E diele, 10.11.2024, 03:31 PM (GMT)

Kulturë

Ethem Çeku & Begzad Baliu: Hyrije Hana - sinonim i fatit tragjik të një brezi atdhetarësh

E merkure, 07.03.2012, 08:00 PM


HYRIJE HANA - SINONIM I FATIT TRAGJIK TË NJË BREZI ATDHETARËSH

 

Prof. dr. Sabile Keçmezi- Basha, “Kontributi atdhetar i Hyrije Hanës”, SH.B. “Libri Shkollor”, Prishtinë, 2011.

 

Nga:

Prof. dr. Ethem Çeku

Prof. dr. Begzad Baliu

 

Ditë më parë doli nga shtypi njëra nga veprat më të veçanta të historianes Prof. dr. Sabile Keçmezi, kushtuar ndihmesës së atdhetares Hyrije Hana dhënë Lëvizjes Kombëtare për çlirim gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX.  Daljen e saj do të donim ta shquanim në këtë rast së paku për tri arsye: e para, se atë e ka shkruar historiania, e cila me Lëvizjen Kombëtare për Çlirim të shekullit XX merret me sukses për më se tri dekada; e dyta, pse kjo vepër është shkruar për atdhetaren, e cila është mbajtur në heshtja sa nga vetë bartësit e Lëvizjes aq edhe nga vlerësuesit e saj, historianët; dhe e treta, se, duke shkruar për fatin e Hyrije Hanës, historiania jonë, ka hapur një faqe mjaft të errët të një brezi atdhetarësh, viktima të shumëfishta të orientimit të tyre politik dhe ideologjik.

Vepra hapet me një pasqyrë të pamjes historike të kontributit të gruas shqiptare dhënë çështjes kombëtare dhe fatit tragjik të saj në Shqipëri dhe në ish-Jugosllavi. Në këtë rrjedhë ajo ndalet në kontributin e gruas shqiptare menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në angazhimin unik të saj rreth organizatave nacionaliste, sikur është Komiteti i Grave në Prizren, pjesëmarrjen e saj shume aktive në demonstratat e vitit 1968 dhe madje në kontributin e saj në themelimin dhe organizimin e Aksionit të Pajtimit të Gjaqeve.

Pjesa e parë merret denjësisht me biografinë personale të Hyrije Hanës duke e rindërtuar atë hap pas hapi. Fati i saj jetësor në këtë vepër del i gërshetuar me një varg ngjarjesh personale, familjare, shoqërore, historike dhe madje politike, diplomatike e të strategjisë planetare. Vetëm një njohje e thellë e zhvillimeve të këtyre konjukturave kombëtare, rajonale e ndërkombëtare, të cilat historianes sonë nuk i mungojnë aspak, na bënë të kuptojmë sa tragjike ka qenë fati i një brezi të humbur shqiptarësh, mes idealeve kombëtare dhe ideologjisë komuniste, sa tragjike ka qenë fati jo vetëm i një individi po edhe një familjeje mes konstelacioneve politike e rajonale dhe strategjisë së një ideologjie që pretendonte të bëhej planetare. I tillë ishte edhe fati i Hyrije Hanës dhe e tillë ishte tragjedia e familjes së saj.

Ajo iu bashkua Lëvizjes Nacional Çlirimtare, krahas gjithë atyre idealistëve të atdhetarisë shqiptare me bindjen se duke iu bashkuar luftës kundër së keqes nacional-fashiste të kohës, po e ndihmonte një përpjekje ndërkombëtare në luftë kundër murtajës së Luftës së Dytë Botërore, por ashtu si edhe shumë të tjerë, edhe ajo, si dhe vëllai i saj do të zhgënjehen me fatin e një pjese të popullit shqiptar. Në këtë rrjedhë, ajo do t’i bashkohet idealit të  vëllait të saj, i cili mendonte se duke iu bashkuar një ideologjie planetare komuniste, sado e keqe të jetë, do t’i bashkoheshin atij kampi, i cili do ta përmbyste njëkohësisht edhe perandorinë sllave në Evropë: Jugosllavinë. Kështu, ajo fillimisht do t’i bashkohet idealit të madh të djalërisë shqiptare kundër pushtimeve të njëpasnjëshme gjatë Luftës së Dytë Botërore, pastaj do t’i bashkohet një brezi luftëtarësh të zhgënjyer brenda konjukturave kombëtare dhe jugosllave, për t’iu bashkuar më tej një grupi të tretë atdhetarësh idealist, pothuajse pa përcaktim ideologjik, por me të vetmin synim: luftën kundër ish-Jugosllavisë dhe bashkimin kombëtar. Nuk mund njëkohësisht të kalohet në këtë rrjedhë edhe një fakt mjaft domethënës në jetën e saj: ajo martohet me Ali Boletinin, me nipin e patriotit të madh Isa Boletinin, me të cilin vetëm pak vite me vonë e ndanë muri i madh i kufirit jugosllavo-shqiptar.

Pjesa e dytë, që pothuajse paraqet bërthamën dokumentare të veprës, përfshinë dy dënimet e para të Hyrije Hanës. Në mënyrë mjaftë sintetike Profesoresha Basha ka sjellë të gjitha dokumentet autentike të dënimit të parë dhe të dytë, duke përfshirë këtu skenat dhe prapaskenat që i përcollën ato. Fjala është për modalitetin e dënimit të parë, për të cilën mungesa e dokumenteve të cilat saktësojnë dënimin e parë janë evidente, apo sikur mund të lexohet në një nga ato: “Nuk ka qenë e dënuar, vetëm se administrativisht ka qenë e dënuar me 6 muaj burg në vitin 1958”(95). Ky model dënimi, është shembulli më simbolik i mënyrës se si u dënuan shumë bashkëkohës të saj nga zhdukja e papritur e tyre deri te dënimi pa urdhër dhe pa vendim ligjor. Nëse vëllai i saj Xheladin Hana i takonte kategorisë së parë, të dytës i takonte Hyrije Hana. Kur një ditë historianët të merren me fatin e këtij brezi, që kap periudhën nga vitit 1948 deri në vitin 1966, nuk do të jetë vështirë të konstatohet se sa i madh ka qenë numri i atyre shqiptarëve që kanë bërë burg shtëpiak, për të cilët shumë prej nesh jemi dëshmitarë, pa ndonjë vendim të veçantë, për më se tri dekada. Në këtë pjesë të veprës lexuesi do të krijoj një pasqyrë të plotë të aktivitetit të Hyrijes atdhetare, antirevizioniste, inforbyroiste, deri në fund tragjike, sa për jetën e saj aq edhe për brezin e saj, i cili nuk kurseu asgjë nga jeta e tij, nga ideologjia e tij, por që kishin vetëm një synim: përmbysjen e Jugosllavisë si shtet e jo të Jugosllavisë si ideologji, sikur përpiqen ta interpretojnë disa qarqe edhe në studimet e gjertanishme historike e publicistike. Përtej të gjitha koncepteve te tyre politike, qëndron vendosmëria dhe deklarata e saj: Unë nuk kam bërë asgjë dhe asnjë veprim me kolegët e organizatës ilegale “Komiteti Revolucionar për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë“ që më ngarkoni, (fjala është për personalitetet e shquara të lëvizjes kombëtare: Kadri Halimi, Ali Aliu dhe Ramadan Hoxha), por unë vazhdoj të mbaj qëndrim armiqësor ndaj Jugosllavisë“.

Pjesa e tretë merret gjerësisht me njërën prej ngjarjeve më të përfolur të viteve ’70. Fjala është për “Dasmën e madhe”, sikur është quajtur dasma e atdhetarit Hyda Dobrune, në të cilën patriotë të shumtë të Lëvizjes ilegale manifestuan me këngë dhe thirrje të zjarrta idealet e tyre, dashurinë e tyre për bashkimin kombëtar, me këngë të traditës shqiptare, me këngë patriotike të Rilindjes Kombëtare dhe me vënien në pah të martirëve shqiptarë që qëndronin burgjeve jugosllave. Pavarësisht se ngjarja pati marrë jehonë në gjithë Kosovën dhe ndikimi ishte shume i madh në krijimin e ambientit politik, ndërsa për dënimin e tyre qenë deklaruar edhe përfaqësuesit më eminent shqiptarë nga udhëheqja politike e Gjakovës, deri te drejtuesit më të lartë krahinor e federativ, ngjarjen e patën kualifikuar si një ekses politik. Në këtë ngjarje ku Hyrije Hana ishte njëra prej dasmoreve që e mbushi atmosferën me këngë dhe atdhetari, mori dënimin e tretë në biografinë e saj.

Në fund të pjesës së tretë është botuar një letër kujtimi për Metush Krasniqin, me të cilën studiuesja hap një kapitull të ri të veprës së saj. Në një nga shënimet fillestare të idealeve të saja autorja thekson vlerësimin e madh që kishte atdhetarja Hyrije Hana për dy personalitete: Metush Krasniqin dhe Omer Çerkezi. Matush Krasniqin e krajatave të shumë dekadave të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare dhe të Omer Çerkezin i likuiduar nga strukturat më të larta jugosllave. I pari një themelues dhe drejtues properëndimor i Lëvizjes Kombëtare dhe i dyti një luftëtar i vendosur i kundërshtimit të rezolutës jugosllavo-shqiptare (1952) për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Metush Krasniqi i organizatës “Partia Revolucionare për Bashkimin e Trojeve me Shtetin Amë“ (1957) dhe Omer Çerkezin e “Këshillit Antifashist të Liruarve Jugosllav në Gjermani”, i cili deri ne frymën e fundit luftoi për të mbrojtur identitetin e tij shqiptar ndërmjet atij serb dhe atij turk. Duke shkruar gjerësisht për aktivitetin e Metush Krasniqit dhe të organizatës së tij Profesoresha Basha sikur përplotëson dy aspekte të kësaj monografie: idealet e atdhetares që aq shumë e ka çmuar personalitetin e Metush Krasniqit dhe idealet e asaj Lëvizje që e çoi përpara mendimin politik të ilegales shqiptare; ndërsa duke shkruar për personalitetin e Omer Çerkezit dhe angazhimin e tij shumëdimensional, historiania jonë sikur ka plotësuar jo vetëm idealet e Zonjës Hyrije Hana po edhe biografinë e saj politike. Prej veprës së historianes Sabile Keçmezi-Basha do të mund të përmblidhnim edhe një biografi shumëdimensionale të atdhetares Hyrije Hana. Në jetën e saj mund të bashkohen si rrallë diku tjetër, si një, shumë vlera qytetëruese evropiane: te Hyrije Hana luftëtare e vendosur, filozofia gjermane; te Hyrije Hana artiste në vepër dhe në jetë, aristokracia angleze; dhe te Hyrije Hana intelektuale dhe oratore, filozofia iluministe franceze.

Vepra mbyllet me pjesën e shtatë, në të cilën pasi sillen disa të dhëna për qëndrimin e pushtetit politik dhe policor ndaj saj edhe pas demonstratave të vitit 1981, botohen njëkohësisht edhe disa të dhëna interesante të njohësve më të mirë të biografisë e të bëmave të saj deri në fund të jetës: Hydajet Hysenit, Pajazit Nushit, Izber Hotit, Sabri Novosellës dhe Safete Rugovës. Në këtë rrjedhë vepra është plotësuar edhe me një bibliografi të pasur shkencore, e cila e nderon autoren dhe objektin e saj: atdhetaren Hyrije Hana.

 



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora