Kulturë
Kujtim Mateli: Në udhën poetike të Gëzim Vodës
E premte, 02.03.2012, 07:59 PM
Në udhën poetike të Gëzim Vodës
Nga Kujtim Mateli
Në vitin 2002 Gëzim Voda doli para lexuesit me vëllimin poetik “Mos m`i merrni për shaka”, vëllim i cili ngjalli interes për këndvështrimin e autorit dhe për mjedisin që pasqyronte kjo poezi. Ishte Dëshnica, mjedisi i vendlindjes së tij, nga ku mori humorin e hollë dhe mençurinë e të moshuarve, humor tipik dëshnicar që nuk fyen askënd, por gjallëron bisedën dhe i bën njerëzit më të dashur me njëri-tjetrin.
Nëse njeriu toleron dhe kjo tolerancë e bën njeriun të afrohet me njëri-tjetrin, ka një pikë që nuk tolerohet dhe që i ndan njerëzit nga njëri-tjetri. Asnjë tolerancë me ata që bëjnë pazare me Atdheun. Atdheu të mban dhe të ushqen, atdheu është yti, por nuk ke të drejtë ta përdorësh atë qoftë edhe për interesat e gjithë shoqërisë, aq më pak që historia ka treguar se atdheu ka dalë në ankand nga njerëz që kërkojnë përfitime vetjake. Ai trashëgohet nga brezi në brez dhe detyra e çdo brezi është që ta ruaj. T`ua lërë pasardhësve ashtu siç e gjeti.
“Kush bën pazar me Atdheun
Dhe guxon ta mbajë të fshehtë
Dhe mashtron e shtiret “ëngjëll”,
Shpirti derman mos i gjetë”. (Gezim Voda, “Mos m`i merrni për shaka”, poezia “Amanete për të gjallët”, vargjet 33-34,26-27).
Kështu shprehej Gëzim Voda në maj të vitit 1994 me poezinë “Amanete për të gjallët”. Sikur ta parashikonte që vite më vonë, në fshehtësi, atdheu do të nxirrej në Pazar për ta shitur, për të shitur një pjesë të detit, detin që mban gjallë tokën dhe njerëzit.
Poeti do të japë në vargjet e këtij vëllimi, profilin e tij si njeri e poet që është njëkohësisht edhe profili i çdo shqiptari të vërtetë. Tek poezia “Nuk përkulem, s`bëhem dysh” poeti thotë se nuk i ngjason kalit të harabasë, as manarit që kur e ndjell të vjen me vrap. Ai kënaqet me atë që i jep atdheu dhe vendlindja.
“Më kënaq ç`ka torba ime,
qepë të jetë, më duket gjalpë”. ”. (Gezim Voda, “Mos m`i merrni për shaka”, poezia “Nuk përkulem, s`bëhem dysh , vargjet 11-12)
Poeti e di që ka njerëz që tundohen për një pasuri të pamerituar, pasuri që e vendosin duke shkelur mbi interesat e individëve të tjerë. Për këta njerëz ka neveri. Mbi këta njerëz do të shkarkojë të gjitha bateritë e satirës. Siç duket, gjeti satirën si mjetin artistik më të përshtatshëm dhe që i shkon natyrës së tij krijuese për t`i fshikulluar këta njerëz e për t`i damkosur nëpërmjet vargjeve të tij.
Poeti e di që edhe e keqja reagon . Është i vetëdijshëm për këtë, por
“ Nuk jam kashtë t`më rrëzojë era,
S`jam as ferrë që rri pas gardhit,
Jam si lisi në korije
Që bën ballë përrenjtë e malit”. ”. (Gezim Voda, “Mos m`i merrni për shaka”, poezia “Nuk përkulem, s`bëhem dysh , vargjet 13-16).
Poezitë e vëllimit poetik “Mos m`i merrni për shaka” janë të mbushura plot humor. Është humori që krijojnë njerëzit e mençur, ata që edhe në çastet më të vështira u përcjellin njerëzve ngrohtësi e besim se gjërat kapërcehen, kur ke durim e kurajo. Poezia e Gëzimit ka bërë objekt të saj edhe personazhe realë të krahinës së Dëshnicës. Po autori duke u mbështetur tek ata, nuk i ka imituar. Ata janë përgjithësuar si personazhe të humorit që përcjellin tek njerëzit dritën e besimit.
Autori ka vërejtur me kujdes këto copëza jete të gëzueshme që krijojnë njerëzit kur mblidhen në dasma a gostira dhe i ngjyrosin mbrëmjet me hare, gëzim e të qeshura, që e nxjerrin njeriun nga hallet e shqetësimet e përditshme sado të rënda të kenë qenë ato për të. Këto gëzime familjare kanë shërbyer si shkolla humori për shqiptarin. Në njërën prej këtyre shkollave, në atë të krahinës së Dëshnicës, e mësoi Gëzimi mjeshtërinë e humorit, humorin tipik dëshnicar. Është humori që ushqen jetën.
II
Viti 2011 ka qenë një vit i mbarë në krijimtarinë e Gëzim Vodës. Dy vëllime poetike na dhuroi e na gëzoi për arritjet që ka realizuar në to. Janë dy vëllime që qëndruan në duart e lexuesit në të njëtën kohë dhe që pasuruan dhe lumturuan botën shpirtërore të tij.
Vëllimi “Diku gozhdë e diku thumba” është arritje në udhën poetike të autorit. Arritje shënojnë edhe fabulat e këtij vëllimi.
Nëpërmjet ujkut, autori stigmatizon ata kryetarë partish që shohin interesat e ngushta të familjes dhe të rrethit që i mban në pushtet.
“ Dikur patëm shpresë prej teje,
Kur na thoshe: “jam me ju….”,
Veçse koha foli ndryshe,
Shikove këlysht e tu…” (Gëzim Voda, “Diku gozhdë e diku thumba”, poezia “ Ujku që u bë “Pari”, vargjet 57-60)
Këto kafshë grabitqare, po t`i përqasësh me botën njerëzore, shprehin atë të pabesit e ziliqarit, të mashtruesit e lajkatarit, që s`pyesin fare për besim e atdhe. I vetmi qëllim e ideal i tyre është përfitimi, përfitimi që buron nga vjedhja e pabesia, që janë gati të shesin interesat e popullit e të atdheut, për pak kolltuk ministror e një llogari të majme bankare. Këto bëjnë këta qeveritarë e shtetarë, ndërsa qytetari i thjeshtë drithërohet se i mungojnë dhe kushtet minimale të ekzistencës së tij dhe të familjes. I papuni, invalidi, i sëmuri, ndien përbuzjen dhe nëpërkëmbjen e shtetit dhe horizontin e sheh pa të ardhme, por gjen për disa çaste ngushëllim e motivim për të jetuar e për të lëvizur përpara, kur sheh në poezinë e Gëzim Vodës se si fshikullohen e përqasen me kafshët më të shëmtuara këta delexhinj shtetarë e pushtetarë që janë larguar nga interesat e shoqërisë e kullotin të patrazuar në bokërrimat e demokracisë.
Personazhet e vjetër si: dhelpra, ujku, kau, miu, bretkosa, korbi, gjinkalla, zhaba, gomari, keci, qëni e qëngji, (ku na jepet shoqëria në të cilën jetojmë, me veset dhe vitytet e saj), kanë marrë përmasa e cilësi të reja në penën e Gëzim Vodës. Ata paraqesin realitetin e sotëm duke i dhënë freski e gjallëri shoqërisë për të goditur të ligun e të pabesin, ziliqarin e hileqarin. Pas leximit të fabulave ndien nevojën të konsultohesh e të dalësh nga pasiviteti, ndien se si qënia jote mbushet me guxim e shpresë dhe sheh dritë tej horizontit të demokracisë dhe kupton se nuk janë këta palo e palaço “burra shteti” që të kanë fatin në dorë, por je Ti, Ti dhe vetëm Ti që mund të ndryshosh fatin tënd dhe të shoqërisë. Të tilla përjetime ndien pas leximit të këtyre fabulave e njeriu shkundet nga plogështia e miopia, sheh dritë në horizontin e afërt dhe të largët dhe kupton se për faj të tij livadhisin lirshëm këta horra. Kupton se koha nuk është e zullumqarëve, por e Tija, se ai është Zot i këtij vendi dhe koha e makutërisë është e përkohshme.
Mesazhi që përcillet në çdo fabul, është në radhë të parë mesazh për njerëzit që i mbartin këto vese negative të cilat autori i fshikullon që gjithkush të pasurohet nga vlerat që krijon shoqëria njerëzore. Ato kanë një vlerë të lartë edukuese. Realiteti në të cilin jetojmë, fenomet dhe dukuritë nëpër të cilat po kalon shoqëria shqiptare, janë asimiluar artistikisht nga autori, janë shndëruar në personazhe të botës shtazore për t`i thënë shoqërisë njerëzore se ku të çon lakmia apo zilia, etja për t`u pasuruar padrejtësisht dhe korrupsioni. Gëzim Voda e ka zhveshur shoqërinë nga manteli i rremë që kërkojnë t`i hedhin përsipër politikanët, gjoja për një ecje përpara, të krahasueshëm edhe me vende të zhvilluara europiane. Aty sheh njolla të errëta që të trishtojnë. Poezia e Gëzimit dhe fabulat e tij janë apel për shoqërinë.
****
Në poezitë e tij, një vend të rëndësishëm zënë poezitë që u përkushtohen disa prej figurave më të shquara të kombit tonë, por edhe njerëzve të thjeshtë që vërtet nuk bënë histori me pushkë e penë, por me vlerat që ka mbartur secili, të gjitha, ashtu së bashku, kanë përbërë përherë shtyllën kurrizore të një shoqërie. Me dashuri e ka skalitur poeti figurën e nënës. Dashuria për të është e pamatshme sepse
“Nëna është vetë Yjësia,
Është shenjtore, është ikonë”. (Gëzim Voda, “Diku gozhdë e diku thumba”, poezia “Nëna”, vargjet 29-30)
Me nota drithëruese është përshkruar poezia “Si një lule borë”, poezi që autori ia kushton mbesës që nuk jeton më, mbesës që ishte si një gonxhe, por që dimri i jetës nuk e la të çelte:
“Ti erdhe në dimër,
Në dimër na ike,
Si hënëz e bukur,
Qiellit lart u ngjite”. (Gëzim Voda, “Diku gozhdë e diku thumba”, poezia “Si një lule borë”, vargjet 41-44).
Poezitë “Kur mblidhemi fshaçe”, “Shkëmbi i bletës”, “Dëshmorët e Dëshnicës”, janë copëza të bukura poetike të vendlindjes së autorit, copëza të blerta e të freskëta të krijuara artistikisht, me kujdes e mjeshtëri.
Autori ka mundur të skalisë me fuqinë e artit të tij disa figura të njohura të vendit tonë si: Musa Fratari, bir i Dëshnicës që ra për lirinë e Spanjës, apo mjeshtrit të violinës Et`hem Qerimi; aktorit të madh Kadri Roshi apo akademikut Rexhep Qosja; shkrimtarit disident Kasëm Trebeshina apo poetit vezullues Xhevahir Spahiu; rapsodit pukjan Frrok Haxhia apo Et`hem Selfos dhe Ramo Ismailit, që Këlcyra i ka shpallur Qytetarë Nderi të saj.
Të gjitha këto figura janë skalitur artistikisht, secila me vecantitë e saj që burojnë nga individualiteti i këtyre personazheve të jetës së vendit tonë, por edhe nga mjeshtëria e Gëzim Vodës si artist, që ka mundur të na japë pamje të gjalla të jetës së tyre.
Autori u këndon këngëve e krijuesve të tyre ku:
“ Shquan vargu i magjishëm,
Skalitur si gur qemeri,
ngulur thellë shqiptarizmi,
Burrëria, besa, nderi”. (Gëzim Voda, “Diku gozhdë e diku thumba”, poezia “Këngët e Pilurit” vargjet 29-32).
III
Vëllimi poetik “ Qesh nga derti, qaj nga qejfi”,mbizotërohet nga poezia satirike që buron nga thellësia e jetës dhe e qënies njerëzore. Janë çaste kur njeriu kërkon ta përcjellë një dukuri jo shumë të kënaqshme për të dhe këtë e bën me humor e satirë të përzier bashkë. Realiteti në të cilin jetojmë është i vështirë, natyra njerëzore është tepër komplekse: ndërthuret vesi me virtutin.
Administrata shqiptare është e mbushur me njerëz të përkushtuar për xhepat e tyre, troket në dyert e shtetit dhe gjen brenda të korruptuarin e të pacipin.
Poezia “I tjetërsuari” u kushtohet atyre përfaqësues të popullit, të shtetit dhe pushtetit, që nuk lënë vend pa shkelur, brenda dhe jashtë atdheut, shkojnë dhe kthehen që andej
“Ngrënë e pirë, ngopur e velur,
Si manar i përkëdhelur
Fryrë “pendët” kaposh-ngrehur” . Gëzim Voda, “ Qesh nga derti, qaj nga qejfi”, poezia “I tjetërsuari”, vargjet 3-5)
Poema “Imja Shqipëri me derte” është më e realizuara e këtij vëllimi. Poeti dhe atdheu janë shkrirë njësh. Poeti ndien shqetësimet e vendit të vet dhe i bën të tijat. Demaskon lakmitë e fqinjve që gjithmonë kanë dashur të përfitojnë tinëzisht nga bujaria e shqiptarëve, denoncon grykësinë e tyre që është shfaqur hapur deri në vrasje e barbari të shumta të kryera në trojet e banuara nga shqiptarët. Poeti denoncon edhe dashakeqësinë e Europës në përcaktimin e kufijve të Shqipërisë dhe që shqiptarët nuk mundën dot t`u bënin ballë këtyre synimeve grabitqare. Në një farë mënyre arsyeton edhe pamundësinë e shqiptarëve, gjyshërve e stërgjyshërve tanë, për t`u bërë ballë këtyre lakmive të panumërta.
“Por s`është varur shumë prej teje,
T`i bësh ballë çdo hileje.
Le ta themi të vërtetën:
Kurrë s`na deshën komb të vetëm…”! Gëzim Voda, “ Qesh nga derti, qaj nga qejfi”, poema “Imja Shqipëri me derte”, vargjet 37-40)
Por nëse autori justifikon brezin e djeshëm për të bërë më shumë, nuk e justifikon dhe është i ashpër me brezin e sotëm. Nuk mund të justifikohet heshtja ndaj Çamërisë. Çamëria ëshë plagë dhe dhimbje në trupin e kombit shqiptar. Autori demaskon ata që janë në krye të shtetit shqiptar dhe që bëjnë sikur s`dinë se ç`ka ndodhur. Këtyre njerëzve u janë errur sytë dhe u ka humbur arsyeja. Qindra mijëra shqiptarë të Çamërisë u dëbuan nga trojet e tyre në disa dhjetëvjeçarë rresht dhe ata enden e vdesin larg vatrës së tyre me mall e brengë në zemër. Këto dëbime a nuk e kanë emrin genocid?
Pse nuk ngrihet zëri për t`u dënuar një genocid i tillë e shkaktarët të fajësohen sipas ligjeve demokratike?
Po poeti ka besim se Evropa e djeshme që bëri sehir kur shihte se si gjymtohej, vritej e sakatohej shqiptari i Çamërisë, sot ka ndryshur; janë forcat e Paqes ato që mbizotërojnë në vendet europiane. Forcat e Paqes do ta venë në vend padrejtësinë. Ku ka dritë, ka dhe shpresë. Poeti sheh dritë në ardhmërinë europiane.
Veç autori nuk e justifikon brezin e vet që vazhdon të hesht e të përulet ndaj këtyre padrejtësive. Fqinjët
“Edhe sot s`e ndalin vrullin,
Më këtej “pyka” të ngulin”. Gëzim Voda, “ Qesh nga derti, qaj nga qejfi”, poema “Imja Shqipëri me derte”, vargjet 51-52). Këto pyka janë të qarta për këdo: Ato janë varreza greke (ndërtuar me eshtra shqiptarësh si rasti i Kosinës), janë kisha e manastire atje ku nuk kanë ekzistuar më parë e gjithfarë tekash të tjera të fqinjit tonë Jugor.
Poezia e Gëzim Vodës ka në epiqendër vendlindjen dhe Atdheun. Nga ky këndvështrim ai ka zgjedhur mjetet e tij shprehëse artistike siç janë satira dhe humori. Satirën e përdor për hileqarin dhe dhe të korruptuarin, të cilët nuk vihen në shërbim të atdheut, por të xhepit të tyre të vogël vetjak, ndërsa humorin e ka lënë për shokët dhe miqtë e tij me të cilët ndan gëzimet dhe shqetësimet e përbashkëta që na krijon jeta.
IV
Poezia “Njerëzisht” është realiteti i shoqërisë shqiptare, koha të cilën po jetojmë. Nga njëra anë janë njerëzit e thjeshtë që ndajnë me njëri-tjetrin edhe kafshatën e gojës, nga ana tjetër ata që majmen me djersën e popullit që i ka zgjedhur dhe futur nëpër zyrat e shtetit dhe të pushtetit. Interesat e këtyre njerëzve nuk shkojnë paralel me interesat e popullit. Ka një hendek midis tyre. Poeti i drejtohet njeriut të thjeshtë të punës. Atij njeriu që i siguron të ardhurat me djersën e ballit. Poeti na jep mjedisin e fshatit. Në pak rreshta shohim se si jeton fshatari. Ai njeriu i mirë me shpirtin e bardhë si bora e maleve që nuk ia ka me hile askujt: as mikut, as shokut, as pushtetarit, as qeveritarit, as ministrit, as deputetit. Me ta ai ka ndarë kafshatën e gojës. Vargu vjen natyrshëm, pa sforcime, është një varg i ëmbël. Katërmbëdhjetë vargjet e parë të poezisë, të mbledhura në një strofë të vetme, japin një tablo ku mbizotëron kontrasti i thellë midis dritës dhe hijes, midis ndershmërisë dhe pandershmërisë, midis jetës së thjeshtë të fshatarit dhe zengjinit të ri që polli koha në të cilin jetojmë. Këtu përplasen vlerat dhe antivlerat. Vlerat që krijon njeriu i thjeshtë dhe përfaqësuesi i tij dobiprurës deri në instancat më të larta të shtetit dhe pushtetit ( se jo të gjithë janë të korruptuar e hileqarë) dhe nga ana tjetër antivlerat që kërkojnë të formojnë ata, që në themel të qënies së tyre shoqërore dhe biologjike kanë babëzinë, etjen për t`u pasuruar padrejtësisht.
Poeti ka ngritur një kështjellë poetike. Kështjellën e njeriut të punës, të mendjes e të zemrës që rreh për Atdheun e përparimin shoqëror, duke lënë jashtë saj hileqarët që kërkojnë të përfitojnë. Secili varg është në vendin e duhur. Madje çdo fjalë ka gjetur vendin e saj. Nuk ka asgjë të tepërt. Edhe pikat e presjet të kujtojnë ata haliçët që muratori përdor me mjeshtëri për të mos lënë asnjë boshllëk në ndërtesën e tij. Vargjet lidhen me njëri-tjetrin nga mesazhi i qartë që kërkon të përcjellë poeti tek lexuesi, por edhe rima e njënjtë që mbart çdo varg vihet në funksion të këtij mesazhi. Mjeshtërisht kemi të lidhur formën me përmbajtjen. Vargjet lexohen me një frymë. Të duket se i ke thurur ti ato vargje. Ato vargje janë të tutë. Kjo ndjesi përfitohet se në retinën e syrit të lexuesit jepen imazhe të gjalla. Imazhe që përfitohen nga një kthjelltësi e tejskajshme. Ashtu si në një fushëpamje ku objektet dallohen qartë në një ditë ku dielli shkëlqen dhe secili të krijon mbresa dhe emocione. Kjo gjë të ndodh edhe kur lexon këtë strofë të parë të poezisë. Çdo varg ka formën dhe ngjyrën e vet. Çdo varg të krijon emocion e mbresa që nuk i gjen te vargu pasardhës.
“O njeri, që fort je lodhur
Me të mbjellë e me të korrur,
Prit e përcill siç je ndodhur,
Me përvlak e dhallë të ftohur,
Përshesh me qumësht të ngrohur
Për miq, shokë e të panjohur…
…Por shumë je përçmuar, përfolur,
Nga “zengjinë” me erë ndotur,
Pushtetarë me xhepa ngrohur,
Mjeshtra në lajka përdorur,
Që votën ta marrin shkoqur,
Për ca qeveri të shporrur,
Qeveri që s`kanë të sosur…,
Që thonë: “kemi rrënjë në popull…”
Lexon strofën e parë dhe kërkon të pushosh pakëz. Ke prekur magjinë e krijimit. Ke rënë në shtratin e bukur të lumit-poezi. Duke ndjekur rrjedhën e tij do të gjejmë vargje që me të vërtetë do të na befasojnë.
****
Poeti del nga mjedisi që krijojnë vargjet e strofës së parë dhe i drejtohet njeriut të punës kudo që të jetë. Atë e gjen kudo: në fshat e në qytet, në det e në ajër, udhëton me kuaj, me makina, me tragete e avionë. Është njeriu që kërkon të njohë hapësirat e planetit. Është njeriu që e fillon punën në agimin e ditës. Njeriu i mirë që shokun e mikun i kërkon si veten e tij. Me ta ndan gëzimet dhe hallet e përditshmërisë. Me ta përballon vështirësitë. Është njeriu që sakrifikon. Është njeriu që nuk kujdeset për veten e vet. Është njeriu që të afron bujari. Nga kjo përfitojnë të tjerët.
Po kush janë këta njerëz përfitues me pa të drejtë? Është hileqari, njeriu i zvetënuar, që e sheh shoqërinë si mjetin ku do të vërë gjithë pasurinë e tij, është i pabesi që të mashtron, është qeveritari-qylaxhi që të shikon nga duart, edhe pse duart e viktimës së tij janë gjithë kallo dhe të zbrazta si vetë zbrazëtia e shpirtit të zyrtarit. Këta njerëz betohen e çirren për këtë popull dhe për ta nuk u ngelet kohë të mendojnë. Kohën e shpenzojnë për tjetër gjë. Vrasin mendjen ku t`i gjejnë zonjës një qën. Një qën race të fisme.
O ju njerëz shumë të mirë,
Që punuat gdhirë e pa gdhirë
E djersa u shkoi rrëpirë
Për hileqarë e servilë
Për rrufjanë e rryshfetçinj
Që bëjnë be për ndershmërinë…
Që “digjen” për njerëzinë,
Japin shpirt për vegjëlinë,
Pushtetarë që hanë e pinë,
S`lënë sëhan që nuk lëpijnë,
Duan qën zonjash, soj të mirë,
Pa për popull? S`duan t`ia dinë.
****
Poeti vendos marrëdhënie më të ngushta me ata njerëz që rropaten dhe nuk i korrin frytet e mundimit. I quan motra e vëllezër. I quan shpirt e xhan. Nga kjo shtresë shoqërore ka dalë edhe vetë. Por i paralajmëron që të jenë të kujdesshëm. Se me duart e tyre, me votën e tyre, po nxjerrin në krye të qeverisjes njerëz që nuk e meritojnë. Po nxjerrin njerëz që shkojnë në të kundërt të interesave të popullit.
Po cilët janë këta njerëz? Njerëz të dyshimtë në punën dhe veprimtarinë e tyre. Njerëz që të tjera gjëra thonë dhe të tjera mendojnë, ndryshe premtojnë e ndryshe veprojnë. Këta njerëz hiqen si patriotë të mëdhenj dhe kur hipin në pushtet janë gati të shesin dhe atdheun për pak plaçkë për vete apo për një ofiq zyrtari.
Po një veprim i tillë nuk ka për t`iu shkuar mbarë. Në revanin e tyre të mbrapshtë do të bien e do të rrëzohen. Në humnerën e historisë do ta kenë varrin dhe emrin. Do të mbetën këtyre humnerave të varur përjetësisht në litarin e fjalës që populli përgatit për besëprerët.
Ju motra, vëllezër xhani,
Shokë e miq të një tabani!
Bëhet Pari zullumqari,
Deputet zgjidhet kusari,
Ministër bëhet kurvari,
Doganier del hileqari,
Tatimor shkon “duar lari”,
Gjyqtar i kompromentuari.
Kërkon ofiqe zyrtari,
Yzengji e shalë kali,
Takëme safi prej ari…,
Mësoi çfarë ishte “revani”,
Mirëpo “dëm” vajti noprani,
Në udhë i doli “shejtani”,
Kapërceu anën samari,
Gremisur vajti katrani,
Në grykë iu këmbye litari,
Në esfel i vajti xhani,
S`la dot amanet së gjalli…!
****
Poeti u drejtohet të parëve tanë, atyre që luftuan me pushkë e me penë, atyre që sakrifikuan gjithçka, atyre që flijuan veten për njerëzinë e për atdheun.
Ku janë ata burra me vlerë? Ku është Abdyl Frashëri që populli i këndoi “shite gjithë pasurinë, një barrë flori” dhe këtë pasuri e shpenzoi për çështjen kombëtare? Ku është Pashko Vasa e Fan Noli, Luigj Gurakuqi e Papa Kristo Negovani, Isa Buletini e Ismail Qemali? Ku është ajka e kombit? Të ngrihej e të shihte këta qeveritarët tanë.
Poeti me mjete mjaft shprehëse, jep figurën e zyrtarit të sotëm. Të atij zyrtari që populli dhe institucionet ndërkombëtare e kanë etiketuar të korruptuar. Të atij zyrtari që është bërë i pështirë në sytë e njerëzve e prap qesh e buzëqesh sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Të atij zyrtari që ka ndotur karrigen ku është ulur.
Ju burra që jeni ndjerë,
Trima me pushkë e me penë,
Ju që nderuat Atdhenë,
A nuk ngrihi dhe një herë,
Të shihni ca myteberë
Që për xhepin “therur” bien,
Trashur bythë e vithegjerë,
Nuk i shpon cfurku me hell,
Gjithçka veshur u bie erë,
Era purthë e përç përzier.
Thonë: “Për popull udhës mbemë,
Në Nju York, Athinë e Vjenë,
Romë, Bruksel e të tjerë,
Thekin kurrizin në diell,
Bregut Jonit në Rivierë,
Shijojnë qejfet dimër-verë,
Për të tjerat… nuk rrëfejnë…,
****
Për ta demaskuar këtë kastë njerëzish që ka mbushur zyrat e shtetit, poeti u drejtohet atyre që braktisën Atdheun në një çast të vështirë, por që këta qeveritarë nuk po bëjnë asgjë për kthimin e tyre. Poeti është i shqetësuar. Zyrat e shtetit dhe pushtetit janë tjetërsuar. Aty është i paafti dhe truthari. Aty është llafazani dhe hileqari. Aty është rryshfetçiu dhe noprani. Një galeri e tërë personazhesh që duhen shkulur nga qëndrimi i gjatë në karriket që tani kanë filluar të vijnë erë.
Duhet ndryshim. Në zyrat e shtetit dhe pushtetit duhet të shkojë i afti dhe zemërbardhi, i miri dhe i ndershmi, ai që mendon për të sotmen dhe të nesërmen.
Demokracia ka çelur rrugët e lirisë. Liria e mendimit dhe veprimit në dobi të atdheut dhe shoqërisë, në dobi të gjithë njerëzimit, sidomos në kohën e sotme kur popujt kanë filluar ta shohin njëri-tjetrin si domosdoshmëri të ekzistencës së tyre. Duhet të ecim më shpejt që të arrijmë kombet e popujt që kanë përparuar në udhën e demokracisë.
Po me këta shtetarë e pushtetarë jemi larg për të arritur në kurorën e demokracisë. Poeti i drejtohet popullit tek i cili ka shpresë që gjërat të ecin përsëmbari. Punëtorë, biznesmenë, fermerë, studentë e emigrantë. Çoni në karriget e shtetit dhe pushtetit më të mirin, atë që shëmbëllen me veten tuaj, se vetëm kështu koha e politikanëve kalanderë do të përfundojë më shpejt.
Njerëz, si drita me vlerë,
Shpërndarë botës derë më derë,
Raskapitur për të tjerë,
A nuk mblidhi dhe një herë,
Të shihni ca namuzprerë,
Që na kanë mbirë në derë,
Batakçinj e kalanderë,
S`lënë karrige pa përmjerë…,
Shiten për hiç te të tjerë,
Largqoftë t`i vënë vendit ferrë…!
Por… qafën kanë për të thyer.
Poezia ka nota të forta optimizmi, edhe pse populli ndodhet përpara një kaste të tillë politikanësh laramanë, që ngrejnë e ulin 100 flamuj veç për interesat e tyre personale. Këta politikanë që shiten për hiçgjë, janë rreziku i këtij vendi. Janë një rrezik real dhe që duhet të merret në konsideratë. Këtë rrezik e ndjeu çdo shqiptar kur nxorën në ankand një sipërfaqe deti sa treva e Labërisë, për një firmë që do të jepte fqinji jugor e për ca bakshishe që do të shkonin më vonë në xhepin e dikujt. Koha e politikanëve të tillë ka përfunduar dhe Shqipëria duhet ta mbyllë kapitullin e politikanëve diletantë e zemërzinj.
Nëpër rreshtat e poezisë ndihet fryma e re që po vjen.
Poeti e ndjen dhe e sheh ndryshimin që do të vijë.