E shtune, 12.10.2024, 10:27 PM (GMT+1)

Kulturë

Sinan Sadiku: Shtrirja hapësinore e Gallapit në komunën e Dardanës dhe emërtimi i vendbanimeve

E diele, 26.02.2012, 06:00 PM


SHTRIRJA HAPËSINORE E GALLAPIT NË KOMUNËN E DARDANËS DHE EMËRTIMI I VENDBANIMEVE

 

Shkruan: Sinan Sadiku

 

Viteve të fundit janë botuar shumë punime për krahinën etnografike të Gallapit. Falë veprimtarisë së Asociacionit për Zhvillimin e Gallapit “Galabri” janë botuar disa numra të revistës “Gallapi”, është botuar libri “Gallapi gjatë rrjedhave të historisë”, por janë botuar edhe disa libra nga autorë dhe studiues të ndryshëm në të cilat trajtohen tema të ndryshme historike, etnografike e të tjera që lidhen edhe me këtë krahinë si tërësi, ose me pjesë të ndryshme të sajë. Megjithatë kanë mbet edhe shumë çështje për t`u trajtuar,  studiuar dhe precizuar. Përkundër shkrimeve nga ekspertë dhe studiues të ndryshëm, ende nuk kam pasur rastin ta lexojë ndonjë punim i cili do ta përshkruante në mënyrë precize shtrirjen hapësinore të Gallapit. Janë botuar punime të cilat drejtpërsëdrejti ose tërthorazi e kanë trajtuar këtë temë e cila përsëri ka mbet disi e mjegulluar, e në shumë raste kam lexuar punime të cilat nuk përputhen me realitetin, nuk përputhen me gjendjen në teren. Kjo mospërputhje herë shkon kah zgjerimi e herë kah ngushtimi i hapësirës së Gallapit. Ka punime në të cilat shkruhet se Malësisë së Gallapit i takojnë edhe fshatrat: Hogosht, Karaqevë, Kopërnicë dhe Shipashnicë e Epërme, fshatra këto që i takojnë Anamoravës, por edhe më të shumta janë punimet në  të cilat shkruan se Gallapit i takojnë jo vetëm fshatrat  Kranidell e Sedllar po në tërësi krahinëza e Hashanisë. Në këtë punim do të përpiqem të shkruaj për shtrirjen hapësinore të Gallapit në komunën e Dardanës duke i shënuar fshatrat të cilat i takojnë kësaj tërësie etnografike. Që në fillim po e shënoj faktin e njohur se territorin e komunës së Dardanës e përbëjnë pjesë të tri tërësive etnografike shqiptare siç janë: Gallapi, Anamorava dhe Hashania. Kufijtë midis këtyre krahinave etnografike janë shumë të qartë, sepse pa u lëshuar në veçoritë e tjera dalluese mjafton të ndalemi vetëm në të folmet e këtyre tërësive dhe të shohim se gjithçka është e çartë. Dallimet në të folmet e këtyre tërësive janë bukur të mëdha dhe shtrihen në shumë fusha të gjuhës. Bile mund të themi se e folmja e Gallapit jo vetëm që është më e afërt me të folmen e Llapit dhe të Drenicës që janë krahina të afërta, po edhe me të folmen e disa krahinave më të largëta se sa me të folmen e Hashanisë dhe të Anamoravës. E folmja e Hogoshtit (apo e Hogoshit si i themi ne nga Gallapi), e folmja e Kopërnicës, e folmja e Shipashnicës së Epërme dhe e Folmja e Karaqevës janë të folme tipike të Anamoravës së Dardanës ku d-në në disa raste e zëvendëson gj-ja dhe ku djalit i thuhet gjalë, djathit gjathë, djepit gjep e të tjera. Derisa në Gallap thuhet tashti për tani, në fshatrat e lartshënuara  dhe në përgjithësi në  Anamoravë thuhet qishti ose shti. Dallime të mëdha hasen te shqiptimi i shkronjave o dhe a. Në Gallap dhe në disa treva të tjera o-ja shqiptohet në një mënyrë që është larg gjuhës standarde, ndërsa në Anamoravë shqiptimi i o-së është i afërt me gjuhën standarde. A-ja në Anamoravë shqiptohet në një mënyrë që është larg gjuhës standarde, derisa shqiptimi i saj në Gallap  ndryshon dhe në disa raste është më i afërt me gjuhën standarde. Emrat e vajzave ose grave si: Sabrie, Hazbie, Rukie, Nexhmie, e të ngjashme në Gallap shqiptohen: Sabri, Hazbi, Ruki, Nexhmi dhe theksi bie te i-ja e cila shqiptohet me gjatë, gjë kjo e cila bënë që këta emra të dallojnë nga emrat e meshkujve: Sabri, Hazbi... ku theksi bie te a-ja, ndërsa i-ja shqiptohet më shkurt se në rastin e parë, gjersa në Anamoravë nuk ka dallim te shqiptimi i këtyre emrave pa marr parasysh a kemi të bëjnë me femër a me mashkull. Femrës, gruas apo vajzës i thërrasin oj Sabri, oj Hazbi... ku theksi bie te a-ja, ndërsa i-ja shqiptohet më shkurt njësoj siç i shqiptojnë njerëzit e Gallapit këto shkronja te emrat e meshkujve. Nuk po lëshohem te dallimet tjera që janë të shumta sepse nuk është objekt i këtij punimi qëllim i të cilit është argumentimi se fshatrat e lartshënuar nuk i takojnë Gallapit po Anamoravës.

Këto dallime që i theksova më lartë midis të folmes së Gallapit dhe të folmes së Anamoravës janë  dallime edhe  midis të folmes së Gallapit dhe të folmes së Hashanisë, sepse te këto çështje e folmja e Anamoravës dhe e folmja e  Hashnisë thuaja nuk ndryshojnë. Pra edhe në Hashani djalit i thuhet gjalë,  o-ja dhe a-ja shqiptohen thuaja si në Anamoravë, vajzës që e ka emrin Sabrie i thirret oj Sabri ku theksi bie te a-ja , sikur të ishte djalë e të ngjashme. Megjithatë dallimet midis të folmes së Gallapit dhe të folmes së Hashanisë janë shumë më të mëdha se kaq. Dallimi kryesor më i madhi është se në Hashani nuk përdoret fare shkronja y, vendin e së cilës çdo kund e zë i-ja. Andaj në Hashani nuk thuhet ky po ki, nuk thuhet krye po krie e të ngjashme. Në këtë aspekt treva e Hashanisë apo krahinëza e Hashanisë si e quan Prof Dr. Bahtijar Kryeziu në librin “Onomastika e Hashanisë” është shumë e veçantë. Hashania është një krahinëz etnografike po aq e veçantë në mos më e veçantë se Gallapi dhe Anamorava, veçmas sa i përket të folmes ose gjuhës. Sado që nuk mund të themi se aspekti gjeografik, relievi, klima, etj. nuk kanë ushtruar ndikim gjatë procesit shekullor  të formimit të krahinave etnografike, ky aspekt nuk është vendimtar e aq më pak i vetmi që e përcakton një krahinë të tillë. Krahinëza e Hashanisë të cilën e përbëjnë 9 fshatra kodrinoro-malore sa i përket relievit, klimës, lartësisë mbidetare dhe bimësisë, është shumë e ngjashme me krahinën e Gallapit, ndërsa sa ju përket karakteristikave të tjera ndër të cilat është e folmja që janë veçori të cilat  e bëjnë një krahinë të veçantë etnografike, ndryshimet janë të mëdha dhe këto treva janë tërësi të veçanta etnografike. Krahinëzën e Hashanisë e përbëjnë fshatrat: Gjergjec, Kranidell, Novosellë, Qarr, Priboc, Ramabuçë, Sedllar, Suharnë dhe Zarbicë. Tani komunës së Dardanës i takojnë  vetëm dy fshatra: Kranidelli dhe Sedllari, ndërsa të tjerat i takojnë komunës së Bujanocit. Fshatrat Priboc e Zarbicë pas luftës së dytë botërore deri në vitin 1949  i kanë takuar komunës së Dardanës, ndërsa në at vit  i janë marrë kësaj komune, pra i janë marr Kosovës e i janë dhënë komunës së Bujanoct, gjegjësisht Serbisë. Është thënë dhe shkruar nga studiues të ndryshëm, sikurse që është përgjithësisht e njohur se e folmja e Gallapit është e unifikuar dhe ka tipare të përbashkëta, që e dallojnë nga të folmet e krahinave të tjera. Nëse themi se treva e Hashanisë hynë në kuadër të krahinës etnografike të Gallapit  ky konstatim bie, sepse e folmja e Gallapit ndryshon më shumë me të folmen e Hashanisë se me të folmet e pjesës  dërmuese të krahinave të tjera etnografike të Kosovës dhe më gjerë. Kuptohet Hashania nuk ndryshon nga Gallapi vetëm në aspektin gjuhësor por edhe në disa aspekte të tjera dhe ndryshon të paktën aq sa ndryshojnë edhe disa krahina të tjera etnografike. Mendoj që krahinëza e Hashanisë është një tërësi e veçantë dhe shumë interesante etnografike shqiptare të cilës nuk i është kushtuar vëmendje e duhur. Sa i përket onomastikës Prof.Dr Bahtijar Kryeziu e ka botuar librin “Onomastika e Hashanisë” që është një kontribut i rëndësishëm, porse është për t`u habitur pse nuk janë shkruar edhe libra të tjerë që do t`i trajtonin edhe shumë veçori të kësaj treve të cilat gjithsesi janë interesante.  Fatkeqësisht pjesa më e madhe e kësaj treve ka mbet pa njerëz. Banorët e 7 fshatrave që i takojnë komunës së Bujanocit për shkak të represionit serb janë shpërngulur masivisht në verën e vitit 1999, porse pak njerëz, pak familje kanë mbet edhe në Kranidell dhe Sedllar.  Sado që shqiptarët e Gallapit e kanë një të kaluar të dhimbshme dhe një të tashme jo të mirë, shqiptarët e Hashanisë edhe sa i përket së kaluarës e edhe sa i përket së tashmes qëndrojnë akoma më keq, për faktin se pjesa më e madhe e kësaj treve ka mbet nën Serbi. Tani banorët e shpërngulur nga Hashania janë shumicë në Shipashnicë të Poshtme, ku dominojnë të shpërngulurit nga Kranidelli, pastaj me dhjetëra familje jetojnë në Petrit dhe në Karaqevë të Epërme. Megjithatë pjesa dërmuese e kësaj popullate, me mijëra sish  jetojnë në Gjilan ku janë shpërngulur gradualisht edhe më parë dhe masivisht në verën e vitit 1999, gjithnjë për shkak të represionit të planifikuar serb i cili represion e ka arrit kulmin në verën e vitit 1999 në kohën kur kriminelët serb të privuar nga mundësia për të bërë krime e gjenocid në Kosovë e bënin këtë në këtë pjesë të hapësirës shqiptare.

 

FSHATRAT E MALËSISË SË GALLAPIT QË I TAKOJNË KOMUNËS SË DARDANËS – EMËRTIMI I TYRE

 

Deri tani i përmenda disa tregues të cilët na ndihmojnë ta shënojmë shtrirjen hapësinore të Gallapit në komunën e Dardanës,  e deri diku e shënova atë shtrirje. Megjithatë për t`i precizuar gjërat çartë do t`i shënoj fshatrat e Malësisë së Gallapit që i takojnë kësaj komune. Porse shumëçka është e paqartë, shumëçka është e mjegulluar edhe sa i përket emërtimit të këtyre fshatrave. Librat e ndryshëm siç është ai i Dr Jusuf Osmanit “Vendbanimet e Kosovës – Dardana dhe Artana” e as  “Regjistri i... “ i hartuar nga Komisioni Qendror  për Standardizimin e Emërvendeve të Kosovës përkundër kontributit të rëndësishëm nuk e kanë hequr mjegullën në tërësi në  këtë fushë. Tani njeriu ka rastin t`i lexojë dhe dëgjojë katër variante të emërtimit të këtyre fshatrave. E ato janë:

  1. Varianti që përdoret në të folmen e Gallapit, 
  2. Varianti që përdoret në të folmen e Anamoravës dhe Hashanisë,
  3. Varianti që e ka përdorë administrata serbe,
  4. Varianti që e propozon Komisioni për Standardizimin e Emërvendeve të Kosovës.

Në Regjistrin... e Komisionit ... përveç propozimit është shënuar edhe një variant për të cilin hartuesit mendojnë se është varianti i gjertanishëm edhe pse aty emrat e fshatrave herë shënohen ashtu si i ka shënua administrata serbe, herë ashtu si i thonë banorët e Gallapit, herë si i thonë banorët e Anamoravës e herë si i kanë gjet të shkruar në ndonjë dokument apo libër hartuesit e tij. Më poshtë do t`i shënojë emrat e fshatrave në tri variante: në variantin që e përdorin banorët e Gallapit dhe në dy variantet e shënuara nga Komisioni...

 

Nr.

Emri i fshatit në të folmen e Gallapit

Trajta e mëhershme e emrit sipas komisionit...

Propozimi i Komisionit...

1.

Huboc-i

Boscë-e

Boscë-a

2.

Bretulloc-i

Bratillofc-i

Bratilloc-i

3.

Busovatë-a

Busovatë-a

Busavatë-a

4.

Cfircë-a

Cfircë-a

Cvirë-a

5.

Dazhnicë-a

Dazhdincë

Dashnicë-a

6.

Desivojcë-a

Desivojcë-a

Desivojsë-a

7.

Feriqevë-a

Firiqevë-a

Firajë-a

8.

Gmicë-a

Gmicë-a

Gmicë-a

9.

Gugulloc-i

Gogollofc-i

Gugulloc-i

10.

Gragjenik-u

Gragjenik-u

Gardhesh-i

11.

Gjyrishec-i

Gjyrishec-i

Gjyrishec-i

12.

Hajnoc-i

Hajnoc-i

Hajnoc-i

13.

Kostadicë-a

Kostandincë-a

Kostandincë-a

14.

Kremenatë-a

Kremenatë-a

Ujëmir-i

15.

Krilevë-a

Krilevë-a

Mirash-i

16.

Laçiq-i

Laçiq-i

Laç-i

17.

Leshtar-i

Leshtar-i

Leshtar-i

18.

Lisockë-a

Lisocë-a

Lisnajë-a

19.

Marocë-a

Marocë-a

Maraj

20.

Meshinë-a

Meshinë-a

Meshinë-a

21.

Poliçkë-a

Poliçkë-a

Fushëmal-i

22.

Rahovicë-a

Rahovicë-a

Rrahishtë-a

23.

Ruboc-i

Rubofc-i

Lugajë-a

24.

Strezoc-i

Strezofc-i

Gurabardh-i

25.

Shahiq-i

Shahiq-i

Shahaj

26.

Terstenë-a

Tërstenë-a

Terstenë-a

27.

Tugjec-i

Tugjec-i

Tygjec-i

28.

Vaganesh-i

Vaganesh-i

Vaganesh-i

29.

Velegllavë-a

Velegllavë-a

Kreshtë-a

30.

Vriçec-i

Vriçefc-i

Vërrini-i

31.

Zajçec-i

Zajçec-i

Qafëmal-i

32.

Zhujë-a

Zhujë-a

Zhujë-a

 

Siç po shihet 32 fshatra të komunës së Dardanës i takojnë Malësisë së Gallapit. Këtyre fshatrave mund t`ua bashkangjesim edhe fshatrat: Bolec. Carec, Bushicë, Tiricë dhe Miganoc, fshatra këto tani të banuara vetëm me serbë, por në të cilat më parë kanë jetuar edhe banorë shqiptarë. Siç dihet tani këto 5 fshatra i janë bashkangjitur komunës së Artanës (Novobërdës). Realisht ne nuk kemi nevojë as ta rrisim e as ta zvogëlojmë krahinën e Gallapit. Aq më pak kemi nevojë të importojmë ose të përvetësojmë personalitete ose figura të çmuara kombëtare të trevave të tjera sepse sikurse edhe krahinat tjera edhe ne i kemi personalitetet e tilla. Kemi njerëz të shquar që kanë shkëlqyer qoftë në luftëra dhe aktivitete tjera për çlirim kombëtar, qoftë në fushat e dijes, artit e të tjera. Po i përmendi vetëm disa nga ato personalitete: Zahir Pajaziti, Kadri Zeka, Nuhi Berisha, Ahmet Isufi, Bajram Kosumi, Ali Huruglica, Halil Matoshi, Arif Demolli, Rexhep Munishi,  Hysen Matoshi, Muharrem Shahiqi, Fejzullah Krasniqi,  e shumë e shumë të tjerë. Andaj në vend se të përpiqemi t`i përvetësojmë personalitetet dhe krijuesit e krahinave të tjera duhet tu japim hapësirë personaliteteve dhe krijuesve tanë që fatmirësisht i kemi me bollëk.

 

E FOLMJA E GALLAPIT DHE EMËRTIMET E VENDBANMEVE

 

Kur jemi te toponimet, veçmas te emërtimi i fshatrave dhe në përgjithësi te emërtimi i vendbanimeve është karakteristikë e të folmes së Gallapit se prapashtesës sllave ovc dhe evc u është hequr v-ja. Andaj v-ja sllave nuk përdoret te emërtimet e fshatrave: Strezoc, Hajnoc, Gugulloc, Ruboc, Domoroc, Çarakoc, Drenoc,  Rajnoc, Huboc,  Bujanoc, Hodonoc e të ngjashme e as te emërtimet e fshatrave: Tygjec, Gjyrishec, Zajçec, Bozhec, Bolec, Dabishec, Marec e të ngjashme. Përveç v-së sllave te emërtimi i fshatrave në të folmen e Gallapit nuk është e pranishme as f-ja, po ashtu sllave, e cila në shkrimet e disa autorëve e zëvendëson v-në pa kurrfarë nevoje dhe pa ndonjë arsyetim, siç vepron edhe Komisioni Qendror për Standardizimin e Emërvendeve të Kosovës në Regjistrin e Standardizuar të Emërvendeve të Kosovës kur si trajta të mëhershme të emrave të disa vendbanimeve e shkruan një variant me f-ë si në rastet: Bratillofc për Bretulloc, Gogollofc për Gugulloc, Strezofc për Strezoc dhe Vriçefc për Vriçec. Në gjuhën serbe te emrat e fshatrave: Gmicë,  Bushicë, Kostadicë, Dazhnicë, Zarbicë e të ngjashme   para   c-së theksohet dhe shkruhet një n-ë. Pra emrat e fshatrave në fjalë në gjuhën serbe shkruhen: Gmince,  Bushince, Konstandince, Dazhdince, Zarbince etj. Kjo farë n-ëje nuk është e pranishme në të folmen e Gallapit. Andaj njeriu mbetet i habitur kur emrin e fshatit Dazhnicë të banuar vetëm me shqiptarë e gjenë në Regjistrin e Standardizuar  vetëm në variantin serb Dazhdince me një ë artificiale shqiptare në vend të e-së serbe. Edhe më keq qëndron puna me fshatin Kostadicë, fshat i banuar edhe me shqiptarë e edhe me serbë te  i cili le që jepet si variant i gjertanishëm vetëm varianti serb Kostandince, por ai variant propozohet edhe për të ardhmen. Po ju garantoj se edhe babai im, edhe gjyshi edhe babai i gjyshit fshatit në fjalë i kanë thënë Kostadicë dhe nuk e di ku qëndron dobia e heqjes së variantit shqiptar të këtij fshati. Gati njësoj qëndron puna edhe me fshatin Bretulloc fshat ky kaherë e edhe tani i banuar edhe me shqiptarë e edhe me serbë. Te ky fshat shënohet një variant artificial si emër i gjertanishëm i tij Bratillofc, variant ky shumë i afërt me emërtimin serb Bratillovc, ku v-ja sllave zëvendësohet me një f-ë, po ashtu sllave, ndërsa si emër propozohet po ashtu varianti serb Bratilloc, po pa v-në sllave! Nuk e di pse injorohet emërtimi që gjithnjë e kanë përdor shqiptarët brez pas brezi Bretulloc i cili le që nuk propozohet për të ardhmen por mohohet edhe si realitet ekzistues i gjertanishëm. Por ka edhe më keq. Më keq qëndron puna me emërtimin e fshatit Huboc kur si variant i gjertanishëm jepet vetëm emërtimi serb Bosce i cili emërtim propozohet edhe për të ardhmen. Shqiptarët me shekuj këtë fshat e kanë quajtur Huboc. Unë si fëmijë për të rënë nga Gjyrisheci në Dardanë kam kaluar nëpër këtë fshat dhe kur e kam lexuar librin e Dr Jusuf Osmanit “Vendbanimet e Kosovës - Dardana dhe Artana”  më është dashur t`i pyes disa njerëz që ta di se  për cilin fshat është fjala sepse atë farë emërtimi serb nuk e kisha dëgjuar deri atëherë. Kam kaluar disa herë nëpër at fshat me njerëz të ndryshëm të fshatrave të ndryshme të Malësisë së Gallapit dhe të gjithë i kanë thënë Huboc e jo as Bosce e as Hubovc. Pra është fjala për një fshat të cilit shqiptarët e Gallapit brez pas brezi i kanë thënë Huboc, ndërsa shqiptarët e Anamoravës Hubovc, por asnjëra palë Bosce siç i kanë thënë serbët.

Është i pranueshëm edhe për mua vendimi i Komisionit Qendror për Standardizimin e Emërvendeve të Kosovës që emrat e fshatrave dhe vendbanimeve me popullsi dominuese serbe të mos ndryshohen, por në rastet kur të njëjtin fshat shqiptarët  deri në vitin 1999 e kanë quajtur ndryshe nga serbët kjo nuk do të thotë që të anulohet emërtimi shqiptar e të mbetet vetëm emërtimi serb. Pra në rastet kur një fshat shqiptarët brez pas brezi e kanë  quajtur ndryshe nga serbët ai emërtim duhet të mbetet edhe në të ardhmen. Hubocit serbët le t`i thonë Bosce, ndërsa shqiptarëve nuk duhet t`iu mohohet e drejta  që t`i thonë Huboc siç i kanë thënë gjithherë. Emërtimet tradicionale të shqiptarëve duhet të mbeten edhe kur është fjala për vendbanime në të cilat serbët janë shumicë e edhe kur është fjala për vendbanime në të cilat jetojnë vetëm serbët.

Derisa në të folmen e Gallapit nuk përdoret v-ëja sllave kur thuhen emrat e vendbanimeve, kjo v-ë përdoret në të folmen e Anamoravës dhe të Hashanisë. Po ashtu  në të folmet e këtyre krahinave hetohet një ndikim më i madh i serbishtes në përgjithësi kur janë në pyetje toponimet. Andaj edhe në Anamoravë e edhe në Hashani thuhet Dazhdincë për Dazhnicë, Konstandincë për Kostadicë, Zarbincë për Zarbicë, Kitkë i thuhet Kikës e të tjera. Banorët e Gallapit edhe kur janë në pyetje vendbanimet që nuk i takojnë kësaj treve nuk e përdorin v-në sllave siç është rasti te emërvendet: Hodonoc, Çarakoc, Bujanoc e të ngjashme, gjersa banorët e Anamoravës dhe të Hashanisë e përdorin v-në sllave edhe te emëvendet e Gallapit. Realisht ndikimi i serbishtes më shpejtë është shtrirë në Anamoravë dhe Hashani mbase edhe për faktin se Gallapi ka qenë trevë më e izoluar me të cilën më pak kanë komunikuar pushtuesit, ndërsa Hashania si trevë më e vogël kufitare. Çështja se a e kanë përdorë v-në  sllave në rastet kur i kanë shqiptuar emrat e fshatrave banorët shqiptarë të Anamoravës para vitit 1912 apo jo mbetet për t`u vërtetuar nga studiuesit.

Hartuesit e Regjistrit të... kanë bërë gabime kur i kanë shënuar emrat e fshatrave të Gallapit sepse nuk kanë bërë punë të mjaftueshme në teren, nuk kanë zhvilluar biseda, me të moshuarit, me banorët e secilit fshat dhe të fshatrave të afërta, me njerëzit e informuar dhe të interesuar për këto çështje, veçmas kur janë në pyetje fshatrat në të cilat nuk kanë jetuar shqiptarë në kohën kur komisioni është marrë me këtë punë edhe pse  anëtarët e komisionit kanë lexuar libra, kanë shfletuar dokumente dhe kanë hulumtuar arkiva. Dokumentet e shkruara, librat, arkivat ndihmojnë për t`i studiuar këto çështje, por të dhënat burimore, të dhënat reale mblidhen vetëm në teren, sepse shumica e dokumenteve dhe librave ose janë të shkruara nga serbët në  funksion të projekteve të tyre  për t`i serbizuar këto troje ose janë bazuar dhe kanë dalë nga shkrimet e serbëve. Nuk ka mundësi t`i kundërvihesh ta  hedhësh poshtë në mënyrë shkencore “të vërtetën” serbe duke u mbështetur në libra dhe dokumente të shkruara nga serbët ose nga ata  që kanë qenë nën diktatin ose nën ndikimin serb. Shqiptarët kanë pasur mundësi të pakta, mundësi të kufizuara të shkruajnë dokumente dhe libra për këto çështje. Andaj mungojnë librat dhe dokumentet e tilla. Ato libra dhe dokumente duhet të shkruhen tani sepse trashëgimia shqiptare, e vërteta shqiptare fatmirësisht ende është e ruajtur në këtë fushë, veçse duhet punë, kohë, angazhim dhe përkushtim për ta vjelë nga goja e popullit dhe për ta vendos aty ku duhet.

 

Dardanë, më 3 shtator 2010 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora