Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjekë Gjonaj: Zë i fuqishëm për të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi

| E enjte, 01.03.2012, 08:58 PM |


  I  FUQISHËM  PËR TË  DREJTAT E SHQIPTARËVE  NË MAL TË ZI

 

Nga Gjekë  Gjonaj

 

Në pamundësi që të  ndaj gëzimin e përbashkët me veprimtarin e dalluar  për çështjen shqiptare   Xheladin Zeneli (deputet i parë nga Ana e Malit në  Kuvendin e Malit të Zi)  me rastin e përurimit të librit të tij të parë  në Ulqin  me titull „ Diaspora dhe vendlindja“, botuar nga Art Klubi  në vitin 2011 përmes këtij shkrimi , pak me vonesë, po   shpreh  përshtypjet e mia modeste  për temen   që autori  trajton  në këtë libër.

Po e filloj me fjalët e Branko Merxharit „ Një komb  ekziston vetëm atëherë kur fillon të shqetësohet për fatin e tij“. Për fatin e popullit shqiptar në Malin e Zi  fatmirësisht  po shqetësohen gjithnjë e më shumë intelektualët shqiptarë jo vetëm brenda shtetit ku jetojnë , por edhe ata në mërgim, falë të cilëve statusi ynë deri dje aq pak i panjohur po ndërkombëtarizohet, po bëhet objekt i politikave evropiane dhe amerikane.

E gjithë  lënda e këtij libri nuk është asgjë tjetër vetëm një shqetësim, një brengë e  thellë shpirtërore, një hall i madh i autorit që nuk e le rehat  e të qetë as atje larg vendlindjes së tij të dashur  në tokën e premtuar siç e quajnë Amerikën,  për popullin e tij, për vëllezërit e vet shqiptarë në trojet e tyre  etnike shekullore në Mal të Zi.

 

Librin që keni në duar e përbëjnë  disa shkrime analitike të shkruara në funksion të kërkesave për zgjidhjen sa më të drejtë të statusit politik të shqiptarëve në Mal të Zi.  Në këtë libër janë sjellë të dhëna e dëshmi që flasin qartë për pozitën aspak të favorshme të shqiptarëve   në Mal të Zi. Autori ka  parashtruar  nevojën  e ndërkombëtarizimit të çështjes shqiptare në Mal të Zi, ka kërkuar të ndërgjegjësohet  faktori politik shqiptar në këtë republikë, pastaj ka vënë në dukje  rolin e disporës në raport  me subjektet politike në vendlinje,  kontrtibutin e saj të madh  në shërbim të çështjes kombëtare në përgjithësi e  kronologji ngjarjesh të rëndësishme për shqiptarët në Mal të Zi   në dekadën e  fundit të shekullit të kaluar dhe në dhjetëvjetëshin e parë të këtij shekulli.

Artikujt, intervistat, fjalimet  e Xheladin Zenelit  kronologjinë e ngjarjeve të rëndësishme gjatë dy dekadave të fundit të pluralizmit politik në Mal të Zi, i lexova me kujdesin më të madh. Po ashtu kam përcjell edhe jehonën e disa prej këtyre shkrimeve që janë  bërë publike në shtypin e shkruar, elektronik dhe në webfaqe.  I kam diskutuar mesazhet e z. Zeneli edhe me shokët . Ishte dhe është bindja e plotë se shkrimet publicistike e analitike të Xheladin Zenelit, në shërbim të arritjes  së të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi , ishin dhe janë  kërkesa legjitime politike dhe diplomatike të argumentuara me fakte të qëndrueshme, të shkruara me një gjuhë të pastër e të kuptueshme, të botuara në kohë të duhur. Shkrime dhe analiza që ngërthejnë mendime e mësime poltike të dobishme për përpjekjet tona, për sendërtimin e kërkesës sonë madhore: Realizimi i plotë i statusit  të shqiptarëve në Mal të Zi,  me të gjitha specifikat e tij si popull autokton në trojet e tyre etnike.

Cilido që e lexon me vëmendje këtë libër do ta ketë të qartë gjendjen e shqiptarëve në Mal të Zi dhe rolin e diasporës në reagimin  ndaj  kësaj gjendjeje  në këtë republikë.  Në mungesë të mbështetjes së duhur, por të pritshme   të përfaqësuesve të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës, të liderëve shqiptarë të Maqedonisë dhe të  Luginës së Preshevës  ndaj kërkesave të shiptarëve  në Mal të Zi për zgjidhjen e drejtë të statusit të tyre, libri i Xheladin Zenelit „ Diapsora dhe vendlindja „  do të jetë dëshmi e kërkesave legjitime  për jetën me të drejta të barabarta të shqiptarëve në Mal të Zi,  siç i njohin shoqëritë me demokraci të  zhvilluara dhe civilizim  perëndimor.

Po e përfundoj me fjalët e A. Shopennauer-it të famshëm: „ Një i talentuar e godet cakun të cilin askush nuk mundet“.

Ulqin, 29 shkurt 2012