E shtune, 20.04.2024, 02:00 PM (GMT+1)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Diagnoza teknefese e policisë letrare

E premte, 02.03.2012, 09:02 PM


DIAGNOZA TEKNEFESE

              E POLICISË LETRARE

 

Nga: KALOSH ÇELIKU

 

E gjithë kjo histori dyluftimi ndodhi vite më parë pas Luftës së fundit (2001), gjatë një Manifestimi Kulturor Tradicional Ndërkombëtar: Takime nën Rrap, në Shkup. Poetët nga të katër anët e Atdheut veç më kishin ardhë nën Rrap, dhe pasi ishin vendosur në hotel prisnin fillimin e programit kulturor. Ndonjëri, e përfitonte rastin edhe shkëmbente libra me mikun. Ia zgjatnin dorën, njiheshin si personalitete të letrave. Realiteti, edhe këtë qëllim e mision kulturor kishin këto takime letrare, të njihemi mes veti si poetë shqiptar, e jo vetëm t’i lexojmë njëri - tjetrit poezi. Librat e vëllezërve matanë kufirit i kishim pasur nëpër duar qysh në kohën e komunizmit. Vërtetë, ishim të ndarë me kufinj politik, po librat ilegalisht e kalonin kufirin maleve dhe lexoheshin dorë më dorë, herët njiheshim si emra të letërsisë shqipe. Dihet, ndonjëri që ziheshte me kërpesh për dore edhe e paguante shtrenjtë “armën e rrezikshme” që e mbante në shtëpi, më së paku me dhjetë vjet burg në birucë. Tjetër punë ishte ajo e “debatikëve”, kur “librat e rrezikshëm për shtetin” i shpërndante në mënyrë “ilegale” edhe vetë policia. Nga njëra anë ta jepte librin e ndaluar përmes “patriotit” të tyre, e në anën tjetër herët të nesërmen të bastiste, ta gjente “armën”  pa leje në shtëpi. Dënimi dihej që në fillim të “propagandës armiqsore”, më së paku pesë ose dhjetë vjet burg, heqje lirie.

Kohët e sotshme, tashti janë pak më ndryshe për nga fjala e lirë, vërtetë kemi kufinj politik, po nuk kemi kufinj kulturor. Librat dhe poetët e kalojnë kufirin lirshëm pa pengesa matanë e këndej gardhit. Nuk do të thotë kjo se, tani nuk ndiqemi si “armiq të shtetit të përbashkët” e të partive politike. Jo, përgjohemi për fjalën e lirë publike edhe më zi se dje, po tashti dënohemi me metoda të tjera “pak më demokratike” të partive politike në pushtet: vende pune, poste në Qeveri, një torbë taxhi për qafe, izolim publik, burg shtëpiak… Dënime më të lehta politike këto sot, në krahasim me ato të djeshmet policore. Kryesorja, megjithatë nuk është mirë vetëm të qahemi e vajtojmë Lirinë, vërtet marrim pak më lirshëm frymë se sa në kohën e “artë” komuniste. Sistemin e atëhershëm të egër policor, kur për një varg të dykuptimtë revolucionar publikuar në gazetë ose libër, të shkonte koka si “qenit në rrush”. Eshtrat “pa nam e nishan” t’i varrosnin gardianët nëpër qelitë burgjeve famëkeqe të Idrizovës ose Goli Otokut.

Përderisa, merresha me përgaditjen e ecurisë së manifestimit kulturor, në tavolinë u ulë Rrufjani. Pas pak kohe, erdhi edhe Honxhobonxho. Që të dy gjatë gjithë jetës, pasi u vendosa me vendbanim në Shkup nuk m’u shqepën nga shpina si rriqrat kur u sulen deleve edhe në mes të Dimrit. Shkaku se, vija nga Prishtina, Universiteti i Kosovës. E, të gjithë ne që studionim ose punonim atë kohë në Kosovë, një ditë kur ktheheshim në vendlindje ishim të “rrezikshëm” për shtetin. Edhe s’do mend, më ndiqnin si hije këmba - këmbës, bënin gara cili më shumë se shoku do të përcjellë informata i shitur vetëm për një asht te Vetëshërbimi, në Bit-Pazar. Ditënatë i kisha pas shpine si hije në çdo hap: kafene, punë, shtëpi, libra. Njëri më i “përndjekuri” me poste policore dhe një torbë taxhi për qafe, mori rrugë të  gjatë edhe deri në vendlindje, Katund. Siç duket, çdo gjë donin të dinin për mua si “irredentist”, si familje kaçakësh e ballistësh. Babain dhe Nënën ende atëherë i kisha gjallë, në Katund. Edhe Vëllain, që ndiqte mësimet në Shkollën e mesme bujqësore të Manastirit e spiunoi shoku më i ngushtë “besnik” dibran (E. M.). Shok i shkollës dhe banesës me akuzën se, “ëndrron Shqipëri Etnike”. I cili, për t’i shpëtuar dënimit, papritmas një natë iku nga sytë - këmbët, në Paris. Përditë Vëllait nga atje i vinin në Policinë e Kërçovës “letra dashurie”: fotografi e inçizime filmike  për pjesmarrje në organizimin e demonstratave shqiptare antijugosllave dhe takimet e shpeshta që i kishte me Abaz Ermenin, në Paris. Vetëmse, tashti për dallim nga ajo kohë “vëllazërore - miqësore” e shkollimit mesëm në Manstir, të gjitha ato informacione “armiqsore antijugosllave” kundër shtetit, i merrte në dorë shoku i tij më i ngushtë i dikurshëm dibran, i avancuar për shërbime të fshehta informative si agjent i policisë në Kërçovë. Dënimi dihej në  atë kohë, vërtetë e kishin vështirë ta rrasin në burg për shkak të mosprezencës në vendin e ngjarjes të “krimit”, po nuk guxonte të vij në shtëpi me vite se ia merrnin pasaportën, e humbiste vendin e punës ose e rrasnin pa gjykim në burg për “veprimtari armiqsore” kundër shtetit. Përvoja e hidhur e përndjekjes komuniste na kishte bërë që të ruhemi si prej gjarprit. Sytë nga dy t’i bënim katër. Ose, siç thotë shpesh populli: muret kanë veshë, e nata sy… Shkaku se, përsëri siç thotë populli: na kishte djegur tambëli, tashti i frynim edhe kosit. Arsye, që mysafirin e paftuar me diktafon në xhep e detyrë policore që na trokiti te porta, pasi e pritëm sipas traditës shqiptare me bukë, kripë e konak, të nesërmen e përcollëm plot “informata armiqsore” për në Shkup. Babai në mes të lëmës më hoqi anash dhe më tha: kujdes, ruaju prej këtij “mikut” se, është spiun i shitur një trobë taxhi. I kishte thënë në atë kohë edhe Vëllait për “mikun” dibran, por ai nuk ia kishte vënë shum veshin paralajmërimit. Prandaj, përpak desh e pësoi në birucë, po të mos kishte ikur me kohë në Paris. Buzëqesha. E di, i thashë. Herë pas here në “Menada” i kam dhënë edhe të pi alkool me kusi, ia kam shtruar me mish mullar edhe sofrën. I dehur tapë, më ka thënë edhe vetë se është spiun dhe e ka për detyrë që të më ndjek mua hap pas hapi si hije. Edhe miqtë poetë nga Kosova, përditë më dërgojnë porosi, që të kem kujdes, t’i ruhem këtij “miku” të rrejshëm të penës që më përcillte pas shpine këmba-këmbës edhe në hale. Vetëm, më erdhi çudi, nga e diktoi babai  ose e nuhati brenda një nate “mikun” e paftuar  me detyrë policore.

Një ditë “miku” i pandashëm me diktafon në xhep, që herë pas here kur t’i tekej i paftuar vinte edhe në shtëpi, gjoja pas ndonjë libri shqip në bibliotekë, më mori në telefon: Edhe unë kam marrë një ftesë për Mbrëmjet e poezisë, në Strugë. Mirë është që të shkojmë së bashku në ato takime poetike. Nuk ka problem, iu përgjigja. Vetëm se, ndodh unë do të shkoj një ditë përpara. Ndoshta, një natë edhe do të flej në Katund. Nuk e përmbajti dot veten nga inati që ia hodha: Vetëm, mos harro se unë jam në rrugën e shokut Tito. Provokimi i radhës. Asgjë, nuk duheshte më tepër në atë kohë policore, vetëm që unë përmes telefonit ta shaj shokun Tito. Dhe, hop  të nesërmen në bazë të dëshmive të inçizuara në diktafon të më rrasnin më së paku pesë vjet burg në birucë. Nuk m’u durua, iu përgjigja aty për aty përmes telefonit plot zemërim: mirë bre nënën e nënës, po unë në cilën rrugë jam?! Dhe, ia mbylla gojën Honxhobonxhos duke e përplasur kufjen e telefonit me forcë te qoshku i gazetave.

Vite më vonë (1992) gjatë një “bisede informative” në polici do t’i kuptoj deklaratat denoncuese të këtyre “miqëve patriotë” kuqezi. Përmëtepër, edhe kolegë të punës e penës. Poetë, redaktorë e gazetarë të punësuar në gazetën e “Vëllazërim - bashkimit”. Çerdhe e spiunëve, kur në atë kohë, në prag të ndryshimeve demokratike, pas botimit të librit tim me satira: “Trumbetat e Tellallit” (1992), vetëm për një torbë taxhi do të më ndërsehen me të katra pas shpine si qentë e tërbuar në gazetën e tyre neokomuniste me shkrime policore plot etiketime e shpifje. Sulme frontale të njëpasnjëshme me gracka policore mes dy zjarreve, njëkohësisht duke m’i lëshuar pas shpine policinë sekrete shtetërore dhe Bashkësinë e Fesë Islame, gjoja se unë paskam thënë në librat e mi: “Kur’ani është burim i gënjeshtrave”. Shpifjen e fundit, ma vërtetoi një profesor teolog i Medreses “Isa Beu”, në Shkup gjatë një takimi të rastit: o burrë, jemi mbytur duke i lexuar të gjitha librat e tu me urdhër të kryetarit, që ta gjejmë shkrimin në të cilin ke thënë se: “Kur’ani është burim i gënjeshtrave”. Buzëqesha, duke e pyetur me ironi: e, a e gjetët në ndonjë faqe? Jo, m’u përgjigjë po me të njëjtën buzëqeshje.

Nateditë më kishin spiunuar e shpifur, sa që vështirë e kisha t’i besoj edhe vetevetes, realitetit se kush isha unë si krijues letrar: armik apo mik i këtij shteti. Inati më vinte të pëlcas, ata kishin ditur për mua më shumë se unë si “armik i shtetit”. Një gjë e dija me siguri: unë nuk isha kundër shtetit, po shteti ishte kundër meje si shkrimtar. Hap pas hapi i kishin përcilljellur dhe përkthyer shkrimet dhe librat e mi në polici. I dinin të gjitha presjet dhe pikat. Edhe fotografitë e cilëve patriotë shqiptar i mbaja në dhomën e punës. Librat e “rrezikshëm” të shkrimtarëve të ndaluar kokë më kokë në bibliotekë. Unë kisha qenë sipas tyre i dërguar nga Kosova që të veproj në këto anë të malësisë së Shkupit. Herë pas here kisha pasur edhe takime të fshehta në Bullgari. Me mijëra marka i  kisha dërguar Partisë Socialiste në Shqipëri. E mbi të gjitha unë isha ai kryesori: çështjen e shqiptarëve doja ta zgjidhë me luftë. Inspektori vazhdoi ende të lexojë e radhisë shpifje e thashetheme të denoncuesve nga disa fletë të shtypura me makinë shkrimi që i kishte përpara mbi tavolinë: në “Menada” kisha ndejtur në një tavolinë edhe me një person shumë të rrezikshëm, i cili u kishte ikur me këmbë të thyer nga burgu. Në themelimin e Bashkësisë Kulturore të Intelektualëve në të cilën merrnin pjesë edhe të burgosur politik, në Tetovë e kisha dhënë nënshkrimin në një listë të cilën e posedonte si dëshmi policia. Takimi organizativ kulturor m’u kujtua si sot para syve, vërtet e kisha nënshkruar në mënyrë vullnetare pa asnjë dyshim. Edhe miku im i penës  mu kujtua, që erdhi e më mori të shkojmë në atë takim “kulturor”. E gjithë kjo “mrekulli” për mua nuk ishte ku ta di unë se çfarë zbulimi policor, i dija të gjitha: edhe provokimet, edhe përndjekjet… Edhe se, në çdo parti politike, shoqata kulturore e “humanitare”, policia i kishte filtruar edhe spiunët e vet si “patriotë” kuqezi. Thikën e tyre pas shpine, thellë deri në asht do ta hetoj me ardhjen time si kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptar. Gurë e dru do të rrokullisin kundër meje përderisa nuk ia arritën qëllimit, përçarjes të shkrimtarëve shqiptar. Edhe e dini kush, ata që sot janë më të zëshmit plot zhurmë për Shqipëri Etnike. “Patriotët” kuqezi, që nuk lanë parti politike pa e futur kokën me gjithë bythë. Posteve politike dhe taxhisë edhe sot si dje u turren me të katra. Tashti, mu kujtuan edhe zbulimet e organizatorëve të demonstratave në Tetovë e Prishtinë (1968, 1981). Regjistrat e shpeshtë gjatë Luftës së fundit të shqiptarëve (1999, 2001), që i kurdiste dhe i regjistronte vetë policia përmes njerëzve të tyre besnikë gjoja për “ndihma humanitare” në Kosovë, shpërndarjen e armëve për kryengritje. Përçudi, të gjitha këto lista me emra e mbiemra posa përfundonte mbledhja ose aksioni, që  atë ditë përmes njerëzve të tyre pjesëmarrës nëpër këto tubime përcilleshin pikë për pikë, pa i shtuar asnjë presje në polici.

Njëzetë nënshkrime pasojnë në këtë denoncim politik si “armik i shtetit”, më tha bashkëbiseduesi i Sigurimit policor. A, do t’i shohësh me sy, që të bindesh edhe vetë si “armik i shtetit”, më pyeti Inspekori. Jo, i marr me mend se kush janë palaçot. -iu përgjigja. Fytyrat e tyre më dolën para sysh si në film.

Qesha. Pse qesh, më pyeti përsëri Inspektori. Qesh se, sipas jush unë qenkam ai “kryesori”. Tekefundit, edhe unë dua të jetë ashtu siç thoni ju të gdhihem aq trim, shkaku se më vjen përshtati ky etiketim si nacionalist shqiptar, po nuk është ashtu, he burrë. Përfundimisht, mos më thirrni më për kësi budallakish të “patriotëve” kuqezi në “biseda informative”! Mos më merrni më qafë, të mos di as vetë se kush jam si  njeri i penës.

Dhe, të kthehemi te fillimi i rrëfimit historik: vizitat e papritura të “miqve” të paftuar atë natë festive në tavolinë rrëzë Kalasë të Shkupit. Papritmas, rrufjanët u zunë mes tyre me fjalë si gjelat mbi pleh. Ty po të përcjellë UÇK- ja. -i tha që ta trembë Honxhobonxho Rrufjanit. Unë i shikova që të dy në fytyrë, nga dolën sot kaq trima me armët në brez?! Vallë, mos janë edhe këta nga ata trimat pas lufte?! Rrufjani kuqezi u skuq si spec. Edhe, aty për aty u trembë. Unë arrita t’ua kuptoj hallin e “kacafytjes patriotike”. Qëllimin, që të dy papritmas u rrokën shkaku im, menduan se perëzihen në punët sekrete policore të njëri - tjetrit, ia rrezikonin shoku-shokut bukën e gojës. Padashtas, nisa t’i marr me të mirat dhe qetësoj me fjalë, pajtoj si kolegë të penës e “patriotë”  trima kuqezi.

Edhe, përçudi ia arrita disi qëllimit, mezi e shuajta zjarrin e ndezur me flakë në oxhak. I qetsova me fjalë gjatë asaj ore poetike burrat e botës, që përpak desh u rrahën për mua si dy rrufjanë kuqezi. E hapëm Orën e madhe letrare pas Luftës së fundit (2001). Poetët lexuan poezi patriotike e erotike. Xhaxhi Kuqezi atë natë duke bërtitur në kupë të qiellit lexoi një poezi përkushtuar komandantit të UÇK -së, Ali Ahmeti. Një poet tjetër reagoi rreth çmimeve letrare, pse një çmim letrar nuk iu nda edhe atij si “poet i madh”, por pas vdekjes i jepet mikut tim të ndjerë, poetit Fadil Bekteshi. E kalova edhe këtë provokim të rastit me heshtje gjatë asaj nate poetike.

Një ditë të nesërme në opinion dolën listat e spiunëve. Përçudi, mes atyre emrave lakoheshin nëpër rasat e gjuhës shqipe edhe disa “miq” të mi të penës. Inati më vinte të pëlcas nga kurrizi, si kisha mundur të merrem me letërsi mes kaq shumë spiunëve dhe të mbetem ende gjallë në jetë. Mikun tim të penës, poetin Fadil Bekteshi nga një përndjekje e paparë deri më sot, e detyruan të bëjë vetëvrasje. Radhën, thonin “miqtë” e mi pas shpine, tashti e ka ky një ditë. Nuk do t’i shkojë gjatë kungulli mbi ujë, pritnje një natë, kur edhe ky pas tij do të bëjë vetëvrasje. I provuan të gjitha metodat policore: përgjimet, shpifjet, etiketimet, helmimet, zjarret në banesë, vdekjen klinike, aksidentin e komunikacionit… Diagnoza më e re e Policisë letrare, sipas tyre që e përhapën në të katër anët në popull trumbetonte, “i ka mbetur në dorë edhe letra e fundit: vetëvrasja”. Njëherit, edhe hë për hë në atë kohë qorre më shtinë frikë, ndoshta edhe mund të më ndodhte ky fund parashikues i tyre tragjik. Nuk do të kishte gjithaq rëndësi si ndodhi fatkeqësia, i doli vetë para kamionit, trenit, apo e hudhën xhindet nga kati shtatë i pallatit. E rëndësishmja ishte, shpallja zyrtare: “armiku i shtetit” më në fund bëri vetëvrasje. Vetë e flugu veten jo siç kishim lexuar nëpër librat e tij majë lisave, po nga kati shtatë i pallatit si kukëll leckash në asfalt. Zoti ia faltë mëkatet! I qoftë falë Parajsa! Vetëm se, për inat të tyre: jo, nuk më deshi Zonja Vdekje. Zoti nuk ua plotësoi dëshirën “miqëve” të mi hadumë. Lufta ende vazhdon me penë.

“Miqtë” e mi të penës sot nuk më ndjekin më si dikur hap pas hapi, nuk më denoncojnë me etiketime  e shpifje në polici. Thonë: hiquni tij, është “i çmendur”. Diagnozë teknefese është kjo, më e mira deri më sot nga ana e tyre si “miq” dhe siç duket e fundit. Dorën në zemër, edhe mua më pëlqen kjo diagnozë “shkencore - policore”, është më e bukur se vetëvrasja, Zonja Vdekje. Ndoshta, ku ta di edhe më ka hije si shkrimtar. Shkaku se, sipas meje: çmenduria është kulminacioni i mençurisë. Tekefundit, më mirë të jetoj “i çmendur” mes rrufjanëve, sesa i vdekur mes varreve rrëzë Çukës. Dita-ditës vazhdoj të zgjohem me Gruan më të bukur në botë - poezinë, që nuk ikë të më lë në vetmi, është besnike. Qesh dhe kënaqem me “zbulimet” e tyre fantastike policore nëpër takime poetike. Përçudi, kohën e fundit u kënaqa së qeshuri edhe me anëtarin e Komisionit të Lustrimit. Vërtet, jam i lumtur heeeu, përtej çdo kufiri. E sidomos, me atë pyetjen “stilistike” të shekullit, kur e ka pyetur Rrufjanin: Cili e ka spiunuar më shumë njëri-tjetrin si krijuesë letrar, ai ty si “patriot” kuqezi apo ti  atë si “të çmendur” e “armik i rrezikshëm” për shtetin?! Ndërsa, Honxhobonxho korri fitore historike. Arriti kulminacionin e “flijimit artistik”, e fitoi shpërblimin e merituar për vepër jetësore. Komisioni i Lustrimit sipas dëshmive policore e shpalli në mjetet e informacionit këmbekokë “hero lufte” të UDBA -së famëkeqe jugosllave…



(Vota: 24 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora