja në gojë një kafshatë bukë dhe nisesha për në shkollë me kokë të renduar prej pagjumësisë. Ndodhte që gjatë mësimit koka më varej në bankë. Në pushimet e vogla shkoja me vrap në banjë dhe i hidhja grushte me ujë fytyrës për të më dalë gjumi.
Mësuese Svetllana, ruska topolake, biondja e bukur, edhi para disa muaj në klasën tonë. Ajo ish martuar me inxhinier Besnikun që kish studiuar në Rusi. Ne qeshnim shpesh me të dhe i bënim pyetje te vështira qe mezi shqiptoheshin edhe ne shqip. Ajo skuqej, përpiqej te na i sqaronte, por ngatërrohej dhe i shtrembëronte fjalët akoma me keq. Mësuese Svetllana buzëqeshte e hutuar, nuk mërzitej. Ajo e kish vene re se nuk isha nxënës si më parë, i vëmendshëm dhe dalluar, nuk shpërqendrohesha në mësime dhe përtoja të flisja. Më përgjonte me sy, më pyeste gjatë shpjegimit për të më tërhequr vëmendjen. Përshkundja kryet dhe e vështroja i hutuar, ndërsa ajo vazhdonte shpjegimin.
Edhe pse më lodhte bredhja nëpër lokalet e qytetit në shitje të bajameve me kripë, e ndjeva veten burrë, po i bëhesha krahë familjes. Me kohë trupi do më argasej dhe nuk do ta ndjeja më lodhjen. Më tërhiqte me kënaqësi dhembjeje dhe provokative.
Në mes të janarit kur babai u shtrua për herë të dytë në spital ndodhi rrëmbimi i dhunshëm i kaushëve me bajame. Fill kur po dilja nga lokali i ‘Familjarit’ për të shkuar në klubin ‘Një maji.’Bënte ftohtë, acar dhe duart i ndjeja pothuajse të mpira. Koci çalo Bajamka kaloi pranë meje duke çaluar dhe shfryu nëpër dhembë:
-Hyyy dreq, borgjez i vogël! Të kam thënë disa herë, mos mu ngatërro nëpër këmbë!
U hutova, u ktheva, të vështroja shpinën e kërrusur dhe ecjen e tij të shkapërderdhur si kangur. Dy duar u zgjatën vetëtimthi drejt meje, pa lënë mua të mblidhja veten. Sa hap e mbyll sytë mu përlanë bajamet prej duarve, duke i thyer dhe thërrmuar. U përpoqa sa munda të mbroja kaushët, por më mbetën në duar vetëm fundet e letrave mbështjellëse, me ndonjë bajame të ronitur nëpër to. Disa bajame prej sillës së rrëmbimit ranë përdhe në tokën e qullur. Rrëmbyesi morri një pjesë të bajameve.
Ngela i gozhduar në mes të trotuarit, disa metra larg derës së klubit ‘ Një maji’ trupi filloi të më dridhej. I kisha premtuar nënës se me lekët që do fitoja prej shitjes së bajameve, do blija bukë për shtëpinë dhe qumësht për babanë e shtruar në spital. Por të dhjetë kaushët me bajame ishin përlarë dhunshëm nga doçkat a mia të vogla. Qëndroja duarbosh. Një shkundje e fortë më vinte prej shputave të këmbëve të qullura, turrej drejt muskujve të lodhura të këmbëve, ngjitej me vërtik drejt trupit të ngurtësuar. Jo vetëm prej të ftohtit, por më shumë prej ankthit dhe merakut të mundimshëm.
Fluturuan njëqind lekë, u bënë erë. Kaq i ngathët, i shastisur u tregova, lashë veten të më vidhnin bukën e gojës si një hutaq i gjorë. Një lëmsh i madh, sa një mal më ish mbledhur në gjoks dhe një ngërç torturues më shkundte trupin. Nuk doja të qaja, nuk duhej të qaja. Ç’të bëja, lagështira e madhe më kish bllokuar frymën dhe sytë me përvëlonin. Ku duhej të shkoja, çfarë të bëja? Turma indiferente më shtynte majtas dhe djathtas. Për të mos u rrëzuar u mbështeta në qoshen e dritares së klubit ‘Një maji.’ Si për inat vëllai nuk po dukej. Po a kisha kurajë ti dilja vëllait përpara me duar bosh? Dhjetë kaushët me bajame bënin njëqind lekë. Isha vërtet një lëngaraq. Më mirë të vonohej vëllai derisa të qetësohesha, të mos qullesha si miush i mjerë. Mendova ti lutesha Potirit plak, mikut të babait, kuzhinierit të vjetër të lokalit ‘Familjari’ të më jepte të laja pjatat për të mbledhur një pjesë të lekëve të humbura. Koka më rëndonte dhe më dukej sikur po më binte zali.
Dikush më vendosi dorën mbi sup. U drodha, i hutuar, i trembur. U mblodha në qoshe. Mos ish Koci, çalo Bajamka i kënaqur me humbjen time! Ngrita kokën dhe nëpërmjet mjegullës së pështjellimit, mu duk sikur dallova një fytyrë të njohur. Nuk doja të besoja prej mërzisë dhe turpit. U gëlltita me vështirësi dhe gati sa nuk u mbyta. Më ngjau si nëna, por ish tjetër kush. Kryqëzova krahët rreth trupit. Nga u ndodh ajo këtu, kush e dërgoi? Përse erdhi? Nuk kërkova kurrkënd të vinte, e aq më tepër atë.
-Mossë u mërzittë ttinnë, mossë qajjë,- më foli mësuese Svetllana. Më tërhoqi butë për krahu në rrugën më të afërt, më fshiu lotët me shaminë me lule që e nxori prej xhepit. Nuk flisja, shtrëngoja në grusht copërat e letrave të kaushëve me disa bajame të thërrmuar nëpër to. Nuk po qaja, doja ti thosha asaj, kush tha se po qaja..!
Toronto Janar 2012