E shtune, 27.07.2024, 03:05 AM (GMT+1)

Kulturë

Lebit Murtishi: Shtëpi azili në perëndim...

E marte, 28.02.2012, 08:56 PM


Shtëpi azili në perëndim...

 

Nga Lebit Murtishi

 

S` është, thjeshtë,ngacmim kujtimesh ky zë i brendshëm që s`di të hesht,ky zë që më prish qetësinë saherë rrëshqas nëpër kohë dhe shoh vetveten spektator,të heshtur e të pagojë, përballë vërshimeve të furishme që derdhi jeta mbi njerinë,mbi qenien më madhështore dhe me të ligë njëkohësisht.Së paku përpara fjalës të mos ndjehem spektator,atë ta lirojë të ecë,të shkojë e të rrefejë përtej caqeve të saj...Por edhe fjala ndonjëherë është shumë inferiore përballë ngjarjeve të trishta,siç është rrëfimi im me tragjikët që ka brenda...

 

Shekulli që e lamë prapa mbahet mend si shekull luftërash në më shumë anë të botës.Por më e ndotshmja dhe më e tmerrshmja ndodhi në gji të evropës,ndodhi në shtetin serbosllav të quajtur jugosllavi,ku u vranë e u plagosën afër gjysmëmilioni njerëz...Këtu e ka edhe burimin shpërngulja me aq përmasa,që u quajt dhe biblike,nga teritoret e shqiptarëve dhe nga bosnjë-hercegovina të sunduara rreth një shekull nga shteti i lartëpërmendur...Në shtetet e perëndimit,si në tokën e premtuar, kishte dyndje refugjatësh nga secila vatër krize,nga secila pjesë e botës,ku lufta kish bërë të vetën...Kështuqë lindën njohje të reja,lindën miqësi të reja mes njerëzve dhe kulturave nga e gjithë bota e trazuar...

 

Rrëfimi fillon e zhvillohet në një qendër refugjatësh në një fshat diku në Zvicër...

 

1

 

Baraka e drunjtë bënte hije për shtatë palë qejfe rrëzë një kodrine të vogël pyjore...Nuk dihej kush e kish zgjedhur rrëzën e pyllit për ngritjen e një objekti të thjeshtë e të hirtë ,por mbresëlënës ,çuditërisht...As pse-ja nuk dihej...Dihej që pylli i dendur,përveç manireve të erës që shtronte këngët si e çmendur,kishte dhe meloditë hyjnore të miliona zogjëve të lirë që banonin në pyllin e afërt prej kohësh që s`mbahej mend...Edhe hëna zbriste rrallë;shumë rrallë shfaqej fytyrë e saj në ato mbrëmje të mërzitshme që u mungonte shpesh e nesërmja...Dhe pse-ja sërish nuk dihej...

Shteti modern helvetik,në atë barakë të hirtë, kishte strehuar përkohësisht një numër strehimkërkuesish,të cilët ilegalisht i kishin shkelur kufijtë e tij...Prandaj dhe baraka e hirtë me atë kapacitet që kishte,quhej,,Zentrum Für Asylsuchende"(Qendër Për Refugjatë)...

 

Me gjithë mungesat që mund të kishte,,,foleza e hirtë"rrëzë kodrinës piktoreske,ofronte kushte optimale për një jetë të rehatshme ,për një afat kohor të shkurtër,sa do të duhej të qëndronte secili strehimkërkues në ato kthina mjaftë të ngushta, por ,,zemërgjëra"pafundësisht...Për çdo familje,varësisht numrit të anëtarëve,kishte së paku një dhomë gjumi me gjithë pajisjet e nevojshme; kishte kuzhinë të përbashkët,një dhomë dite të përbashkët dhe disa banjo provizore,por të përbashkëta gjithësesi...

Kabina e vetme telefonike, që lidhte zërat me botën tjetër ,funksiononte pa ndërprerje rrafsh njëzetekatër orë...Nëse numërojmë mungesat ,që dukeshin dhe të natyrshme,mungesë e parë ish telefoni,mungesë e tij ndihej më shumë...Me të drejtë dhe pa të drejtë ,kishte ndonjë reagim të vakët ,por askush s`ia vinte veshin...Përgjigje s` jepte askush.Një gjë ishte e sigurtë,se askush nuk i kalonte më shumë se dymbëdhjetë muaj në atë barakë të drunjtë.Kjo e bënte më të lehtë kohën që duhej të shtyhet brenda mureve të drunjta ...Dhe koha bënte punën e saj,ajo rridhte pa pushim drejt caqeve që kish përpara; caqe këto,që veç Zoti mund t`i dinte...Të dukshme ishin veç ironitë(të fatit dhe fatkeqësisë)që kishin mbledhur brenda barakës një copëz bote nga botë e madhe;nga botë e madhe e shastisur ,që nuk mund të sundojë veten pa bomba e pa raketa....Dhe për dallim nga bota e madhe, kjo minibotë brenda barakës për kryefjalë kishte paqën,kishte lirinë dhe barazinë për të gjithë njerëzit e botës...

Shquheshin pa privilegje një mal kulturash të larmishme,të cilat,për ironi ,në vendet e origjinës ishin të ndalura me ligj...Fliteshte shqip pa,,doreza",fliteshte lirshëm kurdishtja, fliteshin gjuhë afrikane,dhe fliteshin gjuhë aziate gjer tek shri-lanka e largët...

Gjithë ajo botë dallimesh, gjithë ajo botë kulturash ,dhe gjithë ajo paqe njerëzore brenda një bote të vogël,ishte një shembull shumë i madh, për botën e madhe të lodhur,se paqja dhe mirëkuptimi gjendet në gjuhën e paqes dhe jo në gjuhën e barutit...

(burgosja e burrit,humja e fëmijës,ikja për shkak të femijeve...

 

2

 

Ardhacakët e rinjë,një nënë e re nga Irani me tre fëmijët e saj të mitur,nga katër gjer nëntë vjeç,u pritën me dashamirësinë më njerëzore,që ishte gjë e zakonshme për ata njerëz të zakonshëm...Mikesha e re,megjithatë, edhe pas ditësh,javësh e muajsh,s` parapëlqente më shumë afri me bashkëbanuesit e rinjë.Kalonte shpesh si një hije,pa folur me asnjeri dhe izolohej në dhomën e saj me ditë e me javë të tëra.Në fillim ,pas përkthimesh të mundimshme mezi i mësuam kuptimin e emrit; një emër i origjinës,i pa ndier më parë për ne.E quajnë Mahvash,tha përkthyesi jo aq i mirë i persishtes.Pastaj sqaroi se emri i saj do të thotë :Hënë;lidhje e mjaftë simbolike me pamjen e saj të jashtme.Përveç bukurisë së moshës,kishte dhe pamjen e ,,sojit",të rrallë për sytë që e ndiqnin...Bota moderne e perëndimit dukej shumë inferiore karshi imazheve që sillte bota e largët lindore përmes mikeshës sonë të heshtur...Bukuria femërore dukej si një privilegj,paksa edhe ironik,i asaj bote plot mistere,që shumë pak e vlerësoi...I tillë kish qenë, siç u mor vesh,edhe fati i mikes sonë, që ngacmonte spontanisht, secilin që ndeshte sytë në sytë e saj të magjishëm...

Me ata sy të thellë sa dhimbja dhe me një heshtje të mistertë,përngjante si pergamenë,ku mund të thuren edhe legjenda; ku mund të shkruhen një mijë përralla me një mijë e një rrëfime...Por të përrallshëm i kish veç sytë dhe të një mijë e më shumë dhimbjet...Ajo nuk kishte më dëshira të jet përrallë dashurie,ajo nuk kishte asnjë ëndërr;herë dukej si pranverë me një mijë e më shumë ngjyra,herë dukej si një qiell në një vjeshtë të perënduar...ajo po shuhej brenda vetes...

Një buzëmbrëmje të zakonshme u ndie dhe zëri i saj.U ndie zëri i pazakonshëm,zëri i mbyllur brenda qenies që rrëshqiste si një hije...Zëri shpërtheu nga kabina,një zë i ngrohtë e i përvajshëm,ndonëse gjuha s`i kuptohej,sikur deshte të zbulojë të një mijë e më shumë dhimbjet që fshihte në shpirt të saj ajo qenie e mistertë...Ajo qau me dënesje,qau sa u tund kabina,sikur deshte të rrëfehet me gjuhën e ngashërimës...Të pranishmit që u ndodhën në dhomën e,,muhabetit",ku ndodhej edhe kabina me një telefon të vetëm,kthyen kokat përnjëherësh,pa mundur që të kuptojnë se ç`ngjiste në të vërtetë brenda asaj hapësire që ta zinte edhe frymën...Ajo vazhdonte të ngrejë zërin,herë-herë me shkëputje, sikur po mallkonte fatin ,sikur po mallkonte botën,që e hodhën pa mëshirë në kthetrat e një zhgënjimi të paanë e të pa shpresë...

Pasi doli nga kabina,kaloi sërish si hije,dhe iku u mbyll në dhomë,siç vepronte herë më herë...Fytyrë e saj e larë në lotë dhe sytë gjysmëperënduar kishin marrë një pamje morti... ajo po vdiste brenda vetes...

Dhe pikërisht ajo ushtimë,ajo bisedë telefonike u bë shkak që mikja jonë të shtojë kureshtjen edhe më shumë,tek secili bashkëbanues, për jetën e saj të kyçur në atë heshtje të çuditshme.Dhe heshtja do mirrte fund,heshtja duhej të thyhet,se ishte peshë që s`mbahej fshehur,se ishte peshë me peshë malesh...Dhe ajo një natë foli ,foli një mbrëmje të zakonshme,foli troç me përkthyesin.Ndërsa ai,edhe lotonte bashkë me të,edhe përcillte historinë në sytë tanë të magjepsur dhe të përlotur gjithashtu...Ajo kish ikur nga Atdheu,atë e kish përzënë Atdheu.

I shoqi ishte burgosur dhe kishte marrë dënim të rëndë;të përjetshëm.Ajo ish dashur të largohej se mund t`i mirreshin fëmijët nga familjarët e të shoqit,të cilët nuk kishin dashur ta mbajnë të,,lirë"në atë moshë në shtëpi.Kishin vendosur ta lëshojnë,ta dëbojnë,por pa fëmijët,pa dashurinë më hyjnore ,pa copërat e saj të shpirtit që frymojnë në ato qenie...Dhe ajo ik,ik një natë me gjithë fëmijët.Largohet në një anë tjetër e shoqëruar nga i vëllai.Dhe tek presin të vijnë t`i marrin ata që përcjellin njerëz këtej e andej kufirit,ata që luajnë me fatkeqët,vajza e dytë shtatëvjeçare i mbytet në nje liqen.E varrosin tjerë njerëz,ajo vazhdon të rri e fshehur,të fshihet edhe të qajë,të qajë e të ulërijë.Dikur vijnë të paguarit,që i kishin marrë shtëpinë për tì përcjellë jashtë kufirit,dhe nisen drejt perëndimit.Sa vende e udhë kaluan nuk ka rëndësi të shkruhet...

 

3

 

Dymbëdhjetvjet u desh të presë,dymbëdhjet vjetë të gjatë priti,dymbëdhjet vjet me lotë i mbushi,si në kohët e përrallshme,dhe një ditë tek po shuhej,tek po vdiste brenda vetes,fiton shtetësinë e zvicrës,fiton një të drejtë të vontë... Dhe s`dihet sa kohë mendoi,madje s`dihet a mendoi,siguroi shpejt tiketën dhe u nis drejt Teheranit ...Është i tepërt çdo përshkrim i ndjenjave të asaj femre që po kthehej në Atdhe pas një kohe aq të gjatë të mbushur me mijëra dhimbje...

 

Atje zbriti pas pesë orësh...që iu bënë si pesë shekuj...Pas çmalljes me familjarë,me miqë dhe dashamirë,vjen një çast aq i tronditshëm, saqë përmbysi dhe njëherë secilën ëndërr të ringjallur në shpirtin e saj të vrarë...Prindërit,të dy të lodhur,të dy të shtyrë

në prag të varrit,i thonë në një buzëmbrëmje një lajm të hidhur dhe tronditës,që gruaja e stërkapitur s`ka qenë në gjendje t`i qëndrojë,s`ka qenë në gjendje ta kuptojë dhe aq më tepër ta pranojë...

Bijë!-i kish thënë e ëma...dhe kish zënë të gjëmojë...bijë,kish nisur sërishmi,-ti nuk je...dhe kish heshtur,kish heshtur si heshtin vdekjet kur marrin atë që duan...

Fol nënë,fol...e di që ...nuk pres gjë tjetër...lotë nënë...lotë dhe vetëm lotë më fali jeta...pra...fol,çkado që të jet...Për keq i fluturoi mendja,por jo gjer aty,jo gjer aty ku nuk qëndrohet,jo gjer aty ku nuk kuptohet,jo gjer aty ku nuk pranohet...

Kur e ëma ish dorëzuar,fjalën e kish marrë i ati...Edhe ai ishte përlotur,ishte dredhur gjer në dhimbje,por mosha i detyronte,së paku përpara vdekjes,ta nxjerrin në shesh misterin që e bartën dyzet vjetë...

Mahvash...ti nuk je barkut tonë!..i kishte përmendur emrin,mbase për të shuar mallin,dhe kish heshtur edhe ai.Edhe ai kish qepur gojën për të mos e hapur kurrë...

Reagimi i mikes sonë sërish mbetet një mister,sërish mbetet pa përgjigje...

 

4

 

Ajo kish qenë e adaptuar;e adaptuar nga xhaxhai,nga vëllai i të atit, në moshën tri-katër muajshe,pasi kish vdekur e ëma në një fatkeqësi trafiku...Pas kësaj ngjarjeje tragjike,familja ishte shpërngulur,kish ndërruar vendbanimin që i ati i vërtetë të mund të,,shitej"si beqar,ngaqë për ato rrethana më lehtë do të rimartohej...Dhe ish martuar pas një kohe,por kurrë më nuk e ,,zbuluan"fatin e kësaj të mjere,që për hir të një,,zakoni",për hir të një botëkuptimi të vrazhdë sa ligësitë,iu përmbys gjer në fundosje ,një jetë e pafilluar,një jetë e pajetuar...

 

Dhe filloi ngadalë të shkrihet,dhe filloi ngadalë të vdesë...

 

Lebit Murtishi

16.01.2012



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora