E premte, 04.10.2024, 08:35 AM (GMT+1)

Kulturë

Agim Mato: Janis Ricos

E marte, 28.02.2012, 08:23 PM


JANIS RICOS

 

Përktheu: Agim Mato

 

 

VARRET E TË PARËVE

 

Duhet t’i ruajmë të vdekurit tanë me çdo kusht, nga frika 

se një  ditë prej ditësh

do t’i çvarrosin të huajt dhe do të na i marrin. Atëhere

            pa mbrojtjen e tyre

rreziku do të ishte i dyfishtë. Si mund të rrojmë

pa shtëpitë, mobiljet, pronat dhe mbi të gjitha

pa varret e gjyshërve luftëtarë e të mënçur? Le të kujtojmë 

se  si spartanët grabitën fshehurazi nga Tegjeu eshtrat e

Orestit. Do të duhej

që armiqtë të mos e dinin ku i kemi varrosur. Po si mund

ta  dimë se cilët janë armiqtë tanë,

kur dhe nga do të shfaqen?

Jo, nuk duhen varre madhështore, zbukurime që bien në sy –

            gjëra që

tërheqin vëmendjen dhe cmirën e të tjerëve. Të vdekurve

këto as që u hyjnë në punë – radhë radhë, të urtësuar e të

heshtur, tashmë nuk duan kujdesë,

as pijen e preferuar të mjaltit, blatimet e lavdet e kota.

Shumë më mirë do të qe një gur i xhveshur, një vazo lulesh,

            një shenjë e fshehtë ose asgjë.

Ndoshta është më e sigurt t’i mbajmë brënda vetes, po të qe

e mundur

dhe shumë më mirë akoma as vet të mos e dinim ku pushojnë.

Kush mund ta dijë si do të rrokullisen punën në ditët tona?

mundet  që vet ne t’i çvarrosim, t’i flakim tutje, në një ditë

të bukur.

 

20.03.1968

 

 

PAS DISFATËS

 

Pas thyerjes në Egospotami, dhe më vonë,

më vonë akoma, pas disfatës përfundimtare – lamtumirë

biseda të lira, lamtumirë udhëtime të ndritura

dhe lulëzim i artit, palestra dhe simpoziume të bukura

filozofësh. Tani,

vetëm heshtja e rëndë dhe poshtërimi zotëron në Agorà.

Gjithshka u bë në mungesë. Dhe asnjë

mundësi s’na u dha për t’u mbrojtur, për të bërë

            apologjinë,

dhe asnjë protestë, qoftë edhe formale. Në zjarr u flakën

letrat dhe librat tanë,

kurse nderi i atdheut në plehra. Dhe po të guxonim

            të kërkonim si dëshmitar

ndonjë mik të vjetër, ai nuk do të pranonte nga frika

            se mos vuante

të njëjtin fat si tonin – e me të drejtë, fatziu.

            Kurse ne,

këtu ku na degdisën, do ta shihnim nga kënd i ri natyrën,

duke kërkuar pas telave me gjëmba pak det, një shkëmb,

 pak  gjelbërim,

një re në perëndim, të kuqërremtë, emocionuese.

Dhe ndoshta një ditë do të vijë një Kimon që,

i udhëhequr fshehurazi nga shqiponja, duke gërmuar,

ka për të gjetur majën e hekurtë të shigjetës sonë,

të ndryshkur, të braktisur dhe ka për ta çuar solemnisht

në një kortezh zije dhe lavdije, me kurora e muzikë

            në Athinë.

 

 21.03.1968

 

 

ZHGËNJIMI I PENELOPËS

 

Nuk besoj që s’e njohu atje pranë dritës së oxhakut, as që

            e penguan

zhelet e lypësit, veshja e tij për t’u maskuar ... – shenjat 

            i pa qartë:

nishanin mbi gju, hijeshinë e trupit, dinakërinë e syve.

            E tronditur.

me shpinën nga muri, u tërhoq për të fituar pak kohë,

për të mos u përgjegjur, për të mos e tradhëtuar veten.

Vallë, për të i kishte shpenzuar kot të njëzet vjetët,

pritja dhe ëndërrat e njëzet vjetëve për këtë fatzi

të përlyer me gjak e mjekërthinjur? U shëmb mbi një

 karrike,

rrotulloi sytë ngadalë mbi pretendentët e saj të vrarë e të

shtrirë  mbi dysheme,

sikur të shihte dëshirat e saj të vdekura. “Mirësevjen”, tha,

            duke dëgjuar zërin e vet

të largët e të huaj. Nga një qoshe, avëlmendi i saj

lëshonte në tavan një rrjetë hijesh. Dhe gjithë zogjtë që

pati endur tashmë

me fije të kuqe, të ndezuar mes gjethnajës së gjelbër,

brënda pak çastesh në këtë natë të kthimit, u bënë të hirtë,

            u nxinë

duke fluturuar ulët në qiellin e rrafshët të durimit të saj

            të stërmadh.

 

21.09.1968

 

 

FESTË E SHENJTË

 

Vendosëm: Të mos çohemi këtë vit. Boll më. Kotësi idiote.

Përse ta prishësh rehatin? Në fund të fundit, përse të bredhësh

natën, me pishtarë, duke u përplasur nëpër gurë,

 pa mundur të marrësh vesh

kuptimin e këtyre simboleve boshe – ngritjen e kasolles së

 drunjtë

proçesionin mistik me një fëmijë, shigjetën që vërshëllen

 dhe ngulet në portë,

pastaj djegjen e kasolles dhe vrapin e çmëndur të njerëzve

 drejt tempullit,

pa mundur dot të kthesh as kokën. Dhe më pas bërjen e flive,

kthimi mbrapa  të ngarkuar me dafina. E njëjta gjë

 çdo nëntë vjet,

e  njëjta gjë ( ndoshta për të harruar një çast hallet – dhe i

            harron vërtet) Eh, jo,

këtë radhë nuk do të lëvizim asnjë hap – ja, kështu

            vendosëm.

Mirëpo, si ndjemë së largu

daullet e natës, dhe sjellësit e pishtarëve kaluan pa zhurmë

poshtë shtëpive tona, nuk e frenuam dot ngasjen, u lëshuam

tatëpjetë rrugës, duke u ngjeshur mes turmës,

morëm pjesë në zjarr, në ikje, në fli e u kthyem nëpër rrugën

Pitike të Delfit, aq sa nuk ngeli kush pa u kurorëzuar

 me to –

dhe ishte një trishtim dhe krenari së bashku, që askush s’e

 dinte pse, dhe të gjithë

ishin të pushtuar nga këto ndjenja – Ende tymonte kasollja

 në agim. Duke u kthyer

ne shikonim qiellin, të qartë, ngjyrë qumështi, të kaltër, të

 kuq; shikonim në shesh

flamurkat e shkelura prej letre, një sandale fëmijësh, një

 shamizë me spermë,

shikonim të qetë, të shtangur, pa shprehur kënaqësi apo

 velje,

me një lumturi të lodhur, të hutuar nga pagjumësia,

si aktorët që kanë hequr makiazhin dhe ikin rrugës pas një

 shfaqjeje të bukur,

duke ndjerë si në përgjumje poteren e kotë të

            duartrokitjeve,

dhe një bezdi, në se u ka ngelur në fytyrë pak ngjitës nga

 mjekra

e Edipit apo Prometeut, ashtu madhështorë, të lumtur sërish

            këtë natë.

 

23.10.1968



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora