E hene, 07.10.2024, 09:39 AM (GMT+1)

Kulturë

Kujtim Morina: Dashuria dhe tragjizmi në poezinë e Myftar Gjanës

E diele, 11.03.2012, 03:55 PM


Dashuria dhe tragjizmi në poezinë e Myftar Gjanës

 

Nga Kujtim Morina

 

Në këtë shkrim do të bëjmë fjalë për një poet që e shkruan poezinë e tij pa bujë, pa rendur në redaksitë e gazetave apo të televizioneve apo pa e publikuar poezinë e tij në çdo faqe interneti që i del përpara. Ky është poeti Myftar Gjana. Librin e parë me poezi “Elipsi i humbjes” ai e botoi në vitin 1993, kur ishte 33 vjeç, në moshën e Krishtit, pra në një moshë të pjekur, i rrahur me refuzimet e poezive në redaksitë e shtypit të regjimit komunist, me refuzimin për shtatë vjet të studimeve universitare, me leximet e shumta që e bënë ta sfidonte në heshtje regjimin e kohës por edhe duke biseduar në konfidencë me intelektualë dhe njerëz mendjehapur për brutalitetin e atij regjimi.

“Gjak e pupla para meje

si të ta varros gjakun pa trupin

shpend i lodhur pafajësie”.

Më tepër se për imazhin që krijon, autori reflekton edhe humbjet e veta që ai ka dëshirë t’i përsërisë shpesh në poezinë e tij. Qysh në librin e parë, poeti Gjana nuk ka frikë të poetizojë me vdekjen, t’i afrohet natyrshëm pa shumë frikë, të mendojë përtej saj dhe të gdhendë unin e tij poetik të pashkatërrueshëm nga ky fatalitet. Është me vend, besoj, të kujtojmë shkurtimisht disa fragmente jetësore të poetit dhe njeriut Myftar Gjana. Ai ka qenë një ndër drejtuesit e lëvizjes studentore të vitit 90 për rrëzimin e komunizmit, aktiv në shtypin e fillimviteve 90 duke ngritur gazetën “Kosova” me një theks të fortë opozitar, antikomunist, që arriti një tirazh që do të ishte i lakmueshëm sot edhe për gazetat më të shitura. Pas librit të parë me poezi që e përmendëm më sipër, në vitin 1995, boton librin e dytë “Sa një pasthirrmë kam jetuar”  të cilin e riboton me disa përmirësime në vitin 1997. Pastaj me zhgënjimet e demokracisë si shumë intelektualë shqiptarë, ai u tërhoq gradualisht nga angazhimet politike, duke mbetur lexues i vëmendshëm dhe krijues që shkruan rrallë si dhe përkthen e boton poezi, ese dhe filozofi. Në vitin 2006, poeti Myftar Gjana boton librin me poezi “Njeriu në sferë” si dhe ngre shtëpinë botuese “Princi”, ku ka botuar një pjesë të mirë të veprave të Arshi Pipës, të këtij studiuesi të shquar, poeti dhe politologu që bëri emër në Amerikë por mbetet ende jo shumë i njohur për lexuesin shqiptar, të pasuar nga poetë të tjerë që dolën nga errësira në dritë si Zef Zorba, Primo Shllaku, Muhamet Ademi etj.

Heshtjes së tij publike vitet e fundit, do t’i kujtonim vargjet poetike të librit të parë:

“Asnjëherë s’do të flas

edhe po të kem zë

gjersa të këndojnë papagajt.”

Si e ndërton poezinë Myftar Gjana? Poezia e tij i ngjan një rrëfimi poetik, jo prozaik, me gjetje që vijnë njëra pas tjetrës, të ushqyera me kulturën e tij të gjerë. Duket se ky autor priret drejt poezisë moderne, me varg të lirë, është idhtar i “artit për art”, duke i hequr poezisë funksionet shoqërore, patriotike, kombëtare, edukative etj. Në poezitë e tij, ndihet së brendshmi fati i njeriut modern, më së shumti i palumtur, që ai nuk e shpëton dot sadoqë nganjëherë përpiqet ta projektojë në një dritë të re dhe t’ia heqë vellon e trishtimit. Poeti Agron Tufa shkruan për poezinë e Myftar Gjanës: “Misteri i brendshëm i qënieve dhe sendeve, makthet e hijëzuara metafizike të kujtimit dhe vdekjes, ato regëtima të dridhshme që e shoqërojnë çastin dhe kohën si koncepte fantazmogorike përbëjnë filozofinë e metaforës së tij që është e konceptuar në lirikë si një arkitekturë e trishtë humbjeje, një elips që feks verbueshëm, mundimshëm dhe mjerisht pa fat” Është thënë gjithashtu se në fillimet e veta, poeti Myftar Gjana mori nga surrealizmi dhe ekzistencializmi por pastaj përpiqet të ndërtojë poezinë e vet të pangjashme me të tjerët, bredh pa sforco në botën e fiksionit me një gjuhë të pasur poetike ku mbizotëron metafora.

Poezitë e tij të dashurisë mbeten për mendimin tim, më të mirat e këtij poeti dhe një arritje dhe vlerë e pamohueshme në poezinë shqipe. Aty duket se poeti Gjana arrin harmoninë e emocionit dhe mendimit, ndjenjës dhe kumtimit, reales dhe virtuales. Kur shkruan për dashurinë, poeti është konkret deri edhe në emrin e së dashurës (Dona), depërton në ndjenjat dhe në refleksin e veprimeve të të dashurve në një hapësirë që vibron nga tërheqja e dy trupave me gjini të kundërt apo që plotësojnë njëri-tjetrin. Ai sajon lutje dhe gjetje poetike duke ndërtuar imazhe që të mbeten në mendje për veçanësinë dhe thjeshtësinë e tyre si në poezinë ‘Lutje për ditën e Shtunë”:

“Dhe lutem e lutem për ty,

Tek mban kovat e rënda me ujë,

Të shpërthehen papritur në rrugë

Të mos të përkulet trupi i brishtë.”

Poezitë e dashurisë së Myftar Gjanës janë sa të pranisë aq edhe të mungesës, në to përvijohen kërkimet e pasosura të ndjesive, “nënshtrimi i ëmbël” i femrës,  si dhe energjia mashkullore për dashurinë. Poeti i jep krahë fantazisë që rrok hapësira të pamata, endet në ëndërrimet e së shkuarës dhe së ardhmes në një dialog të ëmbël duke menduar të pamendueshmen. Pavarësisht nga kjo mënyrë të shkruari lirshëm për dashurinë, ka nota të forta tragjizmi në këto poezi, që e bëjnë këtë ndjenjë të shkojë përtej jetës dhe përtej vdekjes. Përdorimi i antitezës në shumë poezi duket se sjell përbri gjithnjë ndjenjat e kundërta që e shoqërojnë njeriun në çdo hap të jetës dhe kjo është një veçanësi e këtij poeti që e zgjeron dimensionin e tij poetik.

Simbolika e disa poezive si: “Sharra e vetmisë”, “Një mi i hirtë trishtimi”, “Zog i pavarr”, “Dje vara veten për ty”, “Kam një kufomë në gjoks”, “Sfinksi i kuq” etj, të kujtojnë Migjenin por vetëm si pikënisje sepse pastaj poeti reflekton në pasqyra të ndryshme duke sjellë çdoherë diçka të ndryshme që nuk e shmang sidoqoftë nuancën e zymtë, ku mund të kujtojmë:

“Pas mesnatave në gjumë

Me tingullin e ëmbël në veshë

Brejtëse dhe e padurueshme

Sharra e imët e vetmisë”

Kjo simbolikë e vargut i jep atij thellësi, forcë tërheqëse imagjinative dhe rendje në navigimet e këtyre situatave poetike. Poeti ruhet nga tepria e figuracionit të vargut dhe përqëndrohet tek forca e simbolit apo simbolikës që rrezaton së brendshmi dhe së jashtmi. Fantazia e tij e pasur poetike bën që ndërtimi i poezive me një simbolikë të tillë të mos bëhet monoton por ta shikojë objektin poetik nga kënde dhe prerje të ndryshme.

Një tjetër motiv që e ka shoqëruar poezinë e Myftar Gjanës është ai i rikthimit. Me këtë motiv të vjetër sa bota, poeti poetizon me kohën që ka ndryshuar, mjedisin, pritjen që rri pezull, por më shumë me pluhurin që hedh koha mbi kokat dhe më shumë mendjet e të dashurve dhe reflektimin e vegimit të ri mbi pasqyrën e vjetër. Poeti udhëton shumë por poezia e rikthimit është më shumë udhëtimi dhe rikthimi i ëndërruar, që dëshiron t’i shohë gjërat ndryshe edhe nëse kanë mbetur siç kanë qenë.



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora