Kulturë
Gjekë Gjonaj: Zë i fuqishëm për të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi
E enjte, 01.03.2012, 07:58 PM
ZË I FUQISHËM PËR TË DREJTAT E SHQIPTARËVE NË MAL TË ZI
Nga Gjekë Gjonaj
Në pamundësi që të ndaj gëzimin e përbashkët me veprimtarin e dalluar për çështjen shqiptare Xheladin Zeneli (deputet i parë nga Ana e Malit në Kuvendin e Malit të Zi) me rastin e përurimit të librit të tij të parë në Ulqin me titull „ Diaspora dhe vendlindja“, botuar nga Art Klubi në vitin 2011 përmes këtij shkrimi , pak me vonesë, po shpreh përshtypjet e mia modeste për temen që autori trajton në këtë libër.
E gjithë lënda e këtij libri nuk është asgjë tjetër vetëm një shqetësim, një brengë e thellë shpirtërore, një hall i madh i autorit që nuk e le rehat e të qetë as atje larg vendlindjes së tij të dashur në tokën e premtuar siç e quajnë Amerikën, për popullin e tij, për vëllezërit e vet shqiptarë në trojet e tyre etnike shekullore në Mal të Zi.
Librin që keni në duar e përbëjnë disa shkrime analitike të shkruara në funksion të kërkesave për zgjidhjen sa më të drejtë të statusit politik të shqiptarëve në Mal të Zi. Në këtë libër janë sjellë të dhëna e dëshmi që flasin qartë për pozitën aspak të favorshme të shqiptarëve në Mal të Zi. Autori ka parashtruar nevojën e ndërkombëtarizimit të çështjes shqiptare në Mal të Zi, ka kërkuar të ndërgjegjësohet faktori politik shqiptar në këtë republikë, pastaj ka vënë në dukje rolin e disporës në raport me subjektet politike në vendlinje, kontrtibutin e saj të madh në shërbim të çështjes kombëtare në përgjithësi e kronologji ngjarjesh të rëndësishme për shqiptarët në Mal të Zi në dekadën e fundit të shekullit të kaluar dhe në dhjetëvjetëshin e parë të këtij shekulli.
Artikujt, intervistat, fjalimet e Xheladin Zenelit kronologjinë e ngjarjeve të rëndësishme gjatë dy dekadave të fundit të pluralizmit politik në Mal të Zi, i lexova me kujdesin më të madh. Po ashtu kam përcjell edhe jehonën e disa prej këtyre shkrimeve që janë bërë publike në shtypin e shkruar, elektronik dhe në webfaqe. I kam diskutuar mesazhet e z. Zeneli edhe me shokët . Ishte dhe është bindja e plotë se shkrimet publicistike e analitike të Xheladin Zenelit, në shërbim të arritjes së të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi , ishin dhe janë kërkesa legjitime politike dhe diplomatike të argumentuara me fakte të qëndrueshme, të shkruara me një gjuhë të pastër e të kuptueshme, të botuara në kohë të duhur. Shkrime dhe analiza që ngërthejnë mendime e mësime poltike të dobishme për përpjekjet tona, për sendërtimin e kërkesës sonë madhore: Realizimi i plotë i statusit të shqiptarëve në Mal të Zi, me të gjitha specifikat e tij si popull autokton në trojet e tyre etnike.
Cilido që e lexon me vëmendje këtë libër do ta ketë të qartë gjendjen e shqiptarëve në Mal të Zi dhe rolin e diasporës në reagimin ndaj kësaj gjendjeje në këtë republikë. Në mungesë të mbështetjes së duhur, por të pritshme të përfaqësuesve të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës, të liderëve shqiptarë të Maqedonisë dhe të Luginës së Preshevës ndaj kërkesave të shiptarëve në Mal të Zi për zgjidhjen e drejtë të statusit të tyre, libri i Xheladin Zenelit „ Diapsora dhe vendlindja „ do të jetë dëshmi e kërkesave legjitime për jetën me të drejta të barabarta të shqiptarëve në Mal të Zi, siç i njohin shoqëritë me demokraci të zhvilluara dhe civilizim perëndimor.
Po e përfundoj me fjalët e A. Shopennauer-it të famshëm: „ Një i talentuar e godet cakun të cilin askush nuk mundet“.