Kulturë
Fatmire Duraku: Shpirtëzimi i fjalës - Leksikon i letrareve shqiptare në Kosovë
E diele, 11.03.2012, 03:55 PM
Fatmire Duraku
Shpirtëzimi i fjalës - Leksikon i letrareve shqiptare në Kosovë
Leksikoni i shkrimtareve kosovare gjithsesi do të jetë i mirëpritur nga opinioni i gjerë e posaçërisht nga krijuesit. Hartuesja e Leksikonit ka bërë një punë të admirueshme, në një mënyrë ajo ka larë një borxh që ka shoqëria jonë ndaj krijueses së nënqiellit tonë.
Këto ditë doli nga shtypi Leksikoni i letrareve shqiptare në Kosovë, i emërtuar nga autorja Fatmire Duraku “Shpirtëzimi i fjalës”. Për këtë botim, brenda të cilit përfshihen sipas alfabetit 224 letrare, me të dhëna të shumta biografike dhe bibliografike, Shefqet Rexhepi në parathënien “Ngritja mbi dhembjen” shpreh fjalë miradije dhe e quan libër me interes të shumëfishtë... në radhë të parë për vetë krijueset, e më pastaj edhe për lexuesit dhe mbarë shoqërinë tonë, në të cilën femra është alfa dhe omega e rrjedhës së jetës nga e djeshmja në të sotmen, nga e sotmja në të ardhmen, me theks të veçantë në dridhjet e përditshme-shpirtërore, në krijimin dhe shpirtëzimin e fjalës, në ecjen ballëhapur botës së tyre skofiare, në udhën nga vetëdija, nga gjuha e dritës, pa të cilën kaq kohë populli ynë qe rob...
Duke konstatuar me këtë rast se poezia e femrave është pjesë komplementare e mozaikut tonë poetik sot dhe këtu, Ramadan Musliu thekson se si në bisedat e zakonshme, po edhe në trajtesat e një karakteri studimor, sa herë që kemi të bëjmë me letërsinë që lidhet me femrën, qoftë ajo objekt trajtimi apo edhe subjekt krijues, ajo që e krijon veprën, gjithmonë shfaqet ai stereotipi i njohur, që nënkupton diçka “femërore”, tjetërsoj, mbase edhe diçka aksidentale. Kemi të bëjmë me një paragjykim aktiv, retrograd dhe mohues ndaj një dukurie që edhe sot e gjithë ditën lufton për legjitimitetin e vet...” Për këtë shton ai “ ngaqë tema lidhet me nënqiellin e këtushëm, është e udhës të behët një bilanc dhe balancë i rezultateve të krijimtarisë poetike, ku femra është prodhuese e tekstit artistik, ku ajo është bartëse e identitetit artistik të tekstit, që është në sinkroni me vlerat letrare e artistike të të njëjtit lloj në kohën kur është shkruar”.
Dihet, shkrimi letrar i femrës shqiptare te ne është i vonë. Filloi me ndonjë zë të vetmuar aty-këtu me ndonjë vjershë të ndonjë vajze, e cila e ndrydhte dashurinë e vet në gji, e ndrydhte ndjenjën e vet brenda vetes, duke e pasur të vështirë ta nxjerrë jashtë atë që e mundonte, që e lente pa gjumë.... që pastaj, siç ecën i verbëri, duke u mbajtur për shkopi, apo disi kështu ngjashëm, femra të dalë nga veli i vet i zi dhe të shprehet për këtë apo atë gjë që e ndien, pa nguruar, në të gjitha sferat. Në këtë mënyrë, pra, pas ndonjë vjershe, botuar që në agim të viteve të pesëdhjeta, të radhiten emra, të cilat dy decenie më vonë do të paraqitjen me librat e vet të parë, siç qe Sadete Emërllahu, Flora Brovina, Edi Shukuri... që sot të mund të shkruhet për qindra krijuese të reja, pena që premtojnë, të mund të shkruajmë për botën e tyre të shpalosur me guxim para botës, për shpirtëzimin e fjalës së tyre. Ku leksikon në një mënyrë i është përkushtuar Yllka Domit, e cila ende pa e mbaruar vitin e tretë të gjimnazit u vra nga forcat paramilitare serbe dhe iu këput rrjedha e shkrimit letrar mjaft premtues, iu shkëput horizonti i jetës, por megjithatë ajo nuk do të vritet, me ne ngelën vargjet që i la, të kujtojmë përmes tyre autoren dhe fluturimin e dallëndysheve në pranverën e madhe të lirisë. Fjala që i prin Leksikonit, por edhe ajo që e përmbyll, në mënyrën me të mirë ia japin kuptim Leksikonit të femrës krijuese te ne. Ky botim siç ceket (duke aluduar në krijimtarinë tyre, në radhë të parë) është ai kërkim i përditshëm i krijueses kosovare, është ai gjakim për identifikim krijues, kombëtar, por edhe një përpjekje diskrete për një sensibilitet femëror në trajtimin e motiveve.
Gjithsesi, secila krijuese, njëra më shume e tjetra më pak, ndërton, mëton individualitetin krijues, por ai me gjithë veçantitë artistike shkrihet brenda idiomës së poezisë së gjithmbarshme shqipe dhe më gjerë idiomës evropiane, që i ka rrënjët në muzat e lashta greke, ilire, latine, persiane e hebreje.
Leksikoni i shkrimtareve kosovare gjithsesi do të jetë i mirëpritur nga opinioni i gjerë e posaçërisht nga krijuesit. Hartuesja e Leksikonit ka bërë një punë të admirueshme, në një mënyrë ajo ka larë një borxh që ka shoqëria jonë ndaj krijueses së nënqiellit tonë.