Kulturë
Skënder R. Hoxha: E thërras kujtimin
E shtune, 25.02.2012, 06:22 PM
SKENDER R. HOXHA
1. ZEMRA IME E COPËTUAR
Në retë e purpurta
Të agsholeve
Vizatoj Zemrën time
Të copëtuar!...
Nëpër shkallë të qiellit
Mezi u ngjitëm
Deri në Mesrrugë…
Ëndrra Ime tragjike
Qumështin e zi e pimë
Në gropim të natës
Me lojën
Me gjarpërinj!
Ai gjarpri mitik
Me tri krerë
Lëpihej në hijen
Unë prapë ringjallem
T’ia kreh flokët
Të Humburës Sime…
Copat e Zemrës
T’i bëj NJË!...
2. JETA
Jeta ka kthesa
Ka lakesa
Përpjetëza
Tatëpjeta
Të drejta
Të padrejta…
Jeta sjell gëzim
Sjell trishtim
Merri me guxim!
Mundime, tundime…
Jeta sjell mahi
Shpoti
Rrallë njëmendësi!
Ajo sjell tradhti…
Jeta të jep
Të merr
Të afron dritë
Të lë në terr!...
3. ZOGJTË MË SJELLIN NGUSHËLLIM
S’besoj se gjurmët tona
Do t’i shlyejnë vitet.
As fjalët tona
Heshtjet tona
Nëpër muret e netëve
Të pagoja …
E thërras kujtimin
Mosharrimin,
E thërras puhizën e natës
Atje në Bregun e Qarrave
Dashuria ime
E shtatëdhjetë e tretë
Jetove pesë vjet
E s’vdiqe kurrë –
Zogjtë më sjellin ngushëllim
Me verën e kunguar …
(Shkurt 2012, Pejë)