Kulturë
Baki Ymeri: Shtatë poetë shqiptarë në një antologji me krijues të huaj
E hene, 27.02.2012, 08:48 PM
Shtatë poetë shqiptarë në një antologji me krijues të huaj
Nga Baki Ymeri
Antologjia “Shija e shikimit” posedon një ballinë të bukur dhe pamje të bukura në paskopertinë. Egalitet shansesh, transparencë, afirmim dhe integrim në korpusin e vlerave të përbashkëta në peisazhin kulturor të Europës. Shtatë poetë shqiptarë në një vepër vlerash të veçanta edhe me krijues rumunë, antologji poetike që e pa këto ditë dritën e botimit në Bukuresht. Një poezi në vete paraqet edhe mënyra e rradhitjes së 16 autorëve në paskopertinë, ku u jepet prioritet moshës, prestigjit, vlerave, femrave e meshkujve së bashku, siç është e përbashkët edhe shija e shikimit dhe ndjenja e ndjeshmërisë, termi antologji sipas greqishtes duke patur kuptimin e ushqimeve të përziera.
Një antologji, sipas Visar Zhitit, tenton të bashkojë tufën e luleve dhe të emrave, aromën e fjalëve, tryezën me ushqime të shijshme, por dhe me metafora, dehjen me pije dhe me ndjenja, si në një të kremte të përbashkët që thërret edhe të tjerë në heshtje, lexues edhe përtej kufijve, duke i bërë miq. Pra, vazhdon Visari në kuadrin e parathënies, e thënë shkurt, kjo është një antologji miqsh, që merr përsipër ta shpallë miqësinë duke krijuar tensione sentimentale, ku harresat dhe mungesat duhen pranuar dhe falur. Është si një trokitje e beftë në derë, ku pritet esklamacioni i thjeshtë dhe i gëzueshëm: O, mirë se erdhe! Kush je? Një si ti! Nga vjen? Nga vendi i poezisë!
Horia Gârbea u lind më 10 gusht 1962 në Bukuresht. Është inzhenier ndërtimi, doktor në inzhenieri, kuadër didaktik, poet, prozator, eseist, kritik letrar dhe teatror. Pas revolucionit antikomunist të dhjetorit (1989), ka zhvilluar një veprimtari të dendur publicistike. Ka botuar 12 pjesë reprezentative në Rumani, Francë dhe Angli. Ka përkthyer dhe adaptuar për sqenë autorë të shquar botërorë, ka botuar 19 vëllime letrare, është prezent në antologji të panumërta gjuhësh të ndryshme, e ka përfaqësuar Rumaninë në festivale ndërkombëtare për teatër dhe poezi, ka përfituar një serë çmimesh të rëndësishme letrare për poezi, prozë, darmaturgji, ndërsa romani i tij Rënia e Bastilies është dekoruar me tre çmime kombëtare. Është laureat i Urdhërit Merita Kulturore me gradë të Kavalierit dhe sekretar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Bukureshtit, prezent në këtë antologji me një cikël poemash bilingve. Njëra nga to mban titullin “Në vend të Annabelit”, ku defilon bota, “Përballë kësaj paqartësie/ Anija e bukur me lapsa/ Shpërthen dhe ma hedh përpara/ Tërë përmbajtjen e saj/ Me ashkla makinash gdhendëse/ Dhe me një melankoli të prehtë.”. Shquhet poezia Tekst festiv, me “Parfum lemeritës/ Në dhomën e lamtumirës/ Që i stimulon kompetencat/.../ Çfarë peshoresh të ndjeshme/ Çfarë dëshirash për nyjëzimin/ E krahëve të një tubimi të mërzitshëm/.../ Në/ dhomën e nuses/ Ballona të hatshëm / Qiellit të kuqëremtë të muzgut/ Të lëvarur përmbi/ Kështjellën e kujtesës”.
Një dritë të veçantë kanë edhe vargjet e poeteshës Florica Bud, me origjinë nga Baia Mare (Banja e Madhe) e zonës së Maramureshit: “E bëj transplantin e dytë/ Atë bordo/ Rekompensimi i rekompensimeve/ I avizuar përmes postës prioritare/ Nga engjëlli që ende më mbron/ Nga faje të përfytyruara dhe të drejtat/ Qenje dualiste/ E mbivënë/ Mbi vdektarin me zinxhirë të zgjidhur./ I nënshtrohem verdiktit Guilty/ E larë në çokolladën që u pëlqen hyjnive/ Bëj harakiri/ Përmes/ Stërzgjatjes së gishtit tregues/ Të konsumuar përmes papërfillshmërisë.” Poeti më i mirë nga Braila e Naum Veqilharxhit është Constantin Gherghinoiu. U lind në komunën Ariçeshti-Zeletin, rrethi i Prahovës (1951). Ndoqi Liceun në Vëlenii de Munte dhe e përfundoi në Plojesht (1971). Studjoi Pedagogjinë dhe Gjuhën Franceze në Fakultetin e Filozofisë, pranë Universitetit të Bukureshtit. Debutoi më 1972, në revistën letrare të Universitetit të Bukureshtit, ndërsa në vitin 1991 iu botua vëllimi poetik “Vjeshta e vuajtjeve sipas Matejit”, duke botuar në ndërkohë edhe vepra tjera letrare, si: “Shantazh”, roman (1995), “Burg për pëllumbat”, pjesë teatrale (1998), “Mitologji të zeza”, poezi (2001), “Vetvetja dhe shkretëtira”, poezi (2004), “Vetvetja dhe shkretëtira/ Le soi et le desert”, poezi, edicion bilingv (2007), “Poezi e humbur dhe poema në prozë” (2008), “Fënushi dhe heronjtë e botës së tij” (2009), «Vina/Faji», edicion bilingv, rumanisht-shqip, Bukuresht, 2011). Që nga viti 1998 është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë. Në antologji prezantohet edhe me një cikël poemash që mbajnë një titull të përbashkët «Faji për të mos qenë zot»: «Zoti dhe bujshmëria e fjalëve/ i marin detrat në shpinë dhe shkojnë,/ askush s’e di se në çfarë porti do të ankorojnë/ Zoti dhe hiçi i fjalës », apo: «vjen zogu kohë,/ duke pyetur:/ ku mund të jetë mençuria?/ nuk është në mua,/ thot dhe fluturimi,/ shikoj qiellin,/ qielli bëhet det,/ nuk është në mua!/ vjen zogu kohë,/ ku të fshihem/ ku, o Zot!»
Nga pala rumune shquhen poeteshat Patricia Lidia, Maria Niculecu, Anne Marie Bejliu, Mariana Florea, Laura Rushani (pseudonim letrar me vargje dashurie kushtuar një poeti shqiptar), si dhe Liviu Vi?an (poet i shquar, drejtor i Bibliotekës së Qarkut Kombëtar Ushtarak), nga i cili citojmë një Këngë kushtrimi, kur «Kërcëllen porta/ Qeni po leh/ Kazani me raki llokoçit/ Aroma përplaset në bakër/ Porsi një gjuhë/ E trembur/ E kambanës», apo një inspirim tjetër lirik me Apelin e mbrëmjes, kur nuk e dimë saktësisht «Nëse të pranishmit/ Kanë dezertuar në mendimin/ E dashamirëve», apo me Vargje të shkruara zanës me verë të kuqe, kur «Ngjyra e zezë të bie si një arradhë/ Bora e qengjave t’është qepur me qime/ Je një poemë në negativin e bardhë/ Që t’i përfshin kofshët për vetullën time», kur « vërtitesh në teshat e ëndjes/ Në kaosin e krijimit të botës në fillim/ Dëbora djeg nën kordhelet e këmbës/ Dhe bishti i cigares mbi qylim/ Më verbëron mua ngjyra e çuditshme/ Që ta ndan trupin nga ndjenja e shijshme». Poeti shkruan për «dhomat e zemrës sime» me pergamentin që është «Pëlhurë e shpirtit dhe pjatë/ Nga tingulli i heshtur/ Do ta latoja një germë të artë», me Këngë për humbje vere: «Hello, e dashura ime e zeshktë/ Me pulpa të ëmbla si çokolladë/ Të prek stuhia në Bermude/ Duke ndjerë erën e tulit të mjaltë.»
Përfitime shpirtërore dhe afirmime vlerash shqiptare
Mirë e ka kryeredaktori i një reviste elektronike kur thot me fjalë të tjera se kjo punë që po bëjmë për ta mbajtur gjallë, nuk është fitimprurëse por fitimhumbëse. Edhe puna e antologjisë, që krijon miq e kundërshtarë, nuk ka kurrfarë përfitimi material, përveç përfitimit shpirtëror dhe ngazëllimit të autorëve prezentë, edhepse ndonjëri nga to ende nuk ka parashtruar pyetjen sa të kushton koha e humbur dhe botimi i veprës respektive? Tek e fundit, nuk është e domosdoshme të të shpërblejnë autorët, po qe se i inkorporon nga respekti, pa i pyetur fare. Sidoqoftë, për botimin e Shijes, kanë dhënë kontribut nja tre poetë rumunë, një zanë e diasporës shqiptare nga Amerika, nja dy poetë nga Gjermania dhe një tjetër nga Suedia, ndërsa dy prej tyre i kemi prezantuar falas në shenjë respekti për reçensionet e tyre kushtuar veprave tona të përkthyera apo të redaktuara. Jo pretendimet, lakmia, kopracia apo lekët janë me rëndësi (edhepse askush në Europë nuk ta përkthen një poezi pa lekë), por me rëndësi është interesi kombëtar dhe realizimi i disa ideve, projekteve dhe akcioneve për afirmim dhe promovim vlerash letrare, pa marrë parasysh faktin se këto aktivitete mund të realizohen në baza vullnetare, apo përmes sponsorizimit.
Nga poetët shqiptarë starton kosova me poetin Skënder Zogaj. U lind më 1950, në Lladroc të komunës së Malishevës. Deri tash punoi në intervalle të ndryshme kohore si redaktor përgjegjës i gazetës “Bota e re” në Prishtinë, gazetar dhe redaktor në gazetën “Rilindja” Prishtin, përfaqësues i Zyrës së Republikës së Kosovës në Shqipëri, redaktor në gazetën “Rilindja” botimi në Tiranë, redaktor në “Revista ushtarake” në Tiranë, korrespondent i gazetës “Zëri ditor” botimi në Zvicër, redaktor i kulturës në gazetën “Bota Sot” në Prishtinë, Kryetar në dy mandate i Komunës së Fushë Kosovës, Këshilltar i Parë Politik në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës (2008-2010). Në gazetari ka bërë emër me shkrimet për artin dhe kulturën. Sidomos u dallua me shkrimet kritike për letërsinë, teatrin dhe televizionin. Krahas gazetarisë merret edhe me krijimtari letrare, shkruan prozë dhe poezi, për të rritur dhe fëmijë. Bibliografi letrare: “Zogu i ekspozitës” (poezi, 1983), “Merrme vëlla përdore” (vjersha për fëmijë, 1994), “Ora e qoftëlargut” (poezi, 1996), “Adresa e dallëndyshes” (vjersha për fëmijë, 1999), “Jusuf Uka Bregu, luftëtar i Ballit Kombëtar” (monografi, 2004), “Mali i tejdukshëm” (poezi, 2005), “Puthjet e puhisë” (vjersha për fëmijë, 2007), “Loti i dhembjes” (Lacrima durerii, Bukuresht 2010). Është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës që nga viti 1981, si dhe anëtar i Shoqatës Mbarëkombëtare të Shkrimtarëve Shqiptarë për Fëmijë dhe të Rinj me seli në Tiranë. Krijimet letrare të Skënder Zogajt janë përkthyer dhe botuar në shumë gjuhë. Është i përfshirë në disa antologji të botuara në gjuhën shqipe, gjermane, turke, frenge dhe italiane. Është i përfshirë me grup autorësh edhe në botime të veçanta ekciklopedike të krijuesve shqiptarë. Jeton dhe krijon në Fushë Kosovë, prezent në antologjinë respektive me një cikël poezishë në gjuhën rumune, shumica sosh me motive atdhetare, kushtuar Manastirit shqiptar të Shën Naumit, Kosovës etj.
Kozeta Zylo, zemërzana e diasporës shqiptare të Amerikës, poashtu prezentohet me një cikël poetik në gjuhën rumune, me bibliografi në të njëjtën gjuhë, si dhe me një medalion eseistik në gjuhën shqipe, prezente me të njëjtin medalion kohë më parë edhe në faqet e Zemrës Shqiptare. Për herë të parë, prezantohet në një antologji të përbashkët në Bukuresht, poeti Sejdi Berisha me origjinë nga Peja, ish korrespondent i Televizionit të Prishtinës, ish gazetar i Rilindjes, themelues i Radio-Pejës dhe drejtor i këtij institucioni me rëndësi të veçantë informative dhe shoqërore, anëtar i Bordit të Teatrit Profesionist “Istref Begolli” të Pejës, anëtar i Këshillit Artistik të Galerisë së Arteve të Qytetit në Pejë dhe ish Kryetar i Bordit të Qendrës për Mirëqenien e Gruas në Pejë. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i Lidhjes së Gazetarëve të Kosovës, si dhe autor i mbi 20 librave (monografi, poezi, ese, dramë). Sejdi Berisha është prezent në antologji me disa poezi bilingve: Fluturat ikin nga vetvetja, Faqe libri të pashkruar, Mbi lapsin tim, Bekim i nënës, etj.
Pason Arif Molliqi nga Gjermania, me bibliografi në gjuhën e Eminescut, si dhe me poezitë Sagë për poetin Jusuf Gërvalla, Nëpër frëngjitë e kohës, Zoti nuk na harron, Ikona nr. 1999, Kur bien gjethet, S’di pse më dhemb fjala, të gjitha të rikënduara në gjuhën rumune, si dhe me dy poema në gjuhën shqipe : 1. Te Lisi i rinisë, 2. Pastrimi i moteve të rënduara, 3. Dashuri e zgjuar, me vargje si: “Nën lis me ato degë të gjata/ Mbeta pa gjumë kur buzët e saja zura ti puth/ Nga afshi i saj m´u turbullua natyra/ S´di nata erdhi kur dita kishte filluar me zbardhu/ Një fllad i pashuar u shkund mbi qershi një këngë u derdh/ Kur dëgjova fjalët e saj posi bilbil në ligjërim/ E ç´jam unë mos një ujk i tërbuar mbi ty/ Ti e di se jam lindje dielli pranverë jam për ty/…/ Në ketë natë që erdhe mos kurse zemrën ma merr/ Ma lë ballin tënd me diellin lartë ta krahasoj/ Kur të vjen mëngjesi e ty s´do të kem pranë”. Për hertë të parë, në spektrin e vëllimeve tona antologjike, defilon edhe Neki Lulaj, tashmë emër i njohur i letrave shqipe, me një lëndë bibliografike në gjuhën shqipe dhe me poezitë e rikënduara në gjuhën rumune: Në sytë e Mona Lizës, Për Ty, I vetmuar, Le të shndrisë, Në Manastir, dhe Martirëve të Lirisë (kushtuar vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës).
Pal Sokoli vjen nga Radoniqi i Gjakovës. Shkollimin fillor e kreu në Radoniq e Cermjan, ndërsa gjimnazin (drejtimi i shkencave natyrore) në Gjakovë. Më 1985 diplomon në Universitetin e Prishtinës (Fakulteti Filozofik) në degën Filozofi-Sociologji. Shkruan poezi që nga mosha e adoleshencës, duke botuar në periodikun letrar që nga vitet e ’80-ta. Shkrimet e tij defilojnë në revistën studentore "Bota e re", "Zëri i rinisë", "Etja", "Fjala", "Rrezja", si dhe në revistën letrare "Shtigje" të Klubit letrar "Gjon Nikollë Kazazi" në Gjakovë. Ka shkruar disa recensione librash dhe ka qenë anëtar aktiv në grupin dramatik "Emin Duraku" të Gjakovës. Disa dorëshkrime poetike i qenë sekuestruar nga policia serbe në vitet 1991/92/93, kur u burgos me veprimtarët e grupit të ashtuquajtur "Grupi i priftit". Prej vitit 1994 jeton dhe krijon në Wuppertal të Gjermanisë. Bibliografi letrare: "Kambanë e pëlcitur dhembja", poezi, (2005) "Asht e gjak Arbërie", antologji e 12 shkrimtarëve në mërgim, bashkautor me poetin Martin Çuni-Antoni (2007), “Unazë gjaku” (2008), “Gjaku i dashurisë” (Bukuresht 2010). Për veprimtarinë e tij është shkruar në veprat “Olimpi Shqiptar”, “Shekulli i martirizimit”, “Përkushtime”. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani (aktualisht sekretar i saj), redaktor dhe recenzent i disa librave si dhe anëtar i disa redaksive te ndryshme kulturore virtuale dhe i revistës letrare "Muza shqiptare”, prezent në antologji me poezitë Gjergjëve, Qyteti XII, Katedrala e Këlnit, Sikur, Metamorfozë, Rrezja ime në varg, Ritual dhe këngë, Xixëllonjat e kopshtit, që të gjitha në gjuhën rumune.
Remzi Basha, prezent me bibliografi në të dy gjuhët, u lind në Sllapuzhan të Therandës (1960). Studimet e larta i kreu në Universitetin e Kosovës (Fakulteti i Historisë dhe Gjeografisë). Duke qenë në ballë të demonstratave për liri dhe pavarësi, do të ndiqet, arrestohet dhe dënohet disa herë. Ishte kreator dhe udhëheqës i grevës së punëtorëve të “Ballkanit” në ish/Suharekë. Si pasojë e përndjekjes, pas shpërthimit të revolucionit antikomunsit do të shpërngulet së bashku me familjen në Suedi, për të vazhduar edhe atje veprimtarinë intenzive në favor të kauzës kulturore dhe kombëtare shqiptare, duke dhënë kontribut të pashoq në fushën e arsimit, si mësimdhënës i mësimit plotësues në shkollat shqiptare të Suedisë. Në ndërkohë ka qenë kryetar i degës së LDK-së për Katrinaholm, duke dhënë kontribut për Qeverinë e Kosovës edhe në rrethin e Malmos. Që nga viti 1995 deri më 2000 punoi në kryesinë e Shoqatës Kosova, duke qenë në ndërkohë revizor i kësaj shoqate, iniciator për themelimin e degës së Lidhjes Shqiptare në Skandinavi, organizator i grevës së urisë që u mbajt në Malmo për të sensibilizuar opinionin suedez lidhur me diskriminimin e shqiptarëve të Kosovës nga pushteti serb. Merret me krijimtari letrare në mënyrë aktive, ka botuar disa vëllime poetike, si dhe një roman që është duke e pregaditur për botim. “Zëri i Kosovës” është libri i parë i autorit që e pa para disa vitesh dritën e botimit në gjuhën shqipe, në Bukuresht. Sipas Namik Selmanit, frymëzimet e tij të marrin ushqim edhe nga ngjarje të mëdha, të shkuara dhe të sotme të kombit shqiptar. Në këto poezi, Remziu e njeh bukur mirë këtë lidhje shpirtërore që krijon shqiptari i Kosovës kudo ku jeton e frymon. Remzi Basha i përmbyll faqet e kësaj antologjie me poezitë Dasma në bjeshkët e Kosovës, Ajo erdhi, Vendlindjes sime, Të dua, Pa fund dhe Ora.