E premte, 29.03.2024, 12:26 PM (GMT)

Kulturë

Demir Krasniqi: Këngë vajzash në Malësinë e Gollakut

E premte, 09.03.2012, 08:02 PM


Nga folklori ynë:

 

KËNGË VAJZASH NË MALËSINË E GOLLAKUT

 

Shkruan: Demir KRASNIQI

 

Tradicionalisht , në Malësinë e Gollakut , vajzat kanë qenë kreatoret kryesore të jetës kulturore . Ndonëse nën kushte shumë të rënda jetësore , larg urbanizmit, larg shkollimit, larg emancipimit , larg civilizimit ... ato gjithmonë kanë gjetë burime dhe mënyra të ndryshme se si ta zhvillojnë dhe gëzojnë jetën e tyre edhe nën kushte të tilla.

Vajzat e Malësisë së Gollakut , edhe në kohët kur jetonin tërësisht të izoluara nga të katër anët e mureve të fanatizmit dhe kanuneve të egra , ato edhe pse ishin tërësisht analfabete , kishin prirje të natyrshme për të krijuar vargje këngësh aty për aty dhe t’ua përshtatin atyre vargjeve edhe meloditë adekuate për t’i kënduar si këngë dhe për të krijuar atmosferë gëzimi e hareje kudo që ishin . Ato i kënduan me ëndje jetës baritore, deleve, qengjave, dhive , edhave , ogiçave, lopëve, kaujve , bletëve, pulave dhe gjithë atyre të mirave dhe begative nga të cilat rrethoheshin në përditshmërinë e tyre .

Vajzat e Malësisë së Gollakut, i kënduan arave, livadheve, të korrave, të prashiturave , bereqetit, por nuk i harruan kurrë as ritet, zakonet, fejesat, martesat, festat e ndryshme, vëllezërit e tyre, ushtrisë, kurbetit dhe progresivitetit shoqëror në rrethanat në të cilat ato jetonin.

Tradicionalisht , vajzat e Malësisë së Gollakut kanë kënduar duke u shoqëruar me defe , të cilave gjithmonë iu kanë rënë vet ashtu siç e kanë ndie në shpirt dhe si u është paraqitur nevoja e rasteve .

Krijimtaria popullore e vajzave të Malësisë së Gollakut, pa dyshim se është shumë e gjërë dhe ajo ndahet në disa cikle të ndryshme , por që fatkeqësisht , ajo pasuri shpirtërore nuk është mbledhur e ruajtur në kohët e duhura, për çka një pjesë e madhe e kësaj krijimtarie ka perënduar në harresën e kohërave .

Autori i këtij shkrimi, ka arritur që nga trevat e kësaj Malësie t’i mbledh, t’i shënojë dhe t’i ruaj një numër prej 1216 këngësh, për të cilat askush deri më sot nuk tregoi vullnet, as interesim për t’i botua këto perla të krijimtarisë sonë popullore, gjë që sot në trevat e kësaj Malësie rrallë herë mund të dëgjosh duke kënduar ndonjë shpend të malit , e jo ma këngë nga banorët e këtyre trevave , nga që popullata e këtyre anëve tanëmë kanë migruar nëpër qytete, Anadoll, Europë e gjetiu .

Për adhuruesit e folklorit burimor tradicional, kësaj radhe shkëputëm vetëm një numër të vockël këngësh të vajzave të Malësisë së Gollakut, për të parë e mësuar se si krijonin ato, si këndonin dhe për çfarë ëndërronin më tepër në jetën e tyre !

Kah gjysma e dytë e shekullit të XX-të, për herë të parë fillon hapja e shkollave shqipe edhe nëpër fshatrat rurale të kësaj Malësie , ku dëshira dhe etja për t’u shkolluar ishte tepër e madhe , por kushtet e rënda dhe kanunet e errta sërish ishin bedena të hekurta për të penguar shkollimin dhe arsimimin e vajzës fshatare shqiptare!

Megjithatë, aty – këtu gjendej ndonjë familje përparimtare e cila nuk do ta pengonte vajzën e vet , që të shkojë në shkollë dhe të shkollohet krahas moshatareve të saj . Atë kohë, dëshira më e madhe dhe ëndrra jetësore e femrës fshatare ishte që ajo të shkollohej dhe të bëhej mësuese e fshatit, profesion ky që ndër popullatën e gjerë konsiderohej si një profesion i shenjtë dhe shumë fisnik.

Pra, për t’u bërë mësuese , lypsej që të shkohet në Shkollë Normale e pastaj mund të shkohej edhe në ndonjë fakultet . Një këngë e këtillë, e thurur dhe e kënduar nga vajzat fshatare , mbanë titullin :”Disa vajza janë bashkue”, e cila është këndua dhe shënua në fshatin Llabjan , në vitin 1979 dhe ja se çka na thotë kjo këngë përmes vargjeve të saj :

 

DISA VAJZA JANË BASHKUE

 

Disa vajza janë bashkue,

Ato janë n’ shkollë tuj shkue.

 

Udhtojnë vajza nëpër male,

Ato shkojnë n’ Shkollë Normale!

 

Disa vajza janë zatetë,

Ato shkojnë n’ fakulltet!

 

Kënga vijuese tregon bindshëm lumturinë e vajzave , të cilat rriten dhe kënaqen me lojëra të ndryshme në ambientet fshatare , por gjithnjë nën përkujdesjen e nënave të tyre . Ato, përmes vargjeve të këngës i këndojnë lirisë të cilën e gëzojnë derisa janë tek nënat e tyre, ku nuk turpërohen prej askujt dhe hajnë bukë e pijnë ujë sa herë të duan .

Ato i këndojnë specialiteteve ushqimore me të cilat i rrisin nënat e veta me ato kushte dhe mundësi që i kanë, ku kryesisht , ato ushqehen me pshesh me tamël , nga i cili ato do të bëhen gojëmbla dhe shtati i tyre do të rritet si bajraku :

 

T’ LUMET NA , QI JENA ÇIKA

 

T’ lumet na, qi jena çika –

Dy sahat na doket dita!

 

Jena çika e rrimë te nana,

Hajmi bukë, sa her’  t’ na kana!

 

Hajna bukë, e pina ujë,

S’ na vjen marre pej kërkuj!

 

Na jepë nana, pshesh me tamël,

Me u ba  t’ mira dhe gojamël!

 

Pshesh me tamël, me kajmak –

Me e rritë shtatin si bajrak!

 

Në këngët e vajzave të Malësisë së Gollakut , nuk shpëton as një lëvizje produktive shoqërore pa u vërejtur dhe pa u këndua përmes këngëve të tyre . Kështu, bie fjala, në kohërat më të largëta , femrat e kësaj Malësie e shihnin të zitë e ullirit për t’i larë e pastruar rrobat , çejzet dhe gjësendet tjera të amvisërisë familjare.

Në ato kohëra, rrobat , çejzet dhe gjësendet tjera familjare , laheshin me mjete primitive , bile në të shumtën e rasteve edhe me fi e rërë të imtë, nga se nuk kishte as sapuna të mjaftueshëm për larje .Pas daljes së sapunit për larje rrobash, më vonë paraqiten edhe llojet e detergjenteve të ndryshme, të cilat për atë kohë llogariteshin si një e arritur shumë e madhe dhe një shpëtim për botën femërore. Detergjentet e këtilla, atë botë femrat e quanin si “Sodë për tesha”.

Për blerjen e detergjenteve të ndryshme , motrat ua dinin për nderë kryesisht vëllezërve të tyre përparimtarë dhe të punësuar, por me larjen e rrobave me anë të detergjenteve , tani edhe vëllezërit e motrave do të duken më të bukur, më të pastër dhe më pedant, të cilët duket se po e hijeshnin edhe sokakun gjatë ecjeve të tyre !

Këtë dukuri dhe të arritur shoqërore , do ta përshkruajnë vargjet e këngës në vijim:

 

JEMI ÇIKA E DIMË MODËN

 

Jemi çika e dimë modën,

Ditë për ditë e marrum sodën.

 

Marrum sodën dhe shtirakun,

Vllaznit tonë e hjeshojnë sokakun!

 

Ëndrrën e madhe kosovare , për ta parë, shijuar e përdorur lirshëm flamurin kombëtarë shqiptarë kuqezi, nuk do ta kenë anashkaluar as vajzat fshatare të Malësisë së Gollakut . Ato, me vargjet e tyre laike poetike, me zërin e tyre prej malësoreve trimëresha dhe me ritmet e thjeshta të defave të tyre , do ta përjetojnë bindshëm gëzimin historik, kur për herë të parë në Kosovë, më 1968 , u lejua bartja dhe përdorimi i lirshëm i flamurit kombëtarë shqiptarë kuqezi.

Në pamundësi që ato ta blejnë flamurin kuqezi, ato do të thurin me kërrabza xhempera kuqezi, të cilët do t’i veshin dhe do t’i mbajnë në trup me shumë dashuri e krenari .

Vajzat fshatare do t’i këndojnë krenare flamurit kuqezi dhe shqiponjës dykrenare , me vetëdije të plotë se gjithandej ku valon shqiponja aty është tokë e jona. Dhe përmes vargjeve të këngës, vajzat do t’i  tregojnë botës se ato nuk e mbajnë flamurin vetëm në xhemperat e tyre, por atë e mbajnë kurdoherë edhe në zemra edhe në duar për të cilin herëdokurë do të luftojnë dhe do ta mbrojnë, sepse ky vend i takon vetëm atdheut të tyre i cili quhet SHQIPËRI :

 

JEMI VAJZA E KEMI LIRI

 

Jemi vajza e kemi liri –

Bajmë xhamperat kuq e zi!

 

Kuq e zi me dy shqiponja,

Krejt Kosova asht e jonja!

 

Moj shqiponja dykrenare –

Mirë po u rrinë  vajzav’ kosovare!

 

Moj shqiponja me flamur –

T’ majmë në zemra , t’ majmë në durë!

 

Jena vajza – liri kena,

E bajna shqiponjën me dy krena!

 

Me dy krena për krenari,

Do t’ luftojna për Shqypni!

 

Prishtina , si kryeqytet i Kosovës dhe si qendër universitare e cila fitoi Univerzitetin e saj , më 15 Shkurt 1970, u bë sinonim i botës rinore e cila gjithnjë andërronte se si të shkonte të mësonte dhe të studiojonte një ditë edhe në Prishtinë . Kjo dëshirë u bë frymëzim i shumë vajzave fshatare për t’i kushtuar dhe kënduar këngë të ndryshme. Përmes këngës, ato e dinin se një ditë edhe ato vetë do të jenë nxënëse dhe studente të Prishtinës, nga se tani zbardhi koha kur të gjithë të rinjtë dhe të rejat shqiptare do të shkollohen pa pengesa dhe sipas dëshirës së tyre :

 

SA KA LULE NË FLETORE

 

Sa ka lule në fletore –

Djem  e vajza n’ shkollë fillore!

Shkojnë në shkollë për dituri,

Oj Prishtinë, qytet i ri!

 

Sa ka lule n’ fusha e n’ male –

Djem  e vajza n’ Shkollë Normale!

Shkojnë në shkollë për dituri,

Oj Prishtinë, qytet i ri!

 

Sa ka lule në livadh –

Djem  e vajza në Gjimnaz!

Shkojnë në shkollë për dituri,

Oj Prishtinë, qytet i ri!

 

Sa ka lule në saksi –

Djem  e vajza në mjekësi!

Shkojnë në shkollë për dituri,

Oj Prishtinë, qytet i ri!

 

Sa ka lule në qytet –

Djem  e vajza n’ fakultet!

Shkojnë në shkollë për dituri,

Oj Prishtinë, qytet i ri!

 

Përveç trendeve për shkollim te të rinjve , në veçanti të botës femërore nëpër fshatrat rurale, të cilat ëndërronin shumë për profesionin e shenjtë të mësuesisë dhe atë të mjeksisë , nga se popullata fshatare kishte nevoja të mëdha për arsimim dhe për ndihma mjekësore, një dukuri tjetër të cilës vajzat i këdojnë me dashuri është ajo e kohës kur për herë të parë nëpër fshatrat e Malësisë së Gollakut, arrinë radio – aparati, apo tranzistori , që dikur për këtë popullatë ishte vetëm një ëndërr e imagjinuar!

Me arritjen e radio- aparatit nëpër fshatra, tani të rinjtë dhe të rejat do të mësojnë më mirë, më shumë dhe do të argëtohen edhe me muzikë :

 

SHEGË E AMËL SHEGË E BUTË

 

Shegë e amël, shegë e butë,

Na shkoj vera pa të kputë!

 

Na shkoj vera, sen shiqeri,

Hajde rrimë, ku rrin skyfteri!

 

Rrin skyfterri  n’ ato rranza,

Hajde rrimë, ku knon fëllanza!

 

Knon fëllanza nër puhija,

Hajde rrimë, ku knon radija!

 

Knon radija, nër hajat,

Marrum librat, shkojmë n’ gjimnaz!

 

Shkojmë n’ gjimnaz e n’ shkollë normale,

Bahmi msuese, dalkadale!

 

N’ shkollë normale e n’ fakulltet,

Na çet Zoti, n’ selamet!

 

N’ fakulltet për doktorica,

Bahmi  t’ zojat daskalica!

 

Doktorrica me u marue,

Popllin tonë me e sherue!

 

Lëvizjet progresive në shoqëri , nuk do t’iu shpëtojnë pa i pa dhe pa i këndua vajzat e Malësisë së Gollakut edhe në motivet e veshjeve dhe punëve të ndryshme në bujqësi. Ato, tani nuk do të jenë të obliguara që të veshin dimija , në rastet kur ato duhet të shkojnë te ara për të korrë së bashku me vëllezërit e tyre.

Ato , në mënyrë besnike i këndojnë kënaqësisë kur në punë dhe në ara iu prijnë vëllezërit e tyre, por kënaqësia edhe më e madhe do të përjetohet në momentet kur babai i tyre vjen për t’i vizituar dhe për t’ua sjellë drekën me pite të nxehtë dhe do t’i thërret çikat dhe djemtë për të pushua nën hije e fllad :

 

T’ LUMET NA QI JEMI ÇIKA

 

T’ lumet na qi jemi çika,

Na nuk veshumë dimija me pika!

 

As me pika, as me lara,

Marrum drapnin, shkojmë te ara.

 

Çesum vllavin renatar,

Po vjen baba:”Puna e  marë!”

 

Të marë paç, o baba jonë,

Tu gzoftë zemra përgjithmonë!

 

-Puna e marë, çikat e mia,

N’ kofshi lodhë, dilni te hija!

 

-Dilni n’ hije me pushue,

Po vjen pitja tan tuj vlue!

 

Vajzat e Malësisë së Gollakut , nuk hezitonin që të thurin këngë dhe të këndojnë fuqishëm edhe në momentet kur ato punonin ndonjë punë dore me kërrabëza, drugëza, apo gjergjef . Ato krahas artit të punës së tyre , ua shtonin edhe artin muzikor me çka edhe më tepër e madhëronin punën e tyre . Me dëshirë të madhe do t’iu këndojnë xhemperëve të tyre, të cilët i thurin me kërrabëza dhe i zbukurojnë me pulla me qëllim që ata t’i veshin me rastin e festave të ndryshme, sidomos gjatë festës së Shën Gjergjit, ku ato do të kënaqen me këngë, lojëra dhe vjelje të lulave natyrore me të cilat do t’i stolisin shtëpitë e tyre .

Krahas lojërave, festave, punës, ahengut , ato nuk harrojnë që t’i këndojnë edhe ditëve të sefasë gjatë kohës së vajzërisë së tyre të cilën e kalojnë tek nëna dhe në gjirin e ngrohtë familjarë, ku mund të flejnë sa të duan pa ua prishë rehatllëkun askush. Bile , ato u këndojnë edhe kunatave (nuseve të vëllezërve ) , të cilat do t’ua përgatisin drekën për festën e Shën Gjergjit , ku do t’iu qesin tambël të dheneve dhe bukë të grytë. Kunatat do të shkojnë ngadale në dhomën e fjetjes së vajzave dhe do t’i thërrasin me urtësi për t’u zgjuar nga gjumi .

Jo rrallë, në këngët tona popullore e në veçanti tek ato të vajzave, përmendet “buka e grytë”. Kjo nënkupton varfërinë e atyre kohërave , kur nëpër fshatrat rurale rrallëherë mund të gjendej buka e grytë, me përjashtim të festave të ndryshme, nga se atje kryesisht përdorej buka e misrit , elbit dhe e thekrës .

 

T’ LUMET NA QI JEMI VAJZA

 

T’ lumet na qi jemi vajza,

Na marojmë xhamper me kërrabëza.

 

Xhamper me kërrabëza i ngjesum pulla,

Vjen Shin Gjergji, nukum lula.

 

Nukum lula e kukureka,

Në shtrat t’ nanës, na zenë dreka.

 

Vjen kunata me na thirrë –

Hanum-vajza, hajdi hamë sillë!

 

Oj, kunatë, çka ne ke qitë?

-Tamël  t’ dhene e bukë të grytë!

 

Ishte kjo vetëm një tufëz këngësh të krijuara dhe kënduara nga vajzat e Malësisë së Gollakut, nga se nga ky bagazh i krijimtarisë sonë popullore mund të nxjerrim me mijëra këngë e vargje , të cilat përkah strofat janë shumë të shkurtëra, por nga kuptimi dhe tematika e tyre mund të shkruhen edhe romane dhe filma të ndryshëm.

 

Gjilan, më 08.03.2012.                                                     Demir KRASNIQI



(Vota: 4 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora