Kulturë
Poezi nga Neki Lulaj
E marte, 28.02.2012, 08:55 PM
Neki Lulaj
LIS SHEKULLI
Shekulli e mbëltoi lisin
Duke ikur
Dhe e ujiti
Me lotin e dëshprimeve
Mbi lëmashkun e urrejtjes
Me frymëmarrjen e vuajtjeve.
E lisi i urrejtjes
Homofobike
Mëria
Ndaj të tjerëve
Ka rritur shtatin
E xhelozisë
Deri mbi qiell
E hijen e ka lëshuar
Aq të madhe
Dhe aq të gjerë.
Zogut hyjnor
I duhet
Një shekull drite
Me bekime biblike
Që të kalojë
Në anën tjetër të planetit
Për ta zbutur urrejtjen
E këtyre dekadave
Të strukura në kotarin
E mijëvjeçarit të dashurisë.
MALL PRINDI
Motet i matëm
Me masën e përmallimit
Ndarja tërmet
I pa dëshirueshëm
Me lot
U mbushën lumenjtë
Me shijen e padurimit
Për ta përkëdhekur
E kërkuam muzën.
Takimet e përsëritura
Me padurim i pritëm
Fjalët nëpër ajër
Vetëtimë jete -
Fluturim e bubullimë
Ëndrrat e rinisë
Na i grabit pleqëria
I mashtron parajsa
Që kurrë mos të thonë
Se na kaploi gjumi.
DERA E HAPUR
Fytyrë rrudhur
Si harta e trojeve
Të mikpritjes
E ballin me rrudha
Si shkallët e qiellit
Derën e kullës dardane
E lente të hapur
Duke shpresuar
Se një natë
Do të kthehet Ylberi.
Të kthehet nga robëria
Nata s`ka ispatë
Nuk i qet dëshimtarët
I mban të ngujuar
Në kthetrat e mëkatit
Që falet e s’falet.
Shtretërit e shtruar
Mbrëmejeve të vona
Ne odë të burrave
Postaqi, jastëqe e jorganë
Erëtimë jargavanësh
Tejmatanë dritaresh
Murmurimë mes dhembëve
Derën e hapur
Le te kthehet
I miri i babes!
Lodhja nuk ka vade
Mikpritja nuk ka lodhje
Le të pushojë thot baba
Ne shtratin e shtruar
Me bekimin
E zanave të shtëpisë.
Plaku fytyrë rrudhur
Si harta e trojeve
Të shkëputura
Nga trungu i Atdheut
E ballin si shkallë qielli
Deri në vdekje
E shtroi shtratin
Ta bëjë gjumin sërish
Në shtratin e babës.