E diele, 28.04.2024, 04:10 AM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Sefaj: Ironia te “kritikët e rinj amerikanë”

E enjte, 01.03.2012, 08:55 PM


Ironia te “kritikët e rinj amerikanë”

 

Nga Ilir Sefaj

 

Është e vërtetë e pakontestueshme se aventura e stërhollimit të nocioneve Ironi dhe Kritikë e Re, nënkupton një përqasje shumëdimensionale dhe kompetente njëkohësisht, nëse jo për tjetër, për faktin se këto të dyja nocione përfaqësojnë denjësisht njëra-tjetrën. Termi Kritika e Re nënkupton një mënyrë të veçantë të qasjes ndaj veprës së caktuar letrare, në kuptimin e parë të tij. Ky term faktikisht asocion te kritikët letrarë në SHBA, dhe më pastaj në Angli, mirëpo si përfaqësues kryesorë të Kritikës së Re mund të përmendim: Xhon Kron Rensëm, V.K. Vimsart, Klint Bruksi dhe Alen Tejt. Ky nocion po ashtu, në njërën ose mënyrën tjetër mban edhe vulën e studiuesit I.A. Riçards, konkretisht veprës së tij: ”Principet e kritikës letrare” e cila u publikua me 1924 në Angli.

Kritika e Re u pa si alternativë teorike e studimit të letërsisë ose si plotësim i këtij studimi, për faktin se ofronte një përqasje empirike dhe humane karshi artit letrar, gjë që në njëfarë mënyre ishte e huaj për Formalizmin dhe Strukturalizmin si metoda të sofistikuare të studimit të letërsisë.

Kritikët e rinj në qendër të interesimeve të tyre vunë tekstin letrar dhe vlerat letrare të cilat janë produkt i cilësisë së veprës letrare, dhe anashkaluan ato vlera që metoda të caktuara të studimit letrar kishin vënë në qendër të interesimeve të tyre dhe që ishin “jashtë” veprës letrare.

Kritikët e rinj nuk krijuan një sistem të caktuar ose unik letrar, mbi parimet e të cilit do të argumentonin qëndrime e tyre, dhe kjo bën që tezat e tyre herë-herë të ishin më të ndërlikuara. Mirëpo, në qendër te vëmendjes, ata kishin vënë vlerat letrare të tekstit dhe jo vlerat kulturore të cilat mund t’i sugjerojë teksti i caktuar ose prejardhja e autorit.

Në këtë punim do të synohet të japim refleksione të cilat kanë për qëllim të spikasin rëndësinë e ironisë, kësaj figure të fjalës, e cila zë vend të rëndësishëm në tezat e Kritikëve të rinj amerikanë, të cilët ironinë e konsiderojnë si pjesë tejet të rëndësishme të artit letrar në përgjithësi dhe poezisë në mënyrë të veçantë.

Meqenëse Kritika e Re e konsideronte artin letrar si mjet me anë të të cilit transmetohej një kuptim logjik, ata sikur e minimizuan rëndësinë e formës letrare, për t’i kushtuar rëndësi primare Tekstit (ngjitjen pas tij) dhe si përfundim konsideronin se, ironia ishte një element tejet i rëndësishëm dhe përcaktues i kuptimësisë së kësaj vlere të tekstit.

Si rrjedhojë e kësaj praktike e cila u zbatua nga Kritika e Re, u shfaq i ashtuquajturi nocion; close reading ose lexim i vëmendshëm, i cili nënkupton “ngjitjen” pas tekstit letrar, si burim unik që kërkon përqendrim të veçantë në të gjitha detajet e shprehjes, pra vëmendje në të gjitha elementet që fshihen brenda tekstit letrar.

Sikurse u la të kuptohet, përkundër vështirësive të cilat do të hasen si pasojë e mungesës së përkthimeve adekuate në gjuhën shqipe të kësaj teorie, po edhe metode të studimit të letërsisë e njohur si Kritikë e Re, në këtë punim do të synohet të jepen së paku nuanca të figurë së ironisë, pra rolit të saj në Kritikën e Re, dhe faktit se këto të dyja nocione në perceptimin tonë na shfaqen si tejet të ndërliksura.

  

Mbi nocionet- Ironi dhe Kritikë e Re

 

Një përkufizim tashmë i njohur për domethënien e ironisë është dhënë qysh moti nga Teoritë letrare, dhe sipas këtyre teorive, me ironi nënkuptojmë të kundërtën e kuptimit të parë, pra e kundërta e asaj që thuhet në tekst, lehet të nënkuptohet ose të vihet në pah, si rezultat i intonacionit lavdërues të ironisë.

Fjala ironi vjen nga greqishtja eironeia – dhe mund të kuptohet si shtirje ose tallje e fshehur ku kuptimi i vërtetë është i kundërti i asaj që kumtohet. Për shembull: Falë zotave, fatkeqësia ime ia kalon shpresës..., do të shprehej Oresti tek Andromaka e Euripidit.

Falë intonacionit të saj lavdërues, dhe efektit të saj stilistik, ironisë i është kushtuar rëndësi të veçantë në krijimet e caktuara letrare, meqë intonacioni i saj thumbues ka bërë që ndjenjat e autorit ndaj situatave të caktuara të shfaqën hapur në veprat artistike si p.sh. në; poezi, arte pamore, po edhe në vepra arkitektonike.

Semantika e fjalës ironi, mund të konstituohet edhe si status-teksti, ngase brendapërbrenda kësaj vlere fshihet edhe qëndrimi etik i autorit në raport me lexuesin, por edhe orientimi i shijes se iks autorit, si kultivues i artit letrar ose veprimtarisë artistike përgjithësisht.

Studiuesi, Milivoj Solar, ironinë e karakterizon si konvencë të vërtetë të shprehjes, e cila haset shumë shpesh në letërsi, dhe këtë e ka demonstruar mjaft mirë me vargjet e poetit  Z. Majdakut:

Ishte kryesori

Kur ecte ngadalë

Me dhjetë-kino buleta në xhep...

Ironia, po ashtu, është një nga figurat e fjalës (mendimit) që zë vend qendror në penën e Kritikëve të rinj, në veçanti atyre amerikanë, të cilët e konsiderojnë atë si një karakteristikë përcaktuese të poezisë. (Vimsat)

“Në përcaktimin e Vimsartit, ironia është një  parim njohës, që del në pah përmes një paradoksi, në parimin e përgjithshëm të metaforës’. Sipas, Bruksit, ajo (ironia, pra) është ‘termi më i përgjithshëm që kemi për llojin e kualifikimit të cilin elementet e ndryshëm, e marrin nga konteksti”. ( Ann Jefferson & David Robey, Teoria letrare moderne, fq. 127).

-Ndërkaq, Kritika e Re, siç u cek edhe në paragrafët e parë të kësaj paraqitjeje është një emërtim për një qasje të re, mbase më novatore në kontekst më veprën letrare e cila u konstituua në fillim të shek. XX, dhe i atribuohet studiuesve amerikanë të letërsisë: Xhon Kron Rensëm, V.K. Vimsart, Klint Bruksi dhe Alen Tejt.

Në Teorinë e letërsisë të autorit Milivoj Solar, e hasim edhe këtë përkufizim: “Në kuptimin më të gjerë , në  “Kritikën e re” numëroheshin shpesh dhe Tomas Sterns Eliot, Aivor Armstrong Riçards, Viliam Empson dhe përfaqësues të tjerë të kritikës letrare angleze dhe amerikane, të cilët deri diku i ofrojnë tendenca të ngjashme në analizën e veprës letrare, parimet e vlerësimit dhe të kuptimit të natyrës së poezisë”. (Milivoj Solar, Teoria e letërsisë, fq. 285-286).

Kritika e Re, perceptohet si teori dhe metodë e studimit të letërsisë e cila për dallim nga metodat e tjera të studimeve letrare, interesohet ekskluzivisht për tekstin letrar, dhe fare pak i kushton vëmendje biografisë së autorit dhe elementeve të tjera që nuk lidhen me tekstin dhe vlerat letrare që vërehen në tekst.

Të kësaj natyre mund të konsiderohen edhe pikëpamjet e Eliotit kur flet për poezinë i cili; “e kundërshton mendimin se poezinë duhet lexuar dhe analizuar si shfaqje të ndjenjave të poetit. Nuk duket në vjershë, mendon ai, personi i poetit, por vetëm arti poetik, arti poetik që si mënyrë e posaçme e shprehjes ndikon mbi lexuesin, e prandaj duhet që vëmendja të kthehet prej personit të poetit kryesisht vetëm në veprën e artit poetik”.  (Milivoj Solar, Teoria e letërsisë, fq. 286).

Kritika e Re si doktrinë u konsiderua empirike dhe humane për dallim nga Formalizmi dhe Strukturalizmi, për faktin se ajo nuk kishte ngritur një sistem të caktuar unik, i cili do të argumentonte tezat që proklamonin Kritikët e rinj në tekste e tyre, ata ishin fokusuar në atë që e quanin close reading  (lexim i vëmendshëm) dhe përjashtonin qëndrimin që praktikonte Shkolla Pozitiviste ta zëmë, e cila kërkonte informacione jashtë tekstit dhe përqendrohej në qëllim e autorit, dhe elementeve të tjera që mund të konsiderohen si “jashtë letrare”.

Aivor Armstrong Riçards është njëri nga autorët me mjaft ndikim përsa i përket ideve që proklamonte Kritika e Re si doktrinë, ai kërkonte që kritikët letrarë të ishin të pajisur më dy teori të cilat sipas pikëpamjes së tij nuk i kishin. Dhe cilat ishin këto teori?!  Një teori të komunikimit dhe një teori të vlerësimit...

Ky autor po ashtu vlerësonte lartë artin e poezisë dhe e krahasonte me filozofinë dhe fenë, ku e para konsiderohej me madhështore, për faktin se, për dallim nga feja dhe filozofia të cilat arrin të në tregojnë “çfarë të ndiejmë dhe çfarë të bëjmë, poezia është e aftë të na shpëtojë”.

“Pikërisht mbi këtë pikëpamje, që ka në themel eksperiencën që prodhon letërsia, Riçards-i vlerësoi rolin e lexuesit më tepër se autorin apo tekstin”. (Ann Jefferson & David Robey, Teoria letrare moderne, fq. 112).

Teza që proklamonte Riçardsi ishte oponente e asaj që proklamonin grupi tjetër i Kritikëve të rinj të cilët tezën e këtij autori e parodizojnë:”Të studiosh efektin e një objekti më tepër se vet objektin është njëlloj si të vendosësh karrocën para kalit, përderisa shkaku i efektit duhet kërkuar tek objekti; përveç kësaj, efektet e objekteve letrare variojnë vazhdimisht nga një lexim dhe nga një lexues tek tjetri”. (Po aty, fq. 120).

Në një përkufizimin më përgjithësues, Kritika e Re, objekt studimi e ka tekstin letrar në kuptim e parë dhe final të fjalës, dhe vlerat që sugjeron teksti. Po ashtu një karakteristikë përcaktuese e kësaj doktrine është edhe roli që i jep ironisë, si njëra nga figurat e fjalës, rolin e domethënës të së cilës do të përpiqemi ta zbërthejmë në paragrafët pasues.

  

Ironia si komponentë esenciale e tekstit

 

Sikundër është thënë, ironia te Kritikët e rinj amerikanë nuk perceptohet vetëm si njëra nga figurat e mendimit, e cila krahas figurave të tjera stilistike mund të ketë një rol konvencional në veprën e caktuar, përkundrazi kjo figurë u pa si tejet e rëndësishme dhe ndryshe në raport me figurat e tjera letrare, roli i së cilës u konsiderua i pazëvendësueshëm në artin letrar dhe në veçanti në atë poetik.

Dy nga më të zëshmit drejt dhënies së epitetit kaq të rëndësishëm për ironinë si njëra nga figurat më domethënëse letrare, janë; Vimsarti dhe Bruksi, pionierët e Kritikës së re amerikane të cilët e konsiderojnë ironinë si karakteristikë përcaktuese të poezisë.

“IRONI është një term që tregon aftësinë e poezisë për të mos e reduktuar atë me mënyrat konvencionale të shprehjes”. (Ann Jefferson & David Robey, Teoria letrare moderne, fq. 129).

Ky pasues ka për qëllim të spikat faktin se, prania e ironisë në veprën poetike, (sipas Kritikëve të rinj amerikanë) e garanton përherë novatoren, ngase njeriu si qenie tejet komplekse, do të pasqyrojë në mënyrën më të mirë; ndjenjat, pasionet, vullnetin e tij pikërisht përmes kësaj figure, e cila në një kuptim më përgjithësues e përcjell njeriun në çdo përballje me realitetin jetësor.

Karakterin e saj unik dhe mjaft përmbajtjesor të ironisë e hasim pothuajse tek të gjithë autorët e kësaj doktrine letrare, të quajtur Kritikë e Re, e cila u kristalizua në artin letrar në dekadat e para të shekullit pararendës.

Kjo figurë letrare ka rol domethënës në idetë që proklamonin Kritikët e rinj, edhe për sa i përket qasjes ndaj veprës letrare, ngase në tezat e tyre ata sikur ironizonin mënyrën e perceptimit të artit letrar nga teoricienët e ndryshëm, që vinin nga shkolla e  formacione të caktuara e që nuk ishin në përpjesëtim me pikëpamjet që proklamonte Kritika e re, si dije teorike dhe shkencore më novatore sipas konceptit të tyre.

Po ashtu, sipas të njëjtës pikëpamje ose sipas të njëjtit koncept, ironia dhe poezia janë dy terme të cilat shfaqën si tejet të ndërliksura në dijet që i atribuohen Kritikës së re, ngase, poezia në njërën anë arrin të na shpëtojë (Riçards), ndërsa figura e ironisë paraqet në mënyrën më eksplicite ndjenjat e autorit karshi lexuesit ose recipientit të supozuar.

T.S. Eliot i cili në një përqasje më përgjithësuese konsiderohet si njëri nga autorët me ndikim, për sa i përket ideve që proklamon Kritika e Re, e jep një përkufizim paksa më relativ për poezinë dhe (në këtë plan edhe për ironinë) mesazhin që përçon ajo te lexuesi:”Poezia nuk është shfrenim emocionesh, por ikje nga emocioni, nuk është shprehje e personalitetit, por ikje nga personaliteti”. (T.S. Eliot, Ese të zgjedhura, fq. 23).

Kritika e Re e cila në qendër të interesimeve të saj kishte vënë tekstin dhe jo autorin, dhe kishte mënjanuar ndikimet e jashtme që mund të kenë lidhje më tekstin e caktuar, shihet si tendencioze në vështrimin e semiologut Rolan Bart, i cili shenjës i jep karakteristika vlerësuese e përcaktuese për poezinë dhe artin letrar përgjithësisht.

“Ajo që i zihet për të madhe Kritikës së Re, nuk është edhe aq fakti së është “e re”, po është fakti së është plotësisht “kritike”, se i rëndon rolet e autorit dhe komentuesit dhe se në këtë bën atentat në rendin e ligjërimeve”. ( Rolan Bart, Aventura semiologjike, fq. 191).

Ky pasues synon të vë në pah, dhe mbase t’i ironizojë kriteret paksa “rigoroze” të cilat i zbatonte Kritika e re në raport me autorin dhe veprën letrare (tiparet që i jep ajo ironisë) në njërën anë dhe rolin e lexuesit të supozuar në anën tjetër.

Njëri nga studiuesit më emblematik, të Kritikës së re, Klint Bruks e konsideron ironinë si komponentë esenciale të tekstit, e cila vjen si rezultat i situatave dramatike që rrjedhin si pasojë e veprimeve të personazheve letrare, pra ai vë në pah kontekstin dramatik të ironisë në situatat letrare.

Ironia në penën e Kritikës së re amerikane perceptohej si alternative reale e të shpjeguarit të situatave letrare, të cilat ishin rezultat i vetëdijes së lartë artistike të iks krijuesit, ngase përdorimi i kësaj figure në veprën artistike, e reduktonte në maksimum mundësinë e shprehjes konvencionale në artin letrar.

Sipas Kritikës së re, figura e ironisë në një përkufizim tjetër mund të përkthehet edhe si: të kuptuar, ngase për këtë dije”....arti ekziston që të transmetojë një kuptim, të cilin asnjë logjikë nuk mund të jetë në gjendje ta shprehë, dhe vëmendja ndaj çështjes së formës vështrohet si mënyrë, me anë të së cilës kuptimet jo racionale të letërsisë duhet të zbulohen”.( Ann Jefferson & David Robey, Teoria letrare moderne, fq. 57).

Përderisa Vimsarti dhe Bruksi e konsiderojnë ironinë si karakteristikë përcaktuese të poezisë, Riçardsi e karakterizon poezinë e mirë si; lidhje të kundërshtive në impulse plotësuese, dhe në këtë konstatim mund të themi se kemi një pikëtakim të këtyre tre autorëve më eminent të Kritikës së re, anglo-amerikane.

Figura e ironisë u konsiderua si element shumë i rëndësishëm në raport me  veprën letrare sipas Kritikëve të rinj amerikanë, dhe gjithsesi se në këtë paraqitje u synua të japim vetëm ca nuanca të këtij epiteti që i atribuohet ironisë në dijet që proklamonte Kritika e Re, ngase tema si e tillë kërkon një përqasje shumëdimensionale dhe pikërisht për rolin që zë ironia në tezat që i mvishen autorëve përfaqësues të kësaj teorie dhe metode të studimit të letërsisë.

 

 Përfundim

 

Nga sa u tha në këtë paraqitje, Ironia te Kritikët e rinj amerikanë u perceptua si element shumë i rëndësishëm i veprës letrare dhe asaj artistike përgjithësisht. Në tezat e Kritikës së Re amerikane, ironia u karakterizua për aftësinë e saj që situatat letrare të mos reduktohen në shprehje konvencionale, përkundrazi ata konsiderojnë që përdorimi i saj, vetëm sa ngjallë kërshërinë e lexuesit për t’u marr me tekstin e caktuar.

Kritika e Re si dije teorike dhe metodë e studimit të letërsisë është e lidhur ngushtë me termin ironi, ngase përfaqësuesit e kësaj doktrine letrare, përveç rolit permanent që i japin ironisë në veprën letrare, ata jo rrallë edhe argumentet e tyre në raport me tezat e teorive të tjera letrare i ilustronin pikërisht përmes kësaj figure.

Ironia dhe Kritika e Re në një përkufizim tjetër mund të konsiderohen si terme tejet të ndërliksura, pikërisht për shkak të asaj që përfaqësojnë të këto dyja në perceptimin e Kritikëve të rinj, tezat e të cilëve konsumohen si një kontribut i çmuar drejt zbërthimit të situatave letrare, dije këto të cilat i bazojnë jo rrallë në intuitën letrare.

Mbase është e kuptueshme dhënia kaq e madhe pas disa elementeve letrare të cilat u vunë në qendër të interesimeve nga Kritikët e rinj, ngase me këtë ata synonin që vëmendja e lexuesit të përqendrohet krejtësisht në tekst, dhe fare pak, për të mos thënë hiç, kjo vëmendje të orientohet drejt elementeve të tjera që kjo teori dhe metodë e studimit të letërsisë i konsideron si jashtë-tekstore, dhe lirisht mund të themi se kontributi i tyre, hap rrugë të reja drejt mënyrës së perceptimit të artit letrar.

Doemos, Ironia te Kritikët e rinj amerikanë, mund të cilësohet si nj përkufizim i cili kërkon hulumtime të pambarimta, ngase e tërë kultura letrare që ka dal si rezultat i këtyre dy termeve, kap një gamë të gjerë interesimesh dhe si e tillë gjithsesi së kërkon një përqasje shumëdimensionale.

Mirëpo, në këtë punim u tentua të japim disa refleksione për sa i përket lidhshmërisë së këtyre të dyja nocioneve, dhe nëse kjo aventurë sa do pak e ka përmbush këtë mision, do të ndjehemi goxha komod.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora