Kulturë
5 Poezi nga Timo Mërkuri
E premte, 02.03.2012, 08:58 PM
Timo Mërkuri
Ninulla e fundit*.
Kjo zhaurimë e valës mbi ranishte,
kjo zhaurimë e ëmbël e valës mbi ranishte,
o, kjo zhaurimë e valës,
ju betohem
është ninulla e fundit e nënës sime
që e këndoi për mua,
fëmijën,
...ndërsa ikte.
*-Nënës sime, në përvjetor të ...ikjes nga kjo jetë.
S’di sa vjet kaluan, më duket ...dje.
Portreti i hallë Sofisë.
Veshurë rrobën e zisë, mbi vellon e nusërisë
Jetën qysh e ka branisë*, orëzeza ditëpisë*?
*Branisë- tërheq zvarrë.-Pisë=serrë. Këtu, dita e zezë si serra.
Lotët e atij viti
Atë vit,
nënat tona i haruan ninullat
dhe u bënë të gjitha vajtore.
Nuk e di sa vite kaluan, por lotët e derdhur
ngrinë në jetën tonë si stalagmite
që e pikojnë dhimbjen mbi ne çdo ditë.
Për sa vite vallë
jetuam e vuajtën atë vit ?
Ditën e Pashkës së Madhe.
Kjo grua me të zeza te porta e kishës
nuk është shën Mëria. Është motra ime
që prêt të ringjallet im vëlla i vrarë.
O njerëz, nuk e ndihmoni dot,
lereni të qetë në dhimbjen e saj.
Se në zemrën e saj prej motre s’mund të pranojë
që për të varfërit ringjallje nuk ka.
Të dielat e Marsit
O, këto të dielat e Marsit,
këto të dielat e Marsit! Dhe të Prillit.
Këto të diela përkujtimoresh
që shkojnë rrugëve të qytetit tim
veshur me të zeza.
Këto të diela, kam frikë
mos hyjnë në jetën time si plakat e Marsit
dhe ma ngrijnë pranverën përjetësisht.
O, po i kam frikë të dielat e Marsit. I kam frikë.