Kulturë
Ilir Muharremi: Nga zanafilla tek e përkryerja
E diele, 26.02.2012, 05:55 PM
Për ekspozitën personale të Ismet Jonuzit që u hap në Galerinë e Arteve
Nga zanafilla tek e përkryerja
Nga Dr. Ilir Muharremi
Arti i sotëm është jashtë mase i ndryshëm me synime tërësisht të çuditshme dhe këmbëngulje të rreptë për të shkëputur traditën. Megjithëse artistët e sotëm punojnë me gjithçka - që nga bojërat e vajit tradicional tek regjistrimet në video e deri tek kafshët e ngordhura. Një pjesë e mirë e artit modern e nxjerr artin nga galeritë dhe e vendos në hapësira që nuk kanë lidhje tradicionale me të. Artisti Ismet Jonuzi të premten mbrëma, në Galerinë e Arteve, prezantoj punën tashmë të njohur për opinionin e gjerë. Është skulptor i formuar dhe i nënshtrohet më shumë konceptualizmit duke prekur dhunën, egërsinë, forcën e brendshme të ndrydhur, dhe apelon për një liri artistike absolute. Koreografitë dhe antinomitë e tij janë ngjyrore me një konflikt tragjik të imazhit transcendental që përplasem dhe krijojnë një realitet herë ëndërror e delikat, herë përthyer nëpër ravijëzime metaforash të rrokshme, njëmendësime figurash e shëmbëllimesh që pranvendosën si nëpër ikona bizantine. Artisti Jonuzi dukshëm i përveçon pushkët, mitralozat, kallashët, bajonetat e nagatanëve, që krijohen vetëm për të marr jetë njerëzish ose kafshësh, ai i shtrëmberon me një protestë artistike, dhe nga mbeturinat e këtyre pushkëve ai krijon imazhin e njeriut të ulur, i cili ngjan me makineri. Hekuri është i ftohët, i fortë, dergjet në vetvete krahas bimëve të njoma e të brishta të rreshkura pa lëng. Gjembat qarkohen nga zjarret dhe shpërndajnë energji të frikshme si shigjeta e shpata të rreshkura, të zhytura në një denduri të gdhendur me mjaftë përkushtim nga skulptori i artit tredimensional, duke i dhënë formë të përkryer këtyre zjarreve. Ato marrin jetë njerëzish, i lakuriqizojnë deri në esencë dhe në piedestal forcojnë pushtetin, por fuqia e pushtetit fitohet me art. Ajo që më rra në sy ishte edhe titulli i ekspozitës “Nga vija te forma”, ose thënë më ndryshe nga zanafilla e deri tek e përkryerja. Vijat, gjenden gjithkund në hapësirë, në peizazhe, në objekte të formave, janë baza e domosdoshme. Kthimi tek vija, fuqizohet me sinqeritetin e imagjinatës kreative, duke i dhënë dritë hyjnore dhe impresive vizatimeve. Janë të vrullshme dhe lirike, në disa pjesëza janë edhe të vrazhda, të lehta, por edhe të ndjeshme. Ideja fuqizohet dhe pasqyrohet nëpërmjet dorës si dirigjuesja finale, dhe shpalosja e një ndërgjegje tejet të sinqertë të artistit. Përdorimi mjeshtëror dhe i mirëfilltë i vijave, vërehet sidomos në vizatimet e shkëlqyera, që janë të lira, plot fryt dhe jetë, të spërkatura nga zjarrmia e prometheut dhe të kërcënuara nga gjarpërinjtë e Olimpiasë. Zhyten në qetësinë e pa fund, e pa shoqe, figurinë mistike, që si burim esencial ka tokën ku konkurron e forta dhe e dobëta. Figurat, janë të menduara, të planifikuara, të ndërtuara me qëllim të jetojnë në një të ardhme të gjatë e të menduar mirë. Ndërkaq, tek forma gjejmë vijën, hapësirën dhe vëllimin. E krijuar me dy dimensione, e nëse analizohen me kujdes hasim edhe ne dimensionin e tretë iluzor, i cili gërshetohet mjaftë mirë me tekstura, formacione dhe dritëhije. Dominuese është ngjyrosja e skulpturave, me qëllim për të krijuar konfliktin dhe lojën, dhe për të ngacmuar në tërësi tiparet dhe karakteristikat të cilat vijnë në shprehje duke krijuar përshtypje se a janë të vërteta apo lëvizin në një kohë të pa kapshme për njerëzimin. Komunikimi dhe thyerja e distancës në mes publikut dhe veprave zgjojnë vullnetin dhe durimin e dikurshëm. Shpaloset përkushtimi dhe energjia pozitive që rezulton me kryengritje të vrullshme, për të na bindur me fanatizëm, për një udhëtim miqësor, në botën e artistit. Çdo lakim forme, apo vijëzim, prejardhje ka ndjeshmërinë, jo përbuzjen, efektet janë të pashembullta, që godasin egon dhe aterojnë në kujtesë deri në përjetësi. Ndoshta kjo është edhe qëllimi ngacmues i artistit! Arti i tij është një mozaik, ose një kombinim i metaltë i armëve të mbetura të shkapërderdhura në formë ritmi me lëvizje të rregullta. Krijimet e parafytyruara në hapësirë ngjeshën njëra me tjetrën, zhvillojnë këndelljen, paqen, butësinë, peshojnë rëndë për nga vlera dhe estetika, aspak nuk janë nervoze sepse reflektimi i lirizmit ndodhet në substancën e tyre.