E hene, 07.10.2024, 06:30 PM (GMT+1)

Kulturë

Nexhmije Mehmetaj: Çerkin Bytyçi, poeti që e mban atdheun me vete

E diele, 11.03.2012, 03:55 PM


Çerkin Bytyçi, poeti që e mban atdheun me vete

 

(Poezi nga larg dhe të reja nga çerkin Bytyçi)

 

Shkruan Nexhmije Mehmetaj

 

Kur janë shtrënguar të shpërngulen nga vatrat e veta dhe të braktisin çdo gjë që donin e për çka jetonin, shqiptarët në mërgim kanë marrë me vete një ndjenjë të fortë: dashurinë e pashuar kurrë ndaj atdheut dhe këtë ndjenjë po e lënë brez pas brezi me poezi, tregime, këngë, valle, veshje e me punë dhe edukatën e fëmijëve të vet.

Në frymën e këtyre momenteve të trashëguara më përpara e nis veprimtarinë e vet letrare edhe çerkin Bytyçi, i cili me shembullin dhe fjalën e tij të mësuesit dhe edukatorit do të lartësojë një të kaluar të lartë me të vërtetë historike, e me qëllim të zgjimit të ndjenjës patriotike.

 

Poeti, mësuesi dhe publicisti me banim në Gjermani Çerkin Bytyçi  ka promovuar librin e tij të fundit  me  poezi « Buzëqeshja e hyjit » është ky libri i tij i njëzetë. 

 

Udha e poezisë është e gjatë dhe shoqërohet me arritje dhe vështirësi, ajo është një udhë ku, poeti përmes vargjeve të reja, fton me ndjenjën e sinqeritet edhe lexuesit që të ecin bashkë me të, i fton ata të shijojnë bashkërisht bukuritë e jetës, të përjetojnë ndjenja dhe emocione të rralla, ta duan të mirën dhe të bukurën dhe ta përhapin atë si erën e luleve.

 

Emri i poetit, çerkin Bytyçi, atyre që e duan dhe e lexojnë poezinë, u risjell përjetuesin e bëmave, sa individuale dhe kolektive, nyje ku lidhet jeta me realitetin dhe historinë e re, të atij që u përpoq me vështirësitë dhe kundërshtitë e heshtjeve, luftëtarin dhe të përvuajturin,  dhe të dashuruarin me njerëzit dhe natyrën, të rrëzuarin dhe të ngriturin me fatin e përbashkët, të zhgënjyerin shpesh dhe të përtëriturin, autorin e shumë librave poetikë, tani larg atdheut, pra, të përmalluarin për gjithçka që ka lënë. Se pikërisht poeti, aq sa merr me vete, nuk merr dot asgjë, por i lë, të paktën në një psherëtimë të shkruar. Ku do që shkoj marr me vete atdheun tim, thotë një poet i moçëm arbëresh.

Por mund të jesh mërgimtar dhe në vendin tënd, kur të mungojnë puna dhe shpresa, drejtësia dhe siguria, i rrethuar me harresë, varfëri dhe prapambeturi, që çdo ditë ta zvogëlojnë ëndrrën, ta rrëmbejnë atë dhe ti ndjehesh i zhveshur, pra, pa vetveten e dëshiruar dhe kërkon të ikësh, të ikësh në kërkim të vetvetes, ta ribësh atë, ëndrrën,  kur nuk ribën dot atdheun. Se atdheu nuk bëhet dot vetëm, kështu është dhe duhen shekuj, mijëvjeçar.

Dhe i dorëzohesh një vendi të bërë, e pranon atë si atdhe, që ndrit si pika e lotit, po pse të vijnë ndër mend krahasime të tilla. Kur je larg, larg atdheut tënd shumë gjërave dhe shqetësimeve, sheh veten të pasqyruar në ujët e një pellgu të bukur në lëndinën e madhe, por të huaj, dridhesh, je ti apo nuk je, të gërryen malli. Atdheun e ribën dhe një njeri i vetëm, edhe kur e prishin të gjithë, e ribën brenda vetes kudo qofsh, thamë, e mbart me vete, dhe kështu është, je pjesë e tij nga do që shkon e në çdo vend.

 

çerkin Bytyçi, rritur, edukuar dhe kalitur në një vatër të ngrohtë familjare dhe në rrethe njerëzish të përkushtuar për popullin dhe atdheun, autori është përfaqësues i mendimit më të përparuar dhe shprehës i ndjenjës më të përflakur atdhedashurie.

Përmes poezive ai i drejtohet lexuesit me mesazhet më të mira të sotmes dhe të ardhmes, duke shkuar me modesti në mesin e lexuesve të tij jo vetëm si bashkë mendimtar drejt idealeve të fuqishme, por dhe si bashkë udhëtar këmbëngulës drejt horizonteve plot dritë.

 

Në librin e tij poetik, “Buzëqeshja e hyjit” ai i thur vargje idealeve të reja dhe shpresës, luftëtarit dhe punëtorit, djersës dhe baltës, digave, dashurisë dhe plagëve, dëshpërimit, zhgënjimit, ndryshe dhe po ashtu dhe tani na sjell emocione nga Gjermania e bukur, copa jete, pamje, vetveten tjetër lloj dhe gjithmonë të njëjtë. Është një poet që mban atdheun me vete.

 

Duke shfletuar librin e ri poetik: “Buzëqeshja e hyjit “ jam ndjerë e entuziazmuar nga mendimet e qarta, të shprehura bukur dhe me hijeshi, me vargun dhe rimën e përdorur, me strofën dhe figuracionin, me ritmin dhe melodinë e poezive të ndara: çast biblik, Gjurmë loti, Biografi.

Por, poeti me vargjet dhe figurat e thjeshta që përdor, mbanë edhe qëndrim ndaj të keqes që i dalin njeriut përpara dhe përpiqen t‘i zënë rrugën. Ai e di se në jetë qëllon të ndodhesh në vështirësi dhe të përballesh me udhëkryqe, ku duhet të bësh zgjedhjet mes të mirës dhe të keqes, mes të bukurës dhe të shëmtuarës, mes të lehtës dhe të vështirës, mes ëndrrës së magjishme dhe realitetit të ashpër, mes dashurisë dhe urrejtjes.

Me shembullin dhe vargun e tij, ai është i vendosur për të arritur qëllimin që i ka vënë vetes, t‘u falë njerëzve, fëmijëve dhe të rriturve, ndjenja të çiltra dhe bujare, dashuri, humanizëm dhe mirësi. Poezitë e këtij vëllimi shprehin dashuritë pa mbarim për njerëzit më të dashur të poetit.

Vargjet e poetit janë të ndjerë, plot ngjyrë e hijeshi, plot mbresa dhe emocione. Ato shpërndajnë në hapësirën letrare erën e lirisë,durimin,  bukurinë e natyrës, keqardhjen për prapambeturit që pengojnë përparimet e atdheut.

 

Kur e lexova, konstatova me kënaqësi se ishte një libër i shkruar mirë, me masë, me modesti, me qëllimin për të bërë të njohur vendlindjen e autorit, Hoqën dhe njerëzit e tij në ato kufij dhe në ato përmasa që e meritojnë.



(Vota: 26 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora