Kulturë
Flet fotografi Adem Rreli: “Fotografia është art i vështirë dhe konkret”
E diele, 04.03.2012, 06:03 PM
Ja 195 intelektualët që nderojnë Tiranën
Nga Albert Zholi
Para disa ditësh në ambientet e Muzeut Kombëtar u hap ekspozita vetjake e fotografit të talentuar Adem Rreli, i pari fotograf privat shqiptar, i cili ka të drejtën ekskluzive të prodhimit të portretit të Presidentit të Republikës. Në këtë ekspozitë me titull “Intelektualët që nderojnë Tiranën” merrnin pjesë shumë personalitete të artit, kulturës shkencës, ku midis të tjerave binte në sy Presidenti i Republikës, z. Bamir Topi. Në këtë ekspozitë ishin ekspozuar 195 portrete intelektualësh që i kanë dhënë emër Tiranës, ku midis të tjerave binte në sy fotografia e Presidentit të Republikës.
-Cili ishte qëllimi i kësaj ekspozite?
Qëllimi i kësaj ekspozite ishte që të interpretoja aftësitë e mia dhe mënyrën e organizimit të punës dhe të vlerësojë njerëzit që kanë punuar dhe kanë jetuar në Tiranë. Ti vlerësoj ata në kuadrin e vlerave të tyre dhe konsideratën që kanë lënë tek njerëzit. Kjo ishte një përzgjedhje e klientelës. Qëllimi kryesor nuk ka qenë përzgjedhja e klientelës, por vlerësimi i njerëzve dhe interpretimi dhe aftësimi profesional.
-Sa personazhe keni në këto foto?
Janë 195 personazhe, duke përfshirë edhe tim atë. Janë zgjedhur njerëz të profesioneve të ndryshme, që kanë lënë një emër të mirë në punën e tyre.
-Ju keni vënë edhe Presidentin?
E para se unë kam vlerësuar punën e Presidentit dhe e dyta unë jam autori i fotografisë zyrtare të Presidentit të Republikës dhe është nder për çdo person dhe për çdo fotograf që të ketë bërë fotografinë zyrtare të kryetarit të shtetit. Respektohet si një djalë i Tiranës. Unë e njoh që në moshë të re. Z.Topi është në moshë pak më i ri se unë. Ka qenë djalë i mirë dhe punëtor dhe rezultatet që ka pasur në punën e tij dhe ishte një nder për mua të bëj portretin e tij zyrtar. Ka dalë një fotografi e pranueshme dhe ai pranoi që ta bëja unë atë fotografi. Nuk ka qenë përzgjedhja e Presidentit si individ, por ka qenë përzgjedhja e një grupi njerëzish që u morën me atë punë. Ishim disa persona që çuam letrat dhe unë isha fituesi. Është përvoja ime që në vitin 1975 që merrem me portretin dhe kam qenë në moshën 22 vjeç kur fillova këtë profesion. Kryesisht kam pasur në dorë fotografitë e studiove në Shqipëri. Jam marrë shumë me restaurimin e fotografive dhe në fotografinë direkte sepse kam pasur modele të Marubit, etj.. Më kanë rënë në dorë edhe shumë fotografi nga qyteti i Beratit, që kanë qenë fotografi shumë të mira.
Shkollimi juaj, ku bazohet?
Kam bërë shkollën e mesme për pikturë. Kam qenë nxënës i mirë dhe iu kam përkushtuar shumë punë, shkollës profesionit. Gjëja më kryesore është se unë i marr gjërat shumë seriozisht. Kur ju futa fotografisë ajo më rrëmbeu. Pas këtij momenti sikur e lashë pas dore pikturën, e cila ishte hobi i vegjëlisë.
-Sot jeni fotograf apo piktor?
Jam tek fotografia, Pikturë nuk kam bërë më, që kur kam mbaruar shkollën.
Çfarë mund të na thoni për shoqatën e fotografëve?
Shoqatat në Shqipëri nuk kanë pasur rezultatet e vërteta. Nuk ka ndonjë shoqatë të shërbimit fotografik. Çdo fotograf është specializuar në fushën e vet, disa në portrete, disa merren me pikturën. Në fushën e portretit, unë kam punuar më shumë se të tjerët sepse kam pasur edhe studion i pari. Studio është hapur më 19 prill 1991. Studio e parë private. Kjo nuk ka qenë fillimi. Fillimi ka qenë në korrik të vitit 1975. Duke qenë edhe studio e parë pata më shumë shanse. Unë kam preferuar të ofroj klientëve një shërbim të mirë dhe të marrin vlerat tona për punën që ne bëjmë. Me shërbimin që i kemi dhënë njerëzve, kemi gjetur një emërues të përbashkët si personel. Disa të tjerë kanë tjetër shtresë. Klientela jonë ka këtë lloj pretendimi, dhe janë të të bindur se paguajnë aq sa marrin për shërbimin dhe për kualitetin.
-Mendoni ndonjëherë se do të merreni me politikë?
Asnjëherë. Unë nuk kam qenë asnjëherë me ndonjë parti dhe nuk kam shkuar në ndonjë mbledhje partie, por kam bërë shumë fotografi për kandidatët për deputetë. Mendoj se, kam marrë vlerësimin e merituar sepse ka shumë prej tyre që vijnë për të tretën dhe të katërtën herë për të bërë fotografi tek studiot tona. Parimi im ka qenë që ne t’i afrojmë klientëve shërbim të mirë. Ne duam që klienti ta sjelli atë që nuk i qëndron mirë në shtëpi, të vijë dhe ta ndërrojë sepse i duhet. Në këtë kuadër mendoj se klientët e kanë vlerësuar shërbimin tonë dhe e kanë gjetur vetveten në çmim, shërbim etj.